Home Ditar Dëshmorëve u qëndron në krah liria!

Dëshmorëve u qëndron në krah liria!

319
0

Mbeten gjithnjë të bukur,

Ata që për Atdhenë, ranë dëshmorë

Loading...

Kur botojmë dhe lexojmë jetëshkrime për Heronjtë e Popullit, Dëshmorët e LANÇ-it, na duket sikur ata të flasin e të thonë: Është zëri ynë, janë mendimet e idealet tona; janë fjalët tona; është vepra jonë. Dhe ne jetëshkrime, duket sikur flasin Ata, që plumbat e armikut i pritën në grushte. Këto rreshta u bëjnë homazh në ditëlindjen e tyre të përbashkët dëshmorëve partizanë e partizane, sepse Ata kanë vetëm një ditëlindje: 5 Majin!

U bëjmë homazh gjithë dëshmorëve të rënë në luftën kundër pushtuesve e tradhtarëve, sepse ata kishin një nënë të vetme, Shqipërinë! Për Shqipërinë ecën nëpër plumba. Dhe Shqipëria i kujton ata në këtë 5 Maj. U bëjmë homazh heronjve dhe dëshmorëve që rënë në luftën me emrin e lirisë në gojë e demokracinë në zemër. U bëjmë homazh, se këta heronj, gjithë dëshmorët, me heroizmat e bëmat e tyre në luftë, ngritën peshë zemrat e popullit. U bëjmë homazh trimave, sepse në sytë e tyre lëçitej ajo që e kishin të shkruar në zemër: “Liri ose vdekje!”, sepse siç thotë  Naimi i madh: ”Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”.

U bëjmë homazh, se Ata mbetën në llogoret e luftës që liria e çlirimi të vinin tek ne të gjalla dhe ato erdhën. Për Ata, toka hapi kraharorin, i mori në gji dhe mbetën lule në petale të përjetshme, lule që s’do të vyshken kurrë! Dëshmorëve u qëndron në krah liria!

Dielli i jep dritë, dritës/Dëshmorët i japin dritë Atdheut.

Në shekuj ka rrjedhur lumë gjaku i shqiptarëve. Ky det i qetë i shpirtit të popullit tonë, përherë ka rrjedhur drejt detit të lirisë, vetëm kur kombi i ushqen me gjirin dhe gjakun e vet, Liria lëshon rrënjë të thella.

Brezi i atyre  veteranëve që i pa dhe jetoi në një llogore me heronjtë, e ka për detyrë të tregojë për skifterët dhe zgalemat e lartësive të mëdha, që mospasja frikë nga vdekja nuk ishte heroizëm i njërit apo tjetrit, por i të gjithëve.

Ata heronj ishin djem e vajza me virtyte të përkryera, që mbetën burim frymëzimi për brezat për ta dashur Atdheun si shqiponja folenë, sepse, siç thotë njeri prej tyre: “Perënditë kanë një Olimp, Njerëzit kanë një Atdhe!”

 

***

Qemal Stafa, figurë e shquar e luftës ANÇL

 

Më 5 Maj 1942, duke luftuar me armë në dorë kundër milicisë fashiste dhe tradhtarëve të Atdheut, ra militant komunist Qemal Stafa, sekretar politik i KQ të Rinisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Ai ishte një figurë e shquar për rininë antifashiste shqiptare. Aktivitetin e tij revolucionar ai e nisi që kur ishte fare i ri, në bankat e shkollës, në Gjimnazin e Shkodrës dhe të Tiranës. Qemali filloi të lidhet me masën e varfër të punëtorëve, me zanatçinjtë e të rinjtë, si Vasil Shanto, Jordan Misja, Voko Kushi. Duke kërkuar rrugët dhe mjetet për çlirimin e popullit, ai u frymëzua nga ide revolucionare. Qysh në moshë fare të re, bëhet një propagandist i flaktë i idealeve komuniste. Kështu, që kur ishte në gjimnaz, në vitin 1953, në moshën 15-vjeçare, ai bëri hartimin me titull: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”.

“…E vjetra asht çdo gja që kohërat e kalueme na kanë lanë. Sistemi shoqnuer, arti i dikurshëm, feja, dasia midis popujve, janë të tilla…

Më 1936, familja e Qemalit u vendos në Tiranë. Ai ndoqi mësimet në Gjimnazin shtetëror të Tiranës. Këtu ai vazhdoi veprimtarinë revolucionare, u lidh me të rinjtë e varfër, nxënës të gjimnazit dhe forcoi lidhjet me të rinj punëtorë si tipografë, marngozë, furrtarë etj. Në gjimnaz Qemalit iu desh që të propagandonte idetë përparimtare dhe njëkohësisht të luftonte kundër pikpamjeve reaksionare që përhapeshin nga regjimi në fuqi dhe që mbështeteshin nga këlyshët feudo-borgjezë që mësonin në gjimnaz. Në këtë punë, Qemali gjeti mbështetjen e të rinjve përparimtare, të cilët përqafonin, mbronin dhe përvetësonin idetë përparimtare. Ai luftoi për të demokratizuar shoqërinë “Fryma e re” dhe organin e saj me të njëjtin emër, që grumbullonte nxënësit e gjimnazit. Në këtë kohë bashkëpunon me rrethet përparimtare të intelektualëve e punëtorëve dhe zhvillon një aktivitet të ndjeshëm në fushën letrare, duke botuar në revista e në të përkohëshme të atëherëshme shkrime, të cilat ishin një  akakuzë e rëndë për regjimin shtypës të Zogut. Të tilla ishin shkrimet si “Qortimet e vjeshtës” etj. që botoheshin në revistën përparimtare “Bota e re” të Korçës. Në këto shkrime paraqitet mjerimi dhe varfëria e shtresave të ulëta të popullit dhe dëshira e flaktë e Qemalit për çlirimin dhe shpëtimin e tyre.

Pak kohë mbas mbarimit të gjimnazit, më 1938, ai arrestohet nga qeveria e Zogut. Qëndrimi para jetuesisë dhe xhanmdarmërisë, vendosmëria që tregoi në gjyq në Janar 1939, mbrojtja e hapur që u bëri ideve komuniste dhe punëtorëve shqiptarë, përbuzja dhe urrejtja që tregoi ndaj regjimit shtypës të Zogut dhe të organeve të tij repressive, siç ishte vetë gjykata që po e gjykonte, janë një faqe e lavdishme në jetën revolucionare të Heroit.

Ky guxim, ky qëndrim burrëror, kjo vendosmëri e paepur, u bënë burim frymëzimi për të rinjtë punëtore e student të asaj kohe. Nxënësit përparimtarë të gjimnazit, të Shkollës teknike, të Institutit femëror, flisnin plot admirim për Qemalin.

Pushtimi fashist e gjeti në burg nga ku ai u arratis menjëherë. Pak kohë më parë, i kishte vdekur vëllai i madh Veliu. Në kujtim të tij, Qemali shkroi vjershën me titull: “Hijes së t’em vëllau”, e cila është një tjetër premtim e betim për të vazhduar “në llogore të reja” luftën për çlirimin e Atdheut dhe të popullit të shumëvuajtur. Ai shkruante:

Flamurin, që n’zi të buykës, me lot qëndisi nana,/e që t’pashë unë se vajtove./mos druej, pa krahë ai kurrë s’do jesi,/bri t’imit pror kryemnalt’ ka me value.

Dhe Qemali e mbajti fjalën e dhënë: flamuri valoi gjithmonë kryelart në duart e revolucionarit të ri dhe të shokëve te tij. Kur në vendin tonë po piqeshin kushtet politike për një bashkim të grupeve komuniste, Qemal Stafa punoi me një vullnet të hekurt dhe me një vendosmëri të patundur. KQ i Partisë i besoi Qemal Stafës drejtimin e Rinisë. Ai me aftësitë e tij prej organizatori dhe drejtuesi, zhvilloi nbjë punë të madhe për organizimin e rinisë komuniste dhe antifashiste jo vetëm në Tiranë, po edhe në qytete të tjera të vendit. Atë e karakterizonte guximi dhe vendosmëria, energjia dhe palodhshmëria e revolucionarit, dashuria dhe besnikëria e militantit të vendosur për çështjet e popullit.

***

Vitet e gjimnazit në Shkodër, janë të mbushura me aktivitete për të organizuar lëvizjen demokratike të rinisë. Ai ishte gjithnjë midis shokëve, me të cilët organizoi shoqërinë e studentëve “Besa” Pena e tij e mprehtë, i shërbeu këtij aktiviteti shoqëror. Një dokument i policisë i vitit 1935. Shpreh shqetësimin për shkrimet e tij. Ndërsa në një dokument  tjetër të datës 30 Maj 1936, lexojmë: “Qemal Stafa ka folë kundra veprave të qeverisë dhe me këtë rast ka predikue komunizmin…”. Policia nuk gabonte. Qemali ishte anëtar i grupit komunist të Shkodrës. Në korrik 1936, ai u shpërngul me familjen e tij në Tiranë. Ai ishte shok i ngushtë i Vasil Shantos. Në Gusht të vitit 1937, Qemali shkon në Elbasan, por kësaj here i arrestuar. Në Janar 1936, Qemali del përpara hetuesve zogistë dhe asgjë nuk nxjerr nga goja e tij, përveç fjalëve: “Jam komunist i bindur dhe i deklaruar”. Dhe pas këtij gjyqi zogist, filloi periudha e mundimeve, të cilëve u shtohet edhe humbja e vëllait dhe shokut të idealeve, Veliut. Qemali premtoi solemnisht se do ta ngrejë edhe më lart flamurin e luftës.

Më 7 Prill u arratis nga burgu për t’u hedhur në një aktivitet të ri në luftën kundër fashizmit. Policia fashiste e njihte mirë Qemal Stafën nga dokumentet zogiste. Ajo e vëzhgonte veprimtarinë e tij ndërmjet studentëve të Firencës ku kish shkuar me pretekstin për të vazhduar studimet e larta, por në fakt, për të organizuar lëvizjen antifashiste të studentëve. Janë të shumta dokumentat që dëshmojnë për ndjekjen e egër që i bëri policia Qemalit. Por Ai nuk gjendej askun dhe ndërkohë ishte kudo: në Tiranë për formimin e rinisë komuniste, në Delvinë e Gjirokastër për formimin e qarkorit, në Shkodër me Perlat Rexhepin e Branko Kadinë etj.

Duke punuar dhe luftuar me guxim dhe pa u lodhur për zbatimin e detyrave që shtroheshin para rinisë. Qemal Stafa, më 5 Maj 1942, u rrethua në një shtëpi të Tiranës, afër spitalit, nga forca të shumta të milicisë dhe të kuesturës fashiste. Ai luftoi me guxim dhe gjakftohtësi kundër këtyre bishave, duke vulosur me gjakun e tij, premtimin dhe betimin që kish bërë, se do të luftonte deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e Atdheut dhe të popullit. Rinia u betua, se do të ndiqte rrugën plot sakrifica, pot ë lavdishme të Qemalit. Dhe këtë betim ajo e mbajti. Luftëtarë si Misto Mame. Mihal Duri e shumë të tjerë, ranë në luftën heroike për çlirimin e Atdheut. Në këtë luftë ata i frymëzoi edhe vepra dhe shëmbulli i shokut të tyre të luftës dhe idealeve Qemal Stafa. Mbi varrin e Qemal Stafës u gjet një shirit coipe të kuqe shkruar me gërma të zeza: “Vdekje fashizmit – Liri popullit!”.

Atë vit, në çdo skaj të Shqipërisë i këndohej kënga:

Brenda në Tiranë, afër një spitali,/Ç’u vra Qemal Stafa, një trim nga të malit./Ç’e muarë nga prapa, spiunët e djallit,/luftoi me patllake, gjersa i dolli xhani,/S’kish pushkë të gjatë, si s’pat lumëmadhi!/Motra shqipëtare, zi për të të mbani./Nëna e tij plakë shkon e qan te varri./-Ngrehu Qemal, – i thotë, – ç’bën tek Varri i Bamit?/dje më erdhi karta nga çetat e malit./Ngrehu, të keqen nëna, të do partizani./-Kam marrë tri plagë, plumba italiani,/të më mirret haka, gjakun mos ua falni,/Popullit shëndenë, qëndroi si luani:Nënë lamtumirë, i thotë Qemali.

Qemal Stafa vdiq ashtu si vdesin heronjtë. Vdiq duke luftuar, si vdiqën komunistët e tjerë zemërluanë: Bakua, Kadia, Shijaku…”vdiq si vdesin burrat, por shokët e tij janë gjallë dhe flamurin për të cilin ra Dëshmor, do ta ngrenë akoma më lart. Shokët e tij janë në këmbë dhe luftën do ta vazhdojnë gjer në fund, gjersa gjaku i dëshmorëve të lahet me gjakun e tradhëtarëve katilë, gjersa t’ia marrin krejt shpirtin kuçedrës fashiste dhe të sigurojnë një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore”, shkruhej në një komunikatë për njoftimin e rënies së Heroit Qemal Stafa.

I gjithë populli shqiptar sot, më 5 Maj, përulet me respekt para Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut, që dhanë jetën për një Shqipëri të lirë!

Lavdi Dëshmoreve dhe Heronjve të Atdheut!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here