Kreu Aktualitet Ambasada e Katarit dhuron 1.35 milion USD për shkollën “Jeronim de Rada

Ambasada e Katarit dhuron 1.35 milion USD për shkollën “Jeronim de Rada

980
0

Shkolla “Jeronim de Rada” do të rikonstruktohet plotësisht. 1100 nxënësit e saj do të kenë kushte më të mira mësimi në klasa, me ngrohje në dimër, terrene të reja sportive e laboratorë modernë. Ambasada e Katarit i ka dhuruar Bashkisë së Tiranës 1.35 milion dollarë për të bërë realitet rikonstruksionin e godinës, pas një marreveshje të nënshkruar mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ambasadorit Ali bin Hamad Al-Marri.

Veliaj u shpreh se ndërhyrja në këtë shkollë ishte bërë një domosdoshmëri, për shkak të amortizimit të madh ndër vite, ndërsa theksoi se falë këtij rikonstruksioni do krijohen kushte optimale për zhvillimin e procesit mësimor.

“Ky është një projekt special për të dy: edhe për ambasadorin Al Marri, por edhe për ne si Bashki e Tiranës, për rikonstruksionin e plotë dhe shtimin e hapësirave në shkollën “Jeronim de Rada”, një nga shkollat kryesore 9-vjeçare të kryeqytetit. Në këtë projekt na janë bashkuar miqtë tanë nga Katari, për të transformuar totalisht realitetin e kësaj shkolle. Kemi vite që ndjejmë nevojën për ndërhyrje në atë shkollë: do të shtojmë një palestër të re, do të bëjmë të gjitha punimet e brendshme dhe të jashtme, do të rregullojmë të gjitha terrenet sportive, për ta kthyer në një shkollë me një turn mësimi, me sistem të ri të ngrohjes dhe ftohjes, me kushte ideale për arsimimin e fëmijëve”, tha Veliaj.

Ai falenderoi miqtë nga Katari për realizimin e projektit dhe shprehu mirënjohjen e veçantë për Emirin e Katarit, për mbështetjen që i ka dhënë rritjes së marrëdhënieve mes dy shteteve dhe kryeqyteteve. “Në këtë zyrë presim e përcjellim shumë personalitete, por ata që mbahen mend janë ata që bëjnë diçka konkrete, të prekshme për komunitetin. Pavarësisht kur mbarojnë mandatet tona, komuniteti i Njësisë 9, i rrugës “Fortuzi”, komuniteti i Tiranës do të thotë: këta dy zotërinj, me ekipet e tyre, bënë diçka që i mbeti Tiranës, pavarësisht se ku vazhdojmë me jetët tona. Ndaj i shpreh mirënjohjen e veçantë Emirit të Katarit sepse në fund të ditës është Fondi i Katarit për Zhvillim, që përfaqësohet në Tiranë nga shkëlqesia e tij Ambasadori Al Marri, që e kanë ndjekur nga ana teknike projektin për ta çuar deri në fund atë. Shpresoj që ky të jetë fillimi i një miqësie të bukur, që do të zgjasë shumë, edhe ky të jetë vetëm i pari i projekteve konkrete që Tirana dhe Katari zhvillojnë mes tyre”, tha Veliaj.

Ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri, u shpreh se ky projekt ka për qëllim t’i sigurojë kryeqytetit një mjedis arsimor bashkëkohor, në mënyrë që Tirana të krijojë kushte të mira për edukimin e fëmijëve të saj, për zhvillimin e aftësive të tyre, si dëshmi e kujdesit që i kushton Lartësia e Tij Sheikh Temim bin Hamad Al Thani edukimit të gjeneratës së re.

“Emiri i Shtetit të Katarit i kushton një vëmendje të veçantë rëndësisë së arsimit, si një faktor thelbësor në edukimin e një brezi të ndërgjegjshëm dhe të kulturuar, i cili ndërton një shoqëri të drejtë dhe kontribuon në arritjen e zhvillimit social dhe ekonomik, duke luajtur një rol efektiv në promovimin e stabilitetit, si dhe duke punuar për të garantuar një të ardhme të sigurt e të ndritshme. Granti që ne nënshkruajmë sot, vjen si mishërim i këtij vizioni të urtë, dhe si konfirmim i vullnetit të Shtetit të Katarit për të forcuar bashkëpunimin me Qeverinë e Shqipërisë dhe lidhjet e ngushta me popullin mik shqiptar. Rikonstruksioni i shkollës “Jeronim de Rada” në Tiranë është një projekt që i shtohet projekteve të tjera, dhe që shënon një fazë të re bashkëpunimi të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë miq. Me këtë rast, dua të theksoj se Ambasada e Shtetit të Katarit nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur të gjitha nismat që synojnë arritjen e këtij qëllimi”, tha Ambasadori i Katarit.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Dohas do të shtohen edhe më tej, për të vijuar me të tjera projekte dhe investime për zhvillimin e qytetit. “Do të mirëpresim një delegacion nga Katari për të parë mundësi të tjera investimesh, zhvillimi, partneriteti ekonomik dhe besoj, ajo që është më e rëndësishme, për ne si qytet është që të zhvillojmë një raport sërish konkret dhe praktik midis Tiranës edhe Dohës, për t’u siguruar që lidhjet midis qyteteve tona janë akoma më të forta. Ne kemi raporte fantastike të shkëlqyera mes shteteve, por ajo që është më e rëndësishme është raporti mes njerëzve”, tha ai.

Ndërhyrjet në shkollën Jeronim De Rada do të jenë në aspektin funksional për krijimin e ambienteve më të përshtatshme dhe më të rehatshme për nxënësit. Projekti synon në ndërtimin e një ndërtese të re për palestrën, rregullimin e sistemit qendror të ngrohjes dhe ftohjes, dyert dhe dritaret të reja, nyjat sanitare, tualetet e riparuara, tarraca e rregulluar, sistemi elektrik i përmirësuar, ndriçimi i jashtëm dhe i brendshëm. Gjithashtu, në oborrin e jashtëm është parashikuar të krijohen objekte të reja të hapura sportive. Ndërsa, zona e oborrit të shkollës do të rimodelohet në një zonë rekreative për fëmijët me terren për lojëra, zonë pushimi dhe gjelbërim shtesë në kufirin perimetrik.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.