Kreu Aktualitet Agjencitë e lajmeve kundër fake news

Agjencitë e lajmeve kundër fake news

50
0

Fjala e Kryeministrit Rama në konferencën e parë ndërkombëtare dedikuar fenomenit “Fake News”:

Të nderuar përfaqësues të agjencive shtetërore të lajmeve nga shumë vende të Europës,

Të dashur miq këtu të pranishëm,

Është një kënaqësi për mua që të jem sot i ftuar në këtë darkë miqësore që i paraprin çeljes së konferencës së parë ndërkombëtare dedikuar fenomenit “Fake News”, në Shqipëri.

Nga ana tjetër, është patjetër me një interes të veçantë përpjekja për të adresuar këtë fenomen edhe pse nuk është një fenomen i ri në historinë e njerëzimit, madje thuhet se ishte Theokrati, nxënësi i Aristotelit në Greqinë e lashtë që publikoi në shekullin e III para lindjes së Krishtit, një libër të quajtur “Karakteret”, ku shfrytëzoi gjithë thashethemet e kohës, sajoi një numër historish të paqena, të mbledhura në formë thashethemesh dhe i tregoi ato si të marra nga burime të besueshme. Ishte një libër që në fakt mund të konsiderohet edhe eksperimenti i parë social që provoi fuqinë e thashethemeve, fuqinë e “fake news” pasi hyri në histori si një ndër librat më të besuar për vërtetësinë e tyre.

Megjithatë, ajo që për Theokratin ishte një eksperiment, një shaka, sot falë teknologjive të kohës është shndërruar në një mekanizëm të mirëfilltë për të ushtruar influencë malinje dhe ju jeni këtu shumë më të përgatitur dhe shumë më në brendi të këtij fenomeni por besoj se një ndër shembujt e fuqisë së jashtëzakonshme të shpifjes së lajmit të rremë, është studimi i detajuar që u botuan mbi 126 mijë lajme të publikuara në Twitter në harkun e dekadës së fundit dhe rezultati ishte pa diskutim i frikshëm. Lajmet e rreme, shpifjet kishin një besueshmëri më të lartë, kishin një ndjekje më të madhe dhe ishin disa fish më të përhapura me kontributin e vetë ndjekësve se sa lajmet e vërteta.

Natyra bombastike e lajmeve të rreme, natyra tërheqëse e shpifjes, sponsorizimi i këtyre lajmeve nga faktorë të interesuar për arsye nga më të ndryshmet, e shndërrojnë në realitet një postulatë të Jonathan Swift-it, i cili thoshte se kur gënjeshtra ka nisur fluturimin, e vërteta është akoma e shtrirë në krevat me pizhame. Edhe ne e kemi provuar atë pjesën tonë të hidhur të kësaj historie edhe pse mund të them se në një farë mënyre, për shkaqe që nuk është vendi për t’i diskutuar sot, Shqipëria e dalë nga vite të tëra izolimi dhe pamundësie të plotë në raport me lirinë e shprehjes ka qenë një vend goxha pjellor gjatë gjithë periudhës së tranzicionit për sa i përket shpifjeve dhe lajmeve të rreme. Atë që “fake news” është në esencën e vetë si një fenomen që përdoret në mënyrë të qëllimshme për të krijuar çoroditje, për të krijuar pështjellim, për të krijuar destabilizim të brendshëm të shoqërisë, ne e kemi parë të materializuar në disa lajme spektakolare për nga pavërtetësia e tyre por goxha të përhapura dhe goxha të diskutuara e madje me një efekt të madh shqetësues në opinionin publik. Njëri, tre vjet më parë, kur u tha në një portal të huaj e pastaj mori dhenë lajmi se qeveria kishte vendosur të groposte në Shqipëri mbi 1400 kontejnerë me lëndë radioaktive. Imagjinoni dimensionin katastrofik të një operacioni të tillë por në të njëjtën kohë edhe përmasën fizike e vizuale që do duhet të kishte kalimi i 1400 kontejnerëve të ngarkuar me lëndë radioaktive nëpër Shqipëri. Pra nuk bëhet fjalë për trupa të padukshëm. Megjithatë, kjo krijoi jo pak diskutim, jo pak pështjellim, jo pak shqetësim tek njerëzit.

Më pas, një lajm i këtij viti, kur u përhap fjala se qeveria kishte vendosur në një marrëveshje të fshehtë me Bashkimin Europian të spostonte në Shqipëri 600 000 refugjatë, ish luftëtarë të ISIS. Ky lajm qëndroi për një kohë jo të shkurtër në faqet e para në atë ballinën e shqetësimit të përditshëm të qytetarëve dhe u desh vërtetë kohë për tu tretur si diçka krejtësisht e pavërtetë. U deshën shumë përpjekje për të shpjeguar se ishte i pavërtetë, u deshën shumë sforco për të treguar se në fakt bëhej fjalë për një shpifje të qëllimshme për të krijuar pikërisht efektin që në fakt u krijua.

Po ashtu mund të rendisja edhe lajme të tjera, deri tek lajme qesharake, si një marrëveshje e imja me Presidentin e Rusisë për t’i shitur atij një qytet të tërë në Shqipëri që ishte vetëm maja e ajsbergut e një shitjeje më të madhe që në fakt nuk u mor vesh asnjëherë se deri ku shkonte dhe kështu me radhë në një situatë që nuk është thjesht dhe vetëm e jona por tanimë është një situatë e përgjithshme dhe një fenomen me të cilin duhet të përballen që të gjithë dhe ju keni ardhur këtu në momentin kur ne jemi bërë gati për të paraqitur një paketë ligjore kundër shpifjes për të dekurajuar lajmet e rreme, për të nxitur një gazetari e cila i referohet atyre dy burimeve klasike në përgatitjen e lajmeve dhe për të lehtësuar të gjithë barrën e një ngarkese të jashtëzakonshme që kjo mori të pa vërtetash krijon mbi opinionin publik.

Deri më sot ne kemi pasur një legjislacion ndër më të relaksuarit për sa i përket shpifjes dhe patjetër që qëllimi ynë nuk është që të shkojmë drejt modeleve si ato të shumë vendeve të Bashkimit Europian ku shpifja është jo vetëm në kodin penal por e dënueshme deri edhe me burg. Ajo që ne shohim si shumë të rëndësishme është në radhë të parë që të unifikojmë legjislacionin duke përfshirë edhe të gjithë pjesën e medias online e cila është faktikisht jashtë legjislacionit. Parafytyroni që në 5 vitet e fundit në Shqipëri janë regjistruar mbi 20 000 portale me prapashtesën “.al” dhe dhjetëra mijëra të tjerë në gjithën shqipe që funksionojnë po në vendin tonë me prapashtesa të tjera dhe nga këto mbi 700 portale janë portale lajmesh prej të cilave deri pak kohë më parë, vetëm 12 administroheshin nga struktura redaksionale dhe vetëm 72 prej gazetarëve. Të tjerat, më shumë se 600 as nuk dihej dhe as nuk dihet për një pjesë të madhe se kush i ka në zotërim, si financohen dhe më tutje akoma se cilat janë edhe vetë qëllimet e hapjes së tyre.

Kjo është një situatë prej xhungle ku ne synojmë që të vendosim një rregull normaliteti si në vendet e tjera duke bërë disa ndërhyrje ligjore që nuk synojnë siç e thashë, as prekjen e kodit penal, as prekjen e kodit civil por thjesht dhe vetëm fokusohen tek një lloj përditësimi i legjislacionit ekzistues mbi median.

Ne kemi një legjislacion goxha të avancuar për mediat audiovizuale dhe një strukturë të posatshme, Autoriteti i Mediave Audiovizuale, që ndjek të gjitha rastet kur media elektronike bëhet edhe subjekt i ankesave apo i shqetësimeve të individëve ose të grupeve të ndryshme si rezultat i lajmeve të rreme apo i shpifjeve. Bordi i këtij autoriteti është një bord që mund të reagoje në mënyrë të menjëhershme duke shmangur kohën e gjatë të vendimmarrjes nëpër gjykata në raste flagrante të mosrespektimit të dinjitetit njerëzor apo të mosrespektimit të shumë standardeve dhe të drejtave e lirive të tjera. Kjo është një strukturë që faktikisht e kemi ndeshur edhe në vende të tjera dhe praktikisht çka do të synojmë me paketën e re është që ta vëmë edhe në dispozicion të atyre që preken nga shpifja apo që bëhen objekt i lajmeve të rreme për sa i përket të gjithë medias online. Po ashtu do të krijojmë një bazë të re të dhënash kombëtare ku do të regjistrohen të gjithë portalet që operojnë në Shqipëri, duke shmangur maksimalisht historitë e fantazmave që deri më sot operojnë pa asnjë lloj kontrolli në territorin e Shqipërisë. E thashë edhe një herë që për sa i përket penaliteteve, legjislacioni shqiptar është ndër më të relaksuarit. Ne do të rrisim gjobën për lajmet e rreme dhe për shpifjen siç unë e quaj me një fjalë të vetme në shqip dhe besoj që është mëse e mjaftueshme për të krijuar një situatë më të shëndetshme, ashtu sikundër është e domosdoshme edhe të garantojmë të drejtat e autorit, të garantojmë që të gjitha mediat që prodhojnë të jenë të mbrojtura nga ligji dhe të mos e shohin veten të konkurruara në mënyrë të pandershme në sekondën e parë që nxjerrin një prodhim të tyren në rrjetet online pasi ai prodhim merret dhe shumëfishohet në pafundësi. Po ashtu, tek shumëfishimi në pafundësi do të ndërhyjmë edhe për të ndëshkuar përhapësin e shpifjes, që do të thotë që nëse një media është përgjegjëse për një lajm të rremë apo një shpifje, cilido që e merr dhe e replikon, është po aq përgjegjës sa media e origjinës.

Faktikisht, ju e dini më mirë se unë që ka disa iniciativa në vetë vendet e Bashkimit Europian. Së fundi, vetëm pak javë më parë parlamenti francez miratoi një ligj shumë të ashpër kundër shpifjes apo lajmeve të rreme, i pagëzuar ndryshe me emrin e Presidentit të Francës, “ligji Makron”, që faktikisht krijon rregulla të reja për ti’ dhënë autoriteteve fuqi të jashtëzakonshëm për të hequr përmbajtjen e rreme të përhapur përmes medias sociale e madje për të bllokuar edhe burimet që e publikojnë atë si dhe për një transparencë financiare shumë më të madhe se deri sot.

Shembuj të ngjashëm ka siç e thashë edhe në vende të tjera por për sa na takon, ne jemi te vetëdijshëm që duhet t’i hedhim hapat me kujdes për të mbajtur një ekuilibër sa më të plotë midis nevojës për një informacion cilësor, për një informacion që i garanton të gjitha liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve dhe nga ana tjetër, domosdoshmërisë që të mos cënohet liria themelore e shprehjes.

Patjetër që legjislacioni nuk është një shkop magjik dhe nuk është thjesht dhe vetëm me legjislacion që mund të zgjidhen problemet, aq më tepër një problem kaq kompleks i shoqërisë moderne sa ky që diskutojmë por po ashtu, vendosja e një sistemi rregullash më të qarta është pa diskutim në funksion të përmirësimit të situatës dhe në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve të konsumatorëve të medias me burimet e informacionit.

Në mbyllje, për të mos u zgjatur, dua edhe një herë t’ju falenderoj për këtë prani në Tiranë, në këtë konferencë të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare e cila është një institucion që realisht po e rimerr veten në mënyrë të ndjeshme hap pas hapi, pas një periudhë të gjatë letargjie, po adaptohet me kohën edhe falë lidershipit të ri të drejtores që ishte edhe nxitësja kryesore për këtë konferencë por edhe shtysa e palodhur për të më sjellë mua këtu për të folur përpara jush. E falenderoj që ma dha këtë mundësi dhe dua ta mbyll duke kujtuar një fjalë të Shekspirit që thoshte se avantazhi i gënjeshtrës është që mund të ketë shtatë fytyra ndërkohë që e vërteta ka vetëm një fytyrë por nga ana tjetër një shkrimtar, një personazh i njohur i historisë sonë, Faik Konica, që nuk ishte vetëm shkrimtar por ishte më shumë se kaq megjithatë kjo mbetet për një herë tjetër për ta shpjeguar se kush ishte dhe çfarë bënte, thoshte se avantazhi i përhershëm i të vërtetës është që ajo nuk ka nevojë për gjarpërime apo për yndyrë në shkrim.

Tani, midis këtyre të dyjave lëviz e gjithë jeta e përditshme e kujtdo që merret me informacion dhe kujtdo që do apo nuk do është subjekt i informacionit kështu që duke shpresuar që sidoqoftë do të kemi ditë më të mira në raport me shtatë fytyrat e gënjeshtrës dhe në fund të fundit gjithmonë e vërteta do të prevalojë, unë ju uroj një qëndrim sa më të këndshëm dhe një darkë sa më të pëlqyeshme këtu në Tiranë.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here