Kreu Aktualitet Shishtaveci, një tjetër stacion i Programit Kombëtar 100 Fshatrat

Shishtaveci, një tjetër stacion i Programit Kombëtar 100 Fshatrat

34
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me banorë të Shishtavecit, pjesë e Programit 100 Fshatrat:

Më kujtohet kur kam ardhur herën e shkuar në Shishtavec, përmes një rruge që vetëm rrugë nuk mund të quhej, një shteg me gropa, i rrezikshëm. Më vjen shumë mirë që e mbajtëm zotimin për ta rindërtuar krejtësisht rrugën dhe sot erdhëm këtu përmes një rruge sipas standardeve më normale. Natyrisht, jo vetëm nuk mjafton, përkundrazi, rruga është një hap i parë për të çelur perspektivë dhe për të krijuar mundësi reale zhvillimi.

Loading...

Dy vite më parë, një turist polak që kishte qëndruar një natë në një pikë poshtë Gurit të Mëngjesit, monumenti natyror mbi të cilin bien rrezet e diellit në mëngjes në Shishtavec, pati shkruar se këtu nuk është një zonë më pak turistike, por është më shumë se kaq, sepse mund të jesh ti, i vetëm në mesin e Bjeshkëve, pa të tjerë rreth e rrotull. Nuk diskutohet që të tilla atraksione siç është Guri i Mëngjesit, jo vetëm këtu në Shishtavec, por në gjithë Verilindjen e Shqipërisë ka pafund.

Për shumë e shumë vite, edhe për shkak të traditës më të hershme, ne gjithmonë e kemi parë turizmin të lidhur me detin. Ne gjithmonë kemi menduar dhe besuar se deti është potenciali ynë i vetëm turistik, por gjithnjë e më shumë ne po shohim e po kuptojmë që të gjithë se në numrin në rritje të turistëve që vijnë drejt Shqipërisë, ku padyshim deti zë pjesën kryesore, ka një kategori të veçantë që rritet vazhdimisht, që është kategoria e atyre që vijnë në Shqipëri për zonat malore, për të gjithë atraksionet e zonave më të thella.

Kjo është një sfidë e madhe, pasi në mënyrë të padyshimtë, zhvillimi i turizmit është rruga për daljen nga varfëria e këtyre zonave. Është rruga për investimin e kursimeve të atyre që kanë zgjedhur emigracionin për të pasur një mundësi që nuk e kanë pasur këtu në gjithë këto vite me radhë, por që i kanë sytë nga vendlindja dhe janë të gatshëm të investojnë në vendlindjen e tyre, nëse u hapet një perspektivë. Unë besoj shumë që në këtë zonë, ne do të shohim modelet e para të zhvillimit të turizmit malor edhe për një arsye tjetër, sepse këtu në Kukës, besoj në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i aeroportit.

Aeroporti ekzistues do të transformohet tërësisht në një aeroport të standardeve ndërkombëtare, për fluturimet me çmime të ulëta. Studimi që ne kemi bërë me ekspertë të huaj na ka inkurajuar shumë dhe mua më ka entuziazmuar shumë, sepse të gjitha analizat e bëra sipas metodave profesionale të parashikimit për suksesin e një biznesi, tregojnë se aeroporti i Kukësit do të lëvizë në një mesatare prej 300 000 udhëtarësh në vit.

Imagjinojeni vetë se çdo të thotë që 300 000 njerëz të lëvizin përmes Kukësit, për të fluturuar jashtë vendit, apo për të ardhur nga jashtë vendit këtu.

Po flisnim me Safetin për këtë dhe me të qeshur ai tha 300 000 kafe më shumë në Kukës, për të thënë që aeroporti sjell rritje të konsumit, rritje të investimeve dhe ajo që është më e rëndësishmja për temën sot, aeroporti e bën shumë herë më të thjeshtë dhe shumë herë më të mundur që edhe projekti ambicioz i dy djemve nga zona këtu, bashkë me disa investitorë dhe specialistë sllovenë, për ta transformuar Shishtavecin në një destinacion të rëndësishëm turistik për skitë, të kthehet nga një ëndërr në një realitet shumë të prekshëm.

Mjafton të mendojmë që gjithë ata njerëz që do donin të vinin sot në një resort skish, edhe sikur ne ta kishim sot resortin, do duhej të fluturonin për në Prishtinë apo për në Tiranë e pastaj të merrnin rrugën për këtu. Është e njohur tanimë për ne dhe e qartë për të gjithë ata që ndjekin zhvillimet e industrisë së turizmit, qoftë në det, qoftë në mal, që çdo destinacion që i kalon 60 minutat nga aeroporti fillon dhe vështirësohet për shkak se ata që i dedikojnë pushimet e tyre një udhëtimi turistik, nuk preferojnë që të udhëtojnë gjatë nga aeroporti deri në destinacion. Edhe pse, e përsëris, kjo nuk është kryesorja gjithmonë, edhe pse, pavarësisht aeroportit, projekti që do të shikoni edhe sot është një projekt që do të sjellë një transformim të madh në zonë për të gjithë Kukësin, patjetër edhe për ekonominë tonë.

Shishtaveci është pjesë e Programit të 100 Fshatrave dhe agroturizmi, transformimi i shtëpive në bujtina, apo ndërtimi në trojet tuaja, në trojet e njerëzve që jetojnë në zonat malore, i hoteleve të vogla me fermën bashkëngjitur që punon për hotelin dhe për mikpritjen, është një prioritet i yni. Është një mundësi ideale për të investuar të ardhurat e kursyera nga emigracioni dhe për të fituar para, më shumë saç fitohen me punën në emigracion gjatë muajit apo gjatë vitit, që ne do ta stimulojmë shumë.

Unë i ftoj të gjithë që, nëse kanë një ide, nëse kanë një projekt, të na drejtohen pasi ne do të vendosim për vitin e ardhshëm edhe më shumë fonde në dispozicion të agroturizmit dhe flas për para që i shkojnë drejtpërdrejtë në dorë atyre që duan të merren me agroturizëm, nuk flas për kredi. Nuk flas për borxhe. Flas për para ku shteti vetë kontribuon drejtpërdrejtë, duke mbështetur një projekt privat, projektin e një familjeje, projektin e një investitori, apo të një emigranti që thotë unë jam nga Kukësi, jam në Londër dhe kam këtë tokë, këtë shtëpi të babës dhe dua të bëj këtë hotel mikpritës, me komponentët që ka agroturizmi, që ka blegtorinë aty, ka prodhimet ushqimore dhe traditën e zonës.

Unë i ftoj të gjithë që ta shikojnë këtë mundësi, për më tepër, duke pasur parasysh që ne i kemi ulur në maksimum taksat. Është vetëm 5% tatimi i fitimi dhe vetëm 6% TVSH-ja, njësoj si për hotelet me 5 yje. Është i njëjti trajtim si për atë që do investojë me një hotel me 5 yje, për ta lehtësuar e për të mundësuar ardhjen e këtyre hoteleve, edhe për një familjen, që do të thotë, është minimumi.

Ndaj dua t’i nxis të gjithë në këtë zonë, ku, ne besojmë shumë se ka një potencial zhvillimi të madh për sportet dimërore. Zona ka një traditë të vjetër, imagjinoni ka qenë zonë skish që nga koha e Luftës së Parë Botërore. Në 1914-ën – 1918-ën, në atë periudhë ka dokumente që tregojnë se këtu janë bërë gara me ski. Zona atje lart është një zonë e bekuar përsa i përket mbajtjes së dëborës në një periudhë shumë të gjatë të vitit. Ashtu sikundër ne e kemi mësuar tanimë, që resortet e skive janë po aq të populluara në verë, kur s’ka dëborë, sa dhe në dimër, pasi ofrojnë një natyrë fantastike, ajër dhe relaks fantastik për të gjithë ata që nuk preferojnë detin. Në atë kohë, në Shishtavec patën ardhur trupat austro-hungareze që ishin të pajisura me ski dhe në këtë territor ku do zhvillohet edhe resorti, austro-hungarezët zhvillonin gara dhe bënin stërvitjen e tyre. Nga ajo kohë dhe nga ajo prurje e parë, banorët e zonës filluan të improvizojnë skitë e para, të prodhuara këtu me dru. Po ashtu në vitin 1944-1945 është krijuar edhe klubi sportiv Morava i Shishtavecit, që pastaj ka pasur në vite kampionë, normalisht, kampion me pak konkurrentë, se nuk është se e gjithë Shqipëria merrej me ski, – jo kampionë si i Safetit që rreh të gjithë Shqipërinë. Këta rrihnin njëri-tjetrin këtu, se të tjerët s’merrnin vesh fare nga skitë. Po ç’rëndësi ka, merrnin medalje.

Ne jemi shumë të bindur që përfshirja e Shishtavecit në Programin e 100 Fshatrave, përfshirja në këtë Program e projektit në fjalë dhe e masterplanit të Shishtavecit, falë dhe Akademisë së 100 Fshatrave që përbëhet nga 22 skuadra të dedikuara arkitektësh, pedagogësh, urbanistësh dhe të tjerë, përfshirë studentë që punojnë për hartimin e modeleve, janë një garanci se, më shpejt se vonë, ne do të shikojmë zhvillime të rëndësishme në këtë aspekt.

Ne kemi çelur një program të ri financimi për bujqësinë dhe për zhvillimin rural. Një program që është bashkëfinancim i Bashkimit Europian me qeverinë shqiptare dhe që na jep mundësinë që vitin e ardhshëm të kemi volumin më të madh të financimit në mbështetje të fshatit, në mbështetje të fermës dhe të të gjithë atyre që jetojnë me tokën dhe duan të investojnë.

Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij Programi.

Natyrisht, për t’u bërë pjesë dhe për të marrë mbështetje financiare duhen projekte. Programi është i qartë. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka një plan informimi. Ministria e Bujqësisë me drejtoritë përkatëse do të udhëheqë procesin e informimit për Programin, në mënyrë që sa më shumë njerëz ta dinë qartësisht se ku dhe si mund të orientojnë kërkesën e tyre për të marrë fonde nga Programi. Por më e thjeshta dhe më e sigurta, nga pikëpamja e kthimit mbrapsht të investimit, është investimi në agroturizëm, transformimi i shtëpisë në një bujtinë, transformimi i mikpritjes tradicionale në një aset, transformimi i kuzhinës tradicionale në një atraksion dhe krijimi i një ekonomie familjare, që siç e kanë treguar të gjitha eksperiencat e tjera të vendeve që e kanë zhvilluar agroturizmin, është një ekonomi që nxjerr këdo që do të jetojë me punë nga varfëria.

Nga varfëria nuk dilet me lëmosha. Nga varfëria nuk dilet me ndihma ekonomike. Nga varfëria nuk dilet me asistenca. Nga varfëria nuk dilet me gënjeshtra dhe me premtime. Nga varfëria nuk dilet me borxhe e me histori pafund, që i kemi parë në të shkuarën, ku qeveria ka qenë modeli më i keq në këtë drejtim. Nga varfëria dilet me reforma, me dhimbje, me vështirësi, me sakrifica, por edhe me ide dhe investimet e duhura, për të cilat nuk do mungojë mbështetja nga veriu në jug.

Ne do mbështesim këdo që do të na vijë e do të thotë, jam i gatshëm që këtë shtëpinë këtu ta kthej në një bujtinë dhe me ajo bujtinë pastaj të bëjë atë që i takon.

Të gjitha llogaritë tregojnë se një emigrant që rropatet jashtë duke punuar,  kursimet po të investohen në fshat, të investohen në agroturizëm, të investohen në këto mrekulli natyrore, sjellin në fund të muajit, me punën e familjes, më shumë të ardhura sesa sjell rroga në emigracion. Unë nuk po them që të kthehen sot që të gjithë dhe t’i hyjnë kësaj pune, por ta provojnë dhe ta shikojnë. Do ta kuptojnë vetë që iu bie më mirë që kursimet e tyre t’i investojnë në Shqipëri, t’i investojnë në shtëpitë e tyre në fshat, duke pas parasysh këto që thashë, – ardhjen e aeroportit, transformimit komplet të Kukësit nga një zonë ku kalohet për të shkuar andej apo andej, në një pikë ku vihet si pikë mbërritjeje dhe pastaj shkohet këtej apo andej.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here