Komanda ushtarake amerikane e ngarkuar me mbrojtjen e hapësirës ajrore të Amerikës së Veriut këtë krishtlindje u vu në ndjekje të një personi me mjekër të madhe të bardhë dhe kostum të kuq.
Bëhet fjalë për një simulim kompjuterik të babagjyshit që fluturon në qiejt e gjithë planetit për të sjellë gëzim dhe lumturi tek të gjithë. Madje për ta bërë sa më real simulimin, forcat ajrore amerikane thanë se avionët e tyre do ta ndjekin babagjyshin gjatë fluturimit mbi SHBA.
Babagjyshi virtual fluturoi edhe mbi Shqipëri, Kosovë, Greqi dhe vendet e tjera të rajonit, megjithëse organizatorët thonë se është disi e vështirë ta bësh të fluturojë njëkohësisht në disa vende që kanë të njëjtën orë.
Gjurmimi i babagjyshit nisi aksidentalisht në vitin 1955, kur një gazetë publikoi gabimisht numrin e NORAD në vend të atij të një kompanie që ofronte telefonata me babagjyshin për fëmijët. Oficeri që ishte atë në turn, nuk përtoi dhe ju përgjigj të gjitha telefonatave që vinin nga fëmijët duke e shndërruar këtë në traditë.