Kreu Ditar Roli historik i gruas shqiptare në luftë për liri

Roli historik i gruas shqiptare në luftë për liri

86
0

Gratë, gjithandej u bënë forca të Luftës Antifashiste në qytete dhe në fshatra. Ato prisnin, strehonin, ushqenin, vishnin dhe mbronin nga rreziqet ilegalët dhe partizanët, mjekonin të sëmurët e të plagosurit, mblidhnin informata mbi lëvizjet e armiqve, kryenin punën e korrierëve, mblidhnin ndihma etj. Athina Nushi u bë një nga bazat e rëndësishme të luftës në Tiranë, ku janë strehuar shumë ilegalë dhe janë zhvilluar mbledhje të rëndësishme.  Po kështu, Ije Farka që strehoi Vojo Kushin, Xhoxhi Martinin e Sadfik Stavalecin dhe shokë të tjerë. Shtëpia e Mine Pezës qëndroi gjithmonë e hapur dhe në gatishmëri për ilegalët. Ashtu si Adivije Agolli që banonte në Rrugën e Pishës në Tiranë, gjithmonë e qeshur dhe e qetë dhe gatëshme për të pritur ilegalë. Të tilla nëna heroike kishte plot si: Sabrie Osmani , Zyra Koçi, Hurma Çobo, Pashako Selmani e shumë nëna të tjera trimëresha që kontribuan gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Që Me krijimin e çetave, batalioneve dhe sidomos të brigadave, në ato u rreshtuan edhe qindra gra e vajza, nga qyteti dhe nga fshati. Kështu, në Çetën e Pezës, përmendim: Dije Peza, Myrvete Peza, Ismete Lila, Zyra Feraj; Elisabeta Stefanië, Dhora Prendi , Fato Berberi, Parashqevi Llukani, Fete Gjini, Myzejen Galanxhi etj. Një numër vajzash dolën nga radhët e nxënësve të shkollave të mesme të Elbasanit, Vlorës etj. dhe u rreshtuan në radhët e Brigadës I-rë.

Në Brigadën e III u rreshtuan 45 shoqe, në të IV-t 51, në të V-71 dhe kështu me radhe edhe në brigadat e tjera. Një numër grash e vajzash dolën për të zëvëndësuar burrat apo vëllezërit e  vrarë, si Ismete Peza, Sabrie Bozhiqi, Xhevo Shehu, Llavri Gogo, Milika Terova, Kostaqe Toçe, Sofika Misja e shumë të tjera. Në rradhët e Ushtrisë NAÇl u rreshtuan rreth 6000 gra e vajza. Ato luftuan heroikisht përkrah vëllezërve të tyre dhe 250 prej tyre ranë në fushën e betejës. Ndër 25 63 varurit në litar nga pushtuesit fashistë e nazistë, 6 prej tyre janë vajza: Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi, Ganimet Tërbeshi, Sofi Noti dhe Dhoksi Prifti si dhe një me origjinë ruse. 14 gra e vajza janë shpallur “Heroina të Popullit”.

Pjesmarrja e grave dhe e vajzave në radhët partizane nuk ishte gjë e lehtë. Atyre iu desh të kapërcenin dhe të flaknin tej shumë koncepte të vjetra që përçmonin rolin e gruas e për më tepër mentalitete që atakonin moralin e tyre. Armiqtë villnin vrerë kundër moralit të shoqeve partizane. Porn ë disa raste, pengesë bëheshin edhe prindërit fanatikë. Por ato i kapërcyen këto pengesa dhe me sjelljet e tyre korrekte treguan moralin e tyre të lartë. Kurse me përkushtimin e tyre në luftë, me guximin dhe trimërinë, me aftëesitë intelektuale, ato treguan se ishin plotësisht të afta për të marrë përsipër edhe detyra ushtarake komanduese dhe detyra politike në radhët e reparteve partizane.

Janë të shumta aktet e trimërisë dhe të heroizmit të grave dhe vajzave gjatë përleshjeve me armiqtë. Ato janë aq të shumta, sa duhen vëllime për t’i pasqyruar. Ato arritën deri në anëtare të seksioneve politike të brigadave, komisare batalioni, zv/komisare batalioni, komisare kompanie, përgjegjese rinie etj. Gratë dhe vajzat shqiptare, nuk iu shmang asnjëherë vështirësive të motit, terrenit spo epersisë armike edhe pse shokët shpesh u kërkonin të qëndronin në baza. Duke bërë fjalë për qëndrimin e vajzave gjatë Operacionit të Dimrit, një kapiten fashist, në raportin që i dërgonte komandës së tij pas dështimit të Operacionit, ndër të tjera i shkruante: “Edhe vajzat e qyteteve, të cilat pak më parë nuk kishin guxim për të dalë natën në oborr, po kryejnë veprime legjendare. Ato kanë mujt me përballue vuajtjen, me vdekë dhe me mardhë në dëborë, duke jetue 7 ditë me kokrra dëllinjash dhe me veprime taktike të papërshkrueshme, kanë ba veprime të çuditshme”.

Qëndrimi heroik në burgje dhe kampe përqëndrimi

Guximin, trimërinë dhe heroizmin e tyre, gratë dhe vajzat e treguan jo vetëm nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi në Shqipëri, Selanikj, prishtinë, Gjermani e gjetke. Dhe këto nuk ishin pak, por me qindra. Edhe përpara torturave, edhe përpara momentit të pushkatimit dhe të varjes në litar, ato nuk e dhanë veten, nuk pranuan të tregonin shokët apo bazat e tyre, nuk pranuan të tregonin pendim dhe të kërkonin falje. Edhe në këto moment, në fjalën e tyre të fundit të kërkonin një pasqyrë e një krëhër për t’u zbukuruar, ashtu siç ishte e bukur edhe vepra e tyre heroike dhe thërrisnin: “Poshtë fashizmi”, “Rroftë Shqipëria e lirë”! etj.

Këto qëndrime kanë mahnitur edhe autoritetet fashiste e naziste. Në kampin e Selanikut ishin shoqet Petrina Nase, Fato Berberi, Liri Çako, Vangjeli Muçi, Sofie Noti, Fatmira Hoxha, Dhoksi Prifti, Krisavgji Kristo e Sofika Lako. Si në të gjitha kampet naziste, edhe këtu jeta ishte shumë e rëndë dhe e pasigurtë. Por tortura dhe llahtaria më e madhe dhe e vazhdueshme ishte pritmëria e thirrjes së emrave, të atyre që do të shkonin përpara plumbi apo litarit.

Një nga të internuarit ka treguar: Një natë u hap dera ku flinin shoqet shqiptare, hyri një nazist me fytyrë përbindshi dhe thirri një vajzë 16 vjeçare, Fato Berberi. Ajo ishte regjur në luftën kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve dhe ishte dalluar për trimërinë e saj. Atë mundën ta kapnin nazistët sepse ishte plagosur rëndë gjatë një luftimi dhe kishte duruar tortura nga më të tmerrshmet para se të nisej për në kampin e Selanikut dhe nuk e kishte dhënë veten. Edhe kur i thirrën  emrin, u ngrit nga shtrati me qetësi e u drejtua nga shoqet, u dha lamtumirën dhe u tha: “Jam e lumtur që po vdes si partizane!” “Ne do të fitojmë”! “Rroftë Liria!… Nazistët të tërbuar nga qëndrimi i saj, e shkëputën me forcë nga shoqet dhe e vunë përpara. Por ajo me gjoksin përpara, u nis duke kënduar këngën: “Hakmarrje, Rini…”. Këngë që u pasua nga të gjitha shoqet. Nazistët e shpunë përpara litarit dhe i kërkuan fjalën e fundit. Por ajo, në vend të fjalës së fundit u kërkoi një pasqyrë dhe një krëhër dhe pasi u kreh e u rregullua, kryelartë dhe pa ju dridhur buza, priti aktin e varjes. Fashistët u mahnitën, sepse prisnin t’u kërkonte mëshirë e të gjunjëzohej.

Pas dy ditësh, mazistët ekzekutuan edhe Sofie Notin dhe Dhoksi Priftin kurse shoqet e tjera i nisën në Gjermani. Qëndrim heroic mbajtën edhe Buke Naipi dhe persefoni Kokëdhima, si gjatë torturave çnjerëzore ne qeli ashtu edhe në momentin e ekzekutimit me varje në litar në  sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër.

Me luftën, trimërine dhe aftësitë e treguara, gratë i bënë vend vetes edhe në organet e pushtetit në bazë, rreth, qark e qendër. Kështu, në Kryesinë e këshillit Antifashist në Labinot, u zgjodh edhe Ollga Plumbi. Edhe Kongresi i përmetit zgjodhi 7 shoqe në këshillin e Përgjithshëm, midis të cilave: Ollga Plumbi, Ela Gjikondi, Hilmie Kosturi, mila Vangjeli, Nebahet Bakiri etj. Në Kryesinë e Këshillit prej 30 vetësh u zgjodh edhe Ollga Plumbi. Në këtë mënyrë gruaja dhe vajza shqiptare u afirmua si një forcë e madhe politiko-shoqërore, që i bëri vend vetes edhe në jetën politike shoqërore të periudhës së pasçlirimit në të gjitha organizmat ekonomike-shoqërore e shtetërore, nga baza deri në qendër.

Nuk numurohen dot me një shkrim gazete as numri i grave dhe vajzave në shërbim të luftës dhe luftëtarëve të lirisë e as veprat e tyre heroike, për ato nuk mjaftojnë vëllime të tëra.

Dr.APOSTOL KOTANI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here