Kreu Aktualitet Rrugët kombëtare nga program grabitjeje, në program mirëmbajtjeje

Rrugët kombëtare nga program grabitjeje, në program mirëmbajtjeje

19
0

Programi Kombëtar i Infrastrukturës për herë të parë ofron një mirëmbajtje të rrugëve kombëtare sipas standardeve më të larta të sigurisë rrugore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Aksi nacional Shkodër-Muriqan, një segment mjaft i rëndësishëm rrugor sidomos për shkak të trafikut gjatë sezonin turistik, prezanton sot një tjetër model suksesi të këtij Programi të Qeverisë, pasi, nga një rrugë e degraduar tërësisht vetëm 4 muaj më parë, me ndërhyrjen e thellë infrastrukturore të kompanisë së mirëmbajtjes plotëson tashmë të gjitha elementët e nevojshëm të sigurisë dhe sinjalistikës rrugore. Kryeministri Edi Rama ishte në Shkodër, ku ka parë nga afër rehabilitimin e segmentit rrugor Shkodër-Murriqan, 12 km të gjatë, me vlerë afro 1.5 milion euro.

Kreu u Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, tha se punimet janë kryer sipas parametrave europiane dhe tashmë rruga shkurton gjysmën e kohës që shpenzonin drejtuesit e mjeteve para ndërhyrjes. “Është një aks gati 12 km nga Shkodra në Murriqan i cili i është nënshtruar Programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin. Është rehabilitimi i shtresave komplet, sidomos sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, plus veprave të artit, se kjo rrugë ka qenë problem me tubinat, me kanalet anësore, një histori 25-vjecare e pavënë dorë. Ka qenë në gjendje shumë të keqe! Nëse sot përshkohet për 40-45 minuta, për shkak të shpejtësisë së ulët që ka si aks, këtë e bëje për një orë e gjysmë, vetëm nga cilësia që ka pasur rruga,” u shpreh kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro.

Loading...

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli, deklaroi se rruga është bërë në kohë rekord, gati në gjysmën e kohës kontraktuale, ndërsa fjala kyçe ka qenë siguria rrugore. “Ishte parashikuar të bëhej për 6 muaj, është bërë gati për 4 muaj. Ka një risi të madhe sa i përket elementëve dhe standardit. Ky është standardi që duam të arrijmë me mirëmbajtjen e rrugëve, gjë që nuk ka ndodhur më përpara. Mirëmbajtjet e rrugëve kanë qenë, përveç një abuzimi të madh, nuk merrej vesh çfarë ndodhte, si ndodhte. Është pas shumë kujdes siguria rrugore këtu,” u shpreh zv/ministri Shkreli, duke shtuar se në këtë aks ka pasur edhe shumë hotspote aksidentesh. “Për fat të keq ka pasur një regjistër negativ edhe në humbje jetësh, por edhe në plagosje e në humbje të pasurisë së njerëzve. Kështu që ka qenë një pikë shumë e rëndësishme fakti i rritjes së elementëve të sigurisë,” shtoi ai.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se me këto standarde me të cilat po punohet, më tepër sesa mirëmbajte, kemi të bëjmë me një rindërtim të plotë rrugësh. “Ajo që është e sigurtë është që Programi Kombëtar i mirëmbajtjes, për herë të parë, është Program mirëmbajtjeje, se deri dje ka qenë program grabitjeje dhe program gallate. Absolutisht s’ka pasur mirëmbajtje rrugësh, por vetëm hidh pluhur sipër dhe ik. Kurse ky program ka standarde. Tani, pas kësaj, do të jetë shumë më e qartë dhe shumë e lehtë për të vazhduar për të mirëmbajtur mbi këtë bazë, se është ndërtuar me standarde të larta dhe faktikisht është një mirëmbajte e thellë. Ky është rindërtim rruge, nuk është mirëmbajtje, në kuptimin që u hap një gropë dhe u vu një shtresë,” tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ky Program i Qeverisë është mirëpritur edhe nga Banka Botërore. “Edhe me ata të Bankës Botërore që financojnë një pjesë të Programit ne patëm një takim dhe u shprehën me nota superlative për Programin dhe për mënyrën se si është i gjithi i ndërtuar, se nuk është thjesht çështja e financimit, se këtu, në këtë histori për 30 vjet nuk është se kanë munguar lekët, thjesht, këtu ka munguar komplet e gjithë mënyra e konceptimit dhe e organizmit,” tha Kryeministri.

“Ishte arritur një pikë, ku, edhe besimi i Bankës Botërore në investimet për sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve ishte në nivele të jashtëzakonshme, gati-gati po rishikohej fakti nëse ia vlente të vazhdohej kjo gjë, apo jo me Shqipërinë,” pohoi zv/ministri Shkreli.

“Faktikisht, e vërteta është që programet e mirëmbajtjes në të gjithë rajonin për një kohë të gjatë kanë qenë dështime spektakolare, ndërkohë që ky program mirëmbajtjeje është program me standarde të larta. Në rrugën Tiranë-Durrës, siç u bë mirëmbajtja, ishte një estradë shumëvjeçare që përsëritej dhe gropat vetëm shtonin gropat. Tani është mirëmbajtje e thellë,” nënvizoi Kryeministri Rama.

Ndërkaq, kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro e informoi Kryeministrin dhe lidhur me ecurinë e ndërhyrjeve të tjera infrastrukturore në qarkun Shkodër, që, siç u shpreh ai, janë drejt përfundimit total. “Ne kemi mbaruar në Shkodër edhe rrugën Mergushë-Mjedë, e cila i është nënshtruar një përmirësimi të plotë, ose plotësimi të saktë të elementëve të sigurisë rrugore. Edhe atje është bërë një investim gati 500 mijë euro, është e mbaruar dhe po vazhdojmë. Jemi në përfundim për të gjithë rehabilitimin dhe ndërhyrjet që kemi në rrugën e Tamarës dhe drejt përfundimit segmentin nga Gurrë i Zi deri në Mjedë. Ndërkohë që presim brenda pak ditëve, projektet kanë mbaruar, të fillojmë, më në fund, edhe nga Mjeda deri në Fushë Arrëz, që do të thotë, pjesa më e madhe e projekteve rehabilituese në qarkun e Shkodrës mbaroi,” tha Qendro, duke shtuar se ka përfunduar dhe ndërhyrja në aksin Lezhë Shëngjin. “Nëse e mbani mend ka pasur një rënie gurësh që ka qenë shumë rrezik për njerëzit. Përfundimisht e gjithë ndërhyrja atje, me të gjithë elementët e sigurisë ka mbaruar, është dorëzuar nga kompania dhe besoj që është zgjidhur përfundimisht ajo problematikë në atë aks aq të rëndësishëm dhe në trafikun që ka gjatë sezonit me turistët dhe me situatën që kemi atje në plazh,” u shpreh më tej kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here