Kreu Aktualitet Fund epokës së fshatrave turistikë, hoteleria domosdoshmëria që kemi

Fund epokës së fshatrave turistikë, hoteleria domosdoshmëria që kemi

81
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e investitorëve të turizmit:

Është kënaqësi e veçantë dhe me të vërtetë që ne sot jemi këtu në këtë Samit të Investitorëve në Turizëm, në kushtet kur Shqipëria gjendet në një fazë të ndërmjetme pas një të shkuare kaotike dhe jo fort shpresëdhënëse dhe një të ardhmeje realisht optimiste për sa i përket turizmit. Por është një fazë e ndërmjetme delikate me sfida reale dhe komplekse dhe patjetër, edhe me kërcënime serioze që duhen marrë shumë seriozisht në konsideratë.

Këtë vit, Shqipëria përjetoi sezonin më të mirë turistik dhe jo thjesht në çështje numrash, për sa i përket 6 milion turistëve dhe mbi 2 miliardë euro të ardhurave nga turizmi, si dhe rritjen më të lartë të punësimit në këtë sektor, por, për sa i përket intensifikimit të interesit të aktorëve të mëdhenj në këtë fushë dhe afrimit të markave të njohura globale të turizmit që deri dje as nuk mund të imagjinohej se do të ishin mes nesh.

Faktikisht, sot firmosen disa marrëveshje të një rëndësie shumë të madhe strategjike për pikërisht imazhin e Shqipërisë turistike, përtej asaj që do të sjellin, padyshim, në ekonominë e turizmit marka të kësaj rëndësie dhe të këtij niveli ndërkombëtar. Janë hotele që ne do të kishim dëshiruar t’i shihnim në Shqipëri kohë më parë, i kemi parë në vendet fqinje dhe gjithmonë kemi ëndërruar ditën kur do të mund t’i kishim në Shqipëri. E pra, kjo ditë është sot dhe jemi në fazën e realizmit të këtij kapërcimi të madh midis një turizmi të inercisë, një turizmi të ndërtuar mbi çfarë na ka dhënë Zoti dhe pastaj mbi të gjithë nismat kaotike, pa vizion afatgjatë, që më shumë e kanë dëmtuar sesa e kanë ndihmuar rritjen e qëndrueshme të kësaj industrie.

Vetëm në vitin 2017 janë dhënë leje për ndërtim hotelesh më shumë sesa në 4 vite të mëparshme të marra së bashku. Sipërfaqja totale e metrave katrorë hoteleri që do të krijohet nga lejet e dhëna në 2017-ën është një sipërfaqe më e madhe sesa sipërfaqja e ndërtuar për hotele në 10 vite më parë. Të dhënat e INSTAT-it flasin për një rritje më të madhe në 2018-ën. Vetëm në 3-mujorin e parë kemi kërkesa dhe leje ndërtimi për turizmin sa gjysma e të gjithë kërkesës së 2017-ës, d.m.th. 5-fish. Në 3-mujorin e parë të 2015-ës e nismë me zero kërkesa dhe me zero leje. Në 3-mujorn e parë të 2016-ës e nisëm vetëm me një leje dhe vitin e shkuar janë 25 leje të maturuara dhe hoteleri e një niveli tjetër nga çfarë kemi parë në dekadat e para të tranzicionit.

Nga ana tjetër, dua t’ju sjell në vëmendje një fakt lidhur me pikënisjen. Në vitin 1929 Shqipëria kishte 27 hotele të regjistruara. Në vitin 2013, 30 hotele të certifikuara. Sigurisht, në 2013-ën ka pasur shumë hapësira të vetëquajtura hotele, ose që kanë shërbyer si hotele, por të certifikuara ishin vetëm 3 më shumë se në 1929-ën. Kjo ka qenë pikënisja.

Më e rëndësishme akoma, ne trashëguam realisht në qasje realisht dritëshkurtër dhe kërcënuese për të ardhmen për zhvillimin e turizmit, fshatrat turistikë të ndërtuar në vijën bregdetare dhe faktikisht të kthyera në lagje verore për banorë dhe jo në asete të zhvillimit turistik dhe të zhvillimit ekonomik, fshatra turistikë, të cilat, pa as më të voglin diskutim në 30 vitet e ardhshme do të kthehen realisht në lagje për më të varfrit në rast se nuk do të transformohen në vijimësinë e këtyre viteve dhe në rast se nuk do të marrin një tjetër fizionomi dhe një tjetër përmbajtje.

Ne kemi vendosur t’i ndalojmë fshatrat turistikë të asaj natyre dhe të asaj përmbajtjeje. Nuk kemi për të dhënë më leje për fshatra turistikë që kthehen në lagje banimi, që janë zona banimi për ata që sot kanë mundësi të blejnë edhe një vilë në bregdet dhe pastaj ta mbajnë mbyllur. Investimet e reja në vijën bregdetare do të jenë investime të kombinuara dhe hoteleria, hoteleria, hoteleria është domosdoshmëria që ne kemi.

Madje ne kemi vendosur që në rastin e dhënies së një leje zhvillimi për një resort, jo fshat turistik, – ajo fjala fshat turistik do fshihet nga fjalori ynë, sepse është të hash sot atë që ke në frigorifer për të gjithë muajin, ta hash brenda ditës dhe pastaj të mbetesh në uri në javët në vijim, është të marrësh të ardhmen dhe ta kthesh në një gosti të madhe të të sotmes dhe pastaj në të ardhmen të mbetesh me gisht në gojë në një treg që bëhet gjithmonë e më i sofistikuar, – resortet patjetër që do të jenë miske, patjetër që do të ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale, por lejet e zhvillimit do të zbardhen në dy faza: do bësh njëherë pjesën e hotelerisë, pastaj do marrësh lejen për të ndërtuar vila.

Historia që fillojmë hapim themele, i shesim në themel, i marrim me këste, pastaj në fund përfundojmë që hoteli mbetet në letër dhe pjesa e hotelerisë mbetet një dëshirë e mirë e paralizuar ngremë kanterin dhe ikim dhe mbrapa lëmë një tjetër mëhallë njerëzish që sot kanë disa lekë më shumë edhe e përdorin mëhallën 15 ditë në vit dhe e gjithë ajo pasuri e madhe që është pasuri, mund të jetë private, por është një aset i përbashkët, mbetet një aset i vdekur është një histori që për ne duhet të konsiderohet e marrë fund.

Apeli im për të gjithë investitorët është: as mos e merrni mundimin fare të vini me albume fshatrash turistikë të bazuara tek shitja e menjëhershme e metrave katrorë dhe tek, “të pashë dhe ika”. Duam projekte të cilat i përgjigjen ambicies tonë për të zhvilluar një industri turistike të qëndrueshme në një rajon që është kaq shumë konkurrues dhe bëhet gjithmonë e më shumë konkurrues, me fqinj që janë ujq të vjetër dhe të rinj në një konkurrencë globale ku ata ia dalin të jenë të dalluar. Pra, nuk jemi në një provincë të botës për sa i përket turizmit. Jemi vërtet në një nga qendrat më intensive të zhvillimit. Kemi Greqinë, kemi Italinë, kemi Malin e Zi, kemi Kroacinë, kemi Slloveninë, kemi kompeticion të jashtëzakonshëm dhe nuk janë ata më budallenj dhe ne më të zgjuar se ata, që, për 20 e kusur vite i kemi marrë terrenet ku duhet të kishim vendosur themelet e një industrie të qëndrueshme turistike dhe i kemi kthyer në mëhalla. Ndërkohë që, ajo që shohim kudo në këto vende, është intensifikimi i një politike të destinuar për të krijuar kushte për të fituar më shumë para me më shumë cilësi, jo më pak para me më shumë metra katrorë, por më shumë para me më shumë cilësi.

Hotelet me 4 dhe 5 yje, si dhe brandet e njohura për të cilat ne kemi krijuar një legjislacion që është legjislacioni më i favorshëm në të gjithë këtë rajon, sepse s’kemi pasur asnjë rrugë tjetër nga pikëpamja fiskale, nuk mjaftojnë. Nuk mjaftojnë sepse duhet që në të gjithë horizontale të zhvillimit ne t’i qëndrojmë besnikë disa parimeve themelore. Ne nuk kemi nevojë dhe nuk mund të shkojmë në drejtime të ditura, por që janë drejtimet e të tjerëve. Kjo është Shqipëria dhe në Shqipëri ne duhet të jemi të prirur të ndërtojmë një fizionomi tonën dhe të bazohemi tek ekselenca në mikpritje dhe ajo pamja aty që tregonte se – dhe është e vërteta, – përqindja më e madhe e investitorëve që vijnë në Shqipëri janë të atraktuar nga historia, janë të atraktuar nga trashëgimia kulturore, janë të atraktuar nga e veçanta e këtij vendi, duhet t’iu thotë të gjithëve një gjë shumë të thjeshtë: po të jetë puna për të bërë zhvillime të ngjashme me ato të të tjerëve, askush nuk ka pse vjen në Shqipëri, shkon direkt tek të tjerët. Ne na duhet të bëjmë zhvillime të cilat kanë specifikën e tyre. Në modestinë tonë duhet të jemi ekselentë. Kjo është përpjekja që duhet të bëjmë së bashku me të gjithë investitorët dhe natyrisht, e gjitha kjo nuk do të thotë shtrëngim, nuk do të thotë kufizim, nuk do të thotë mbyllje e horizontit për të fituar. Është e kundërta. Duhet investuar më shumë në projekt. Duhet investuar më shumë në aspektet që kanë të bëjnë me fizionominë e investimit, me estetikën e brandit tonë, duhet investuar më shumë në planet e biznesit. Sigurisht që kërkohen më shumë para në fillim dhe më shumë durim për t’i nxjerrë ato para, por, padiskutim, kjo është rruga për të fituar më shumë mbi një kohështrirje pak më të gjatë, sesa ajo hap themelin, fillo merr lekët edhe në fund fare ik dhe lëri pa ujë të ngrohtë ata që blejnë shtëpitë në bregdet.

Ne kemi në plan të tërë, i cili anatemohet politikisht dhe komentohet në mënyrë dritëshkurtër, planin e zhvillimit intensiv të infrastrukturës. Sigurisht që është një plan që, duke qenë shumë ambicioz për të ndërtuar akse rrugore për të cilat do të duheshin 15 vjet që të ndërtoheshin, ka dhe riskun e vet. Patjetër ka dhe riskun e vet! Kemi marrë një risk, por nuk mund të presim 15 vjet të tjera për të pasur atë infrastrukturë bazë pa të cilën është e kotë të diskutojmë për një turizëm të një niveli tjetër, për të pasur aksin rrugor që vjen nga Mali i Zi drejt Tiranës, për të pasur aksin rrugor që vjen në të njëjtën kohë dhe në një pikë është i njëjti, nga Kosova drejt bregdetit, për të pasur aksin rrugor që shkon nga Tirana në Durrës, nga Durrësi në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Vlorë si akse rrugore realisht të standardeve të arta, jo shtigje rrugore ku, nisesh për të bërë turizëm edhe mund të përfundosh, po ishe me fat, në spital, i plagosur, aksin rrugor nga Vlora në Orikum, tunelin e Llogarasë e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, ndërtimin e aeroporteve, aeroportin e Vlorës, aeroportin e Kukësit, aeroportin e Sarandës, janë të gjitha punë që ne kemi përsipër dhe na takojnë ne t’i bëjmë për t’i dhënë më shumë mundësi, për t’i dhënë një perspektivë më të qartë dhe për t’i dhënë, patjetër, një krah investitorëve në turizëm.

Së fundi, besoj që është themelore që të kuptohet se të gjithë këto investime duhet t’i shërbejnë një zhvillimi të brendshëm organik. Në mëhallat që kemi ndërtuar në të gjithë këto vite përgjatë bregdetit, – tipike janë ato mëhallat e Golemit dhe është shfaqur tendenca për ta bërë Golem edhe bregdetin Jon, është shfaqur tendenca për ta bërë Golem edhe bregdetin sipër dhe këtë tendencë ne jemi të vendosur ta frenojmë me çdo kusht, – ato mëhalla nuk sjellin asnjë lloj rrezeje zhvillimi përtej vetvetes. Jo vetëm që, në vetvete, nuk janë zhvillim turistik, s’kanë lidhje fare me zhvillimin turistik, nuk është turizëm ai, ai është thjesht ndërtim lagjesh për ata që kanë lekë më shumë edhe marrin makinën, shkojnë atje të shtunë e të dielë, ose kalojnë, madje përgjithësisht nuk i kalojnë pushimet më atje, por nuk ka asnjë impakt për zhvillimin e produkteve të zonës, nuk ka asnjë impakt për çfarë ne kemi mundësi të fitojmë nga historia, nga kultura, siç u tha, nuk ka asnjë impakt për zhvillimin e agroturizmit që është komponenti tjetër ku ne duam dhe do të mbështesim shumë fort vëmendjen tonë, sepse jemi të bindur që ndërthurja mes të dyjave është për ekonominë e vendit një domosdoshmëri, për punësimin një domosdoshmëri, për integrimin e fshatit dhe për mos braktisjen e fshatit një domosdoshmëri. Mëhallat, jo vetëm që nuk japin asnjë lloj impakti jashtë kufirit të tyre, por mëhallat janë geto të kamurish. Asgjë tjetër nuk janë. Nuk kanë lidhje fare me turizmin.

Ne jemi të bindur që nëse investitorët do të na kuptojnë dhe do të na ndjekin, pas jo shumë vitesh do të jenë ata të cilët do të na falënderojnë, sepse, sigurisht nuk do të  shesin menjëherë gjithçka që ndërtojnë, por do të ndërtojnë praktikisht industri që do të japin në vijimësi të ardhura për ta, për fëmijët e tyre dhe për ata që do të vijnë pas fëmijëve të tyre në rast se do të mbeten këto si biznese familjare, apo në rast se këto do të shiten, do të sjellin pasuri për familjen.

Në mbyllje, dua sinqerisht të falënderoj të gjithë ata që janë këtu sot si investitorë në këtë sektor strategjik! Dua të falënderoj për ardhjen e tyre edhe ata që na nderojnë sot pasi kanë bërë një rrugë të gjatë për të ardhur në Tiranë si sipërmarrës të huaj që do të sjellin pikërisht këtë që ne kërkojmë dhe që do të injektojnë në ekonominë e vendit fonde të konsiderueshme investimesh të huaja dhe padiskutim do falënderoj dhe organziatorët!

Është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë këtë si një mision të përbashkët për vendin tonë, ta kuptojmë këtë si një rrugë të përbashkët, të mësojmë nga njëri-tjetri, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-tjetrin dhe të gjithë investitorëve unë iu them se duhet të jenë të sigurtë se qeveria jonë do të jetë në krah të tyre dhe i vetmi kusht që ne kemi është: ju lutem mos hajdeni të kërkoni leje për gjëra të shëmtuara! Këtë nuk e bëjmë dot. Është një sakrificë që nuk e bëjmë dot. Për çdo gjë tjetër ne jemi në dispozicionin tuaj.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here