Kreu Aktualitet Përse opozita e ngre topin e baltës mbi të rinjtë

Përse opozita e ngre topin e baltës mbi të rinjtë

160
0

Nga ALTEO HYSI

Në një vend ku tradicionalisht, për konsum të përditshëm publik, çështje me interes jetik janë trajtuar sipërfaqshëm në rastin më të mirë, e mbrapsht në rastin më të keq, nuk është çudi që rradhën për një keqpërdorim të pafrytshëm politik, ta kenë edhe interesat e të rinjve shqiptarë.

Prej disa ditësh, dashakeqsisht është përdorur si referencë nga aktorë politikë, një sondazh sipas të cilit, 70 % e të rinjve duan të ikin nga vendi.

Kudo në botë dhë në Europë, veçanërisht në Ballkan, të rinjtë janë kategoria që priren të zhvendosin jetesën e tyre jashtë shtetit, kjo për arsye që lidhen me kërkimin e standardeve më të mira të jetesës. Në Britani përshembull, 73 % e të rinjve nga 16 në 21 vjeç konsiderojnë, sipas sondazheve, zhvendosjen jashtë vendit për një cilësi jetese më të mirë.

Tetëdhjetë përqind e të rinjve të intervistuar në Bosnje, Serbi, Mali i Zi, shprehen se do dëshironin të investoheshin jashtë vendit të tyre, sepse nuk ndihen të kënaqur me kushtet e jetesës, mundësitë, të ardhurat, etj.

Ky referim nuk do të thotë se dëshira e të rinjve shqiptarë për t’u larguar duhet trajtuar si një tregues i parëndësishëm që shfaqet kudo në botë. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një fenomen që pikërisht për shkak të rëndësisë, duhet trajtuar me seriozitet, në vend të disa ligjërimeve politike diabolike, sa edhe qesharake.

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, përmes një postimi në facebook, e shoqëronte këtë dëshirë për ikje të të rinjve me disa mesazhe klishe, demode, të dalë boje ne njëzetë e ca vite, si “rinia pa të ardhme”, “rinia nuk ka shpresë”.

Çfarë do duhej të bënte një deputet i cili merr përsipër të flasë për fatin e të rinjve, është që t’i trajtonte kauzat e tyre me peshën e argumentit, analizës dhe alternativës, në vend që t’i reduktojë e minimizojë ato në temë dite për fletërrufe politike, me të cilat edhe të rinjtë vetë janë ngopur. Por nuk ndodhi kështu.

Më tej, zoti Boçi shkruante se “rinia nuk mbështetet financiarisht nga shteti, nuk kreditohet, nuk stimulohet, por i është dorëzuar gratis nga qeveria alternativës së rrugës, kriminalitetit e drogës”. Pra sipas deputetit, të rinjtë e sotëm të Shqipërisë janë të gjithë kriminelë e drogaxhij dhe nuk dijnë të bëjnë asgjë tjetër veç krimit!

Është skandaloze ta mendosh se si ky personazh ia lejon vetes që me një fjalë goje dhe me një omni-kompetencë, t’i fusë të rinjtë e këtij vendi në thesin e krimit dhe drogës. E kur e dëgjon, pyetja që i bën vetes si i ri, është se kë përfaqëson ai? Kë përfaqëson Boçi, që e ngre aq lart topin e politikës në emër të të rinjve, sa nxiton t’u bjerë e t’i godasë edhe ata vetë, pa të drejtë?

Me ç’kompetencë, e më ç’analizë, paska kuptuar zoti Boçi se të rinjtë i janë dorëzuar vetëm krimit në këtë vend?

Ka një Shqipëri zoti Boçi, që është më e bukur dhe ka më shumë ngjyra se sa ajo që ju keni në mendjet tuaja. Një Shqipëri që politikën e sheh me neveri pikërisht për shkak të baltës, helmit, vrerit dhe jashtëqitjeve që njerëz si ju lëshojnë çdo ditë, mbi të madh e të vogël, burrë a djalë, vajzë a grua qoftë.

Pjesë e kësaj Shqipërie që ka fytyrën e dijes, punës, sakrificës e suksesit, janë edhe edhe të rinjë që kanë zgjedhur të jetojnë e të luftojnë në këtë vend, pavarësisht problemeve që peshojnë shumë e më shumë kur fosilet politike, në vend që të ngrejnë kauza profesionalisht, i vulgarizojnë e banalizojnë ato kaq shumë.

Ndoshta një ndjesë publike nga ju Zoti Boçi do të ishte me vend, për gjithë kohën e djegur të rinisë shqiptare, në përvuajtjet e sistemit klientelist arsimor që ngriti partia juaj, për sistemin nepotik dhe korruptiv të punësimit që ju ngritët në administratën publike dhe për zero investime në hapësirat rinore. Por ky mbetet hesapi juaj me rininë!

Deputeti ndoshta nuk e di që sipas Bankës Botërore, papunësia tek të rinjtë shqiptarë është më e ulta në rajon. Por vazhdon të jetë e lartë dhe është larg asaj që duhet të jetë. Si do ta ndryshojmë zoti Boçi? A keni ju ndonjë alternativë?

Sot është fakt që ka një program praktikash në administratën publike për studentët, më të mirët prej të cilëve përfitojnë më pas një kontratë punësimi. Sot është fakt që ka një interes të shtuar ndaj arsimit profesional, rritje të punësimit në zanate për të rinjtë, po ashtu siç është fakt që ka një program të mbështetjes fianciare për sipërmarrjet rinore, çfarë tregojnë se janë hedhur disa themele të reja në një sistem të sëmurë, jo prej të rinjve kriminelë, por nga politikanë kolltukofagë si ju.

A janë këto mjaftueshëm? A duhet një mbështetje më e madhe shtetërore dhe mekanizma më gjithëpërfshirës për të rinjtë? Me gjasë po, por këto zgjidhje dhe alternativa nuk vijnë përmes recitimesh melodramatike nga selia e partisë, as përmes një propagande të helmatisur në facebook.

Kjo ka nevojë për procese të hapura komunikimi ku vetë rinjtë të mund të thonë fjalën e fundit, e në këtë kontekst, fillimi i dialogut më të rinjtë në të gjithë Shqipërinë nga Ministria e Arsimit, për ligjin e ri të rinisë, është një proces i domosdoshëm, qoftë edhe për të hapur për të parën herë, një kanal komunikimi serioz mbi perspektivën e të rinjve në vend.

Kështu që zoti Boçi, drejtoje topin e baltës diku tjetër, sepse është në turpin tënd që ndërsa bën sallatë fjalësh për fatin e të rinjve, t’i etiketosh dhe fyesh ata si gjenerata e krimit dhe drogës!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here