Kreu Ditar 29 Nëntori mbetet datë historike për popullin tonë

29 Nëntori mbetet datë historike për popullin tonë

98
0

29 Nëntori mbetet date historike për popullin tonë

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, mbetet epopeja më e madhe dhe më e lavdishme e popullit shqiptar gjatë gjithë historisë së tij për çlirimin kombëtar dhe shoqëror. Ajo qe luftë çlirimtare, demokratike, antifashiste, u shndërrua në revolucion popullor nëpërmjet kryengritjes së armatosur, pjesë përbërëse e luftës botërore antifashiste.

Gjatë Luftës ANÇl populli shqiptar luftoi e fitoi kundër dy pushtuesve të huaj: Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, që pushtuan vendin tonë njëra pas tjetrës, si dhe kundër qeverive kuislinge dhe reaksionit të brendshëm dhe forcave të armatosura të tyre.

Sulmi fashist Italian më 7 Prill 1939, në fakt i vuri kryq Pavarësisë së Shqipërisë. Pushtimi me dhunë i vendit tonë dhe fashistizimi i tërë jetësë së vendit, vuri në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar. Këtë gjë e kuptuan me intuitë antifashistët shqiptarë dhe ishte kjo arsyeja që ata iu kundërvunë këtij pushtimi që ditën e parë të sulmit barbar kundër vendit tonë. Dihet tashmë përpjekja e parë e antifashistëve shqiptarë në Durrës, por edhe në portet e tjera, duke filluar nga ai i Shëngjinit dhe deri te ai i Vlorës dhe i Sarandës. Mujo Ulqinaku mbeti simbol i qendresës antifashiste dhe i heroizmit të popullit shqiptar kundër fashizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shkallë Europe.

I karakterizuar nga dashuria për Atdheun dhe nga urrejtja ndaj pushtuesve të huaj, mbas pushtimit të Shqipërisë, populli shqiptar asnjëherë nuk qendroi duarkryq. Më 5 Qershor 1940, në Pezë u krijua Çeta e Parë Antifashiste në Shqipëri me komandant Myslim Pezën. Kjo Çetë organizoi goditje të njëpasnjëshme kundër ushtrisë fashiste dhe objekteve të saj ushtarake. Në Gusht 1941, Çeta nga antifashiste u kthye në Çetë Partizane, tashmë me komandant e komisar Myslim Pezën dhe Vasil Shanton.

Me themelimin e PKSH më 8 Nëntor 1941, Lufta Antifashiste do të zhvillohej në mënyrë të organizuar, se tashmë ishte kjo forcë politike, si e vetmja në vendin tonë, që do të merrte përsipër barrën e rëndë të bashkimit të popullit në një front të vetëm, në atë të Frontit ANÇl dhe hedhjen e mbarë popullit tonë në luftë kundër pushtuesve të huaj.

Konferenca e Parë Nacionalçlirimtare e mbajtur më 16 Shtator 1942 në shtëpinë e Babë Myslimit në Pezë, e futur në histori me emrin Konferenca e Pezës, hodhi bazat e bashkimit politik të popullit shqiptar. Këtu u hodh parrulla: Luftë pa kompromis kundër pushtuesve të huaj pa dallim feje, krahine e ideje. Dhe në po këtë Konferencë u hodh ideja e krijimit te këshillave NAÇl, sit ë vetme organe të pushtetit që do të merreshin me organizimin e luftës çlirimtare në bazë. Në po këtë Konferencë pluraliste u hodh ideja e krijimit të çetave partizane. Do të kalonin javë e muaj dhe do të krijoheshin në të gjithë vendin këshillat NAÇl. Ndërkohë hap pas hapi do të krijoheshin edhe çeta partizane në të gjithë vendin, duke filluar nga Tropoja e deri në Konispol, në jug të vendit tonë.

Në mesin e Dhjetorit 1942, qeveritë e Koalicionit të madh Antifashist Botëror ato të Anglise, BS dhe Amerikës do të njihnin zyrtarisht Luftën ANÇl të Popullit Shqiptar. Që nga ky çast populli shqiptar do të rreshtohej në krahun e antifashistëve të botës, që do të rezultonte në fund të Luftës së Dytë Botërore – në krahun e fitimtarëve.

Kur u shtuan formacionet partizane dhe në mbarë Shqipërinë vepronin shumë batalione partizane, u bë i domosdoshëm krijimi i një Shtabi të Përgjithshëm të UNÇSh. Dhe ky Shtab u krijua në Labinot të Elbasanit më 10 Korrik 1943 me komandant Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën. Më 15 Gusht 1943, u krijua Brigada I-rë Sulmuese. Kohë pas kohe, muaj pas muaji, u krijuan brigade të tjera sulmuese. Më 25 Maj 1944, në Kongresin e Përmetit, u krijua Komanda e Përgjithshme e UNÇSH. Nga ky Kongres u lëshua thirrja për marshimin drejt Veriut për çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Me krijimin e UNÇSH lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe tradhëtarëve të vendit, u shndërrua në Kryengritje të Përgjithshme të Armatosur. Njesitë dhe repartet e UNÇSH gozhduan në luftë më se 15 Divizione italiane e gjermane, përballuan me heroizëm e vetmohim, në kushte të pabarabarta operacionet e veprimet luftarake të tyre, ndër to, edhe dy mësymjet e përgjithshme gjermani-balliste të dimrit 1943-1944 dhe e verës së vitit 1944. Gjatë kësaj periudhe u vranë, u plagosën apo u zunë rob mbi 70 mijë armiq.

Në Tetor 1944, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, në zbatim edhe të orientimit të dhënë prej Koalicionit të madh Antifashist Botëror, disa brigada sulmuese partizane kaluan matanë kufirit shtetëror për ta ndjekur armikun pushtues këmba-këmbës deri në strofullën e tij të fundit, në Berlin. Heroike kanë qenë luftimet e zhvilluara edhe në trojet jashtë kufijve shtetërore, në Kosovë e Mal të Zi dhe deri në Vishegrad. Gjatë këtyre luftimeve mbetën Dëshmore edhe qindra partizanë e kuadro të UNÇSH.

Heroike ka qenë sidomos lufta e zhvilluar për çlirimin e kryeqytetit tonë, Tiranës. Këtu morën pjesë dosa brigade partizane, të cilat e patën frontin e luftës shumë të gjerë, duke filluar nga Elbasani, përgjatë Qafës së Kërrabës e deri brenda në Tiranë. Gjatë kësaj lufte u shpalos fuqishëm edhe heroizmi i popullit të kryeqytetit, që u vu në mbështetje të partizanëve.

Lufta për çlirimin e qytetit të fundit të Shqipërisë, Shkodrës, do të shënonte edhe çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në mëngjesin e 29 Nëntorit, forca të shumta të brigadave partizane, u futën me luftë në Shkodër të pritur këtu nga mijëra banorë atdhetarë shkodranë. Janë të shumta dëshmitë që vërtetojnë se nazistët e kanë lënë qytetin e Shkodrës mbas mesnates së 28 Nëntorit, domethënë në orët e para të mëngjesit të ditës së 29 Nëntorit 1944.

Tashmë forca të djathta politike dhe segmente të caktuara kërkojnë ta falsifikojnë me qëllim ditën e Çlirimit të Atdheut, duke e konsideruar si ditë të tillë datën e 28 Nëntorit! Mirëpo dëshmitarë të gjallë, partizanët e njesive partizane që luftuan në Shkodër, tregojnë se është 29 Nëntori Dita e vërtetë e çlirimit të Shkodrës, pra edhe e gjithë Shqipërisë.

Pasojat e luftës kundër pushtuesve të huaj, fashistë italiane dhe atyre nazistë gjermanë, janë të shumta, të cilat shkaktuan dëme e rrënime të jashtëzakonshme. 53 për qind e popullsisë shqiptare u vra dhe u gjymtua; vetëm të rënë ne lufte pati 28 mijë. Gati çdo familje shqiptare pësoi dëme të ndryshme në njerëz e në materiale, shumë shtëpi në fshatra u dogjën, u rrënuan, urat e fabrikat, punishtet, minierat, portet, mjetet e ndërlidhjes etj, ose u shkatërruan fare ose u dëmtuan rëndë. Më shumë se një e treta e gjëse së gjallë u asgjesua. Dëmet në vlera materiale e kulturore ishin të mëdha.

Populli shqiptar dha një kontribut të çmuar në Luftën e Dytë Botërore. Ushtria Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar, arriti deri në 70 mijë veta, ndër to 6 mijë ishin gra e vajza. Ajo gozhdoi forca të shumta të ushtrisë fashiste italiane deri mbi 10 mijë si dhe të ushtrisë naziste gjermane prej më shumë  se 70 mije vetash. Në luftimet e përgjakshme armiku la në Shqipëri mijra të vrarë, të plagosur dhe robër; rreth 92 tanke e autoblinda të shkatërruara,qindra kamione të dëmtuar etj.

I rreshtuar menjëherë mbas 28 Nëntorit të lavdishëm – Ditës së Shpalljes së Pavarësisë, 29 Nëntori shkëlqen për nga madhështia e tij si Ditë Historike, sepse kjo datë vulosi përfundimisht Pavarësinë e Atdheut, i dha shkëlqim të ri Ditës së 28 Nëntorit 1912, duke e vënë Shqipërinë tonë përfundimisht në radhën e shteteve që kanë të drejtë morale ta mbajnë përherë kokën lart.

Le të shkojmë në festën e 29 Nëntorit me krenarinë e ligjshme që na falë kjo datë e madhe, për të vënë kurora e buqeta me lule të bijtë e pavdekshëm të popullit shqiptar, te ata që i mbetën Shqipërisë Kurorë Lavdie.

Lavdi të përjetshme Dëshmoreve të Atdheut dhe 28-29 Nëntorit!

JANI CAPO

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here