Kreu Aktualitet Platforma e Bashkëqeverisjes, rriten ndjeshëm rastet e zgjidhura

Platforma e Bashkëqeverisjes, rriten ndjeshëm rastet e zgjidhura

29
0

Takimi javor në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku njerëz të zakonshëm vijojnë të sjellin dëshmitë e tyre sesi përmes Platformës Shqiperiaqeduam.al kanë gjetur rrugën e zgjidhjes së problemeve të mbetura pa përgjigje në zyrat e shtetit:

Kryeministri Edi Rama: Falenderoj të gjithë ata që janë sot të pranishëm për të dëshmuar historinë e tyre dhe për të përcjellë mesazhin e bashkëqeverisjes, si mesazh konkret rastesh dhe shembujsh konkretë. Ne jemi vërtetë të inkurajuar nga fakti që numri i qytetarëve që i drejtohen Platformës rritet. Jemi po ashtu krenarë për faktin që po i afrohemi 17 mijë rasteve të adresuara konkretisht dhe zgjidhjeve, të cilat përndryshe mund të ishin vonuar ende më tepër, ose mund të ishin ende sot duke u zvarritur. Na vjen shumë mirë po ashtu që në tërësinë e tyre qytetarët shprehen të kënaqur me këtë ndërveprim dhe mbi të gjitha janë të gatshëm që të vijnë këtu për të na ndihmuar, duke dëshmuar konkretisht eksperiencën e tyre.

Loading...

Katerina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Pal Todri është një qytetar, i cili pasi kishte bërë vetëdeklarimin pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Tiranë, i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes. Rasti i Zotit Todri ishte më i thjeshtë për t’u proceduar për faktin se zotëria kishte ndërtuar objektin mbi truallin e tij, të cilin e kishte edhe të certifikuar. Nga përgjigja e kthyer nga ALUIZNI rezultoi se në vitin 2017, dosja e tij, edhe pse ishte e proceduar me matjet përkatëse, ishte rikthyer në arkiv. Përfundimisht, me marrjen e ankesën nga Platforma e Bashkëqeverisjes u bë e mundur nxjerrja e dosjes nga arkiva dhe emetimi i lejes së legalizimit.

Pal Todri: Unë kam ndërtuar një shtëpi në tokë private në vitin 1997. Vetëdeklarimi është bërë dy herë, njëherë në vitin 2000 dhe në vitin 2005. Të paktën 13 vitet e fundit kanë qenë një kalvar për legalizimin e ndërtimit, se nuk bëhet fjalë për truallin. Unë dua t’ju falënderoj juve Zoti Kryeministër, stafin e bashkëqeverisjes që janë tepër korrektë në marrjen e ankesave, në përcjelljen e tyre, në ndjekjen dhe në kthimin e përgjigjes.

Kryeministri Edi Rama: Respekte dhe shumë faleminderit për mundimin që morët! 13 vite të humbura për një punë që mori 10 ditë për t’u kryer. Më vjen mirë që të informoj edhe publikun, se nga statistikat e ALUIZNI-t vihet re një rritje e ndjeshme e rasteve të zgjidhura dhe kjo lidhet padiskutim me presionin e bashkëqeverisjes, me presionin e faktit që ka filluar të mbillet në administratë fara e vetëdijes se çdokush që vjen për të kërkuar një shërbim është potencialisht një person që mund të të hapë punë, në rast se nuk ia jep atë shërbim, siç i takon. Ky presion sjell një ndryshim të rëndësishëm në jetën e përditshme të marrëdhënieve të administratës me publikun, pasi i jep qytetarit një fuqi tjetër, fuqinë që buron nga kjo Platformë, që buron nga fakti se çdo qytetar, pavarësisht statusit që ka, pavarësisht se jeton në qendër të Tiranës, apo në një zonë të largët, pavarësisht se është i ri apo i moshuar, i pasur apo i varfër mund të vendosë menjëherë në lëvizje ministrin përkatës dhe ta kthejë atë në shoqëruesin e vet, për të çuar deri në fund, në rrugën e gjetjes së zgjidhjes, rrugën dhe për të marrë zgjidhjen.

Albana, koordinatore e Zyrës  së Bashkëqeverisjes: Rasti që sot do prezantoj vjen nga Tirana. Zoti Sami Fjolla është një qytetar, i cili prej 2005-ës kishte aplikuar për legalizimin e banesës së vet. Prej vitesh procesi ishte zvarritur. Zotëria shkonte te ALUIZNI për t’u pajisur me lejen e legalizimit, më në fund e gjeti zgjedhjen te Platforma. Më datën 28, Zoti Sami iu drejtua Platformës dhe më 31 atij iu dha leja e legalizimit.

Zoti Sami Fjolla: Është fakt, shkoja herë pas here që në 2005-ën. Në 2018-ën kam shkuar 4 herë. Në 28 kam shkruar te Platforma, në datën 31 më kanë kthyer përgjigje dhe në datën 2 kam marrë legalizimin, jo hipotekën. U jam shumë mirënjohës juve dhe stafit që për 3 ditë më kanë dhënë përgjigje.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për dëshminë! Natyrisht, nëse hipoteka do të bëjë po këtë punë, tani e ke të qartë, mos humb asnjë minutë, por drejtoju direkt Platformës. Ajo që duhet pasur parasysh është që, pasi rasti juaj zgjidhet, për personat që janë shkaktarë të këtyre vonesave, hapet një hetim administrativ dhe në bazë të hetimit dhe të përgjegjësisë që del nga hetimi, ata largohen nga puna, shkojnë në prokurori, nëse konstatohet tentativë për korrupsion, ose paralajmërohen në rast se kanë një rol dytësor në këto lloj vonesash të patolerueshme.

Fatmiri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që ju prezantoj është rasti i qytetarit nga Sukthi i Durrësit, Zotit Viktor Beleshi, i cili  në vitin 1996 kishte aplikuar pranë ZRPP-së për regjistrimin e pronës së tij, por në këto 22 vjet, edhe pas përpjekjeve të shumta duke kryer riaplikime dhe dorëzim dokumentacioni, nuk kishte arritur të gjente dot zgjidhje. I ndodhur në këtë pamundësi iu adresua Platformës së Bashkëqeverisjes dhe së fundmi, në datën 25 tetor iu dorëzua nëpërmjet shërbimit postar certifikata e pronës.

Viktor Beleshi: Nga 2005-a e sot, të paktën, çdo vit kam bërë një herë aplikim pranë zyrës së regjistrimit të pasurive dhe takoja në rastin kur shteti nuk njihte shtetin. Kisha dokument të ’96-s me hipotekë, të noterizuar, të gjitha në rregull dhe nuk e njihnin. Falë Platformës u ankova dhe mora përgjigjen e saktë. Faleminderit dhe puna e bërë nuk ka nevojë për reklamë, flet vetë.

Kryeministri Edi Rama: Në fakt, kjo që ne bëjmë është në një farë mënyre një reklamë e një produkti, e Platformës, për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm që kanë në dispozicion një produkt të ri inovativ në telefonin e tyre, apo në njësinë administrative më të afërt, apo në zyrën postare më të afërt, përmes të cilit mund të zgjidhin probleme që duken të pazgjidhshme, apo që bëhen të pazgjidhshme për shkak të administratës dhe të personave që janë larg së qeni të vetëdijshëm për rolin e tyre në zyrat e shtetit. Faleminderit që na ndihmoni, sepse do të ishte e mangët dhe jo efikase, nëse do të isha vetëm unë që flisja, apo vetëm koordinatorët që flisnin, pra, nëse do të ishte thjeshtë qeveria që fliste. Duke parë konkretisht rastet e njerëzve të zakonshëm, çdo njeri i zakonshëm kupton më mirë dhe krijon në mos besimin, të paktën kuriozitetin për ta provuar Platformën. Jam i bindur që edhe ju, kur e keni nisur këtë proces, keni thënë “po provoj dhe këtë, se i kam provuar të gjitha dhe nuk humbas gjë”, aq më tepër që është pa asnjë shpenzim kohe dhe pa asnjë shpenzim financiar.

Entela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Ndër rastet e zgjidhura me Shërbimin Kombëtar të Punësimit është dhe rasti i Zotit Vullnet Kasmi nga fshati Bratilë i Gramshit. Familja e tij prej 8 anëtarësh jetonte me ndihmë ekonomike, por ishte bashkëshortja e Zotit Vullnet, Zonja Merita, e cila iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes për të kërkuar një mundësi punësimi për kryefamiljarin. Shërbimi Kombëtar i Punësimit, brenda një kohe të shkurtër shqyrtoi të gjitha alternativat e punësimit me kompani private dhe sot, Zoti Vullnet është i punësuar në një kompani private të shërbimit të sigurisë fizike në Gramsh.

Kryeministri Edi Rama: Rasti është kuptimplotë, sepse familja ishte në kushte relativisht të vështira. Vullneti ishte i gatshëm të punonte, por nuk kishte gjetur një mundësi. Duke ju drejtuar Platformës, koordinatorja mori përgjegjësinë të ndihmojë dhe nëpërmjet instrumenteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që mbulon dhe sektorin e punësimit, u arrit që Vullneti të punësohet dhe të ketë mundësinë që të çojë një rrogë në familje. E sollëm këtë rast sot, për t’i thënë të gjithëve që, nëse duan një punë, jo një rrogë në shtet, por një punë, atëherë të mos hezitojnë t’i drejtohen Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila përmes koordinatorëve dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të ministrit të Financave dhe Ekonomisë vihet në lëvizje, për t’ju ofruar mundësitë e punës që janë aktualisht në zyrat e punës, por që janë edhe përtej zyrave të punës, me kompani të ndryshme private.

Adela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Jam këtu për të prezantuar rastin e Zotit Mirel Meta, banor i njësisë administrative Baldushk, Bashkia Tiranë. Zoti Meta iu drejtua Platformës shqiperiaqeduam.al me një shqetësim komunitar në lidhje me rregullimin e një rruge lidhëse mes dy fshatrave, Kocaj dhe Kakunj. Me marrjen e këtij shqetësimi, Platforma vuri në lëvizje autoritetet përgjegjëse të Bashkisë Tiranë. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, rehabilitimi i kësaj rruge ka marrë zgjidhje.

Zoti Mirel Meta: Rasti që përmendi Zonja Adela kishte të bënte me një rast komunitar dhe nuk ishte hera e parë që unë iu drejtova Platformës në fjalë, por ishte hera e tretë që këmbëngula dhe nuk hoqa dorë për këtë përmirësim të kushteve të komunitetit. Falë profesionalizmit dhe seriozitetit të Platformës dhe koordinatorëve të bashkëqeverisjes, Bashkia Tiranë mobilizoi drejtorinë numër 2 të punëtorëve të qytetit, që rruga të rehabilitohet sa më shpejt të jetë e mundur. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Kishim edhe një rast tjetër sot, të një zonje që është nëna e dy fëmijëve binjakë, shpresoj ta kemi javën e ardhshme. Një rast tjetër që lidhet me ankesat dhe kërkesat e drejtuara jo thjesht në funksion personal, por në funksion të një shërbimi që mbulon shumë njerëz dhe të një komuniteti që ka nevojë për një zgjidhje. Zonja kishte shqetësimin se dy fëmijët e saj binjakë shkonin në një kopsht të Bashkisë Tiranë me 50 fëmijë dhe kishte një numër të pamjaftueshëm edukatoresh. Si pasojë e interesimit përmes Platformës, Bashkia Tiranë e trajtoi çështjen në kohën e duhur dhe faktikisht, stafi i edukatoreve u shtua dhe ka një raport normal, sot, mes numrit të fëmijëve dhe numrit të edukatoreve. Përfitoj nga rasti që ta falenderoj edhe zonjën në distancë, duke e ftuar të jetë e pranishme javën e ardhshme, duke qenë se sot pati një pamundësi objektive, në minutën e fundit.

Duke ju falenderuar të gjithëve për praninë tuaj, duke falënderuar dhe koordinatoret për punën e palodhur dhe aspak të lehtë që kanë në zhbirilimin e qindra çështjeve të mbartura dhe shpesh herë të ngatërruara me këmbët e veta, po e quajmë në korridoret e administratës, bëjnë një punë absolutisht të dobishme.

Shumë faleminderit edhe atyre që kanë pasur mundësi të na ndjekin dhe i inkurajoj të gjithë që t’i drejtohen shqiperiaqëduam.al, të mos rrinë të presin, të mos kërkojnë parti, të mos kërkojnë krushqi, të mos kërkojnë se kujt t’ia japin lekët për të marrë të drejtën e tyre, të mos presin t’ju vijë një mik, por mjafton një klik dhe mikun e kanë menjëherë në dispozicion, autoritetin më të lartë të fushës, ministrin përkatës. Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here