Kreu Aktualitet I ofruam Bashës mekanizmin që garanton zgjedhjet

I ofruam Bashës mekanizmin që garanton zgjedhjet

347
0
  • Rama, ka qënë një ditë e ngjeshur sot me takime. Ju sapo u kthyet nga një tjetër takim. Çfarë rezultati kemi?

 

Kryeministri Edi Rama: – Ne jemi, siç e shikoni, në punë. Sapo kemi mbyllur një takim me skuadrën e re përfaqësuese, ku kanë marrë pjesë edhe kryetarët e Bashkive, por edhe deputetë aktualë që nuk janë në skuadra përfaqësuese për të kolauduar mesazhet, për të bërë të qarta prioritetet në planin organizativ, në planin e garantimit të një procesi të lirë dhe të ndershëm, në maksimumin e transparencës dhe për të pasur sa më shumë njerëz, vajza, djem, burra, gra, të të gjithë shtresave që të na bashkohen në 18 qershor për Shqipërinë që Duam.

 

  • Rama, a është e vërtetë që i keni ofruar opozitës postin e zëvendëskryeministrit? A mund të na thoni diçka më shumë për negociatat?

 

Kryeministri Edi Rama: – Kemi rënë dakord që të mos flasim, por me sa duket fjalët i ka marrë era, i ka sjellë deri tek ju. Unë kam propozuar atë çka besoj shumë se adreson problemet objektive, pra, një monitorim, si asnjëherë më parë, të të gjithë strukturave të shtetit, të Policisë së Shtetit, të Drejtorive Rajonale të Arsimit dhe të gjithë sistemit tonë arsimor, të sistemit tonë të burgjeve, ku janë dhe pikat, le të themi, që kanë qenë vazhdimisht pika të adresuara si problematika në raportet e mëparshme të ODIHR-it dhe njëkohësisht një rregullore të dakordësuar për mënyrën se si duhet të shmanget, qoftë përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë qofte edhe një kategori e caktuar aktivitetesh qeveritare, që nuk duhen përdorur për fushatë. Më shumë se kaq nuk ka.

 

  • Si e ka pritur z. Basha këtë propozim tuajin?

 

Kryeministri Edi Rama: – Unë nuk dua të komentoj kundërshtarin që ishte në tavolinë për të biseduar. Pyeteni atë si e ka pritur.

 

  • Deri kur do të prisni një përgjigje?

 

Kryeministri Edi Rama: – Jo, ne s’presim. Ne vazhdojmë punën. Siç e shikoni jemi në angazhimin e plotë elektoral, por njëkohësisht do të gjejmë kohën për të diskutuar deri kur të fillojë shtypja e fletëve të votimit.

 

  • Kjo është oferta e fundit?

 

Kryeministri Edi Rama: – Ç’domethënë e fundit?

 

  • Keni takim tjetër sot?

 

Kryeministri Edi Rama: – Unë s’kam takim tjetër. Por jam i gatshëm, në qoftë se duan një takim tjetër. S’ka problem. Këtu jam, i gatshëm për të ofruar maksimumin e garancive, por asgjë më shumë se kaq.

 

  • A u kërkua shtyrje e datës së zgjedhjeve?

 

Kryeministri Edi Rama: – Nuk e shtroj për diskutim datën e zgjedhjeve.

 

  • Përveç këtyre taks-forcave, nëse mund t’i quajmë kështu grupet e monitorimit, a i keni ofruar zëvendëskryeministrin siç pretendohet, ose poste ministrash?

Kryeministri Edi Rama: – Është një mekanizëm i tërë që propozohet, për të kryer këtë monitorim. Unë nuk dua të hyj në detaje, por më besoni që është një mekanizëm që as në ëndrrën time më të bukur s’do guxoja ta shikoja kur ishte Saliu kryeministër.

 

  • Çfarë e mbajti larg z. Basha nga gjithë këto oferta z. Rama?

 

Kryeministri Edi Rama: – Pyesni z. Basha, mos më pyesni mua.

 

  • Përsa i përket zgjedhjeve të Kavajës, do tërhiqeni nga kandidati?

 

Kryeministri Edi Rama: – Zëra ka gjithmonë për gjithçka. Unë jam këtu me zërin tim. Në qoftë se doni zërin tim, unë flas me timin. Nuk ua të gjykoj gjëra të tjera.

 

  • A i trembeni akteve të dhunshme në Kavajë z. Rama?

 

Kryeministri Edi Rama: – Nuk i trembem asgjëje. Unë besoj që ne jemi brenda filozofisë tonë për të bërë shtet dhe për të zbatuar rregullat e lojës që nuk ndryshohen gjatë lojës edhe pse jemi të gatshëm t’i krijojmë Partisë Demokratike një hapësirë për t’u regjistruar në rast se ajo dëshiron të përfshihet në këtë proces zgjedhor.

 

  • Kryeministër, në takimet që patët më ambasadorët e huaj…

 

Kryeministri Edi Rama: – Unë s’flas asnjëherë për ambasadorët, ju e dini.

 

  • Zoti Rama çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria, nëse do të ketë një përpjekje për bllokimin e procesit në Kavajë?

 

Kryeministri Edi Rama: – Ju e dini, unë nuk përgjigjem asnjëherë me, “nëse”. Ne do bëjmë punë tonë. Jemi absolutisht në krye të detyrës dhe detyrimit për të dalë përpara popullit dhe për të marrë gjykimin e tij me votë do t’i përgjigjemi sipas përcaktimeve që bën Kushtetuta dhe duke respektuar të drejtën sovrane të njerëzve që nuk mund të negociohet nga përfaqësuesit e tyre.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here