Kreu Aktualitet Kryeministri Edi Rama jep çekun e parë të bebes

Kryeministri Edi Rama jep çekun e parë të bebes

82
0

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e parë të vitit 2019 me fëmijët e lindur gjatë natës së ndërrimit të viteve në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik, “Koço Gliozheni” në Tiranë për tu dhënë Çekun e Bebes që ka hyrë në fuqi në 1 Janar 2019. Kryeministri i uroi mirëseardhjen Aleksit, fëmijës së parë të lindur në këtë maternitet, por të tretit në familjen e tij, pasi është vëlla i dy motrave dhe për këtë arsye do të hyjë në shtëpi me 120 mijë lekë të reja me vete.

“Ky është çeku. Aleksi është i treti, ka ardhur me xhepin plot, 120 mijë lekë të reja,” tha Kryeministri teksa vizitoi prindërit e vogëlushit me fat.

Pas tij ka ardhur në jetë një vajzë, fëmijë i dytë, që do të hyjë në shtëpi me 80 mijë lekë të reja, e më pas përsëri një vajzë, e cila, si fëmijë i parë do tu çojë prindërve në shtëpi 40 mijë lekë të reja.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, shpjegoi se tashmë çdo nënë e re që lind, në momentin që është në maternitet bën regjistrimin e aktit të lindjes, tashmë elektronik, si dhe merr në dorë çekun e bebes.

“Në të 37 maternitetet e vendit është atashuar një punonjëse e Gjendjes Civile, kryhet e gjithë procedura online, pra bëhet regjistrimi i aktit të lindjes dhe gjithashtu vetë maternitetet kanë vënë në dispozicion një punonjës që plotëson çekun, sipas një formati të caktuar, për ta bërë sa më të lehtë procesin e marrjes së bonusit të bebes,” u shpreh Manastirliu.

“Me këtë shmangen të gjitha burokracitë, jo shkonte fondi te Bashkia, jo mblidhet Këshilli Bashkiak, jo ka lekë, jo s’ka lekë”, pohoi Kryeministri Rama.

Për këtë vit, nga buxheti i vitit 2019, 15 milion euro janë të dedikuara në programin e mbrojtjes sociale vetëm për bonusin e bebes.

“Nuk do të ketë më burokraci, sepse fondet janë të destinuara direkt në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në programin e përfshirjes sociale në Shërbimin Social Shtetëror. Hapet llogaria bankare në bankë të nivelit të dytë dhe është shumë e lehtë për prindin për të marrë bonusin e bebes,” shpjegoi ministrja Manastirliu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here