Kreu Aktualitet Konstituohet Komisioni i Pavarur për Koordinimin e Monitorimin e Reformës në Drejtësi

Konstituohet Komisioni i Pavarur për Koordinimin e Monitorimin e Reformës në Drejtësi

22
0

U zhvillua mbledhja konstituese e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Mbledhja u thirr nga  Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, i cili, pasi u shprehu anëtarëve të Komisionit suksese në misionin e tyre, nënvizoi se reforma është shumë-dimensionale dhe përfshin mjaft aktorë dhe institucione.

“Në kuadër të reformës, Kuvendi miratoi ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe një paketë ligjesh organike që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Kuvendi vazhdon të përmbushë me përgjegjësi  detyrimet kushtetuese e ligjore që  burojnë nga reforma në drejtësi”, tha z. Ruçi, ndërsa shtoi se vonesat dhe pengesat, reforma ka hyrë në rrugën e zbatimit.

Loading...

Me tej, Komisioni zgjodhi  Z. Artan Spahiu- kryetar, znj. Lindita Rusmali- sekretare, Petrit Plloçi- anetar, Saimir Vishaj- anetar, Irena Nino- anetare.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mbledhjen e Konstituimit të

Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e zbatimit të ligjit 115/2016  “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë

Të nderuar anëtare dhe anëtarë të Komisionit të Pavaruar për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e zbatimit të ligjit 115/2016  “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë,

Të nderuar deputetë dhe deputete,

Të nderuar përfaqësues të organizatave vendase dhe ndërkombëtare,

Të nderuar të pranishëm,

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, është kënaqësi të jem i pranishëm  dhe t’i drejtohem mbledhjes së konstituimit të këtij Komisioni.

Së pari, më lejoni tju shpreh falenderimet juve dhe gjithë kandidatëve që aplikuan për të qenë anëtarë të Komisionit.

Kuvendi  ju votoi dhe ju besoi për të kryer këtë detyrë të lartë e me përgjegjësi.

Ju uroj suksese në këtë angazhim thelbësor për zbatimin e reformës në drejtësi.

Reforma është shumë-dimensionale dhe përfshin mjaft aktorë dhe institucione.

Megjithë vonesat dhe pengesat, reforma ka hyrë në rrugën e zbatimit.

Kuvendi vazhdon të përmbushë me përgjegjësi  detyrimet kushtetuese e ligjore që  burojnë nga reforma në drejtësi.

Miratimi i  ligjeve, pjesë e  paketës së reformës në drejtësi, ngritja e organeve të vetingut, miratimi i organikave dhe buxheteve për të, zgjedhja e anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, janë disa nga detyrimet që Kuvendi ka përmbushur deri  tani.

Në kuadër të reformës, Kuvendi miratoi ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe një paketë ligjesh organike që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Disa organe janë të reja, disa organe ekzisuese do të kenë një organizim dhe funksionim të ndryshëm nga i deritanishmi, bazuar në standardet  më të mira europiane

Ligji 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”, parashikon ngritjen e një organi monitorues, Komisionin e Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit, anëtarë të të cilit jeni ju, zotërinj të nderuar.

Në fakt, ky Komision duhej të ishte ngritur kohë më parë.

Përpjekja e parë u bë menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese  dha vendimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga opozita dhe Shoqata e Gjyqtarëve për disa nene të ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”.

Për shkak të  bojkotit parlamentar nga opozita dhe me pas të shpërndarjes së Kuvendit për  arsye të zgjedhjeve parlamentare, Komisioni nuk u ngrit.

Me fillimin e  legjislaturës së re, Kuvendi priti kthimin e opozitës në  jetën normale parlmentare.

Por për aq kohë sa opozita vazhdon të qëndrojë jashtë Kuvendit,  nuk mund të presim më.

Prandaj, në zbatim të këtij detyrimi ligjor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vendimin nr.74/2018, “Për ngritjen e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë. Përgjegjësitë që ligji ju ngarkon janë thelbësore për  zbatimin me sukses dhe më të shpejtë të reformës në drejtësi.

Ligji ju ngarkon me përgjegjësi dhe kompetenca të qënësishme në zbatimin e reformës në drejtësi:

Së pari, të monitoroni proceset e përzgjedhjes së kandidatëve si edhe  zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si:

  • Këshilli i Lartë Gjyqësor,
  • Këshilli i Lartë i Prokurorisë,
  • Inspektori i Lartë i Drejtësisë,
  • Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Së dyti, të koordinoni punën midis institucioneve e organeve që zbatojnë ligjin nr. 115/2016 dhe të ndiqni ecurinë e zbatimit të këtij ligji nga institucionet respektive, brenda afateve ligjore të përcaktuara.

Këto institucione e organe ligji  i  ngarkon me detyrime e përgjegjësi që duhet të zbatohen  brenda afateve rigorozisht të përcaktuara.

Vonesa në kohë e ngritjes së këtyre institucioneve duhet të kompensohen sa më shumë që të jetë e mundur. Kjo varet nga puna  e angazhimi juaj,  por jo vetëm.  Kjo varet edhe nga angazhimi i organeve dhe institucioneve që ligji i ngarkon me përgjegjësi.

Ju, të nderuar anëtarë të Komisionit, keni për detyrë të koordinoni e të ndiqni sistematikisht përmbushjen e detyrimeve dhe respektimin e afateve.

Së treti, Komisioni duhet të raportojë për ecurinë e zbatimit të ligjit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe para Kuvendit, sa herë është e nevojshme.

Raportimi kërkon angazhimin tuaj për të ndjekur sistematikisht ecurinë e ngritjes së institucioneve dhe angazhimit të organeve që ligji i ngarkon me përgjegjësi.

Të nderuar anëtare  e anëtarë të Komisionit,

Neni 286 i ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë” ju ngarkon tri detyra thelbësore: koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit  të ligjit.

Realizimi i këtij misioni të rëndësishëm, kërkon përkushtim, rigorozitet, aftësi, profesionalizëm, pjekuri, pavarësi, objektivitet dhe paanshmëri. Jam i bindur që të gjitha këto cilësi i kini dhe do t’i jetërsoni në punën tuaj.

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, kam kërkuar plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme për mbarëvajtjen e punës suaj, mbështetjen me burime njerëzore dhe infrastrukturën e nevojshme.

Sikurse e përcakton ligji, veprimtaria e Komisionit do të zhvillohet në mjediset e Kuvendit.  Komisioni në  ushtrimin e veprimtarisë së tij do të ndihmohet nga  administrata e Kuvendit.

Organet e Kuvendit do ju mbështesin  për përmbushjen e përgjegjësive që ju ngarkon ligji.

Unë besoj se misionet që kanë asistuar dhe kontribuar në kryerjen e reformës në drejtësi, do  t’ju mbështesin në punën tuaj.

Tani ju ftoj të vijoni me zgjedhjen e kryetarit dhe sekretarit të komisionit, me miratimin e Rregullores dhe të filloni sa më shpejt nga puna juaj.

Suksese dhe Faleminderit!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here