Kreu Aktualitet Veliaj: T’i lëmë qytetit një pajë të gjelbër

Veliaj: T’i lëmë qytetit një pajë të gjelbër

33
0

Nëse martohesh apo lind një fëmijë në Tiranë, mund ta shoqërosh gëzimin e jetës tënde edhe duke mbjellë një pemë. Kështu, jo vetëm e përjetëson atë ditë të shënuar, por fëmijëve të tu u lë një qytet më të mirë e më të gjelbër. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj vijoi aksionin e mbjelljes së pemëve në zonën që njihet si ish-Fusha e Aviacionit në Njësinë 7, nga ku u bëri thirrje të gjithë të rinjve që kanë vendosur ta kurorëzojnë dashurinë e tyre në Tiranë, por edhe prindërve që sapo janë bërë me fëmijë, që ngjarjen e rëndësishme të jetës së tyre ta festojnë duke mbjellë një pemë.

“Për herë të parë në këtë vit nuk do t’i kushtëzojmë, por do t’i inkurajojmë të gjithë ata që lidhin martësë apo regjistrojnë fëmijët e sapolindur me mbjelljen e një peme. Është një kusht miqësor, jo se nuk e kemi detyrimin t’ua japim çertifikatën e martesës apo të lindjes, porse duam që ta kushtëzojmë për të emancipuar prindërit. Vetëm në Njësinë 7, ku çdo ditë martohen 3 çifte, i bie të mbjellim 1000 pemë në vit. Sikur çdo njësi të mbillte 1000 pemë në vit nga martesat dhe 2-3 mijë nga lindjet, do të kishim realisht një qytet shumë më miqësor”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Loading...

Gjithashtu, ai u bëri thirrje edhe bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, por edhe çdo qytetari tjetër, që t’i bashkohen nismës për mbjelljen e pemëve, për t’i lënë qytetit një trashëgimi për të ardhmen. Ai u shpreh i bindur se Tirana në gjithë këtë stinë të re mbjelljesh do ta thyejë rekordin e vitit të shkuar.

“Dua t’i ftoj bizneset, administratorët e pallateve, ndërlidhësit e komunitetit, secili të piketojë një vend në zonën e tij. Pemët janë e vetmja gjë që mund të mbillen në çdo kohë, në ditë me shi, me kohë të vrenjtur, me diell, gjatë gjithë muajve nga nëntori deri në prill, ndaj besoj se do ta thyejmë rekordin që patëm vjet me 150 mijë pemë. Fillimi duket i mbarë, por ama secili duhet të japë një kontribut. Shteti dhe bashkia mund t’i bëjnë disa gjëra, por disa gjëra të tjera kërkojnë një kontribut dhe ndihmë nga të gjithë, kështu që mezi pres që çiftet e reja dhe ata që regjistrojnë fëmijët e tyre të porsalindur në Tiranë, bashkë me çertifikatat përkatëse të marrin edhe etiketën e tyre për të mbjellë një pemë të re për një jetë të re dhe për një familje të re që vjen në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se edhe këtë sezon Bashkia e Tiranës do ta organizojë fushatën mbjelljeve jo vetëm në parqe, por edhe në çdo shesh, rrugicë e çdo lagje të qytetit. “Ne do të kemi dy tipologji mbjelljesh: në zonat e parqeve si Parku i Liqenit, i Farkës, i Kasharit dhe në zonat urbane, ku jemi duke kërkuar hapësira në çdo cep pallati ku mund të mbjellim pemë. Sigurisht, “Parku 1 km” është një hapësirë fantastike e projektuar nga Edi Rama në kohën e tij në bashki, por që sot vazhdon dhe shtohet çdo vit me pemë të reja. Shoh pemët që mbollëm vjet sa janë rritur dhe më vjen mirë që edhe këtë vit do të shtojmë 300 pemë të tjera në këtë mini-mushkëri që është krijuar në një zonë të banuar të Tiranës, siç është Njësia 7”, përfundoi Veliaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here