Kreu Aktualitet Hyn në fuqi paketa e re fiskale, nga 1 Janari ulen taksat...

Hyn në fuqi paketa e re fiskale, nga 1 Janari ulen taksat për 91% të bizneseve

117
0

Nga 1 Janari i vitit 2019 ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale, nga e cila 91% e bizneseve do të përfitojnë zerim ose ulje deri në 5% të tatim fitimit, ndërsa 98% e të punësuarve ulje të tatimit mbi të ardhurat personale deri në 5.5%. Konkretisht, bizneset nga 8 në 14 milionë lekë të reja xhiro vjetore, do të përfitojnë ulje të taksës së tatim fitimit, nga 15% në vetëm 5%. Kryeministri Edi Rama vizitoi një prej sipërmarrësve që përfiton nga kjo ulje e konsiderueshme e taksës, i cili tha se kjo lehtësi do t’i shërbejë atij për të zgjeruar aktivitetin dhe për të rritur fitimin e kompanisë në të ardhmen.

“Tani, sinqerisht ne po ndihemi mirë, se na u ul taksa e tatim fitimit. Unë bëja 100 milion lekë xhiro në vit dhe paguaja 15 milionë lekë. Tani ne paguajmë 5 milion lekë. Unë do investoj më shumë tani. Do marr më shumë punëtorë. Shumë faleminderit, sinqerisht!” – u shpreh drejtuesi i një kompanie përpunimi mermeri në Tiranë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shpjegoi se nga kjo paketë e re përfitojnë një sërë kategori sipërmarrësish, por edhe mijëra qytetarë, të cilëve nga 1 Janari iu ulet tatimi mbi të ardhurat personale. “Në 1 Janar ka filluar një paketë shumë e rëndësishme uljeje taksash, që fillon që nga biznesi i vogël me xhiro nën 14 milion të reja, zbritet taksa në 1/3-ën. Kemi vazhduar me agrobiznesin, me të gjithë biznesin bujqësor, në kuadrin e shtytjes, mbështetjes së biznesit bujqësor, me qytetarët, klasën e mesme, me uljen e tatimit mbi të ardhurat personale. Paketa vazhdon me mbështetje po për bujqësinë, me uljen e TVSH-së, pra me zerimin e TVSH-së për inputet bujqësore dhe me normë të reduktuar për një sërë aktivitetesh të TVSH-së. Është viti me rritjen më të madhe ekonomike për Shqipërinë krahasuar në rajon,” u shpreh Ministri Ahmetaj, duke shtuar se, “sot janë 91% e sipërmarrjeve shqiptare që paguajnë 0, ose 5% tatim fitimi dhe 98% e të punësuarve që paguajnë 5.5% taksë pune”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, veç të tjerash, kjo lehtësi fiskale për biznesin do të përkthehet edhe me më shumë vende të reja pune, si dhe me rritje të pagave të të punësuarve në sektorin privat.

“Në fakt, kjo është zona më delikate e punësimit. Të gjithë bizneset, nga 8 milion në 14 milion xhiro vjetore, që, deri dje e kishin 15% taksën e fitimit, e kanë 3-fish më të ulët nga sot, por kanë kapacitete punësimi dhe vetëpunësimi shumë të mëdha. Ajo që është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tonë, është që, duke ju lehtësuar 3-fish, ju japim mundësi, e para, që të zhvilloheni me investime të reja dhe besoj, menjëherë, ju do mendoni për një investim të ri për tu zgjeruar, për tu konsoliduar dhe e dyta, për të rritur punësimin dhe për të rritur pagat,” deklaroi Kryeministri Rama, duke shtuar nga ana tjetër, se, “kemi nevojë të ulim numrin e atyre që shkojnë në universitet dhe të rrisim numrin e atyre që shkojnë në arsim profesional dhe në kolegje profesionale 2-vjecare, që të bëhen specialistë”.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here