Kreu Aktualitet Shqipëria, decentralizim në progres

Shqipëria, decentralizim në progres

55
0

Sot u organizua Konferenca Kombëtare “Shqipëria, decentralizim në progres”, ku u bë një vlerësim i ecurisë së decentralizimit, duke u përqendruar në aspekte të ndryshme të tij në vend, prezantuar përpjekjet dhe arritjet e deritanishme në fuqizimin e qeverisjes vendore, si dhe sfidat që dalin përpara në të ardhmen.

Konferenca u hap nga Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi dhe Ambasadori i Konfederatës së Zvicrës në Tiranë Z. Adrian Maître; u bënë prezantime teknike nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe u zhvilluan diskutime nga panel ekspertësh, përfaqësues politikë dhe të Bashkive, si dhe të institucioneve të ndryshme.

Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja Mesi duke shprehur falenderimin për angazhimin shumë-vjeçar të qeverisë zvicerane ndaj zhvillimit dhe demokratizimit të qeverisjes vendore, u ndal tek reforma e organizimit administrative-territoriale duke e nënvizuar atë si një prej reformave që i ka hapur rrugë tashmë një procesi efektiv decentralizimi dhe ndërtimi të një autonomie reale vendore: përfaqësim më të mirë, demokraci vendore të prekshme dhe shërbime më cilësore e më lehtë të aksesueshme në secilën njësi të vendit. Ajo përmendi gjithashtu disa prej arritjeve të deritanishme të aktorëve vendorë që pas ndërmarrjes së kësaj reforme.

“Kemi rritje të ardhurash nga taksat dhe tarifat vendore të mbledhura nga bashkitë me 28%, si dhe rritje shpenzimesh për investimet vendore me 88 % në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016. Në të njëjtën kohë, kemi përmirësim të treguesve makro-ekonomik lidhur me planifikimin e të ardhurave  për pushtetin vendor, si dhe një orientim të zhvillimit të qëndrueshëm territorial nëpërmjet miratimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, deri tani për 26 Bashki  të vendit”, u shpreh Znj. Mesi, teksa nënvizoi faktin që ka përmirësim të shtrirjes dhe menaxhimit të shërbimeve vendore, si në rastin e: menaxhimit të sistemit të ujitjes dhe kullimit, rritjes së mbulimit territorial të shërbimit  zjarrfikës, shtimit të fondit të pyjeve dhe kullotave, shërbimit të transportit ndërlidhës në zonat rurale etj.

Zëvendëskryeministrja Mesi u ndal gjithashtu tek rëndësia e krijimit të një administrate publike qendrore dhe vendore të gatshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, në kuadër të së cilës ri-konfirmoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me pushtetin vendor për realizimin e këtij qëllimi.

“Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm në reformën territoriale dhe forcimin e bashkive. Decentralizimi është një mjet drejt qeverisjes së mirë vendore. Decentralizimi i pushtetit i sjell vendimet aty ku njerëzit janë, duke konsideruar aspiratat dhe nevojat e çdo komuniteti, sado i vogël apo i largët, si dhe nevojat e sektorit privat në këto komunitete”, tha Ambasadori Zviceran Adrian Maître. Ai përmendi se progresi është i dukshëm për sa i përket delegimit të më shumë funksioneve tek bashkitë, dhe shtoi se “ajo që duhet tani është zbatimi i ligjeve dhe konsolidimi i reformave”.

Një nga gjetjet kryesore të vlerësimit ishte se bashkitë e reja kanë rritur shkallën në kohezionin territorial dhe social dhe kanë një vizion të integruar për zhvillimin, pas tre vitesh të Reformës Administrative-Territoriale.

Konferenca u mbështet nga Programi Zviceran për Decentralizimin dhe Zhvillimin Vendor (dldp) dhe shërbeu si një platformë dialogu për avancimin e procesit të decentralizimit. Mbështetja nga programi zviceran është dhënë që nga fillimi i Reformës Administrative-Territoriale në vitin 2015.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here