Kreu Aktualitet Aparatura moderne në ujësjellësin e Vlorës

Aparatura moderne në ujësjellësin e Vlorës

563
0

Sistemi i kanalizimeve të Ujërave të Zeza në qytetin e Vlorës do të jetë i monitoruar dhe i garantuar në mirëfunksionimin e tij, falë investimit më të ri të qeverisë, në pajisje dhe makineri bashkohore, me vlerë 1,5 milionë euro.

Ujësjellës-kanalizime Vlorë, e cila është përfituese e këtij investimi, mbulon me shërbim, Vlorën, Novoselën, Orikumin dhe Shushicën.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri  dhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ishte në Vlorë, në ndermarrjen e ujësjellës-kanalizimeve ku janë gati  për përdorim flota e makineritë  të reja.

Kryetari i Bashkisë Leli shpjegoi se aparaturat moderne, me mundësi kontrolli të distancë të rrjetit të kanalizimeve, janë një garanci më shumë që investimet madhore të bëra vitet e fundit në sistemin e kanalizimeve të ruhen dhe të mirëmbahen. “Këto janë mbështetja që ka dhënë qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë për garancinë dhe ruajtjen e funksionalitetit të gjithë investimeve që janë bërë në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, në qytetin e Vlorës, në pjesën e Lungomares, por edhe në të gjithë pjesën e qytetit. Pajisjet kushtojnë rreth 1.5milionë euro, me sisteme elektronike, të cilat kontrollojnë në largësi të gjitha kanalizimet e ujërave të zeza. Është një garanci më tepër që investimet që marrim, në fund fare të kemi mundësi t’i ruajmë. “

Ky investim i paraprin një projekti tjetër të rëndësishëm në sistemin e ujërave të zeza, me impakt të drejtëpërdrejtë në turizëm, për të cilin Ministri Gjiknuri u shpreh: “Vitin tjetër do të fillojmë edhe projektin e madh për sistemin e gjithë ujërave të zeza. Kështu që pjesa e Lungomares pas përfundimit të atij projekti, – projekti tashmë është përfunduar, qeveria ka llogaritur edhe financimin, – do të marrë një zgjidhje përfundimtare. S’do të ketë më derdhje të ujërave të zeza në Lungomare, kështu që një plagë e hapur e vjetër, ku ankoheshin të gjithë qytetarët dhe turistët, do zgjidhet.”

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi Vlorën një model zhvillimi, ku do të vijojnë investimet dhe siguroi se plazhi i Lungomares do të jetë një atraksion i vërtetë turistik, nëse garantohet përfundimisht zgjidhja e problemit shumëvjecar të kanalizimeve. “Ajo që është pak, por e sigurtë është që gjithë plazhi i Lungomares do të jetë plazhi spektakolar dhe më i populluar. Që të bëhet plazhi më spektakolar dhe më i populluar, duhet garantuar përfundimisht zgjidhja e problemit 70 vjeçar të kanalizimeve. Me projektin e ri e kemi adresuar problemin. Financimi është vënë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Menjëherë me fillimin e vitit do të hapet gara dhe pastaj do të fillojë puna për të stabilizuar gjithë ujërat e zeza, të gjithë zonës në krah të Lungomares, në mënyrë që uji i detit të ndahet përfundimisht nga ujërat e miletit dhe me atë ndarje të kemi popullim të plazhit dhe rritje të mëtejshme të ekonomisë së Vlorës nga turizmi.  Kjo është gjë e madhe, ashtu sikundër gjithë kjo flota e makinerive speciale për mbajtjen nën kontroll të gjithë kanalizimeve, është një risi e mirëseardhur për Vlorën që është një model zhvillimi, ku do vazhdojmë të investojmë.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.