Kreu Aktualitet Protestuesit e “Unazës së Re”, zaptues profesionistë të pronave publike

Protestuesit e “Unazës së Re”, zaptues profesionistë të pronave publike

88
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ditën e sotme për protestën e banorëve që preken nga projekti i Unazës së Re. Duke marrë shkas nga një rast i zgjidhur nga Platforma e Bashkëqeverisjes, Kryeministri tha se ajo protestë të çon tek shembulli më i keq i zaptimit të pronës publike:

“E kam të pamundur të evitoj sot dy fjalë që nuk janë të gjitha fjalët që duhen thënë dhe që do të them në vijim lidhur me ata që protestojnë te Unaza e Re, sepse kemi njohur një kategori deri dje të panjohur, edhe pse ka ekzistuar, – por është ajo shprehja: “Ujku, ujku dhe çakalli bën kërdinë!” – kategorinë e zaptuesve profesionistë të pronave publike, apo të pronave të tjetërkujt, individë që shfaqen kërcënues dhe të lënduar në bllokimin e paligjshëm dhe tërësisht të pandershëm të rrugës për të gjithë qytetarët dhe që rezultojnë me nga 4, 5 dhe deri 8 ndërtime pa leje në Tiranë, në bregdet, apo në zonat nga ku kanë ardhur, pra individë që gjatë të gjithë këtyre viteve nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë ndërtuar pa leje dhe kanë krijuar pasuri pa leje dhe sot kërcënojnë sepse duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve me gjasë të zaptuar në pronën e tyre nga këta individë, apo të komunitetit të cilit i është marrë prona e përbashkët dhe i cili meriton të ketë Unazën e Re sipas të gjitha standardeve dhe pa asnjë gajle bllokojnë qarkullimin dhe natyrisht janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të një vendi.

Nuk po zgjatem më tutje, por, meqë folëm për legalizim dhe meqë abuzohet shumë me, “jam në proces legalizimi”, dua ta theksoj:

Të kesh aplikuar për legalizim, nuk do të thotë të legalizohesh medoemos nëse ngrehina jote bie në shtratin e rrugës, bie në një zonë arkeologjike, bie mbi tubacionet e ujësjellësit, apo të kanalizimeve, bie aty ku kalojnë linjat e energjisë elektrike dhe kështu me radhë.

Janë qartësisht të përcaktuara në ligj të gjitha rastet që e bëjnë të palegalizueshme një godinë, një godinë që nuk mund të kthehet në një pronë të ligjshme aty ku cenohet prona e përbashkët e të gjithë komunitetit dhe e gjithë bashkësisë sonë shqiptare dhe për më tepër ka një abuzim të madh me këtë koncept, pasi, nuk është e njëjta gjë fare, të kesh ndërtuar një shtëpi për të futur kokën në një territor ku nuk je bërë pengesë zhvillimi i nesërm dhe të ndërtosh kate të tëra për biznes në shtratin e rrugës e të pretendosh, pas 15 e kusur vitesh që kanë filluar prishjet dhe kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë, dëmshpërblim 100%.

Dëmshpërblim 100% për çfarë?!

Për cilën arsye?!

Mbi bazën e cilit ligj dhe të kujt të drejte morale në raport me ata që, jo s’kanë zaptuar kurrë një metër katror, por, përkundrazi, kanë paguar rregullisht të gjitha detyrimet?!

Dëmshpërblim nga ku, nga buxheti i shtetit, i cili është kontributi i të gjithëve për të ndërtuar çerdhe, për të ndërtuar kopshte, për të ndërtuar shkolla, për të ndërtuar rrugë, për të ndërtuar spitale për të rritur pagat, për të rritur pensione?!

Nga i gjithë ky buxhet duhet të marrim para për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë me nga 5, 6, 7 dhe deri 8 vila e biznese të ndërtuara gjatë të gjithë periudhës së rrumpallës së madhe!

Kjo është e papranueshme dhe sigurisht që kjo nuk gëlltitet dhe nuk tretet nga asnjë formë dhe në asnjë mënyrë!

Kështu që, thirrja ime është që, ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen e tyre, duke u bërë për më tepër gazi i botës dhe mish për top të atyre të tjerëve, që nuk u ka mbetur asgjë në kokë, nuk u ka mbetur asgjë në shpirt, por u ka mbetur vetëm të tundin flamurin e shqyer të një opozite që shkon, zë rrugën dhe predikon dëmshpërblim për paligjshmërinë!”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here