Kreu Aktualitet Agjencia Kombëtare e Titujve të Pronësisë mekanizmi që zgjidh problemin e pronës

Agjencia Kombëtare e Titujve të Pronësisë mekanizmi që zgjidh problemin e pronës

588
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Libofshë, gjatë çeljes së procesit të komunikimit publik për prezantimin e reformës së pronës:

Përshëndetje të gjithëve!

Sinqerisht shumë faleminderit që jeni mbledhur këtu, sot, në një ditë që është e shënuar në një proces, si procesi i reformimit të të gjithë mekanizmit që lidhet me titujt e pronësisë. Jo vetëm këtu, në këtë zonë mbyllim procesin e legalizimeve, por lançojmë atë që kemi premtuar, një reformë të mekanizmit, ose procesin e bashkimit të agjencive.

Nuk do të ketë më ALUIZNI nga njëra anë, hipotekë nga ana tjetër.

Këtu ka plot njerëz që kanë marrë legalizime, ka të tjerë që do të marrin legalizimet e fundit dhe e dinë shumë mirë se çfarë kanë hequr në vite. Kanë shkuar te ALUIZNI dhe u kanë thënë prit se duhet ta sjellë hipoteka; kanë shkuar te hipoteka, u kanë thënë e ka ALUIZNI, deri në momentin kur kanë marrë lejen nga ALUIZNI dhe nuk e kanë hipotekuar dot, sepse ALUIZNI me të tjera harta dhe hipoteka të tjera. Domethënë, një histori pafund, një tmerr pafund, që ne e kemi trajtuar, e kemi lehtësuar, por nuk e kemi zhbërë deri në fund dhe që do të marrë fund pikërisht me këtë proces reforme dhe me këtë ndryshim rrënjësor të mekanizmit, një Agjenci Kombëtare e Titujve të Pronësisë, që do të trajtojë në mënyrë horizontale të gjithë tematikën e pronës. Ky është mekanizmi.

Brenda këtij mekanizmi do të ketë dhe një mekanizëm të ri, avokat të qytetarit, një mekanizëm brenda institucionit që do ta përdorin qytetarët për të mos humbur kohë e për të mos qëndruar në pritje, apo për të mos shkuar në gjykatë përpara sesa të gjejnë gjuhën e përbashkët me institucionin, apo me palën në konflikt aty.

Sot, ne e çelim këtë proces komunikimi publik dhe së shpejti, drafti i ri do të shkojë në Parlament. Brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të kemi një adresë të re dhe një qasje krejt të re, pas kaq shumë problemesh dhe kaq shumë historish dhe kohe të kaluar me problemet e pronës.

Disa të dhëna që besoj ia vlejnë dhe pavarësisht se ky takim ishte i planifikuar më parë, duke qenë se ndërkohë edhe ju jeni në dijeni, ose ndiqni konfliktin që është ndezur në mënyrë artificiale për qëllime mirëfilli politike në Tiranë tek Unaza e Re, patjetër që nuk mund t’i shmangemi edhe kësaj, përderisa flasim për legalizime, përderisa flasim për pretendime lidhur me legalizimin.

Procesi i legalizimit këtu është mbyllur. Por ka godina që nuk legalizohen, sepse ligji e ndalon të legalizohen dhe është e pamundur që të ndërhyjmë në ligj për të legalizuar pushtimin e ish stacionit, që është një hapësirë publike që i takon të gjithë komunitetit, për të legalizuar pushtimin e një kopshti, apo pushtimin e një çerdheje, të cilat duhet t’i kthehen komunitetit e kështu me radhë. Sigurisht që ka mirëkuptim për këta njerëz dhe kthimi i këtyre pronave tek populli, te publiku, te komuniteti do të bëhet në bazë të projekteve dhe në bazë të një trajtimi njerëzor të këtyre familjeve, për të gjitha rastet kur bëhet fjalë për strehë, për shtëpi. Është qeveria jonë që ka vendosur bonusin e qirasë. Pra, nuk mund dot të të legalizoj aty ku ke zënë hapësirën e përbashkët, ose aty ku është plani për t’u ndërtuar kopshti, çerdhja, shkolla, apo rruga. Është e pamundur. As nuk mund ta bëjë dot shteti të të legalizojë për të të dhënë paratë të gjitha, sikur të ishte pronar, sepse i bie që i gjithë populli që paguan taksa dhe paguan kontributet të punojë për të kaluar vite të tëra, duke paguar ata të cilët janë të palegalizueshëm. Kjo nuk mund të bëhet.

Por ama, kur bëhet fjalë për shtëpi, sigurisht që ka një përgjegjësi, pavarësisht se sot, në Shqipëri ka plot njerëz të nderuar, njerëz të respektuar, qofshin autoritete, qofshin punëtorë, që nuk e kanë shtëpinë e tyre dhe qiranë e paguajnë me rrogën e tyre, me të ardhurat e tyre dhe ndërkohë me taksat e tyre paguhet bonusi i qirasë për këta të tjerët. Ka diçka që sidoqoftë është e diskutueshme. Megjithatë është e arsyeshme, përderisa prishja e një godine që pengon zhvillimin e një projekti publik bëhet në një afat të ngushtë dhe sigurisht nuk mund të lihet një familje jashtë.

Në ndërkohë, në të gjithë këtë tymnajë që është ngritur prej kohësh dhe ushqehet përditë me gënjeshtra, me shpifje, me sajesa, me lloj-lloj mjetesh dizinformimi për të çoroditur, helmuar dhe revoltuar miletin, është ngritur dhe një sajesë që, medemek, unë paskësha thënë dikur që shtëpitë nuk prishen dhe tani po i prish. Por kjo nuk është e vërtetë.

Nuk është e vërtetë, sepse në 8 vjet të qeverisjes së mëparshme u legalizuan gjithsej 21 mijë banesa, godina, nga të cilat, shumica ishin biznese. 21 mijë në 8 vjet. Ne kemi legalizuar – këtu Libofsha është një dëshmi,  – 150 mijë në 4 vjet dhe shumica dërrmuese janë shtëpi, përfshirë dhe shtëpitë e Zotit, meqë kemi këtu të pranishëm përfaqësuesit. Janë shtëpi, 150 mijë, kudo ku është e mundur. Por ne nuk mund të legalizojmë në kurriz të interesit publik dhe në kurriz të taksave të buxheteve të familjeve dhe të buxhetit të familjes tonë të madhe aty ku është pamundur. Është shumë e thjeshtë, nuk është e mundur. E dhimbshme, por e thjeshtë.

Ka qysh kur filluan prishjet masive te Parku “Rinia” në Tiranë, pastaj tek Lana, pastaj gjetkë nëpër Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, që të gjitha qeveritë, të gjitha bashkitë kanë prishur dhe kurrë s’ka pasur një protestë të udhëhequr nga opozita politike, për të kërkuar atë që ligji e ndalon. Ka sot. Pse?

Për një arsye shumë të thjeshtë: Jo për të mbrojtur shtëpitë e atyre atje, por për të mbrojtur interesat e ngushta politike. Luftë për pushtet! Gjej shesh, të bësh përshesh! Edi Ramën nuk e mundin dot me votë, atëherë hajde t’i vëmë flakën kësaj pune, kudo ku na del një mundësi që të hedhim benzinë shpifjesh, gënjeshtrash, nxitjesh dhe të vëmë shkrepësen e urrejtjes. Kjo është ajo që ka ndodhur.

Ndërkohë që në Libofshë, në të gjithë këtë zonë, nga 2006-2013 janë bërë gjithsej 72 legalizime dhe shumica biznese, disa prej të cilave aty ku nuk duhet të legalizoheshin dhe nesër duhet paguar nga Bashkia për të bërë punë publike.

Ndërsa ne, në katër vjet, 8320 legalizime në këtë zonë, pra, 110-fish. 93% shtëpi që i keni ndërtuar në kushte sakrificash, kursimesh dhe t’i gëzoni falë kësaj politike, e cila thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Kjo është e vërteta.

E themi sot dhe nuk e bëjmë menjëherë. Besoj që është e kuptueshme. Gjërat duan kohën e tyre, sepse e kemi thënë, – e kam thënë unë, e ka thënë Gramozi, e ka thënë Armando kur erdhi për deputet, e kanë thënë të tjerë këtu, në fushatën e 2013-s – do bëjmë zero TVSH-në për imputet bujqësore dhe katër  vjet të  mandatit të parë nuk e bëmë dot. Nuk e bëmë dot, sepse ishte e pamundur. Është çështje parash. Janë miliona dollarë që do t’ua japim fermerëve përmes heqjes së TVSH-së 20% nga imputet, por do ta heqim nga buxheti. Ama nuk e harruam. Ama punuam, luftuam, reformuam, me dhimbje, me vështirësi, rindërtuam për të krijuar mundësi të reja.

Në parlament, dje kemi miratuar në parim buxhetin e ri dhe nga viti i ardhshëm, të gjithë ata këtu që punojnë dhe jetojnë me tokën nuk do paguajnë më TVSH për impute bujqësore;. Fara, fidanë, makineri, të gjitha bashkë nuk kanë më 20%. Kjo do të thotë ndihmë direkte financiare për çdokënd që punon tokën në Republikën e Shqipërisë. Është premtuar 28 vjet. U bë sot dhe e bëmë ne. A do donim ta kishim bërë më parë? Patjetër, por nuk e bëmë dot. Ka gjëra të tjera që nuk i kemi bërë akoma dot, por po punojmë dhe do t’i bëjmë.

94% e legalizimeve në Libofshë, në gjithë këtë zonë, janë në tokën e tyre. Familje që nuk kanë vajtur të marrin tokën e tjetrit, as të marrin tokën e përbashkët. Kanë ndërtuar në tokën e tyre pa leje dhe kjo është arsyeja pse nuk i afroi njeri për legalizimin deri në 2013-n, se ju keni edhe atë të keqen që votoni masivisht për Partinë Socialiste. Problem i madh. Por, përveç asaj të keqeje, nuk kishte pse të vinin tek ju, se ju kishit ndërtuar në tokën tuaj. Për çfarë do paguanit Kadri Shabanin? Apo Sali Kadriun? Ndërkohë që tek ju, në 8 vjet bënë 72 legalizime dhe shumica biznese.

Tek ai 6% që nuk kanë ndërtuar në tokën e tyre tek Unaza e Re, nga korriku në shtator, mbasi hëngrën 1 milionë shpulla, legalizuan 40 godina që tani janë pronarë dhe nuk kanë pse dalin të protestojnë fare se ne do i shpronësojmë, do t’u japim lekët, nuk kemi çfarë bëjmë. Kanë titullin e pronësisë 40. Por janë godina me biznese, nuk janë shtëpi hallexhinjsh e gjynahqarësh që nuk kanë ku fusin kokën, siç i tregon Ylli Kadriu në televizor. Janë biznese.

Në këtë komunë këtu, në Libofshë brenda, nga 2006 në 2013 janë bërë zero legalizime. Nuk ka një, për të prishur syrin e keq. Të paktën të kishin legalizuar një kishë. Ose të gjenin një xhami ta legalizonin, të bënin një teqe pa leje e ta legalizonin, sikur për syrin e keq. Jo, asnjë!

Ndërkohë që ne, këtu i kemi bërë të gjitha. 857 që janë vetëm në këtë komunë, janë të gjitha të mbyllura.

Në ’91-n filloi reforma e konsensusit, 7501 [ligji] dhe parafytyroni që jemi në vitin 2018 dhe kjo reformë nuk është mbyllur akoma. E jo vetëm nuk është mbyllur, por në tërë botën normale është shteti që gjëmon nga mbrapa njerëzit që të regjistrojnë çdo metër katror pronë, sepse ju merr taksën. Këtu janë njerëzit që gjëmojnë shtetin. Ka 28 vjet dhe shteti nuk arrin dot t’i regjistrojë. Sot janë 20 mijë familje fermerë që nuk e kanë mbyllur procesin e marrjes së atyre AMTP-ve, ndërkohë që gjysma e AMTP-ve të lëshuara nuk kanë marrë akoma certifikatën e pronësisë. Po kështu për banesat.

Kadri Saliu tha “këto banesat t’i gëzoni”, por banesat e privatizuara në kohën e Kadri Saliut të parë  akoma sot kanë nevojë të marrin certifikatën. Akoma sot, 30 mijë familje janë sikur nuk e kanë. Po kështu fermerët. Pastaj vazhdoi kompensimi i pronës në ’94-n. Pastaj filloi regjistrimi po në ’94-n dhe parafytyroni që në çerek shekulli janë shpenzuar për gjithë procesin e pronës, për regjistrime, 80 milionë euro dhe ende sot janë më shumë se gjysmë milioni subjekte, familje, njerëz, prona të paregjistruara.

Kjo reformë do t’i japë fund gjithë këtij kaosi. Kjo është gjëja e rëndësishme.

Ne bëmë një reformë me ligj që, megjithëse çfarë nuk dëgjuat nga Kadrinjtë në Tiranë, na e certifikoi Këshilli i Europës, Gjykata Europiane, tani bëjmë fazën e zbatimit.

E dua t’i them të gjithëve që ka lloj-lloj situatash. Ka situata njerëzish që pronën e kanë, kufijtë ia njohin njëri-tjetrit, por iu ka rënë së prapthi 7501 [ligji 7501] dhe nuk regjistrohen dot. Ka situata njerëzish që kanë mbjellë nëpër kodra që kanë qenë ferra dikur dhe nuk regjistrohen dot. Ka situata nga më të ndryshmet që ligji i ri i adreson që të gjitha.

Ambicia jonë është ajo që kemi thënë që ditën e parë. Edhe kjo është një nga gjërat që ne e kemi thënë në 2013-n dhe në mandatin e parë nuk e përmbyllëm dot. Ishte shumë më e vështirë se çfarë ne e imagjinonim, se tjetër gjë është të thuash do shkojmë të mundim Skocinë, se e kemi ndeshjen në shtëpi dhe tjetër gjë është kur del nga dera e shtëpisë e të ka bërë Skocia copë, sepse janë dy gjëra të ndryshme. Dhe përballja me kundërshtarin në kuptimin e realitetit, e vështirësive, e problemeve në jetën reale, në të përditshmen e qeverisjes është më e komplikuar sesa kur ti, pa marrë akoma qeverinë, ke bërë projeksionet e tua. Kështu që ka gjëra që kërkojnë kohën e tyre më shumë, që kanë më shumë probleme, por ama një gjë është e sigurt, ne themi atë që bëjmë, e bëjmë atë që themi.

Në mbyllje, shumë faleminderit edhe një herë për këtë mikpritje dhe shumë respekt për gjithë punën tuaj.

Simbolikisht do jap lejen e fundit, që mbaron gjithë procesin e legalizimeve në këtë zonë.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.