Kreu Aktualitet Buxheti 2019, qëndrueshmëri të rritjes ekonomike dhe rritje të pagave

Buxheti 2019, qëndrueshmëri të rritjes ekonomike dhe rritje të pagave

68
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend ku u diskutua dhe u votua buxheti dhe paketa fiskale 2019:

Është shumë pozitive që ne bëjmë debate, amendamente dhe bëjmë opozitën e këtij parlamenti! Praktikisht, e gjithë dita e sotme ka qenë shumë e frytshme, sepse janë bërë përmirësime të rëndësishme në të gjithë draftin e buxhetit, edhe në paketën fiskale dhe besoj që, mesazhi i këtij buxheti dhe i kësaj pakete fiskale është shumë pozitiv, pavarësisht se fokusi në këtë seancë tek disa amendamente mund të krijojë një ide pak më ndryshe, ndërsa, për sa i përket rastit konkret, dëshiroj të kujtoj se, në Shqipëri akoma, sot që flasim, nuk kemi asnjë hotel me 5 yje, asnjë, me 5 yje kam parasysh atë definicion që përmban edhe incentiva, brand global i certifikuar dhe nëse duam të zhvillojmë turizmin dhe të jemi konkurrues në rajon, pa llogaritur pastaj të gjithë Mesdheun i kemi të gjitha mundësitë dhe duhet të shikojmë se çfarë bëjnë të tjerët.

Falë ndryshimeve që kemi bërë në legjislacion vitin e kaluar, në mos gabohem, sot kemi një potencial prej rreth 15 brandesh globale që kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri, që do të thotë ndryshim katërcipërisht i të gjithë strukturës së industrisë së turizmit.

Kjo masë e vendosur në paketën e mbështetjes për hotelet me 5 yje që nuk është një mbështetje që qeveria iu bën të pasurve, por është një mbështetje për ekonominë, sepse është ajo fashë e turizmit që sjell të ardhura më të larta në ekonomi, që sjell punësimin më cilësor në vend dhe që sjell një efekt zinxhir në produktivitetin e brendshëm.

Kjo është logjika e kësaj qasjeje të qeverisë për këtë fashë.

Ne nuk mundet dot të ndryshojmë një incentivë sot, kur akoma s’kemi një hotel dhe një resort me 5 yje siç ka Kroacia, siç ka Mali i Zi, siç ka Sllovenia dhe të mos flasim pastaj për Greqinë, për Italinë, për Spanjën dhe për Francën, sepse do të jepnim mesazhin më të gabuar për investitorët, që, siç e thashë, janë afro 15 që kanë shprehur interes dhe po diskutojnë me qeverinë shqiptare.

Kjo është arsyeja dhe nuk ka lidhje fare me ndalimi e bixhozit, apo me lejimin e bixhozit.

Është thjesht pjesë e një incentive.

Kur ne t’i kemi këto, pastaj mund të diskutojmë nëse do të rrisim, apo nuk do të rrisim taksën. Por nuk mund të rrisim një taksë për diçka që nuk e kemi fare dhe të japim një mesazh komplet të gabuar tek investitorët. Për më tepër, është e rëndësishme të shikojmë si e kanë vendet e tjera dhe kur flas për vende të tjera flas për rajonin.

Kemi arritur të bëjmë një paketë pozitive që na ka vënë në avantazh në raport me të tjerët, pikërisht se kemi dhënë disa incentiva. T’iu qëndrojmë këtyre! Të jemi seriozë në raport me mesazhet që u japim investitorëve dhe në momentin tjetër të dytë, kur shpresoj të kemi një gjeneratë të parë hotelesh me 5 yje, parlamenti mund ta ridiskutojë edhe mund të bëjë të tjera veprime dhe mund të marrë të tjera masa. Por sot nuk mund të taksojmë asgjënë, sepse praktikisht i bie të taksojmë asgjënë.

***

Tani duke qenë se është bërë për një periudhë jo të vogël gjatë diskutimeve të buxhetit ky debat dhe të paketës fiskale dhe duke qenë se unë kam mundur të ndjek nga afër këtë diskutim por edhe nga ana tjetër duke pasur parasysh që Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka nisur historinë e marrëdhënies me ne në vjeshtën e 2013 me kërkesën për të ulur pagat dhe pensionet dhe sot e gjithë ditën i qëndron kërkesës për të zbritur më poshtë nivelin e taksimit të pagës, pra për ta filluar taksimin e pagës nga 150 mijë lekë të vjetra, gjë që natyrisht ne e kemi refuzuar dhe vazhdojmë e refuzojmë, atëherë është mirë që të mos dalim nga konteksti në të cilin jetojmë.

Kemi pasur një periudhë shumë të vështirë vendosjeje rregulli në llogaritë e shtetit, natyrisht, qeveritë dhe shumicat qeverisëse vlerësohen për çka ndodh por një shprehje thotë që ekonomistët i vlerësojnë qeveritë dhe shumicat qeverisëse edhe për atë që pengojnë të ndodhë, për atë që nuk ndodh dhe që mund të kishte ndodhur dhe faktikisht kjo shumicë qeverisëse, kjo parti ka meritën që ka penguar të ndodhë nj katastrofë e dytë pas asaj të ’97, pikërisht kur ne morëm mandatin e parë dhe ishim në prag të një falimentimi të plotë për të cilën na u desh të thërrasim Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të fillojmë një periudhë shumë të vështirë reformash që nuk ka nevojë ti numëroj.

Tani, ajo që është shumë e rëndësishme të mos harrohet është se sidoqoftë, pavarësisht se u futëm në atë lloj cikli reformash të vështira, ne i qëndruam qysh në buxhetin e parë premtimit për të kaluar nga taksa e sheshtë që ishte një grabitje e mirëfilltë e atyre që fitonin më pak, tek taksimi i ndershëm. Kush fiton më shumë, paguan më shumë dhe sot është mirë që ta rikujtojmë që pavarësisht se çfarë thuhet, ne jemi shumica që kemi taksuar më fort se gjithë të tjerët ata që fitojnë më shumë. Kemi taksuar më fort biznesin, ata të cilët konsiderohen sipërmarrësit e mëdhenj dhe quhen rëndom këtu në një shprehje që nuk ka lidhje fare, oligarkë, sot paguajnë më shumë se sa kanë paguar ndonjëherë në gjithë periudhën e zhvillimeve demokratike. Kontribuojnë në buxhetin e shtetit më shumë se ndonjëherë tjetër ndërkohë që ata që fitojnë më pak, biznesi i vogël, paguan më pak se sa ka paguar ndonjëherë në gjithë historinë e zhvillimeve demokratike. Kur të më tregoni një vend në rajon që e takson zero biznesin e vogël deri në 5%, atëherë hajde dhe diskutojmë si ta bëjmë më pak. 0 deri në 5%, me xhiron 140 mijë dollarë në vit. Kur të ma gjeni një biznes me xhiro 140 mijë dollarë në vit, në Serbi, në malin e Zi, në Maqedoni, në Kosovë, në Bosnje dhe ku të doni tjetër në rajoni, po të doni ngjituni dhe më lart ose zbrisni dhe më poshtë në Greqi, që taksohet vetëm 5% atëherë hajde diskutojmë si ta relaksojmë më shumë.

Ndërkohë që pagat 300 deri në 400 mijë lekë, është mirë ta kujtojmë, taksoheshin 10%. Sot taksohen më pak se 2%. 1.89! 1.89 është një taksim i cili është një kontribut në raport me ata që janë 300 e poshtë që nuk paguajnë asgjë. Pra, fillon progresiviteti dhe është gjëja më normale prandaj unë kam qëndruar ashtu si shumica e grupit parlamentar dhe shumica e qeverisë, në pozicionin që as andej, as këtej. As me idenë që të zbresim më poshtë tek 150 mijë lekëshi sepse bie ndesh me një parimësi që e kemi vendosur që në fillim dhe as me idenë që të fillojmë dhe të zerojmë mbi 300 mijë lekëshin.

Thënë kjo, është mirë që të mos e harrojmë që sot jemi duke kaluar një për një të gjitha pikat e një buxheti dhe të një pakete fiskale që ka lajme shumë pozitive për opinionin publik dhe për shumë aktorë dhe po ashtu edhe faktorë ekonomik dhe social.

Rritje pagash në kategoritë kryesore që i kemi përmendur. Nga ana tjetër, lehtësime fiskale. U fol këtu për libraritë. Ndërkohë që mbas kaq shumë vitesh sot vijmë tek zbritja e TVSH-së mbi librin. Shkojmë në 6%. Ishim 20, shkojmë në 6. Tani, unë e kuptoj që dashamirësit e librit mund ta duan edhe nën zero bile këtu mund të duhet edhe që të paguajmë nga buxheti i shtetit këdo që lexon, mund të vijmë dhe tek kjo kërkesë për të stimuluar librin, kush lexon ti japim edhe lekë por sot për sot këtu jemi e këto janë mundësitë. Nuk kemi mundësi të pakufizuara. Brenda mundësive të reja që kemi krijuar, shkojmë përpara duke bërë hapa të rëndësishëm, kjo është shumë themelore të nënvizohet se do vijmë më pas prap tek debati tjetër. 28 vjet, ata që punojnë tokën morën premtimin nga të gjithë, edhe nga ne. Do t’ju heqim barrën mbi imputet bujqësore. Mbi të gjitha imputet bujqësore. 28 vjet. Sot jemi në ditën kur ne këtë e votojmë dhe e vendosim mbas 28 vjetësh. Do kishim dashur ta bënim më parë. E kemi premtuar në 2013. Kaloi një mandat e nuk e bëmë dot. pse? Nuk na u krijua mundësia që ta bëjmë. Këtu nuk është çështje dëshire. Këtu nuk jemi të ndarë në disa që e kanë zemrën që u rreh më majtas e disa që e kanë zemrën në të djathtë të kraharorit. Këtu çështja është të vlerësojmë mundësitë se kur i thonë, deti nuk u bë kos. Këtu jemi dhe hap pas hapi do të bëjmë më shumë duke krijuar më shumë mundësi. Këtë desha të them për të çuar tek të gjithë mesazhin që kemi buxhetin dhe paketën më të balancuar ndonjëherë midis lehtësimit për ata që fitojnë më pak dhe ngarkesës për ata që fitojnë më shumë por mos e harrojmë kurrë, ne nuk jemi armiqtë e atyre që kanë më shumë. Problemi nuk janë ata që kanë më shumë, problemi është varfëria dhe varfëria nuk luftohet duke i bërë të gjithë të varfër. Varfëria luftohet dukë nxjerrë sa më shumë të varfër nga ajo zonë. Kështu që me gjithë respektin për jelekët e verdhë, unë besoj që ne jemi në rrugën e duhur.

***

Duke qenë se ky ishte amendimi i fundit, në mos gabohem, unë dua të them dy fjalë pas këtij diskutimi, në radhë të parë duke falënderuar në radhë të parë duke falënderuar, sinqerisht, të gjithë pjesëmarrësit në debatin shumëjavor, padiskutim Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, padiskutim kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe të Financave, me një vërejtje të vogël, që, edhe kur është pro, duket sikur është kundër, por kjo i jep më shumë ngjyrë debatit!

Më vjen shumë mirë, që, në këtë proces, ne dolëm me një rezultat goxha inkurajues, me përmirësime të ndjeshme dhe këtë e them sepse kjo është e vërteta, jo se duhet thënë, ashtu sikundër, në këtë proces, realisht, pati një angazhim të madh dhe të sinqertë të të gjithëve, ku doli në pah edhe njëherë tjetër që ne jemi partia ku nuk ndahemi për qëllimet, por debatojmë deri në fund për instrumentet.

Më lejoni t’ju sjell në vëmendjen tuaj një element, që, ma ha mendja, është i rëndësishëm për të gjithë ne dhe për publikun si moment edhe krahasimor me nga e nisëm, por edhe me pellgun ku jetojmë, sepse kur i marrim veç e veç të gjitha gjërat, të gjithë bëjnë sens, nuk diskutohet, por nëse pastaj kujtohemi për kontekstin e përgjithshëm, atëherë nuk mundet dot t’i japim përgjigje pozitive të gjitha gjërave që duam t’i bëjmë sot.

Pse?

Të marrim tatimin mbi fitimin. Tatimi mbi fitimin: Maqedonia 10%, Kosova 10%, Kroacia 20%, Mali i Zi 9%, Bosnje Hercegovina 10%, Bullgaria 10%, Serbia 15%, Rumania 16%, Greqia 29%, Shqipëria 5.15%.

Marrim tatimin mbi të ardhurat personale, u diskutua dhe këtu, Maqedonia 10%, Kosova 10%, Kroacia 47.2%, Mali i Zi 9%, Bosnja Hercegovina 10%, Bullgaria 10%, Serbia 15%, Rumania 16%, Greqia 46%, Shqipëria 13.23%.

Kini parasysh, që, ato që janë 10, 10, 10 dhe 9, janë taksa e sheshtë, janë 10 për të gjithë. 13.23 e kemi ne tatimin mbi të ardhurat personale, marrë parasysh mesatarja. Këtu, kini parasysh që nën 1.5 milion të ardhura mujore, janë të gjithë më poshtë sesa të gjitha vendet e rajonit. Të tjerët, mbi 1.5 milion shkojnë më lart, sepse fitojnë më shumë.

Kjo është ajo që kemi bërë ne në ecurinë e reformave dhe me qasjen tonë.

Po ju jap dhe një shembull tjetër, që është përsëri shumë i rëndësishëm, kontributet e individëve për mbështetjen sociale dhe për shëndetin. Po marr totalin. Në total, kontributet: Në Maqedoni 27%, në Kroaci 37%, në Mal të Zi 32%, në Bosnje 40.5%, në Bullgari 31.4%, në Rumani 54.4%, në Greqi 40.6%, në Shqipëri 27.9%, më e ulëta në të gjitha vendet.

I them këto për të kujtuar që e gjithë kjo panoramë me taksat më të ulëta, jo për ata që fitojnë më shumë, për ata që fitojnë më shumë i kemi ndër më të lartat, padiskutim i kemi më të lartat në Ballkanin Perëndimor, në 6 vendet jo anëtare të Bashkimit Europian, i kemi më të lartat për oligarkët, me një fjalë, që i quajnë këta, që s’dinë fare se çfarë do me thënë fjala, ndërkohë që, për të gjithë të tjerët kemi taksat më të ulëta.

Kemi tatimin më të ulët mbi fitimin, kemi tatimin më të ulët mbi të ardhurat personale dhe kemi kontributet më të ulëta.

Të gjitha këto (janë para në buxhet), janë para të cilat nuk i merr buxheti, por qëndrojnë në arkën e familjeve, që do të thotë, që, edhe këto që shtojmë sot, edhe zerimin e inputeve, bujqësore, nuk e ka asnjë vend i rajonit.

Ne themi rajon, nuk po i hyjmë fare Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera që diskutojmë, flasim për rajonin. Nuk e ka asnjë vend i rajonit. Zero për inputet bujqësore, që do të thotë, buxheti i shtetit tek çdo njeri që punon tokën. Kjo është. Faktikisht, ato para nuk merren më në buxhet, por iu lihen atyre që punojnë tokën. Nuk e di llogarinë 23 vjet të Erjonit, unë di që 28 vjet, që kur ka filluar individi të punojë tokën jashtë kooperativës kostoja e inputeve ka qenë problemi i vet kryesor dhe premtimi kryesor i të gjitha partive politike majtas, djathtas, në të gjitha fushatat, edhe yni në 2013-ën për fshatin ka qenë ky. Nuk e kemi mbajtur në mandatin e parë, sepse nuk i kishim mundësitë, sepse lehtëso këtu lehtëso aty, do të thotë, hiq nga buxheti i shtetit lëre te buxheti i familjeve dhe kjo pjesë nuk ishte e mundur.

Sot është e mundur dhe sot ne e bëjmë këtë për të gjithë fermerët në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Patjetër që duke thënë këto nuk them që i kemi zgjidhur të gjithë problemet, por, ama, atyre që thonë, se, ne jemi ata që kemi rritur taksat, unë ju them shumë thjesht: e kundërta është e vërtetë, ne kemi ulur taksat dhe kemi rritur bazën, që do të thotë, sot shumë më tepër shqiptarë i paguajnë taksat, sot shumë më tepër shqiptarë paguajnë kontributet.

Sot shumë më pak shqiptarë punojnë në të zezë dhe sot shumë më pak shqiptarë janë pa perspektivën e pensionit, për shkak se ne kemi rritur formalizimin.

Ka akoma shumë hapësira. Të gjitha këto që diskutuam sot këtu, edhe të tjera që nuk u diskutuan por secili i do, është shumë kollaj t’i vëmë pikën jeshile për të thënë që jemi për më shumë, pa u menduar, vetëm nga dëshira e mirë, i vëmë një pikë jeshile kur vëmë gishtin këtu, por çdo pikë jeshile këtu është një mund më vete dhe lidhet me të gjithë kontekstin e buxhetit dhe të paketës fiskale.

Unë jam shumë krenar që ne sot kalojmë një buxhet dhe një paketë fiskale që vitin e ardhshëm do të na japë qëndrueshmëri të rritjes së mëtejshme ekonomike, do të na japë vepra në infrastrukturë, në zhvillim të mëtejshëm, do të na japë impakte të rëndësishme në të gjitha kategoritë, që nga rritja e pagave deri te zerimi i taksës mbi inputet bujqësore dhe do të na japë mundësinë që të kemi mundësi të reja për buxhetin e vitit 2020.

Shumë faleminderit edhe njëherë që të gjithëve për kontributin tuaj!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here