Kreu Aktualitet Ashpërsim masave kundër aktivitetit të paligjshëm brenda burgjeve

Ashpërsim masave kundër aktivitetit të paligjshëm brenda burgjeve

363
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve:

Përshëndetje të gjithëve!

Qeveria, Ministria e Drejtësisë dhe posaçërisht, ministrja e Drejtësisë kanë qenë qysh në krye të herës të angazhuar maksimalisht për të përballuar, ndër të tjera, edhe sfidën e jashtëzakonshme të normalizimit të sistemit të korruptuar dhe të kalbur të institucioneve penitenciare. Duke filluar nga pastrimi i një trupe, e cila ishte kthyer në një kërcënim për vetë sigurinë e burgjeve, për shkak të rekrutimeve të panumërta të personave me rekorde kriminale si punonjës të sistemit, apo dhe pjesëtarë të Policisë së Burgjeve, një degradim i nisur prej shumë vitesh dhe i vazhduar vit pas viti, gjë që e vuri qeverinë dhe Ministrinë e Drejtësisë, qysh në ditën e parë, në pozicionin e një beteje shumë të vështirë për të transformuar të tërë sistemin e rekrutimit.

Për herë të parë në të gjithë historinë e këtyre institucioneve u organizua nga ministrja e Drejtësisë një proces rekrutimi nëpërmjet Akademisë së Sigurisë dhe u garantua në bashkëpunim me drejtuesit e Akademisë së Sigurisë një proces testimi i plotë dhe i drejtë. Për herë të parë, rekrutimi i punonjësve të rolit bazë, që ishin të ishin të emëruarit e parë në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Shkodër, nuk u krye me lista të partisë që drejtonte Ministrinë e Drejtësisë, siç ishte bërë, fatkeqësisht, traditë për vite e vite me radhë.

219 punonjës u pasuan nga 309 të tjerë, po të rolit bazë, nga të cilët, një numër jo i vogël vinin prej Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe vetë Policisë së Burgjeve, si eksperiencë karriere dhe paralelisht u organizua një sistem i ri trajnimesh në Akademinë e Sigurisë. Në të njëjtën kohë, ministrja vendosi një kriter goxha garantues përzgjedhjeje, si kriter bazë për drejtuesit e institucioneve të vuajtjes së dënimit, nëpërmjet një procesi konkurrimi me dosje nga radhët e ish ushtarakëve, kryesisht.

Sot jemi në një fazë kur është vendosur një bazë, por absolutisht nuk është arritur ende aty ku duhet, në asnjë aspekt. Jemi shumë të vetëdijshëm për këtë. Vetëm përpara pak kohe pamë një nga shfaqjet më kuptimplota të dobësive në vazhdim të sistemit me hezitimin e patolerueshëm të 2 apo 3 elementëve të sistemit për të ekzekutuar vendimet gjyqësore, gjë që solli reagimin e drejtë dhe të menjëhershëm nga ana e ministres së Drejtësisë dhe domosdoshmërinë, ndër të tjera, për të ngritur në një nivel tërësisht të ri, profesionalisht dhe moralisht, Policinë e Burgjeve, arsyeja për të cilën jemi këtu dhe besoj me besim të justifikuar tek zgjedhja e ministres së Drejtësisë, që sapo e prezantoi.

Unë jam këtu, sot, për të forcuar një mesazh që Ministria e Drejtësisë po jep në mënyrë konstante dhe mbase mund të tingëllojë si përsëritje, por nuk dua të kursehem në nënvizimin e vendosmërisë me të cilën ministrja e Drejtësisë po e udhëheq një betejë shumëplanëshe, që nga vendosja e një rendi ligjor dhe garantimi i një integriteti profesional dhe moral brenda sistemit të institucioneve të vuajtjes së dënimit, deri tek beteja e përditshme kundër korrupsionit, si Koordinatore Kombëtare e Task-forcës së qeverisë Antikorrupsion.

Në këtë drejtim e kam përshëndetur dhe mbështetur qysh në sekondën e parë, propozimin për të forcuar luftën kundër kriminelëve që vuajnë dënimin brenda burgjeve, por që nga brenda burgjeve e kanë bërë rrugë që të orkestrojnë botën e krimit të organizuar, gjë që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, por gjë që në Shqipëri nuk do të ndodhë për një kohë akoma të gjatë, sepse, një sërë masash të reja do të zbatohen pikërisht në funksion të kufizimit deri në asgjësim të veprimtarisë së profileve të larta të krimit të organizuar nga brenda burgjeve, profile të larta që arrijnë të kenë aktivitet të jashtëligjshme dhe të rrezikshëm, falë edhe kapaciteteve korruptive, të cilat, siç e patë përpara 24 orësh, do të ndëshkohen pa asnjë rezervë dhe pa asnjë kompromis për këdo qoftë, kushdo qoftë. Kush bashkëpunon për çfarëdo arsyeje me elementët kriminalë brenda apo jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit, duke vënë në pikëpyetje integritetin e këtyre institucioneve, do të ndëshkohet pa asnjë rezervë.

Masat e propozuara nga ministrja, të mbështetura plotësisht nga unë dhe qeveria e Shqipërisë, – njëra prej tyre është në rrugën e ndryshmit të ligjit, – konsistojnë, nga njëra anë në kategorizimin e burgjeve në bazë të kritereve të rrezikshmërisë për të burgosurit në 2 institucione pilot, jo se burgjet nuk janë të kategorizuara, por një kategorizim në funksion të izolimit të plotë të profileve të larta kriminale. E thënë ndryshe, për ata që janë ekspertë, një implementim në sistemin tonë i kategorisë së njohur botërisht dhe të përdorur për herë të parë nga Italia kundër mafias, si “41 biss”, një situatë izolimi me ndërprerje maksimale të kontakteve me jashtë dhe me brenda burgut dhe me një kontroll shumë specifik për çdokënd që vuan dënimin si element i spikatur i krimit të organizuar, apo i grupeve me natyrë terroriste.

Me shumë shpejtësi do të kryhet edhe instalimi i pajisjeve që do të bllokojnë përfundimisht lidhjet telefonike, apo lidhjet e internetit nga brenda burgut me jashtë, duke instaluar një sistem të sigurt telefonik për të burgosurit, nën administrimin me një rregullore shumë precize dhe nën syrin e kamerave 24 orë, të cilat do të vendosen fillimisht në burgun “313” dhe pastaj do të shtrihen në të 24 institucionet e vuajtjes së dënimit. Për burgjet që do të jenë të kategorizuara si burgje të sigurisë së lartë, apo të rëndësisë së veçantë, kamerat nuk do të shihen vetëm nga Drejtoria e Burgjeve, por edhe nga operacioni “Forca e Ligjit”. Pra, do të ketë dy salla monitorimi 24 orë të të gjitha lëvizjeve nga brenda-jashtë dhe nga jashtë-brenda, në mënyrë që askush të mos fshihet pas batanijes që i hedh kamerave, siç është bërë për fat të keq, traditë në të shkuarën.

Sigurisht që vendosja e këtij sistemi nuk është se do shtrihet në gjithë territorin vetëm për arsye represioni, por dhe për arsye respektimi të lirive dhe të të drejtave të njeriut dhe respektimit të të gjithë normave të trajtimit të të burgosurve dhe posaçërisht, duke nisur nga burgjet, ose qendrat e paraburgimit, përfshirë dhe një instituti për të miturit në Kavajë e kështu me radhë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që dhe në këtë aspekt ka shumë për të bërë.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë do të sigurojë falë dhe bashkëpunimit me Drejtorin e ri të Përgjithshëm dhe drejtorin e sapo zgjedhur të Policisë së Burgjeve, mbylljen përfundimtare të të gjithë llojeve të kafeneve, bareve, klubeve të administruar nga persona të jashtëm, të cilët janë qartësisht të lidhur me krimin e organizuar në një pjesë të rasteve dhe hera-herës është vënë re në të shkuarën, i kanë kthyer këto bare, këto kafene, këto klube, në qendra grumbullimi dhe shpërndarjeje të celularëve apo dhe më keq akoma, të lëndëve narkotike.

Të gjitha do mbyllen dhe gjithçka e kësaj natyre, çdo shërbim i brendshëm do të administrohet drejtpërdrejtë nga sistemi shtetëror i institucioneve të vuajtjes së dënimit. Nuk ka më qiramarrës, nuk ka më qiradhënës. Do të ndërtohet një sistem i brendshëm shërbimi, me një shërbim katering nga jashtë, tërësisht të kontrolluar, tërësisht jashtë sistemit. Përgjegjës për çfarë hyn në çdo klub do të jetë Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e institucioneve. Nuk ka më “delegoje përgjegjësinë” tek qiramarrësi, apo deri dhe tek dentistë që bëjnë sikur mbushin dhëmbë dhe në fakt mbushin xhepat e pseudopacientëve me lëndë narkotike, apo me telefona celularë.

Ne presim që ministrja e Drejtësisë të sjellë edhe propozimin për mënyrat e trajtimit specifik të të gjithë atyre pjesëve të personelit që meritojnë mbështetje më të veçantë. Ndërkohë që për Policinë e Burgjeve do të bëjmë me projektbuxhetin e ri një rritje të pagës, pasi ka pasur në vijimësi ankesa për një lloj diferencimi, të konsideruar jo të drejtë nga ana juaj, në raport me Policinë e Shtetit. Edhe ardhja e drejtorit të ri të Policisë së Burgjeve, është një motivim më shumë, duke pasur parasysh që duke kërkuar shërbimin e drejtorit të ri, kemi kërkuar besoj shërbimin e një shërbëtori të njohur dhe besnik të shtetit, për sa kohë ka qenë në detyra të larta, në sistemin tonë të sigurisë.

Dua të nënvizoj edhe diçka tjetër. Ne nuk kemi preferuar asnjëherë dhe nuk preferojmë sepse nuk është kjo detyra jonë dhe nuk është kjo arsyeja, pse ne veprojmë, që të tundim letra dhe të akuzojmë të tjerë, por është shumë e rëndësishme që të theksohet se auditi i integritetit moral dhe profesional, i kryer me porosi të ministrit të Drejtësisë, ka nxjerrë 130 punonjës burgjesh me rekorde kriminale, për vepra të ndryshme, të cilët kurrë nuk duhet të ishin pranuar në sistem për asnjë arsye në botë.

Ashtu sikundër janë marrë 42 masa për punonjës të sistemit të burgjeve, për shkelje të konstatuara në kundërshtim me ligjin dhe Shërbimi i Brendshëm ka referuar 66 drejtues dhe punonjës të burgjeve në prokuroritë e rretheve gjyqësore përkatëse për veprimtari penale. Për të njëjtën periudhë, pra, flasim gjatë një viti të drejtimit të ri të Ministrisë së Drejtësisë, janë referuar në prokurori 397 ngjarje të natyrave të ndryshme që meritojnë hetim dhe ndëshkim.

Nuk diskutohet që sot kemi një sistem të institucioneve të vuajtjes së dënimit më pak të korruptuar, por nuk diskutohet që lufta kundër korrupsionit në këtë sistem është A-ja dhe Zh-ja e jetës së përditshme të institucionit. Ne jemi vetëm në krah të drejtësisë. Ne nuk njohim as majtas, as djathtas, kur është fjala për të kryer detyrën karshi Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kur është fjala për të ndarë kufirin mes nesh dhe kujtdo që shkel ligjin.

Kështu që beteja është jashtëzakonisht e vështirë, por është plotësisht e mundur të fitohet dhe hapat e hedhur janë mjaftueshëm për të kuptuar secili, që suksesi në këtë betejë është i arritshëm me vullnet dhe me vendosmëri e kush i bie ndesh këtij vullneti e kësaj vendosmërie, patjetër që nuk ka lidhje me këtë rrugë dhe nuk lejohet që të vazhdojë bashkë me ne këtë rrugë. Kjo besoj është e qartë, por do të bëhet përditë edhe më e qartë.

Më vjen shumë mirë, që është edhe në një farë mënyrë turp të thuhet, por më vjen shumë mirë që pas 10 vjetësh, punonjësit e Policisë së Burgjeve do të kenë uniforma të reja. Është një shembull drithërues për çfarë mungese serioziteti e ka karakterizuar Ministrinë e Drejtësisë në vite e vite të tëra, bashkë me partitë që e kanë drejtuar dhe që sot tundin flamurin e një morali të ngritur mbi shpifjen si ngjyrë, si formë dhe si leckë.

Unë dëshiroj t’i uroj drejtorit të ri sukses, t’i uroj që kokëfortësinë që nuk e ka të shkruar në CV, ta ketë në të përditshmen, ashtu siç e tregon edhe fama që ka lënë në punën e tij, duke qenë i respektuar nga gjithë kolegët.

E për ta mbyllur do t’ju them diçka që mund të jetë pak për të qeshur, por në këtë rast është një shaka që është më shumë se gjysma e të vërtetës.

Është shumë e vështirë të kërkosh opinione për njerëz dhe të marrësh opinione shumë të ngjashme, ose të njëjta. Në rastin e drejtorit na ka ndodhur pikërisht kjo dhe për herë të parë, unë kam dëgjuar oficerë police që nuk shajnë njëri-tjetrin, që është një gjë shumë e veçantë, përkundrazi, fjalët thonë më të mira. Uroj shumë që të mos përfundojmë ndonjë ditë në ndonjë kronikë ku dalin këto fjalë, pastaj drejtori na del që nuk është i duhuri, por secili varet nga koka, shpatullat dhe këmbët e veta, në fund të ditës. Kështu që shumë suksese dhe sinqerisht që të gjithëve dhe me mend në kokë, se ka shumë rëndësi kjo, sidomos kur je nën uniformë.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.