Kreu Aktualitet Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme

Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme

67
0

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën FinSAC (Financial Sector Advisory Center) të Bankës Botërore, organizuan Konferencën Rajonale me temë “Planifikimi i rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme”.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme të Bashkimit Evropian, përfaqësues të vendeve të rajonit dhe të bankave tregtare të vendit tonë.

Çështjet e trajtuara në konferencë u përqendruan mbi zhvillimet e deritanishme të rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Bashkimin Evropian, sfidat për zbatimin e tyre në rajonin tonë, eksperiencat e bankave qendrore dhe autoriteteve të ndërhyrjes në hartimin dhe vlerësimin e planeve të rimëkëmbjes dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bashkëpunimin dhe koordinimin midis autoriteteve përgjegjëse, si dhe sfidat e së ardhmes.

Konceptuar në katër sesione, punimet e konferencës u hapën me fjalën përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj bëri një ekspoze të vështirësive që u hasën gjatë periudhës së krizës financiare globale 2008-2011, nga qeveritë e vendeve të ndryshme, të cilat u detyruan të përdornin fondet publike, duke injektuar para dhe lëshuar garanci për institucionet financiare në vështirësi.

Ajo shtoi se, në atë kohë, kjo situatë shërbeu si reflektim mbi përshtatshmërinë e rregullimit të tregjeve financiare në përballimin e krizave dhe evidentoi dy mungesa të rëndësishme në kornizën rregulluese. “Së pari, legjislacioni bankar vendoste rregulla të qarta për hyrjen me rregull në treg të pjesëmarrësve të rinj, por nuk përcaktonte kërkesat detyruese për daljen me rregull nga tregu të pjesëmarrësve me probleme. Së dyti, niveli i lartë i integrimit financiar bëri që goditjet e brendshme në një vend të transmetohen përtej kufijve në vende të tjera, duke u kthyer në problem global.” – u shpreh zj. Ahmetaj.

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj shtoi se analiza, që pasoi krizën financiare, motivoi Bashkimin Evropian të shqyrtojë çështjet e rimëkëmbjes dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka dhe aktualisht Unioni Bankar në Evropë ka prezantuar rregulla të harmonizuara për ndërhyrjen e jashtëzakonshme, nëpërmjet aktivizimit të Direktivës Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme për të gjitha vendet anëtare, si dhe ka krijuar Mekanizmin e Unifikuar për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Eurozonë.

Ligji i ri për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme pajis autoritetet mbikëqyrëse dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme me kapacitetin ligjor dhe instrumentet e nevojshme, për ristrukturimin e operacioneve të bankës, nëse falimentimi i mundshëm i saj rrezikon stabilitetin financiar ose minon objektiva të tjera të rregullatorit.

Më tej, Zëvendësguvernatorja nënvizoi se modeli i integrimit global është modeli ekonomik që ka ndjekur edhe shumica e vendeve në tranzicion, si Shqipëria. Nën këtë drejtim, tregu bankar shqiptar, u shpreh zj. Ahmetaj, ka dëshmuar vullnet dhe objektiva të qarta për një integrim sa më të shpejtë me kuadrin ligjor të sistemit bankar të Bashkimit Evropian, si dhe me ndryshimet e rëndësishme që ai ka pësuar pas vitit 2008.

Në vijim, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se megjithëse në historinë e sektorit bankar shqiptar nuk ka pasur raste falimentimi të bankave, gjatë ndërtimit të skenarëve hipotetikë për përballimin e një ekspozimi potencial të ekonomisë shqiptare ndaj krizës së borxhit sovran grek, u evidentuan boshllëqe në legjislacionin tonë bankar. Për këtë arsye, gjatë vitit 2015, me mbështetjen e projektit FinSac të Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë filloi punën e vështirë, por të domosdoshme të harmonizimit të Direktivës Evropiane, në një ligj të ri shqiptar.

Ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë” hyri në fuqi në korrik 2017, duke i ngarkuar Bankës së Shqipërisë, mandatin e ri të Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në banka. Ky mandat plotësoi mekanizmin e plotë të sigurisë financiare për sektorin bankar, me Bankën e Shqipërisë përgjegjëse për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit bankar, hartimin e politikave makroprudenciale, kryerjen e funksionit të huadhënësit të fundit, si dhe zbatimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në përfundim të fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, theksoi se kjo konferencë kulmon punën e 18 muajve të fundit të Bankës së Shqipërisë, drejt zhvillimit të një kuadri të plotë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sektorin bankar.

Duke falënderuar të pranishmit, ajo u shpreh e bindur se punimet e kësaj konference do të shërbejnë për shkëmbimin e eksperiencave dhe do të lejojnë ndërtimin e një urë të re për bashkërendimin e përpjekjeve të aktorëve për një sistem të qëndrueshëm financiar brenda dhe jashtë kufijve gjeografikë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here