Kreu Aktualitet Shqipëria, rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të...

Shqipëria, rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave

36
0

Fjala e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në konferencën ndërkombëtare “Transparenca e pronësisë së përfituesit”, organizuar nga Këshilli i Europës:
Fillimisht, ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në Tiranë.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, së bashku me jetësimin e reformës në Drejtësi, janë dy nga shtyllat kryesore të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të garantuar sundimin e ligjit, forcimin e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Për mua është një kënaqësi e veçantë që kjo konferencë ndërkombëtare mbi transparencën e pronësisë së përfituesit, si pjesë e masave që mund të merret për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit zhvillohet në Shqipëri.
Gjatë muajve të fundit, Qeveria Shqiptare ka treguar me rezultate konkrete se angazhimi ynë në luftën kundër krimit të organizuar, dhe veçanërisht atij transnacional është një angazhim serioz dhe pakompromis.
Qarkullimi i parave që rrjedh nga krimi i organizuar në ekonominë e një vendi, dëmton integritetin, stabilitetin dhe reputacionin e sektorit financiar si dhe ndikon në mirëfunksionimin e tregut të brendshëm.
Nevoja për informacione të sakta dhe të përditësuara të pronarëve përfitues është një nga faktorët kyç që mund të ndihmojë në gjetjen dhe zbulimin e grupeve kriminale.
Çdo reformë që synon të bëjë transparente dhe publike të dhënat mbi pronësinë e përfituesit, jo vetëm në vendet e BE por edhe në vendet që aspirojnë antarësimin në BE, ndihmon në luftën ndaj keqpërdorimit të shoqërive tregtare me qëllimin e vetëm të pastrimit të parave, fshehjen e pasurisë apo edhe shmangien e pagesës së taksave, siç kanë treguar një sërë rastesh në vende të ndryshme të Botës për parajsat fiskale.
Shpesh herë është raportuar një lidhje e ngushtë ndërmjet veprimtarisë së krimit të organizuar dhe organizatave terroriste.
Prandaj, parandalimi i pastrimit të parave dhe i financimit të terrorizmit nuk mund të jetë efektiv, në rast se ambienti ku këto veprimtari mund të kryhen lejon fshehjen e të ardhurave të tyre nëpërmjet strukturave jotransparente.
Rrjedhimisht, rritja e transparences të pronësisë së përfituesit është një faktor i fortë që, jo vetëm në vendet e BE, por edhe në vendet tona të parandalohet kryerja e veprimtarive të tilla.
Shqipëria është e angazhuar për të luftuar me çdo mjet krimin e organizuar dhe veçanërisht pastrimin e parave.
Forcimi i transparencës si dhe forcimi i forcës ndëshkuese nëpërmjet garantimit të një prokurorie dhe sistemi gjyqësor efektiv janë mjetet e duhura që mund të luftohet krimi i organizuar transnacional dhe terrorizmi.
Këtij synimi do t’i shërbejë edhe zbatimi i plotë i reformës në drejtësi, që ne kemi ndërmarrë tashmë.
Ndryshimi i rolit të prokurorit në sistemin e drejtësisë, me decentralizimin dhe rritjen e pavarësisë së tyre, apo reforma e thellë në sistemin penitenciar janë komponentë të rëndësishme të kësaj reforme, të mbështetur dhe vlerësuar nga pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Forcimi i bashkëpunimit me partnerët tanë në rajon si dhe me organizatat ndërkombëtare, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit është një tjetër drejtim në të cilin jemi fokusuar dhe ku kemi pasur rezultate të mira.
Në fillim të muajit tetor të këtij viti, pra vetëm 3 javë më parë, ne nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit me Eurojust, e cila na krijon mundësinë e një shkëmbimi të sigurt dhe efecient të informacionit gjyqësor dhe shkëmbimit të provave.
Marrëveshja do t’u mundësojë prokurorëve shqiptarë të forcojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre nga vendet që aderojnë në këtë strukturë, do të rrisë shkëmbimin e informacionit gjyqësor, duke rritur efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Forcimi i bashkëpunimit me Eurojust, por edhe me të gjithë partnerët tanë strategjike është një dëshmi e vullnetit tonë të palëkundur për të qenë pjesë e kësaj aleance globale kundër krimit transnacional.
Një tjetër hap i rëndësishëm në drejtim të masave që ka marrë qeveria shqiptare lidhet me lojërat e fatit.
Në çdo raport ndërkombëtar, sektori i lojërave të fatit, ka një rrezikshmëri të shtuar në fushën e pastrimit të parave të rrjedhura nga aktiviteti kriminal.
Për të treguar edhe angazhimin që ne kemi në luftën kundër pastrimit të parave, Shqipëria ka ndërmarrë një masë të jashtëzakonshme, duke mbyllur pothuajse të gjitha lojrat e fatit, duke filluar nga data 1 janar 2019.
Të nderuar pjesëmarrës!
Ne besojmë se po bëjmë një punë të mirë në këtë fushë dhe kemi pasur arritje sinjifikative.
Megjithatë, puna jonë nuk ka përfunduar, jemi vetëm në hapat e pare. Pasi të kemi ndërtuar një sistem të forte gjyqësor ne duhet të garantohemi që do të kemi një zbatim të përshtatshëm të rregullave që garantojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
Ajo çka është e rëndësishme është që ne kemi vullnetin e duhur për t’i shkuar kësaj beteje deri në fund.
Rrugën që duhet të ndjekim dhe rregullat që duhet të zbatojmë, e tregojnë edhe konferenca ndërkombëtare teknike si kjo e sotmja, ku mund të merren eksperiencat më të mira, jo vetëm nga vendet e BE por edhe nga vendet e tjera të rajonit.
Më lejoni që në mbyllje të fjalës sime të falenderoj organizatorët e kësaj konference, që zgjodhën Shqipërinë si dhe t’ju uroj punime sa më të mbara.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here