Kreu Aktualitet Balluku inspekton rrugën e Rinasit

Balluku inspekton rrugën e Rinasit

624
0

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore, duke vlerësuar shqetësimet e vazhdueshme të shprehura nga banorët e zonave pranë aksit rrugor kthesa e Kasharit – Aeroporti i Rinasit, për problematikën dhe rrezikshmërinë që paraqesin kryqëzimet e këtij aksi, ka kryer një inspektim në këtë rrugë.

E shoqëruar nga drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato, përfaqësues të firmës që mirëmban këtë rrugë dhe banorët e zonës, ministrja është ndalur në njërin nga kryqëzimet me më shumë ngarkesë dhe që ka regjistruar shpesh herë aksidente të rënda, i njohur ndryshe dhe si kryqëzimi i Bërxullit.

“Sot kam ardhur në rrugën që lidh kthesën e Kasharit me aeroportin internacional të Rinasit, për shkak se kjo është një rrugë, që siç duket edhe në këto momente, ka një frekuencë të lartë të automjeteve. Por nga ana tjetër është një rrugë e cila fatkeqësisht ka dhe një numër shumë të lartë aksidentesh”, është shprehur ministrja Balluku.

Për të ilustruar situatën e rrezikshme që paraqesin kryqëzimet në këtë aks rrugor, ministrja u është referuar të dhënave të policisë: “Gjatë vitit 2018 është raportuar nga Policia Rrugore se kemi pasur 9 aksidente me pasojë jetën e qytetarëve, kemi pasur 3 vdekje dhe 15 dëmtime të rënda. Ndërkohë që kjo është një rrugë ku aksidente, të cilat nuk raportohen janë të përditshme. Fatkeqësisht ka pasur edhe problematika me komunitetin që jeton këtu. Unë i kam ata këtu sot, duke qenë se shpeshherë kanë dëmtime të automjeteve të tyre, të fëmijëve që kalojnë rrugën, pra është një rrugë e cila sot nuk i ka kushtet e sigurisë”.

Ministrja ka kërkuar nga ARRSH dhe kompania e mirëmbajtjes e rrugës që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për të ndryshuar situatën në këtë aks rrugor.

“Ne duhet të gjejmë zgjidhje për komunitetin, duhet të rrisim sigurinë rrugore. Ky është synimi jonë. Duhet të zbatojmë Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore dhe absolutisht, si gjithmonë, qytetarët janë të parët dhe gjithçka që ata e shfaqin si problem, ne duhet të tregojmë reagim të menjëhershëm”, ka theksuar Balluku.

Banorët e zonës, nga ana e tyre pasi kanë falenderuar ministren për interesimin e treguar, kanë shprehur edhe një herë shqetësimet e tyre lidhur me rrezikshmërinë e rrugës.

“Ndërhyja në këtë segment rrugor për të eliminuar sa të jetë e mundur burimet e aksidenteve do të jetë diçka shumë e mirë edhe për komunitetin, por edhe për drejtuesit e mjeteve. Unë flas nga eksperienca ime që kam të paktën 40 vjet shofer dhe e di shumë mirë, por edhe përgjegjësia e drejtueseve të mjeteve duhet të jetë, sepse tabelat për kufizim shpejtësie janë dhe nuk i zbatojnë fatkeqësisht”, është shprehur njëri nga banorët.

Ndërkohë një tjetër banor tha: “Është një nga pikat më problematike. Që në ditën e parë të hapjes së kësaj rruge janë mbi 20 persona të lënduar, rreth 15 me vdekje, 5 me paraliza e me probleme nga më të ndryshmet. Pa llogaritur dëmet materiale të mjeteve dhe dëmtimin e rrugës shtyllave, ndriçimit etj. Unë vetë kam bërë aksident po këtu në këtë pikë. Shansi im që mbajta makinë drejt, sepse mund të kisha përfunduar me pasojë vdekje”.

Drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato theksoi se gjatë vitit 2018 ka pasur një vëmendje të shtuar në eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore kombëtare, vëmendje e cila do të shtohet gjatë këtij viti.

“Në vitin 2018 janë eliminuar gati 31 pika të zeza, në të gjitha akset kombëtare të rëndësishme të vendit. Gjatë vitit 2019 kemi parashikuar të paktën eliminimin e 19 pikave të tjera në segmente rrugore që janë burim aksidenti, në mënyrë që të përmirësojë implementimin e këtij projekti dhe strategjisë kombëtare që është miratuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe që ne e kemi objektiv të punës sonë të përditshme”, ka thënë Qato.

Gjatë inspektimit përfaqësuesi i kompanisë që mirëmban këtë aks rrugor shpjegoi teknikisht mundësitë e ndërhyrjes për të sistemuar kryqëzimet në këtë rrugë. “Mundësitë fizike këtu janë sepse është fushë nga të dyja anët dhe mund të bëhet një zgjidhje me zgjerimin e korsive, me korsitë e përshpejtimit, me korsinë e pritjes në mes dhe me korsinë tjetër për ata që dalin për ta bërë këtë kryqëzim një kryqëzim të rëndësishëm jo vetëm për efekt të trafikut por edhe për efekt të konfiguracionit që do ketë. Sepse është një kryqëzim i rëndësishëm për trafikun por nuk ka rëndësinë që i jepet nga konfiguracioni i rrugës”, ka thënë inxhinieri i kompanisë.

Ministrja Balluku është zotuar se ndërhyrjet përmirësuese në këtë aks shumë të rëndësishëm, do të jenë të dukshme menjëherë në ditët në vazhdim dhe para fillimit të sezonit veror do të kemi një zgjidhje të sigurtë dhe të qëndrueshme për tre udhëkryqet e rrugës Qafa e Kasharit – Aeroport.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.