Kreu Aktualitet Brenda vitit mbyllen kantieret e Rrugës së Kombit

Brenda vitit mbyllen kantieret e Rrugës së Kombit

25
0

Aksi kombëtar Kukës-Morinë quhej i përfunduar deri pak vite më parë, por në të mungonin urat dhe mbikalimet, rrugët lidhëse me fshatrat përreth, po ashtu elementet e sigurisë. Për të plotësuar rrugën me këto elemente, qeveria hapi kantierin e ri të punimeve  në verilindje të vendit.

Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e punimeve në këtë kantier të ri në verilindje të vendit, të cilat siç e informoi kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë drejt përfundimit. “Jemi në përfundimin e viadukteve në aksin Kukës-Morinë. Është një urë shumë e veçantë, me hark, me lartësi goxha të madhe dhe për shkak të radhës teknologjike të punimeve, ne e parashikuam në vitin që vjen dhe mendojmë që brenda vitit të mbarojë kjo urë, ura numër 5 dhe të gjithë urat e tjera. Gjithashtu, kemi dy kontrata të tjera. Kemi kontratën nga Morina deri te Ura 5. Ajo ka vlerën 240 milion lekë te reja. Ndërkohë që, nga Kukësi, deri në Morinë për shkak të elementëve të sigurisë rrugore, komuniteti nuk komunikon me njëri-tjetrin. Ne kemi filluar dhe brenda muajit dhjetor do të vendosim dhe 3 mbikalime këmbësorësh. Gjithashtu kemi zgjidhur përfundimisht dhe fshatin Kobret. Ai fshat ka qenë i izoluar me projektin e parë,” tha ndër të tjera Afrim Qëndro, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Loading...

Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, u shpreh se qeveria e mëparshme e konsideronte të përfunduar këtë aks rrugor. “Edhe kjo hyn te fondi i rrugëve të mbaruara, sipas statistikave zyrtare, por, faktikisht, po e mbarojmë ne. Brenda kontratës do të mirëmbahet siç duhet nga kompania koncesionare, kështu që do kemi një sistem shumë të përshtatshëm dhe duke shmangur përfundimisht të gjitha ato problematikat që ka pasur, edhe burim aksidentesh,” u shpreh ai.

Kryeministri pohoi se finalizimi i kësaj vepre sipas të gjitha standardeve është shumë i rëndësishëm. “U propagandua që u bënë gjëra që nuk u bënë. Mbetën borxhet. U lanë borxhet. Mbetën kilometra pa u bërë. Janë bërë një pjesë e madhe, por finalizimi i kësaj vepre është shumë i rëndësishëm, se këtu ishte e gjithë ajo gryka e shishes që krijoheshin aksidente, që krijoheshin situata emergjence dhe ajo që është më e rëndësishmja është që, paralelisht me përfundimin e investimeve për Rrugën e Kombit, ne të kemi tani të gjithë sistemin e sigurisë të krijuar nga pagesa e rrugës. Është gjë e mirë që këtu s’ka asnjë lloj ndjenje pakënaqësie, përkundrazi, ka mirëkuptim të plotë edhe të gjithë kontribuojnë, por, nga ana tjetër, domosdoshmëria është që këtij kontributi qeveria dhe kompania e mirëmbajtjes t’i përgjigjen me maksimumin e korrektesës, me standarde, me siguri, me shërbim perfekt në të gjithë vijën e autostradës”, deklaroi Kryeministri Rama.

Ministri Gjiknuri shtoi se edhe tuneli i Kalimashit po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë, pasi i gjithë sistemi, ai kundër zjarrit, i kamerave, apo edhe sistemi i ajrimit ishin në rrezik real.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here