Kreu Ditar Me litar në grykë thirri: “Rroftë liria!”

Me litar në grykë thirri: “Rroftë liria!”

48
0

E kush nuk e kishte parë në Gjirokastër Fato Berberin, vajzën pioniere në qytetin e gurtë? Bashkëkohësit e saj e mbanin mend dhe tregonin. Kisha dëgjuar dhe nëpër mbledhjet e rinisë për figurën e kësaj trimëreshe. Vajzë e zhdërvjellët, që shkonte andej-këndej si aktiviste e patriote e vogël. E urrente fashizmin pushtues. E shihje Faton fshehurazi në grupe edukative, në shpërndarjen e trakteve e të komunikatave të partisë e të luftës. Dhe sytë i mbante nga mali. Emrin e saj e dëgjoje gjithandej në Gjirokastër, edhe pas çlirimit, në veprimtari për nder të saj.

Fatoja 14 vjeçare që dallohej për guxim e zgjuarsi, doli malit. U rreshtua në “Çetën e Rinisë” të Gjirokastrës dhe mori pjesë në aksione luftarake që u zhvilluan në Kurvelesh, në Sarandë, në Tepelenë, në rrethinat e Gjirokastrës dhe u dallua për trimëri. Çeta e mësipërme u inkuadrua në brigadën e VI-të Sulmuese. Faton e gjeje në Batalionin e III-te me emrin “Baba Abaz”.

Loading...

Partizania e vogël që zbriste pushkën gjatë vitit 1943 dhe vazhdoi edhe në gjysmën e parë të vitit 1944, u fut bashkë me shoqe e shokë luftëtarë në valët e Operacionit armik të Qershorit, por në luftimet e ashpra të tij, atje në malet e Kurveleshit, rrëshqiti dh era në humnerë, e cila gjendej në zonën ku vepronin gjermanët. Ra pa ndjenja. E gjetën gjermanët: e torturuan , e burgosën dhe pas disa ditësh e nisën me të tjerë në kampin e Selanikut.

Partizania e vogël Fato Berberi, kishte rënë në sy të nazistëve si një vajzë e vendosur e sypatrembur dhe ata e mbanin në rreth të kuq. Në atë barakë të një fushe të rrethuar ku mbahej Fatoja, pa me sytë e saj jo pak tortura çnjerëzore, ditën dhe natën. E rrethuar me tela me gjemba ku nazistët dhe me qentë e tyre vinin rrotull, ruanin dhe lehnin deri sa gdhihej.

Ditën fillonin torturat. Fatoja e të tjerë nxirreshin jashtë nga baraka dhe tërë ditën qëndronin në këmbë, në diell e në shi, nuk lejohej as të uleshin! Natën edhe më keq. Në çdo gjysmë ore hapej dera e barakës dhe bëhej “kontroll”. Një rreshter e dy ushtarë përplasnin këpucët, bërtisnin, godisnin me shkelma të burgosurit dhe hajde të flejë në këtë gjendje!

Faton gjermanët e rrihnin para të burgosurve të tjerë që këta ta shikonin e sipas tyre të “trembeshin”. Rrahje e fortë, sa shpeshherë ajo binte përtokë pa ndjenja. Ngrihej me fytyrë të gjakosur dhe përsëri rrihej. Çohej në këmbë dhe i jepte forca vetes. E provokonin armiqtë, e kërcënonin dhe i bënin presion. Oficeri nazist, hodhi në tokë kapelen me yll dhe i tha Fatos:

-Shkele me këmbë!

Fatoja bëri të kundërtën: e mori kapelen me dorë dhe yllin e puthi! Kjo i tronditi dhe i egërsoi më tepër armiqtë. E gjykuan si njeri të rrezikshëm dhe gjyqi ushtarak nazist e dënoi me vdekje.

Në mëngjesin e 7 Gushtit 1944, ora 5, vajza shqiptare u gjend në mes të fushës, atje ku ishte vendosur trekëmbëshi nazist. E qetë, e guximshme shkoi vetë tek ai trekëmbësh. Sytë e të burgosurve, të lagur nga lotët shikonin me dhimbje tek ajo vajzë, e cila u kishte hyrë në zemër. Heshtje, habi. Habi edhe nga nazistët që shihnin një trime shqiptare, atdhetare të vendosur.

Ushtari nazist i hodhi litarin në grykë. Fatoja s’lëvizte. Vështroi larg, në horizont, sikur donte të çmallej me Atdheun e saj, me familjen e saj, me shokët… Pastaj me gjakftohtësi, me duart e saj të njoma, rregulloi lakun dhe thirri me sa fuqi që kishte:

“Rroftë Liria”!

Mundet të vazhdonte të fliste akoma, por ushtari gjerman shkelmoi me këmbën e tij arkën dhe, litari mbyti trimëreshën Fato Berberi, që më vonë do të shpallej Heroinë e Popullit. Partizania e vogël trime, së cilës i përkasin ato vargje që u këndohen partizanëve vogëlushë: “Ke marrë pushkën e lufton për liri, vatan, Dhe fshatari nga vatra/Ty s’të ndan/O i vogël, o partizan/Dhe në qoftë se vritesh/Nëna ty s’të ndan/Se ti re për liri e për vatan/o i vogël, o partizan/Baret si petrit dhe lufton si luan/Dhe fshatari nga vatra ty s’të ndan/O i vogël, o partizan”!

Vepra atdhetare e vajzës 14 vjeçare Fato Berberi, Heroinë e Popullit  ndezi zjarrin e atdhedashurisë  për të vazhduar më tej luftën për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit fashist. Emri i saj do të kujtohet edhe nga brezat e ardhshëm.

SEVO TARIFA

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here