Kreu Sociale Tre projekte për zhvillimin urban të Kombinatit

Tre projekte për zhvillimin urban të Kombinatit

390
0

Bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës, Universitetit të Harvard-it dhe studentëve shqiptarë të Arkitekturës do të shndërrohet shumë shpejt në një produkt të prekshëm për kryeqytetin. Bashkia e Tiranës do të mbështesë tre projektet e para të hartuara nga arkitektët e Universitetit të Harvard-it, të cilët në bashkëpunim me studentë të shqiptarë, kanë ideuar zhvillimin e Parkut Qendror të Bulevardit të Ri, poliqendrën e Kombinatit dhe fasadat e qytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi arkitektët që punuan për realizimin e projekteve dhe siguroi se ato do të kalojnë në fazën e financimit dhe zbatimit.

“Angazhimi ynë është që t’i kthejmë këto ëndrra të bukura në projekte. Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion buxhetin dhe stafin e nevojshëm për realizimin e të treja projekteve. Pra, edhe projektin e Parkut Qendror te Bulevardi i Ri, edhe projektin e ndërhyrjeve në Kombinat, edhe projekti i artit publik i fasadave që shkon në fakt edhe me imazhin dhe reputacionin që ka Tirana, si qytet që provokon me art dhe ngjyra. Kështu që, mezi pres që këto projekte konkrete t’i buxhetojmë këtë vit dhe vitin tjetër të nisim nga puna”, tha kryebashkiaku Veliaj, gjatë takimit që u organizua në Qendrën COD për prezantimin e projekteve.

Duke u ndalur në secilin prej punimeve, ai theksoi se projekti i parë ka të bëjë me zhvillimin e idesë për krijimin e Parkut Qendror te Bulevardi i Ri. Veliaj theksoi se ky projekt bën të mundur të ecet në të njëjtën kohë si me ndërtimin e pjesës së dytë të Bulevardit të Ri, ashtu edhe në krijimin e Parkut si një hapësirë çlodhëse dhe argëtuese. “Ajo që më pëlqen është se së pari, për projektin e Bulevardit të Ri, për herë të parë kemi jo vetëm zhvillim të infrastrukturës, por paralelisht po ecim edhe me Parkun Qendror, për të mos lënë gjithmonë të fundit pjesët publike, por për të ecur paralelisht si me interesin komercial të zhvilluesve, edhe me punën infrastrukturore të bashkisë”, u shpreh Veliaj.

Sa i përket projektit për transformimin e Kombinatit, Veliaj theksoi se puna do të nisë nga qendra e tij për ta kthyer atë në një nga poliqendrat e Tiranës, ashtu siç e parashikon Plani i Përgjithshëm Vendor. “Për projektin e dytë, propozimi im është që të fillojmë nga sheshi “Garibaldi”, nga rikthimi në publik i disa prej pjesëve të zaptuara aty, sigurisht duke sistemuar njerëzit në strehime të tjera, e për ta animuar me jetë, biznese, sipërmarrje, art, kulturë e studio, të gjithë atë hapësirë, e cila fatmirësisht tani ka edhe një shkollë të re aty pranë, me disa terrene që mund të rikthehen në shërbim të publikes”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se projekti i tretë i paraqitur nga arkitektët e Harvard-it lidhet me rikonstruksionin e fasadave të pallateve. Kryebashkiaku theksoi se ky projekt vjen edhe si një mundësi për të promovuar artin në Tiranë përmes ngjyrave dhe figurave murale. “E gjithë kjo energji po të kanalizohet mirë mund të kishim më shumë produktivitet. Ndaj propozimi për të pasur një ekip të dedikuar në funksion të artit publik, për të kaluar nga akupunktura në diçka më sistematike, besoj se jemi në drejtimin e duhur. Do të kemi prapë aktivitete të mëdha artistike, si shumë nga ato që kaluam nga Bienalja e Mesdheut për të rinjtë. E gjitha kjo është energji e mirë, por po ta kanalizojmë në mënyrë më të strukturuar atëherë besoj do të ketë dobi për qytetin dhe Tirana është një nga qytetet ku puna ka duk”, deklaroi Veliaj.

Më tej, krebashkiaku theksoi se nevojat apo problemet e tjera nuk duhet të jenë kurrsesi shkak për të frenuar zbatimin e ideve që sjellin zhvillimin e artit, siç është edhe ai për restaurimin e fasadave. “Në fillim ka qenë disi e vështirë, njerëzit tregohen cinikë dhe thonë: E çfarë na duhet arti, çfarë na duhen këto parqet, fasadat, ne duam bukë. Referimi i bukës si alibi për të mos bërë asnjë punë të mirë publike është pa sens, sidomos në një bashki si Tirana ku funksionojnë mensat publike. Unë besoj se asnjë prej nesh nuk duhet të kompleksohet për të pranuar që njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, njerëzit jetojnë edhe me art, kulturë, muzikë, teatër, pra me ushqim shpirtëror që na bën stofin e qytetarëve që të jemi sot në Tiranë”, përfundoi Veliaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here