Kreu Aktualitet Bashkia e Tiranës rihap thirrjet për 1000 kredi të buta

Bashkia e Tiranës rihap thirrjet për 1000 kredi të buta

81
0

Pas aplikimit me sukses të dy thirrjeve të para për programin e kredive të buta, Bashkia e Tiranës hapi thirrjen e tretë për 1000 familjet e reja, që nuk kanë mundësi të blejnë një banesë sipas interesave të tregut. Lajmin e mirë e dha sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku u miratuan kriteret dhe procedura e re për subvencionimin e këstit të kredisë.

“Jemi bashkia lider, jo në Shqipëri, por në Rajon, për fuqizimin e familjeve të reja teksa marrin shtëpinë e tyre të parë. Do të vazhdojmë edhe këtë vit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Entin e Banesave, me aplikimet, të cilat zyrtarisht do të fillojnë në 15 shkurt. Qeveria e Shqipërisë dhe ministria ka përcaktuar 3 banka: Raiffeisen, BKT dhe Intesa Sanpaolo, ku mund të procesojmë aplikimet, pra qytetarët do të mund të zgjedhin secilën prej bankave. Siç e dini, këstet janë fikse, ndërkohë që Bashkia dhe qeveria do të paguajnë dhe amortizojnë normat e interesit, duke i dhënë prioritet çifteve të reja”, tha Veliaj.

Programi i subvencionimit të interesave të kredive do të targetojë familje/individë që nuk disponojnë banesë në pronësi, e ku përparësi në përzgjedhje kanë çiftet e reja dhe të rinj me moshë deri në 35 vjeç; individë/familje të minoritetit rom dhe egjiptian si dhe gra kryefamiljare ose gra të dhunuara. Gjithsesi, në  kriteret e miratuara sot nga Këshilli Bashkiak, nuk do të përjashtohen as ata individë a familje që nuk bëjnë pjesë në këto familje. Çdo individ/familje mund t’i drejtohet të treja bankave për të marrë ofertën që i përshtatet më mirë kushteve të tij/saja dhe më pas të vijojë me bankën që përzgjedh vetë.

“Besoj se do jetë një vit i mbarë, jo vetëm për të kujtuar 100-vjetorin e Tiranës, por edhe për të futur 1000 familje të reja në shtëpi të reja”, deklaroi Veliaj. Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë me interes fiks për pjesën që i takon qytetarit deri në 3%, ndërsa luhatjet mbi këtë normë interesi janë në ngarkim të buxhetit të shtetit.

Kryebashkiaku u ndal edhe në sjelljen e padenjë të kreut të opozitës, Lulzim Basha, i cili u fut dje me forcë në Godinën nr.4 të Qytetit Studenti, së bashku me 4 të rinj, jo studentë, duke dhunuar edhe recepsionisten. Ndonëse rregullorja e përcakton qartë se një person mund të futet brenda vetëm me autorizim të posaçëm, kreu i PD-së hyri në konviktin e studentëve pa leje. “Për çfarë futesh me dhunë në konvikt? E para, jo, s’ke të drejtë të hysh pa leje, sepse ashtu i bie që çdo lac, çdo rrugaç, çdo trafikant, të hyjë në secilën prej dhomave të konviktit të vajzave. ‘Unë jam lideri i opozitës’ – tha. E çfarë pastaj? Po kur vjen laci i radhës dhe futet nëpër konvikte, një njeri që nuk njeh autoritetin e shkollës, zihet me pastrueset e konvikteve dhe recepsionisten. Kush është student e di fare mirë se ai rregull është vendosur për të ruajtur integritetin, sidomos të vajzave, në ato konvikte”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, ai theksoi se për sa kohë që Basha ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, nuk rikonstruktoi asnjë konvikt dhe nuk bëri asgjë për të përmirësuar kushtet e studentëve. “Pyetja është: Kishe 4 vite, si nuk bëre një konvikt? Ne nuk i kemi bërë të gjitha, po kemi bërë 22 konvikte. Janë edhe 4 që na kanë mbetur, janë premtim i kancelares Merkel kur u takua me kryeministrin Rama, të cilit i tha do bëj 4 konvikte te Inxhinieria me KfW-në, dhe 4 në Qytetin Studenti”, tha Veliaj.

Ndërkaq, për të gjithë ato çifte që do të sjellin në jetë një fëmijë, vjen një lajm i mirë. Bashkia e Tiranës ka miratuar projektin “Shporta e Bebes”, i cili synon që t’i ofrojë nënave të reja mbështetje materiale përmes një shporte me produktet kryesore që nevojiten për një foshnje të porsalindur. “Vitin e kaluar patëm një vendim shumë të guximshëm dhe të drejtë të kryeministrit Rama për të rritur subvencionin për bebet që i lindin në qytetin tonë, që gjithmonë rritet. Shporta e bebes është konvertimi i pagesës cash që tani bëhet nga qeveria në një masë disafish për fëmijën e parë, e kështu me radhë për fëmijën e dytë, të tretë e më tej, rritet akoma më shumë. Kemi insistuar që në këtë paketë, bashkia t’ju propozojë që në shportë të jetë edhe një manual për të rritur fëmijët”, deklaroi Veliaj.

Një lajm shumë i mirë vjen edhe për fëmijët e shkollave të kryeqytetit që janë pjesë e projektit pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë”. Nxënësit e shkollave periferike, komuniteteve rome, egjiptiane, e ata që familjet e tyre janë në vështirësi ekonomike, falë vendimit të Bashkisë Tiranë do të kenë mundësi të konsumojnë një vakt të ngrohtë e të shëndetshëm çdo ditë në shkollë. Projekti ofron shërbim dhe kujdes për nxënësit pas përfundimit të procesit mësimor, deri në orën 17:00, nga e hëna në të premte. Ata do të mund të bëjnë detyrat e shtëpisë me mësues të dedikuar, duke u përgatitur për të nesërmen, si dhe të konsumojnë drekën në shkollë.

Bashkia e Tiranës miratoi sot dhe listën me familjet që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6% nga fondi kushtëzuar dhe buxheti i BT, periudha 1-31 Dhjetor 2019”, si dhe kriteret e procedurat për përdorimin e fondit të kushtëzuar ose fondit të buxhetit, mbi programin e bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind për vitin 2020”. Po sot, Këshilli Bashkiak miratoi edhe projektvendimin “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë që nuk përballojnë qiranë e tregut”. Një ndihmë vjen edhe për ato familje të prekura nga tërmeti apo përmbytjet. Këshilli Bashkiak miratoi P/Vendim “Për dhënien e ndihmës financiare 302 familje që kanë pësuar dëme ndërtimore nga tërmeti datës 21 Shtator 2019 dhe përmbytjes së datës 23 Shtator 2019”, si dhe P/Vendimin “Për dhënien ndihmës financiare për 46 familje që kanë pësuar dëme ndërtimore dhe në orendi/ pajisje elektroshtëpiake, si pasojë e zjarrit dhe përmbytjes”.

Një risi është edhe projekti “Apps Challenge Tirana”, i cili ka për qëllim që të rinjtë, në fillim të karrierës së tyre profesionale, të fitojnë një eksperiencë pune 4 mujore në Bashkinë e Tiranës, pranë Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, përmes konkurrimit me një ide për krijimin e një aplikacioni mobile për qytetin e Tiranës. Projekti do të mundësojë që të rinjtë të fitojnë aftësi në fushën e programimit dhe krijimin e aplikacioneve mobile.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.