Kreu Aktualitet Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion

Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion

78
0

Raportimi publik javor i Koordinatores Kombëtare të Antikorrupsionit, ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj: 

Sfida për të siguruar një administratë të pastër dhe me integritet, të aftë profesionalisht dhe efiçente vetëm në shërbim të qytetarëve, kalon domosdoshmërisht nga angazhimi institucional për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës shtetërore.

Paralelisht me përpjekjet tona të vazhdueshme për të modernizuar sistemin, si një parakusht për eliminimin e hapësirave për korrupsion nga punonjësit e administratës, vazhdojmë t’i kushtojmë një vëmendje të shtuar masave për goditjen e akteve korruptive.

Task Forca Antikorrupsion ka vijuar edhe gjatë dy javëve të kaluara me kontrolle dhe inspektime në një sërë institucionesh dhe agjencish, për të cilat ka pasur denoncime nga qytetarët për korrupsion apo abuzim me detyrën.

Gjatë javës së kaluar Task Forca Antikorrupsion ka organizuar një kontroll në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Lushnjë.

Nga ky kontroll janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish, veçanërisht në respektimin e afateve të trajtimit dhe përfundimit të kërkesave të qytetarëve çka ka bërë që në këtë ZRPP të ketë një numër të madh praktikash të prapambetura, ende të pa trajtuara.

Po ashtu janë konstatuar shkelje të urdhërave dhe rregulloreve lidhur me organizimin e brendshëm të punës si dhe bashkërendimit me ALUIZNI-n për  procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara.

Për shkeljet e konstatuara, bazuar në raportin përfundimtar të Grupit të Kontrollit, Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar dhënien e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” për:

  • Regjistruesin e ZVRPP-së, Lushnjë dhe
  • 5 specialistë të po kësaj zyre

Ndërkohë, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, dua të evidentoj punën e mirë të kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me organin e prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese të cilat vijojnë të hetojnë në mënyrë të vazhdueshme veprat penale në fushën e korrupsionit.

Gjatë 2 javëve të fundit nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar 15 vepra penale në fushën e korrupsionit me 20 autorë.

Sfida për modernizimin e sistemit mbetet një nga sfidat më të rëndësishme, por njëkohësisht edhe më komplekse. Me vullnetin e fortë të qeverisë, të reflektuar tashmë në veprime dhe rezultate konkrete, ndryshimi ka nisur. Por sigurisht që nuk mjafton.

Lufta kundër korrupsionit është e gjatë dhe ne jemi të përgatitur për t’ju përgjigjur me të njëjtin përkushtim siç po bëjmë me zbatimin e reformave të thella shtetformuese.

Për ne qytetarët janë të parët dhe e gjithë vëmendja e administratës shtetërore duhet të jetë e përqendruar te shërbimi sa më i mirë ndaj tyre. Kushdo që me veprime korruptive apo abuzive shkel këtë detyrim ligjor do të ndëshkohet pa asnjë tolerim.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here