Kreu Aktualitet Partneritet Strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë

Partneritet Strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë

80
0

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të martën në Samitin e Kryeministrave të Iniciativës së Europës Qendrore, që u mbajt në Zagreb, Kroaci. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama zhvilloi takime edhe me autoritetet më të lartë kroate. Në takimin që Kryeministri Rama pati me homologun Andrej Plenković u nënshkrua Marrëveshja për Partneritet Strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe një Deklaratë e Përbashkët për Sigurimin e Kufijve mes dy vendeve. Pas takimit, dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković:

Kryeministri Andrej Plenković: Fillimisht i uroj mirëseardhjen Kryeministrit Edi Rama, këtu në Zagreb. Shfrytëzoj rastin që ta falënderoj për pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e Iniciativës së Europës Qendrore. Në takimin që patëm pak më parë ramë dakord se raportet mes dy shteteve janë të shkëlqyera dhe ne jemi aleatë në NATO, por shpresojmë se edhe në vijim, marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë do të mbeten siç janë, apo do të jenë dhe më të mira.

Republika e Shqipërisë do të ketë dhe më tej mbështetjen e Republikës së Kroacisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, sidomos pas reformave që janë bërë në Republikën e Shqipërisë, por dhe dinamika e hapave që janë ndërmarrë për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë rrugë drejt Bashkimit Europian jemi të gatshëm që ekspertët tanë kroatë të ndihmojnë palën shqiptare.

Sot bëmë edhe nënshkrimin e Deklaratës së Partneritetit Strategjik dhe shpresoj që kjo Deklaratë do jetë një hap përpara për shkëmbimin e mallrave mes Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kroacisë. Momentalisht, vlera e shkëmbimit të mallrave është 60 milionë euro. Shpresoj që marrëdhëniet tona në të ardhmen, ato dypalëshe, trepalëshe, apo katërpalëshe do të jenë më të fuqishme në bashkëpunimin tonë, si në atë politik, edhe në atë ekonomik. Gjithashtu shpresoj se marrëdhëniet tona do jenë edhe më intensive, kur është në pyetje rajoni Adriatiko-jonian dhe shpresojmë se kompanitë kroate, prezente në Republikën e Shqipërisë, do japin kontribut në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Gjithashtu çmojmë edhe mundin e minoritetit shqiptar në Kroaci, të cilët i japin kontribut të madh shoqërisë kroate, si dhe çmoj punën që bën parlamentarja shqiptare në Parlamentin kroat, zonja Ermina Lekaj Përlaskaj dhe shpresoj që edhe në të ardhmen bashkëpunimi ynë, sidomos ai në fushën e ekonomisë do të jetë më intensiv.

Kryeministrit Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen e veçantë dhe për mundësinë që të ndajmë së bashku rrugën e nisur prej kohësh, në të cilën Shqipëria ka pasur te Kroacia një mbështetës të gjithhershëm dhe të palëkundur. Nënshkrimi i sotëm i Deklaratës së Partneritetit Strategjik përbën një tjetër moment të rëndësishëm në këtë marrëdhënie, që për Shqipërinë dhe për shqiptarët ka qenë gjithnjë strategjike, qysh në krijimin e Kroacisë së re, moderne dhe pastaj në hapat e mëtejshëm, me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, me hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe në vijim. Në anën tjetër është gjithmonë për t’u shënuar se lidhjet tona janë shumë më të hershme dhe besoj që ia vlen të kujtojmë se si populli i Zadarit i priti shqiptarët 300 vjet më parë, duke iu hapur dyert, se si Nënë Tereza mori këtu komunionin e parë nga një prift kroat, se si Milan Šufflay themeloi albanologjinë, apo se si, së fundmi, një shqiptare përfaqëson komunitetin e bashkësisë shqiptare në Parlamentin e Kroacisë.

Sot, ne, po ashtu, siç e tha edhe Kryeministri, vumë theksin te nevoja për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe sëbashku, vitin e ardhshëm do të organizojmë një forum të biznesit kroat dhe shqiptar për të nxitur më tutje bashkëpunimin, ndërveprimin dhe shkëmbimet tregtare.

Po ashtu do të zgjerojmë dhe forcojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Sot u nënshkrua dhe një Deklaratë për Sigurimin e Kufijve. Jemi bashkërisht të vendosur që të ndërveprojmë më shumë kundër emigracionit të paligjshëm. Së fundmi, i propozova Kryeministrit që në kuadrin e Deklaratës së Partneritetit Strategjik dhe duke pasur parasysh eksperiencën shumë pozitive të trilateralit me Kroacinë dhe me Malin e Zi, të organizojmë një tjetër format trilateral, apo kuadrilateral me Shqipërinë, Kroacinë, Kosovën dhe/ose Maqedoninë.

Në mbyllje, nuk mund të rri pa e përmendur si ish basketbollist, emocionin e veçantë që pata në vizitën e Muzeut të Mozartit të Basketbollit dhe takimin me nënën e tij, duke ju thënë me këtë rast të gjithë atyre që na ndjekin këtu në Kroaci, se Dražen Petrović ishte një idhull në Shqipërinë e izoluar të asaj kohe, që e ndiqnim nga televizioni bardhezi e ndërkohë në finalen e kampionatit botëror, shqiptarët ishin me Kroacinë, jo me Francën.

Përshëndetje! Kryeministër Plenković, cili do të jetë qëndrimi i Bashkimit Europian, a pritet ai të jetë racional për Shqipërinë, për çeljen e negociatave të vendit tonë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe më konkretisht, Kroacia çfarë qëndrimi do të mbajë? Ndërsa për Kryeministrin Rama; Vendi ka përmbushur detyrimet në procesin e integrimit dhe për çeljen e negociatave. Çfarë prisni në fakt, ju, nga Brukseli? Faleminderit!

Kryeministri Andrej Plenković: Ju faleminderit për pyetjen. Ka qenë kjo një pyetje shumë aktive në mbledhjen e sotme dhe çdo herë kur takohemi me Kryeministrin Rama, kjo pyetje është e para. Sa i përket qëndrimit të Republikës së Kroacisë, kam theksuar edhe në mbledhjen në Sofje që ka qenë, se Kroacia është për hapjen e negociatave të Shqipërisë, por edhe për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bashkimi Europian. Prej qershorit të kaluar, deri në qershorin e ardhshëm, edhe Republika e Shqipërisë, por dhe Republika e Maqedonisë kanë kaluar një hap të madh, mendoj, kur janë në pyetje reformat sidomos në drejtësi. Pas zgjedhjeve europiane shpresoj se nuk do të jetë problem, por shpresoj që edhe Shqipëria, edhe Maqedonia do fillojnë negociatat.

Kryeministri Edi Rama: E thashë edhe më përpara që Kroacia ka qenë një mbështetje e vendosur dhe e gjithhershme për Shqipërinë dhe për shqiptarët që në ditën e parë të pavarësisë së saj dhe të lindjes së Kroacisë moderne dhe ajo që ne presim nga Brukseli në qershorin e ardhshëm është ajo që meritonim të merrnim që këtë qershor dhe është ajo që kërkon Kroacia dhe që ka kërkuar që në këtë qershor, shumica dërrmuese e vendeve anëtare, të hapim negociatat për anëtarësim.

Zoti Rama, si e komentoni situatën e acaruar momentalisht mes Kosovës dhe Republikës së Serbisë sa i përket tatimeve për mallrat serbe? Pyetja e dytë, Beogradi ju akuzon se ju si shtet shqiptar dhe Republika e Kosovës jeni duke përgatitur paktin për formimin e Shqipërisë së madhe.

Kryeministri Edi Rama: Fatkeqësisht, unë nuk di kroatisht, por akuzat e Beogradit i kuptoj kroatisht. Megjithatë faleminderit për përkthimin. Së pari, dua të them që Beogradi dhe Serbia e kanë shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjen e CEFTA-s. Kosova në mënyrë të përsëritur është ankuar për këtë dhe nuk ka pasur asnjë reagim për të adresuar shkeljet. Vendosja e taksës 100% për produktet serbe është anormale, por situata është anormale. Kështu që në kushte normale do të ishte një vendim i dënueshëm. Në këto kushte anormale është një vendim që duhet marrë ashtu siç është, një klithëm reagimi politik dhe jo një veprim për luftë tregtare.

Sigurisht që nuk është vetëm kjo. Ka një frustrim të madh dhe besoj të arsyetuar në Kosovë edhe për faktin se liberalizimi i vizave që u premtua me të madhe nga Komisioni, edhe nga shtetet kryesore anëtare, pas marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, nuk ka ndodhur dhe Kosova po jeton në një paradoks që nuk mund të përballohet më nga pikëpamja psikologjike, sepse deri dje ishin qytetarë të dorës së dytë, nën diktaturën e Beogradit dhe lëviznin lirisht me pasaportat e Jugosllavisë apo të Serbisë, ndërkohë që sot janë qytetarë, të vetmit qytetarë të dorës së dytë të Europës.

Përsa i përket “Shqipërisë së madhe”, ky është një term që në Beograd, por jo vetëm në Beograd, del në sipërfaqe sa herë që shqiptarët kërkojnë disa të drejta evidente dhe sa herë që Shqipëria mbështet Kosovën me të drejtë.

Kryeministri Andrej Plenković: Sa i përket qëndrimit të Republikës së Kroacisë kur është në pyetje kriza momentale mes Serbisë dhe Kosovës, ne sot ramë dakord, edhe me Komisionerin Hahn, se duhet të bëhet normalizimi i situatës. Ne nuk shohim ndonjë acarim të mëtejshëm të situatës.

Ju faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here