Home Politike Vota e 18 qershorit për Shqipërinë që duam me shtet, punë mirëqenie

Vota e 18 qershorit për Shqipërinë që duam me shtet, punë mirëqenie

289
0

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në Kongresin Elektoral të PS-së:

Faleminderit!

Loading...

Dëshiroj ta nis me fjalën më të thjeshtë, “Faleminderit!”

Faleminderit të gjithë atyre që më bënë nderin më të madh që dikujt mund t’i bëhej në jetë në atdheun e tij, duke më zgjedhur Kryeministrin e këtij vendi.

Ju them të gjithëve shumë përulësisht se bëra gjithë sa munda, jo  gjithë sa doja. Por jam krenar që mund t’u them gjithashtu, po, shumë mbetet ende për të bërë, por ama sot, ju kemi dhënë provën e sigurt se ne mund ta bëjmë dhe do të bëjmë Shqipërinë!

Faleminderit të gjithëve ju, këtu, që më ndihmuat në çdo ditë dhe në çdo orë të vështirë të këtyre 44 muajve në detyrë për të shërbyer si Kryeministri juaj.

Faleminderit deputetëve të grupit tonë parlamentar, veçanërisht Namik Dokles, Valentina Leskajt, Arta Dades, që dhanë gjithçka munden për vite të tëra, në vijën e parë të betejave të Partisë Socialiste. Jam i bindur se përvoja e tyre do na ndihmojë edhe më tutje.

Faleminderit deputetëve që nuk do jenë ketë herë, pjesë e përfaqësues tonë, por do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës tonë në role të tjera, ku me siguri do të bëjnë më të mirën, për të dhënë  gjithçka që munden për Shqipërinë dhe  për Partinë Socialiste.

Faleminderit çdo anëtari dhe anëtareje të kësaj familje kaq të madhe, këtu në Shqipëri apo në emigracion, për mbështetjen që më keni dhënë mua dhe qeverisë në këtë mandat sfidash të rënda, prej ku Partia Socialiste del më e rritur, më e fortë, më e vendosur për të udhëhequr  Shqipërinë.  E Shqipëria del më  e mirë, më  e sigurt, më  e vetëdijshme, sesa tre vjet e gjysmë më parë, që po, mund të bëhet shtet. Një shtet serioz për të gjithë qytetarët seriozë, pa dallim, një shtet dinjitoz në marrëdhëniet me fqinjët dhe me botën.

Faleminderit në fund të falënderimeve, por jo nga rëndësia, Lindës, fëmijëve, pa diskutim Anetës, që vazhdojnë të ma hapin derën e shtëpisë me dashuri, në mbrëmje vonë, edhe pse në këto tre vjet e gjysmë nuk ju kam kthyer dot as 1% të dashurisë, kujdesit, vëmendjes që më kanë kushtuar pa kursim dhe pa reshtur!

Sot është Dita e Europës. Dita e fitores mbi fashizmin. Dita e zanafillës së projektit më fantastik, politik dhe shoqëror të njerëzimit, Bashkimit Europian.

Sot është dita jonë!

Sot është dita e Shqipërisë që Duam, me shtet, me punë, me mirëqenie!

Është dita e Partisë Socialiste të Shqipërisë, në këtë Kongres Elektoral të radhës, përpara zgjedhjeve politike të radhës. Por zgjedhjet këtë radhë janë historike për më shumë se një arsye, për më shumë se një mandat. Madje për më shumë se një dekadë në vijim, sepse në këto zgjedhje, në 18 qershor, shqiptarët nuk do të vendosin se kush do t’i qeverisë në katër vitet e ardhshëm, por si do të jetë nesër, Shqipëria e atyre që lindin sot, ku do të jetë nesër Shqipëria që po rilindim, pasi e morën në dorë dhe përdore të rrënuar, pa shtet, të zhytur në borxhe, të sfilitur prej padrejtësisë të kthyer në një sistem ku kush fitonte më pak, taksohej me shumë; kush respektonte ligjet dhe paguante dritat e taksat, quhej “budalla dhe i dobët”, ndërsa kush shkelte rregullat, zaptonte pronën e përbashkët, vidhte dritat quhej “i fortë” dhe nuk i hynte asnjë gjemb në këmbë.

Shqipëria që kishim vetëm tre vjet e gjysmë më parë i kishte të mbyllura dyert e Europës. Shqipëria që kemi është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Shqipëria që Duam, duhet të ulet në tryezën e negociatave një orë e më parë dhe të behët anëtare e Bashkimit Europian. Prandaj 18 qershori është mu si thotë ajo kënga  e vjetër labe: “As për mua, as për ty, por për të gjithë Shqipërinë”.

Është e pabesueshme, por është e vërtetë. Partia që lindi 27 vjet më parë nga aspirata për Shqipërinë si gjithë Europa, Partia Demokratike, sot ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet, e udhëhequr nga frika. Një frikë e madhe, më e madhe sesa një kope lepujsh në bark, nga drejtësia.

Mbyllur në një  bunker plasmasi, prej  ku ka shpallur luftën me mullinjtë  e erës, tërë dynjasë, jo  mua, as ne, po Shqipërisë, Gjermanisë, Bashkimit Europian, Amerikës.

Nuk duan zgjedhje, sepse nuk duan Vetting-un. Nuk duan Vetting-un, sepse nuk duan  drejtësinë. Nuk e duan drejtësinë, sepse nuk flenë më gjumë, qysh se u detyruan ta votojnë Reformën në Drejtësi, korrikun e shkuar, me iluzionin se do të mbetej një tjetër letër që do ta merrte lumi i ligjeve të pazbatuara për çerekshekulli me radhë. Dhe e dinë këtë, e dinë shumë mirë. Pa votuar Vetting-un, nuk i dalin përpara asnjë shqiptari për t’i kërkuar votën. Prandaj duan të hedhin në erë zgjedhjet, për të hedhur në erë Vetting-un, drejtësinë që po troket në derë, edhe me çmimin që të hedhin në erë përsëri Shqipërinë, ashtu siç bënë 20 vjet më parë, duke e shembur përtokë ekonominë e çdo familjeje  shqiptare.

Më vjen keq dhe janë shumë i sinqertë. Më vjen shumë keq që erdhi puna deri këtu. Bëra çmos që kështu të mos ndodhte dhe e di shumë mirë që shumëkush nga ju nuk është ndjerë i qetë me lëshimet e mia. Merre me mend sesi është ndjerë Erjon Braçe, që nuk e ka përjetuar mirë tërheqjen nga zgjedhjet në Kavajë. Nuk e ka gëlltitur dot faktin se përsëri, ashtu siç në fakt ka ndodhur gjithnjë, por këtë herë për shkakun tim, ne socialistët jemi dukur të ndrojtur, të dobët, pse jo, përballë agresionit të tyre, pa asnjë cak etik, moral, njerëzor, se për politikë nuk bëhet fjalë. Por kam dëgjuar shumë edhe nga ju që thonë, sikur të ishin ata, sikur të ishte ai, do të kishin bërë kështu, do të kishin bërë ashtu.

Jini krenar që ne nuk jemi si ata!

Ne nuk jemi njësoj, edhe pse jemi natyrisht, vëllezër e motra të të njëjtit gjak, që flasim të njëjtën gjuhë, jemi të gjithë bijë e bija të të njëjtës tokë. Jini krenar që ne nuk jemi njësoj si ata! Prandaj ne nuk e vëmë asnjëherë veten mbi Shqipërinë, asnjëherë partinë mbi njerëzinë, asnjëherë sedrën mbi arsyen.

Jini krenarë që ne nuk jemi njësoj si ata! Për ne nuk vjen kurrë i pari shembulli i forcës, por forca e shembullit.

Jini të qetë, shumë të qetë, me vetëdijen se bëmë gjithçka, bëra gjithçka, edhe aq sa ata kurrë nuk e çuan as nëpër mend të bënin për ne, kur ne ishim në opozitë dhe ata në pushtet. Iu ofruam çka as në ëndrrën tonë më të bukur, nuk kishim guxuar ta shihnim, as pasi na i kishin grabitur zgjedhjet e vitit 2009, as pasi na e rrëmbyen Bashkinë e Tiranës në vitin 2011.

U dhamë mundësinë e parë në 27 vjet për një opozitë në Shqipëri, që gjatë fushatës të mbikëqyrnin qeverinë nga brenda dhe jo vetëm, po sëbashku me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë. Refuzuan gjithçka, sepse ata nuk e kanë hallin te procesi zgjedhor. Ata nuk e kanë hallin as te droga që e përmendin aq shumë, sikur pinë hashash gjithë natën, as te krimi që e përmendin aq shumë, saqë duket sikur gjithë ditën shikojnë filma policorë. Ata hallin e kanë te divorci i pamundur me gjykatësit e korruptuar. Divorci që nis me Vetting-un dhe vazhdon me hapjen e llogarive përpara drejtësisë  të çliruar nga kthetrat, ku ata janë mishi, ndërsa të korruptuarit e sistemit të drejtësisë janë thonjtë e ngulur në fytin e popullit prej 27 vjetësh.

Vendosën të vrasin veten.

Çurçilli thotë: “Problemi me vetëvrasjen politike është se nuk vdes, por jeton tërë jetën me pishmanin që e bëre”.

Ashtu le të jetojnë! Vetë e zgjodhën politikën e inatit, tani le ta vuajnë inatin e politikës!

Mua, se fsheh dot, as më dhimbsen, as më bëhet vonë sesa pishman do të bëhen ata, por më dhimbsen dhe shumë madje, votuesit e tyre. Njerëz të zakonshëm, qytetarë të këtij vendi, që për njëmijë e një arsye e shohin veten të lidhur me Partinë Demokratike.  Më dhimbset, e shumë fare, Shqipëria, ku partia e opozitës sillet si një shoqatë anarkiste që s’do shtet, s’do ligj, s’do zgjedhje. E padyshim krijon një imazh jo të admirueshëm për vetë vendin tonë.

Më bëhet vonë, t’ju them të drejtën, edhe për një gjë. Doja shumë t’i kishim përballë në 18 qershor, jo në bunkerin prej plasmasi, se mezi prisja t’i mundnim këtë herë,  me votën e lirë të shqiptarëve, edhe më thellë, shumë më thellë se 23 qershorin e 4 viteve më parë. Por u dorëzova edhe unë, që këtë herë dola më i duruari me ta nga të gjithë ju, s’na ka mbetur më gjë tjetër, përveçse t’i lëmë pas dhe të vazhdojmë përpara. Përpara drejt 18 qershorit dhe të thërrasim në kutinë e votimit çdo shqiptar dhe shqiptare që e do Shqipërinë më shumë se partinë.

Mos e vazhdoni këtë kor, po ju lajmëroj, që sot fletët e votimit kanë fluturuar për t’u shtypur dhe zgjedhjet  do të bëhen në 18 qershor.

Përpara drejt 18 qershorit dhe të thërrasim të na bashkohet çdo qytetar dhe qytetare e këtij vendi, që mbi çdo flamur partie do flamurin kuq e zi të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit. Çdo familjar në këtë vend, që mbi liderët e partive do prindërit dhe fëmijët e vet. Çdo burrë, çdo grua, çdo djalë, çdo vajzë, që mbi fitoren e një pale ndaj një pale tjetër do fitoren e popullit ndaj gjykatësve të korruptuar. Çdo baba, çdo nënë, çdo vëlla, çdo motër, që mbi pushtetin e njërit apo tjetrit do shtet për vete, për familjen, për komunitetin ku jeton.

Në këtë Ditë të Europës dhe të nisjes tonë si një trup i vetëm drejt fitores për Shqipërinë që Duam, unë ju jap fjalën të gjithë shqiptarëve të zakonshëm, pa dallim partie, nga Tropoja në Konispol, në Greqi, në Itali, në Europë, në Amerikë dhe kudo qofshin, se 18 qershori do të jetë dita e vettingut të popullit ndaj politikës së vjetër, të marrjes zvarrë të Shqipërisë në emër të interesave personale dhe partiake dhe parlamenti i ri do ta nisë jetën me zhbllokimin e Vetting-ut, menjëherë pas krijimit të qeverisë së re.

Do jetë parlamenti i parë pa Saliun, por jo pa opozitë, pas 27 vjetësh. Tamam si bylmezi që, populli thotë, e gjen vetë rrugën e humbjes, Saliu e gjeti vetë rrugën e ikjes pa kthim nga ajo sallë, ku për 27 vjet rrënoi çdo rrugë komunikimi njerëzor shqip-shqip. Cenoi çdo normë edukate njerëzore, ku çdo prind i këtij vendi përpiqet t’ ia ngulë fëmijës në kokë, që na hapat e parë. Shkeli çdo porosi të Kanunit. Shau, shpifi dhe kërcënoi tërë dynjanë në një ditë, më shumë se të gjithë pijanecët e Shqipërisë, të mbledhur bashkë, në një vit. E rrëmbeu Partinë Demokratike nga duart e studentëve në ’90-n, e çoi në humnerë në ’97-n, e ringriti edhe njëherë dhe tani e mbyti me duart e tij, duke e kthyer nga një alternative qeverisëse, në një fantazmë të frikës nga drejtësia, që kërcënon me dhëmbët e rënë, rikthimin e flamës së 20 vjetëve më parë në Shqipëri.

Por besomëni ju, le ta besojnë të gjithë shqiptarët, nëse ’97-a ishte rrëzimi tragjik i Shqipërisë për shkak të marrëzisë së Saliut, 2017-a do të jetë rënia tragjikomike e PD-së për shkak të budallallëkut të Lulëzimit.

Në këtë rrugë do të dëgjoni përditë shumë gjëra. Do të dëgjoni gjëra nga më të ndryshmet. Do të dëgjoni njerëz që  do ju thonë se s’ka më kuptim, këtu s’ka garë, s’ka më kuptim, zgjedhjet janë të fituara, s’ka më kuptim, se Parlamenti i ri do ta ketë jetën e shkurtër, ngaqë  PD është jashtë Parlamentit.

Sot që PD ka ikur, ka më shumë kuptim se kurrë që ta shfrytëzojmë këtë boshllëk të lënë prej saj, për të plazmuar një unitet të ri, një unitet nën flamurin kuq e zi për Shqipërinë që Duam, me shtet për të gjithë, me punë për të gjithë, me mirëqenie për të gjithë. E kujtdo që mendon se Parlamenti i ri do ta ketë jetën e shkurtër, ngaqë PD-ja do jetë jashtë tij, gabon!

I them gabon, se liria e zgjedhjeve do të prodhojë opozitën e re parlamentare. Opozita nuk është asnjë flamur partie, as një fytyrë, as dy fytyra, as një elitë frikacakësh në krye të saj. Opozita është nevojë e lirisë dhe partitë janë oferta në hapësirën e saj.

Jetëgjatësia e Parlamentit të ri do të varet vetëm nga ne, vetëm nga aftësia e kësaj partie të madhe për të kuptuar sensin e historisë në këtë moment dhe për t’u kthyer nga partia e socialistëve, në shtëpinë e shqiptarëve përtej ngjyrave, simboleve, ideologjive të vjetra, në vatrën ku ka vend për çdo njeri të zakonshëm që e do Shqipërinë, në fuqinë reformuese dhe transformuese që mishëron ambicien e prindërve për fëmijët e Shqipërisë. Në qoftë se ne do të bëhemi shëmbëlltyra e ambicies së çdo prindi për fëmijën e vet, atëherë, ne do ta çojmë Shqipërinë më shpejt, më fuqishëm, aty ku e kanë ëndërruar baballarët e këtij kombi dhe aty ku  e duan të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Prandaj kjo garë që sapo ka filluar, më besoni, është gara më e vështirë e Partisë Socialiste, pa thënë, qëkur unë jam në krye të saj dhe me këtë rast përshëndes Fatos Nanon nga ky Kongres. Sepse ne do të jemi jo vetëm forca e parë e këtyre zgjedhjeve, por do kemi një shumicë parlamentare më të madhe se kurrë ndonjëherë në 27 vjet dhe kjo është një peshë përgjegjësie kolosale, të cilën duhet të fillojmë ta ndjejnë që tani, në çdo qelizë të qenies tonë politike. E duhet t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se nuk vijmë tek ta për vete, por për t’u bërë bashkë, si fuqia e një ndryshimi po aq të madh, sa përgjegjësia e rëndë që do të marrim në 18 qershor.

Çdo ndryshim në këta 44 muajt e fundit, sot vlen vetëm si një bazë e mirë për të ndërtuar më tej Shqipërinë që Duam. I patë njerëzit e zakonshëm që folën në ekran dhe i falënderoj ata që e kanë përgatitur atë film të shkurtër, jo për t’i bërë reklamë, por për të dëshmuar se ndërkohë që flasim për sa shumë kemi bërë, na gërryen thellë ndjesia e fortë e dhimbjes, e halleve, e problemeve ende të pazgjidhura dhe vetëdija sesa shumë akoma kemi për të bërë.

Çdo e metë, çdo dobësi, çdo gabim i këtyre 44 muajve, sot është një mësim i madh, një mësim më vete për 4 vitet që vijnë. Këta 44 muaj kemi bërë shumë, por kur e shoh përpara rrugën e 4 viteve që vijnë, çka kemi bërë deri këtu vlen vetëm për një gjë, për të besuar se aq shumë më shumë që mbetet për t’u bërë, ne dhe vetëm ne mund ta bëjmë. Dhe do ta bëjmë, me se s’bën!

Engjëj nuk jemi, magjistarë nuk jemi, të pagabueshëm jo e jo, por ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë! Sepse e duam Shqipërinë dhe jemi këtu, në këtë parti, për Shqipërinë që Duam.

Mbrëmë vonë, pas mesnate shëtita vetëm në kantierin e sheshit” Skënderbej”, cep më cep. Mu mbushën sytë me lot. Sa shumë kohë u humb, për të ndërtuar më në fund qendrën e Shqipërisë, kryesheshin e tokës amë, me të cilin identifikohet çdo shqiptar i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi e kudo tjetër ku jeton nëpër botë. Sa shumë energji u shpenzua për luftëra të pamëshirshme politike, duke e penguar për vite e vite të tëra sheshin e Skëndërbeut, që të rilindë në shekullin e ri, si pasqyrë e ambicies sonë për Tiranën dhe për Shqipërinë që duam.

Kush fitoi nga gjithë ato luftëra barbarie politike, estetike?! Askush!

Kush humbi?! Gjithë shqiptarët, pa dallim! Edhe socialistët, edhe demokratët, edhe autoktonët, edhe të ardhurit në Tiranë, edhe pleqtë, edhe të rinjtë, edhe fëmijët, jo vetëm në Tiranë, po kudo ku flasin shqip dhe i thonë Tiranës, kryeqyteti ynë.

Për pak javë, ai shesh do të jetë për të gjithë edhe një pasqyrë reflektimi mbi cfarë pasojash të pallogaritshme ka politika pa dashuri për Shqipërinë, mbi jetën e njerëzve të zakonshëm. Gjynah, shumë gjynah! Sa shumë vite kemi humbur dhe parafytyroni sa ndryshe, sa shumë më ndryshe do  të ishte sot Shqipëria, jeta e çdo familjeje në këtë vend, nëse çka ne kemi nisur të bëjmë vetëm në 44 muaj, do të ishte bërë shumë e shumë vite më parë. Në çdo drejtim.

Po Durrësi, si do ishte sot, sikur transformimet e mëdha të kësaj kohe kaq të kufizuar të kishin nisur shumë e shumë vite më parë? Po Elbasani? Po Vlora? Po Tropoja, Malësia e Madhe? Korça, Gjirokastra, Berati? Po Fieri, Lushnja, Divjaka? Po Puka, Dibra? Po Belshi?

Shumë nga ju nuk e dinë ku bie Belshi. Është një qytet i vogël, me një liqen të magjishëm. Si do ishte sot, sikur çka kemi nisur, pasi morëm në dorë qeverinë dhe fituam edhe bashkinë, të ishte nisur këtu e të paktën 20 vjet më parë?

Jua them unë si do ishte; Do ishte një destinacion turistik. S’do kishte papunësi për ata që jetojnë atje. Do kishte hotele, do kishte bujtina, si liqenet e veriut të Italisë, me agrobiznese, me prodhime të zonës, që do mrekullonin vizitorët që do  shkonin nga Tirana dhe qytetet të tjera dhe do të tërhiqnin pafundësi turistësh të huaj.

Më besoni, e njoh sot çdo pëllëmbë të çdo qyteti dhe nëse 20 vite më parë do të kishin filluar këto që ne i filluam me çerekshekulli vonesë, çdo bashki e re e Shqipërisë mund të ishte një destinacion turistik. Sikur jo vetëm të kishte nisur puna për Shqipërinë e re nga qendrat, por të mos ishin humbur kaq e kaq vite, duke investuar për arnat mbi arna, nën arna, shqep, arno nga vitit në vit, këtu një tegel, atje një mballomë, nga fushata në fushatë.

Sikur mos të ishin bukosur dhjetëra, qindra mijëra kilometra kanale ujitëse, kulluese nëpër gjithë trupin e Shqipërisë, si do ishin sot, të gjitha pa përjashtim, shkollat, spitalet? Apo për çerekshekulli mos të kishin vjedhur dritat e njëri-tjetrit, të mos kishin grabitur pronat e njëri-tjetrit, të mos  kishin gënjyer njëri-tjetrin me lloj-lloj letrash, diplomash, licencash false e mos t’ia kishin hedhur kush më shumë e kush më pak  njëri-tjetrit, individi shtetit, shteti individit, shteti shtetit, duke bërë sikur bëjmë reforma, sikur zbatojmë ligje, sikur paguajmë detyrime, sikur ndërtojmë institucione, ndërkohë që jeta për çerekshekulli vazhdoi: Zoti për të gjithë, secili për vete!

Jua  them unë; Do të ishim sot, 25 vjet më shumë përpara, fiks sa 25 vjetët që na lanë mbrapa në një vend fantastik, siç ma tha bukur shumë një zonjë shumë e moshuar në Belsh: “Ah, mor bir,” – tha – “Këtë vend e ka bërë Zoti për telha, po nuk e lë robi të ngrejë kokë”. Një territor mrekullisht natyror, ku zhvillimi mori hov të madh, po jo si ndarje me të shkuarën, po si zhvatje e të ardhmes.

E ja pse ky mandat ishte një stërmundim i madh, për të nisur me çerekshekulli vonesë reformat që u zvarritën për çerekshekulli! Një fazë e tërë historike zhvillimi, me tipare kancerogjene në çdo sektor. E na u desh, reformë në ekonomi, reformë në financë dhe në sistemin e taksimit, reformë në energji, reformë në administrimin e territorit, reformë në drejtësi, reformë në polici, reformë në arsim, reformë në shëndetësi, reformë në pensione, reformë në shërbimin e publikut, reformë në skemat e mbështetjes ekonomike, sociale, financiare të shtresave dhe të grupeve të ndryshme të interesit. Një kantier i tërë reformash për të bërë shtet, duke e vënë Shqipërinë mbi themele, se e gjetëm si ato ndërtimet mbi rërë. Për të bërë një Shqipëri moderne, demokratike, funksionale. Një kantier në punë.

Ku jemi?

Nuk diskutohet, ende shumë larg përfundimit të kësaj faze historike, për të garantuar mirëfunksionimin e shtetit në çdo sektor dhe për të bërë atë që kemi detyrim deri ditën kur, patjetër, të tjerë do të vijnë për të bërë shtetin si një ngrehinë që nuk e prishin dot më. Vetëm mund ta ndërtojnë.

Imagjino sot, për një moment, sikur në 18 qershor të ktheheshin prapa. Për një muaj do t’i kishit policët prapë me fara kungulli nëpër kapele. Për një muaj do fillonin prapë telat për të vjedhur dritat nga rruga e për t’i futur në ballkon. Për një muaj do hapeshin prapë universitetet që ne mbyllëm. Merreni me mend vetë, sa gjëra mund të ndodhnin për një muaj!

Ndërkohë që ky kantier reformash të thella, reale, me kosto, nuk mund të shtyhej më tutje, sepse i binte të pranonim djegien edhe të një gjenerate tjetër, pas gjeneratës së “kristalit”, “vitrinave”, “pasqyrave”, “llamarinave”, “trampolinave”, gjenerata me numrin më të madh të juristëve në glob, në vendin me drejtësinë më të korruptuar në planet.

Operacione të dhimbshme, me stres, me sekëlldira jo të vogla për shumëkënd, në një trup të prekur në çdo kockë, të drobitur në çdo muskul nga moskoordinimi total i gjymtyrëve për vite të tëra dhe nga metastazat e përhapura të korrupsionit në çdo organ jetik. Por operacione jetike, të pashmangshme për t’u ringritur së bashku, për të garantuar se kush fiton më shumë, paguan më shumë, kush fiton më pak, paguan më pak; për të garantuar nxjerrjen nga skllavëria e punës në të zezë të dhjetëra e dhjetëra mijërave njerëzve dhe rritjen e punësimit real; për të garantuar rritjen e të ardhurave të shtetit, rritjen për herë të parë të rrogave e pensioneve, pa e rritur njëkohësisht borxhin publik, po duke e ulur; rritjen më të lartë të numrit të bizneseve në harkun e 4 viteve dhe taksën zero për biznesin e vogël, shlyerjen e 720 milionë dollarë borxheve ndaj kompanive për shërbime të kryera ndaj shtetit; 2-3-fishimin e ndihmës ekonomike dhe kompensimin në çmimin e energjisë elektrike për familjet me ndihmë ekonomike; mjekun e familjes falas, uljen 30% të çmimit të ilaçeve, rimbursimin e plotë nga lista e barnave të rimbursueshme për 600 mijë njerëz të pasiguruar, të varfër, të pamundur, të painformuar; zerimin e kamatëvonesave të energjisë për të gjithë ata qindra mijëra konsumatorë që e paguajnë sot rregullisht; rreth 60 incentiva fiskale në favor të prodhimit.

Mund të vazhdoj pa fund. E di që nuk mjaftojnë. Nuk diskutohet që nuk mjaftojnë. E di që duhet ende, shumë më shumë, ngado që të kthesh kokën.  E di që njerëzit nuk hanë dhe nuk pinë statistika. I kam thënë një milion herë ministrit të Financave, mos përsërisni pafund statistika, sepse njerëzit, kur iu flet me statistika, – të vërteta janë, – dhe t’u thuash sa të duash që ekonomia rritej asgjë presje diçka, sot rritet 3.5%, iu duket, në rastin më të mirë sikur i bezdis dhe në rastin më të keq sikur i ofendon. Prandaj, unë nuk them, askush këtu nuk duhet të thotë se Shqipëria që kemi është e mjaftueshme për të duartrokitur Partinë Socialiste dhe për t’iu ngritur në këmbë qeverisë. Jo, Shqipëria që kemi nuk është ajo që duam, por krahasuar me Shqipërinë që kishim, është si të krahasosh natën e thellë me agimin e ditës.

Ku mjafton?! Si mjafton?! S’ka sesi mjafton, gjëkundi! Çfarë kemi bërë në këto 3 vjet e gjysmë për shëndetësinë e të më falin të gjithë ata që rrudhin buzët, por të krahasosh Spitalin “Nënë Tereza” sot, me çfarë ishte ai spital para 44 muajsh, është si të krahasosh një palë opinga të shqyera të vitit 1944 me këpucët që prodhohen sot për eksport.

Për herë të parë, pas çerekshekulli në mëshirë të fatit, u sigurua funksionimi i Urgjencës Kardiake, 24 orë në 7 ditë të javës, e cila ka shpëtuar statistikisht jo pak, 2200 jetë, prej fillimit të funksionimit në nëntor të 2015-ës. Edhe pse, unë e di shumë mirë, lajm nuk bëjnë sa jetë shpëtohen, lajm dhe të ububu-shëm, me të drejtë, bën një jetë që humbet.

Urgjencë 24 orë në 7 ditë të javës në 25 qendra të posaçme shëndetësore për sezonin turistik, kush e imagjinonte 3 vjet e gjysmë përpara në Shqipëri! Të të pickonte akrepi në Llogara, duhet të merrje makinën dhe të vije në Tiranë, bashkë me akrepin! Shërbimit të Urgjencës Mjekësore i janë shtuar një flotë ambulancash të reja dhe një helikopter. Kush e mendonte 3 vjet e gjysmë më parë, që helikopteri i Urgjencës mund të ngrihej për njerëzit e zakonshëm dhe jo për VIP-a! Kush?

Sot ka nisur të shtrihet sistemi i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës. Kemi Qendër të re Kombëtare të Urgjencës. E patë në prezantimin e programit. Nuk është dëshirë, është një realitet që deri në fund të vitit do të jetë prezent në të gjithë Shqipërinë. Sot është në të gjithë qarkun e Tiranës. Janë kryer 2479 misione të suksesshme shpëtimi dhe kështu do të jetë.

Natyrisht nuk mjafton, por, më falni, 3 vjet e gjysmë më parë, çdo nënë shtatzënë që shkonte për të lindur, bënte operacion me instrumente mjekësorë që ishin prodhuar në kohën kur kishte lindur i ati, të kohës së Enverit, me ndryshk. 96 mijë instrumente të reja mjekësorë të gjeneratës së fundit po zëvendësojnë instrumentet mjekësore të asaj kohe jashtë çdo standardi dhe shkaktonin mijëra infeksione post operatore, që nga maternitetet deri në çdo sallë operacioni të Shqipërisë. Mbaronin operacionin mjekët, por kishte punë organizmi me mikrobet e kohës.

Po t’i numëroj këtu të gjitha, është bërë në fakt në shëndetësi më shumë se në çerekshekull, marrë së bashku, për të bërë shtet. Por, natyrisht, ajo që mbetet për t’u bërë, është shumë më shumë, pa asnjë diskutim. Shëndetësia që kemi është ku e ku me shëndetësinë që kishim, por shëndetësia që duam duhet të jetë dhe më besoni, do jetë ku e ku me shëndetësinë që kemi.

Në fund të ditës, politika dhe qeverisja janë gjithmonë për ditën që vjen më pas, jo për ditën që iku. Sa shumë kemi bërë për arsimin, për tekstet shkollore, për rekrutimin e mësuesve të rinj, sigurinë e mësuesve në detyrë, zinxhirin e shkollës nga klasa e parë në universitet, cilësinë e gjimnazit, vërtetësinë e Maturës Shtetërore që ishte kopje shtetërore, konkurrencën dhe meritën, hyrjen në universitet. Le të thonë çfarë të duan, le të shajnë, le të shpifin, le të bërtasin sa të duan. Falë lidershipit shembullor të Linditës, ne hymë në rrugën e një reforme që askush nuk guxoi ta bënte më parë. Ky është një motiv krenarie për Partinë Socialiste, por ka ende shumë për të bërë. Ka patjetër pafundësisht për të humbur, po të kthehemi pas.

Ky mandat ishte mandati i sallës së operacionit në shkallë të gjerë. Mandati tjetër do të jetë mandati i kurimit dhe i shërimit të shumë plagëve ende të pambyllura. Ja një shembull. Sot, atyre që janë mbyllur nga frika e drejtësisë në bunkerin e plasmasit, iu ka mbirë kanabis në gojë. Vëreni re me kujdes. Sa herë hapin gojën, e kanë jeshile. Mos mendoni që është defekt i televizorit. E kanë në gojë.

Patjetër që kanabisi është një plagë e hapur, por sa shumë ka ndryshuar Policia e Shtetit në këto 44 muaj! Sa shumë ka ndryshuar shkalla e besimit të publikut te Policia e Shtetit! Nga një institucion i marrë fund, që ishte katandisur në një zhele dhe që nga qytetarët konsiderohej po aq i pabesueshëm sa gjykatat në vitin 2013, sipas anketimit të Komisionit Europian, Policia e Shtetit është sot, institucioni më i besueshëm në Shqipëri, po sipas Komisionit Europian në vitin 2016.

Kjo nuk do të thotë që s’ka kanabis. Kjo nuk do të thotë që kanabisi nuk është një problem. Kjo as nuk e justifikon dhe as nuk e mbulon dot plagën e kanabisit dhe nevojën për shfarosjen e këtij mikrobi të keq nga trupi e Shqipërisë, bashkë me spastrimin e çdo elementi të infektuar nga ky mikrob në trupën e Policisë së Shtetit.

Po ju them një detaj. E dini çfarë i thashë edhe Lulzim Bashës në takimin që pata, kur më përsëriste përrallën e qeverisë teknike për të luftuar kanabisin? I thashë: Mos u lodh se ky vit është epilogu i luftës tonë me këtë fenomen dhe jo vetëm Shqipëria do të dalë prej këtij viti, tejet e lehtësuar nga kjo plagë, por dhe Policia e Shtetit do të dalë më e pastër dhe më e fortë prej kësaj lufte.

Do jetë problem, se ata s’do jenë as në parlament, s’di ku do jenë, do jenë rrugëve, do kërkojnë bar, s’do gjejnë dot dhe do thonë, u çfarë i bëmë vetes!

E kam thënë në Kongresin Elektoral, 4 vite me parë. Gramozit i kujtohen të gjitha. Juve po jua rikujtoj: “Ambicia ime është ta bëjmë Policinë e Shtetit, jo më të mirë se ajo që kemi, domethënë, ajo që kishim kur ishim në Kongresin e 4 viteve më parë, por në 8 vjet ta bëjmë një Polici me një performancë në mesataren e BE-së.

Këtu, jo këtu në Durrës, ku jemi falë mikpritjes së Dakos, por në Tiranë e mbaj mend si ishte Policia. Këtu jemi tani dhe ata që s’na kanë votuar kurrë, por që kanë sy në ballë dhe nuk i kanë sytë në çadër, e shohin si ka ndryshuar Policia e Shtetit sot. Ama, këtu do jemi prapë pas 4 vitesh dhe do ta shohim me krenari Policinë e Shtetit shqiptar, që do të jetë një polici europiane, si kurrë më parë, jo në historinë, por as në imagjinatën e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Ajo çfarë i thashë tjetër Lulzimit, ishte: Harroje, 18 qershori nuk preket! 18 qershori është i njerëzve të zakonshëm. Në 18 qershor, ne jemi të gjykuarit, ata janë gjykatësit.

18 qershori është dita për ta mbyllur kapitullin e gjatë dhe të shëmtuar të një Shqipërie ku drejtësia është mall që shitet dhe blihet dhe për të hapur kapitullin e ri të Shqipërisë që Duam, ku drejtësia e re do fillojë jo nga bishti, por do fillojë nga rrënja, nga ndëshkimi i  gjykatësve dhe i prokurorëve të korruptuar, që janë të parët që duhet të përgjigjen për të gjithë ato krime dhe zullume të pandëshkuara në 27 vjet.

18 qershori është dita për të çliruar duart e prokurorëve e gjykatësve të zotë, – ka plot Shqipëria, mjaftueshëm të denjë, vullnetmirë, – nga zinxhirët e një sistemi të korruptuar, ku e keqja, e kemi parë, nuk e lë të mirën të ngrejë kokë. Ata që vidhnin energjinë, shumica dërrmuese, nuk ishin hajdutë, por shikonin të gjithë rreth e rrotull, njëri vidh, tjetri vidh dhe “hajde po e kapim edhe ne telin, po e fusim në banjo”. Kështu është dhe puna e sistemit. E pra, në 18 qershor, këtyre prokurorëve e gjykatësve të denjë, populli me votë do iu japë të gjithë mbështetjen popullore, për të ngritur një drejtësi të re.

Ata te bunkeri i plasmasit mbrojnë veten dhe iu thonë njerëzve të papunë, “hajdeni të protestojmë”. Njerëzit e papunë duhet ta kuptojnë se, nëse shkojnë protestojnë për ta, protesta është për të mbajtur në punë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ne mbrojmë interesat e Shqipërisë dhe të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Ata mbrojnë të shkuarën zhgënjyese. Shikoni sa shumë janë të përqendruar që të projektojnë në mendjen e njerëzve frikën e të shkuarës, kërcënimin e të shkuarës, rrezikun të kthehemi prapë në të shkuarën. Pse? Sepse e shkuara është e vetmja strehë ku ata mund të rrinë të qetë dhe të patrazuar.

Ne e mbrojmë të ardhmen, të cilën do ta ndërtojmë së bashku, jo për të luftuar socialistë me demokratë, por për të bashkuar qiellin e Shqipërisë me qiellin e Bashkimit Europian.

Ata kanë zënë rrugën. Nuk kishte, në fakt, mënyrë më shembullore për ta mbyllur historinë e tyre, të paktën këtë kapitull, sesa me një ndërtim pa leje në mes të Bulevardit, për të mbrojtur rrugën e tyre të vjetër të ndasisë, konfliktit, gjuhës së urrejtjes, me shpresën se do na përçajnë ne dhe do shpëtojnë vetë nga drejtësia.

Ne mbrojmë amanetin e rilindësve, dëshmorëve, patriotëve, të njohur e të panjohur, që nga ata që iu kushtuan penës, deri tek ata që i bien kazmës në emigracion dhe e kanë mendjen tek Shqipëria, me bindjen se boll, mjaft gjithë këto vite ndarjeje. Të bashkuar do ta bëjmë këtë vend! E nuk do ta bëjmë për vete, por do ta bëjmë për fëmijët tanë, njësoj si shqiptarët në emigracion kursejnë gjakun për fëmijët e tyre.

Unë ju betohem se me të njëjtin vizion për Shqipërinë, me po atë energji, këmbëngulje, durim që kemi luftuar për Vetting-un dhe për drejtësinë, do të luftojmë për ta rritur më shumë dhe më shpejt ekonominë, punësimin, mirëqenien. Besomëni, Shqipëria me rrugën e hapur për drejtësinë mund të bëhet shumë më lehtë Shqipëria që Duam, vendi i shumë më shumë investimeve dhe shumë më shumë vendeve të reja të punës.

Preka pak më përpara Rilindjen Urbane. Këtë fushatë, rrugëtimi do të na çojë në plot zona rurale ku asgjë nuk ka ndryshuar, ku njerëzit vuajnë ende për një rrugë, vuajnë ende për një pikë ujë të pijshëm, vuajnë ende duke parë kanalin vaditës të bllokuar prej 27 vjetësh, vuajnë për të çuar fëmijët në shkollë, për një certifikatë toke, apo për të legalizuar shtëpitë.

Mos ua rrokanisni kokën me statistika, me arritje, me suksese! Foluni me zemër në dorë dhe futuni në lëkurën e tyre kur flisni! Mos iu premtoni pa gajle, se po, do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë atë, do ta bëjmë sa hap e mbyll sytë, gjithçka që ata kanë nevojë! Por kërkojuni ndjesë që s’kemi mundur të bëjmë dot, në 44 muaj, atë që të tjerët nuk e bënë për ta në çerekshekulli! Mbani shënim ato që kërkojnë dhe ruajeni në zemër dhe në mendje, gjurmën e dhimbjes së tyre!

Thuajuni, thuajuni edhe nga ana ime, se ne do luftojmë çdo ditë që ta çojmë sa më parë të jetë e mundur erën e Rilindjes deri në rrugën e fshatit të tyre, që të mundësojmë urgjencën shëndetësore edhe për ta, si për të gjithë të tjerët, të lehtësojmë arsimimin e fëmijëve të tyre, ashtu si gjithë fëmijëve të Shqipërisë.

Tregojuni, bëmë 130 mijë, në fakt, 150 mijë do të jenë në fund të qershorit, sipas të pagabueshmit Artan Lame, legalizime falas! Ndërkohë që ata që janë ngujuar tek ai bunkeri pa leje, nga frika e drejtësisë, bënë vetëm 21 mijë legalizime në 8 vjet. E çfarë bënë? Shabani sharron me sharrë.  Historia e njerëzve në nevojë për një leje legalizimi ishte, ku është Shabani të më sharrojë me sharrë dorën, bashkë me paratë e të më japë legalizim. Shpjegojuni se 85% e legalizimeve të tyre, me para mbi dorë, se ashtu ishte procedura dhe para nën dorë, ishin ngrehina biznesi, karburante, hotele, motele, restorante në anë të rrugëve kombëtare, në zona arkeologjike, mbi parqe, fusha sporti, oborre shkollash, spitalesh.

Nëse paratë që kemi shpenzuar për të shpronësuar legalizimet e këtyre lloj shëmtirave dhe për të ndërtuar projektet e reja, nuk do t’i kishim shpenzuar për këtë punë, nëse ata nuk do kishin bërë këto legalizime të poshtra, të pabesa, që nga Parku i Liqenit në krah të universitetit, përgjatë Lungomares në Vlorë, nga Puka, Tropoja, kudo, ne do të kishim dyfishuar projektet tona dhe sot Rilindja Urbane do kishte shkuar edhe në fshat. Parafytyroni sikur lali Eri të mos rrinte çdo javë të kërkonte fonde, për të bërë shpronësimet e ndërtesave të legalizuara nga baca Shaban, ne sot do ishim ku e ku me punët në Tiranë. Jo ku e ku me ata, por ku e ku në raport me aty ku duam të shkojmë.

Ndërsa ne, 93% e 150 mijë legalizimeve janë shtëpi, janë banesa njerëzish të zakonshëm që nuk i kemi parë as nga kanë ardhur, as për kë votojnë, as për kë do votojnë, por i kemi parë si shqiptarë të varfër, padrejtësisht, sepse gjithë ajo karabina, gjithë ajo shtëpi është kapital, por pa letra është strehe vetëm për të futur kokën. Duke iu dhënë letrat, duke i dhënë titullin e pronës, ajo kthehet në kapital të gjallë. Ata mund të marrin kredi, ata mund të zgjerojnë ferma, ata mund të hapin biznese të vogla, mund të bëjnë ekonomi.

Sigurojini të gjithë ata që ende nuk e kanë lejen, ne nuk do pushojmë një ditë, deri kur shtëpia e fundit të jetë legalizuar dhe çdo familje të ketë në dorë hipotekën që i jep mundësi të investojë në ekonominë e saj!

Thujauni, jemi vërtet me kokën ulur, nuk kemi bërë jo sa duhet, por as sa mund të bënim për certifikatën e tokës në fshat. Por, ama, në katrahurën që gjetëm, na u desh jashtëzakonisht shumë kohë për të kuptuar, kemi akoma zona të tëra të Shqipërisë pa koordinata, që nuk ekzistojnë fare në hartë!

Thuajuni, ne nuk do pushojmë një ditë, derisa i fundit shqiptar që jeton me tokën të jetë pronar i tokës, sipas ligjit 7501!

Thuajuni që dyfishuam sipërfaqen e tokës që ujitet! Imagjinoni, Shqipëria, – një vend që, nëse nuk zhvillon bujqësinë dhe turizmin, çfarë do zhvillojë! – lënë rrugëve. Por edhe Erjonin e gënjenin letrat e kilometrave që deklaronte Saliu. Gjetëm shumë më tepër kanale të bllokuara, sesa ato që deklaronte Saliu. Por, ama, sot e dimë jo në katër vitet e ardhshme, por për dy vjet nuk do ketë më asnjë metër katror tokë bujqësore që nuk merr ujë.

Thuajuni, po mo po, nuk e mbajtëm dot fjalën, siç e dhamë, për imputet. Nuk e mbajtëm dot. Si ta mbanim, kur sa u ulëm në tavolinën e qeverisë, gjetëm një mal me borxhe të fshehura! Kishte luajtur i zoti i shtëpisë Shqipërinë në bixhoz dhe iku na e la neve. I kishim tek dera të gjithë ata. Duhet të paguanim. Sot jemi gati të hapim një faqe të re dhe të merremi me imputet; Të plotësojmë rrjetin e grumbullimit të prodhimit në çdo zonë, që mos të ketë më njerëz që çojnë prodhimin dëm se nuk s’kanë ku e shesin; Të modernizojmë tregjet, siç janë modernizuar dhe po modernizohen në Tiranë, në Fier, në Lushnje, në Elbasan, në Korçë, e me radhë; T’i ndihmojmë për t’u financuar nga Fondi Kombëtar i Garancisë për bujqësinë, që vetëm në pak muaj aktivitet po arrin në 1000 financime për bujqësinë, blegtorinë, agropërpunimin.

E më e rëndësishmja, jepini fjalën dhe mendojeni seriozisht kur i jepni fjalën e nderit, se nuk do t’i harroni, nuk do t’i mbyllni telefonin, nuk do t’i zhdukni nga sytë pas 18 qershorit!

Në rrugën drejt 18 qershorit do takoni plot njerëz, njerëz të mirë, të ndershëm që e duan Shqipërinë, por iu ka mbetur ora te Partia Demokratike. Ndalojini, jepini dorën, flisni me ta, ftojini krahëhapur të na bashkohen për Shqipërinë që Duam, për Shqipërinë që nuk e duam për vete, që nuk e ndajmë në “tonën” dhe “të tyre”, për Shqipërinë që nuk është e majtë, nuk është e djathtë, nuk është blu, nuk është vjollcë, nuk është jeshile, por është atdheu ynë i përbashkët i të gjitha ngjyrave. Thuajuni, duhet të bëhemi sa më shumë në 18 qershor, që sa më shumë akoma të bëjmë për të gjithë ju, më shumë punë, jo më shumë llafe.

Në rrugën drejt 18 qershorit do ju qëllojë të takoni njerëz me besimin të thyer, me shpresën të vyshkur, me mendjen komplet të mbyllur. Do thonë, ehu, e dimë që këtë muhabet keni, vini për vota, jeni të gjithë njësoj, të gjithë gënjeshtarë, të gjithë qylaxhinj, jeni të gjithë të korruptuar, hajdutë, kriminelë. Mos u mërzisni! Mos ua ktheni me të keq! Mos u largoni pa iu thënë: Po mirë, njësoj është sot, Policia e Shtetit me atë që ishte? Njësoj është sot, situata e energjisë me atë që ishte? Njësoj janë sot, librat e shkollës së fëmijëve të tu me ato që ishin? Njësoj është ta kesh mjekun e familjes falas, apo ta paguash 10 mijë lekë, sa herë shkon t’i japësh dorën? Njësoj është të hysh me meritë në universitet sot, nga ç’ishte dje, me lekë, me kushëri, me parti, me pushtet? Njësoj është ndihma ekonomike, 2-3-fish më shumë me 2-3-fish më pak? Po Tirana sot është njësoj? Po bashkia ku ti jeton, – vetëm në mos të qëlloftë Bashkia e Shkodrës, se aty s’kemi çfarë i bëjmë fare, ose ajo në Pogradec, – njësoj është?

E pra, këto dhe plot të tjera nuk janë njësoj, se ne nuk jemi njësoj.

Pikërisht pse nuk jemi njësoj, sot, Shqipëria nuk është njësoj si dje, nesër nuk do jetë njësoj si sot.

Pikërisht se nuk jemi njësoj, ne luftojmë për Shqipërinë që Duam në Europën ku duam të hyjmë, me shtet dhe me dinjitet, ndërsa ata duan të na kthejnë prapa, në rrëmujën dhe rrëmetin e kohëve të zymta.

Pikërisht se nuk jemi njësoj, ne, sot kemi në qeveri 50% burra, 50% gra. Ata, edhe dy gra që i kanë dalë kundër, i kanë shpallur armike, se në vend të çadrës kanë gjuhë.

Pikërisht se nuk jemi njësoj, ne bëjmë shtet, ata bëjnë Noc Rrokun, – kur thotë Paulin Sterkaj.

Ne ndërtojmë, ata rrënojnë. Ne punojmë, ata bërtasin. Ne flasim, ata me libër shtëpie.

Ne luftojmë për Shqipërinë, ata luftojnë vetëm për veten e tyre.

E në fund fare, njësoj me ne nuk është askush, sepse ne e kemi emrin Partia Socialiste e Shqipërisë!

Përpara dhe vetëm përpara të bashkuar, me sa më shumë zemra që rrahin për Shqipërinë që Duam!

Rroftë Durrësi, Tropoja, Kukësi, Korça, Maliqi, Devolli, Pogradeci, Kolonja, Pusteci, Shkodra, Puka, Fushë Arrzi, Malësia e Madhe, Kruja, Shijaku!

Rroftë Vlora, Kavaja, Rrogozhina, Fieri, Divjaka, Lushnja, Patosi, Mallakastra, Roskoveci, Selenica, Himara, Saranda, Konispoli, Finiqi, Belshi, Cërriku, Librazhdi, Elbasani, Përrenjasi, Peqini, Gjirokastra, Lezha, Mirdita, Dropulli, Tepelena, Këlcyra, Kurbini, Përmeti, Poliçani, Skrapari, Berati, Ura Vajgurore, Kuçova, Bulqiza, Mati, Dibra!

Rroftë Tirana!

Rroftë Shqipëria!

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here