Kreu Aktualitet “Air Albania” në fluturimin e parë

“Air Albania” në fluturimin e parë

518
0

Kompania e parë ajrore që mban flamurin shqiptar, “Air Albania” ka kryer sot fluturimin e parë nga aeroporti i Rinasit. Avioni i parë, i cili kishte si destinacion Stambollin, ishte një “Airbus 319” i cili mbante ngjyrat e flamurit shqiptar dhe shqiponjën dy krenare. Të parët që fluturuan me avionin e quajtur “Lasgushi”, për nder të poetit të madh Lasgush Poradeci, ishin studentët dhe maturantët e ekselencës, të cilëve iu uroi rrugë të mbarë në këtë udhëtim edhe vetë Kryeministri Edi Rama që gjithashtu uroi një fillim të mbarë edhe për kompaninë “Air Albania”. “Më vjen shumë mirë që këtë fluturim të parë të muajit të testit të “Air Albania”-s e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës. Është një fluturim simbolik, ndërkohë që gjatë të gjithë muajit do jenë disa të tillë. Por arsyeja pse na shkoi mendja tek ju është sepse jeni fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe të gjithë respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë dhe gjithçka bëni. Do thoni ju, që, atë që bëni e bëni për veten tuaj, nuk diskutohet që e bëni për veten, e bëni për prindërit, por forca e shembullit tuaj është një kontribut i jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë. Jam i bindur që jeni këmba më e mbarë që mund të gjendej në këtë vend për kompaninë tonë të flamurit,” u shpreh Kryeministri Rama përpara nisjes së fluturimit. “Dua t’ju uroj të gjithëve që sa më shumë suksese dhe më vjen mirë që ne jemi një ogur i mbarë dhe jemi gjenerata e re, e ardhmja e kësaj Shqipërie. Pas 30, 60 vitesh, pas 90 vitesh, uroj që “Air Albania” të jetë i përjetshëm dhe të rritet sa më shumë si një fëmijë që fillon hedh hapat e parë dhe më pas bëhet legjendar dhe një plak i vjetër. Unë dua t’ju uroj të gjithëve që ky Lasgushi të jetë këmba e përjetësisë, realisht, siç thotë dhe poezia e vetë Lasgushit. Prandaj ju uroj të gjithëve suksese dhe qofshi një fillim i bekuar!” u shpreh një nga studentet e ekselencës. Udhëtimet e para të “Air Albania” do të jenë drejt Stambollit, ndërsa në muajin Tetor, Air Albania do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane, si: Roma, Londra, Milano për të vijuar me Athinën, Mynihun dhe Barcelonën. “Air Albania do të ofrojë edhe destinacione ndërkombëtare, ku për herë të parë do të ketë një linjë direkte Tiranë-New York.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here