Kreu Ditar Batalionet bëjnë fjalë, lule zaho, lule djalë

Batalionet bëjnë fjalë, lule zaho, lule djalë

157
0

-Me rastin e 76 vjetorit të rënies-

Zaho Koka lindi në fshatin Vuno të Himarës në vitin 1920. Pushtimin fashist e priti me urrejtje. Kur e thirrën për ushtar, nuk u paraqit, ai rrëmbeu pushkën dhe doli në mal partizan në vitin 1942. Në krye të njesitit partizan të Bregdetit, Zaho kreu shumë aksione e detyra të rëndësishme. Në Gusht të vitit 1942, ai kreu atentatin kundër tenente Moretit, një fashist që terrorizonte gjithë krahinën. Zaho Koka punoi dhe arriti suksese të veçanta në mobilizimin e popullit të Himarës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Zaho qe një djalë i thjeshtë fshati, të cilin nuk e njihte njeri përveç shokëve të tij. Me  ta luante e këndonte brinjave të bregdetit dhe, bashkë me vëllezërit e tij, bënte njëqind punë, por gjithnjë mbetej i varfër.

Jeta e Zaho Kokës ishte shumë e shkurtër. Në të vërtetë, ai jetoi vetëm ata dy vjet e gjysëm që ishte në mal, kur shpërthyen energjitë e tij të vrullshme revolucionare, kur shkëlqeu trimëria e tij e rrallë, kur u duk talenti i tij për të mobilizuar e organizuar masat kryengritëse. Jeta e Tij mori një kthesë vendimtare në fund të vitit 1941, kur, ndër të parët iu përgjigj thirrjes për luftë kundër fashizmit dhe u bë një nga pionierët e parë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në krahinën e Himarës. Në Prill të vitit 1942, ishte thirrur për të shkuar ushtar, por Zahua, në vend që të shkonte në qendrën e rekrutimit, doli në mal së bashku me tre shokë.

Në ato kohë qe fillimi i luftës dhe kundër tij u vërsulën si të tërbuar reparte të posaçme të ndjekjes, të karabinierisë dhe milicisë fashiste. Por ai nuk u bë firar që të humbiste maleve. Megjithëse koka e tij kërkohej me çdo kusht nga pushtuesi, Zahon e takoje kudo, në mbledhjet ilegale dhe të hapura, në fushë, ku gratë mblidhnin ullinj dhe midis të rinjve që luanin fushave e brinjave të fshatit, në breg të detit te peshkatarët dhe në mal te barinjtë që kullosnin bagëtitë. Ai i mobilizonte për luftë kundër pushtuesve.

Njesiti që komandonte, u bë shumë shpejt tmerr i vërtetë për armiqtë. Por emri i Zaho Kokës u bë shumë i njohur kur kreu një nga atentatet më të guximshme, atë kundër tenente Moretit në Gusht të vitit 1942. Moreti ishte një oficer i karabinierisë italiane i dërguar me mision të posaçëm në Himarë. Ai ishte një kuadër policie me eksperiencë të gjatë dhe i përgatitur për diversion politike. Duke kombinuar egërsinë me djallëzinë, Moreti ishte bërë një terrorizues i tërbuar për popullin e Himarës.

Tenente Moreti i kishte kërcënuar burrat  e fshatit duke u thënë: “Ose do ta sjell unë këtu përpara jush kufomën e Zaho Kokës ose nuk largohem i gjallë nga Himara”. Por Zaho Kokës nuk i trembej syri, ai e pranoi sfidën e Moretit. Kur u vendos që ky të zhdukej, Zahua e mori vet përsipër kryerjen e aksionit.

-Më takon mua të flas me Moretin, – u tha shokëve Zahua.

Vendi i quajtur Vishë, gjendet midis Vunoit e Himarës. E kush nuk ka dëgjuar për të! Rruga ndërmjet këtyre dy fshatrave të bregdetit tonë të Jonit, ka shumë të përpjeta e të tatëpjeta. Por në Vishë automjetet e ngadalësojnë shpejtësinë se duhet të ngjisin goxha të përpjetë. Këtë e dinë të gjithë bregasit që e bejnë shpesh këtë rrugë dhe kur mbërrijnë në Vishë të thonë: “Ja këtu e vranë tenente Moretin”. Dhe nëse ti je nga një krahinë tjetër e vendit, ata të tregojnë ngjarjen.

Tre shokë: Shaban Seferi, Imer Veshi dhe Filat Muço u ndeshën në Gusht të vitit 1942, në malin e Vunoit me një skuadër legjionësh të milicisë fashiste. Ata u nisën nga Vranishti dhe shkonin në Vuno të takonin Zaho Kokën për të biseduar për punët e luftës. Në përpjekje mbeti i vrarë Shaban Seferi. Toger Moreti urdhëroi që trupin e Shabanit ta vendosnin në qëndër të fshatit Vuno, për t’u futur tmerrin vunjotasve, të cilët strehonin ilegalë si Zaho Kokën me shokë.

Duke treguar me gisht trupin e pajetë të Shabanit, Moreti kërcënonte të pranishmit: “Kështu do ta pësojnë të gjithë ata që ngrihen kundër nesh. Edhe Zaho Koka me shokë kështu do të përfundojnë, prandaj mblidhni mendjen”. Fashistët u bënë presion vunjotasve që trupi i Shabanit të mos varrosej, por fshatarët nuk u trëmben. Ata në mënyrë të heshtur e të qetë e varrosën Shabanin si djalin e tyre dhe varrin e tij e mbuluan me lule dhe aty për aty u ngrit kënga për  Shaban Seferin:

“Fli i qetë, o Shaban djali,/Plot me lule t’u mbush varri”.

Moreti e kish mbushur kupën. Njesiti me Zaho Kokën në krye i vuri pritë në Vishë. Njësiti shfrytëzoi rastin kur Moreti dhe shokët e tij po ktheheshin nga Dhërmiu, qëlluan njëkohësish mbi fashistët, duke lënë të vrarë së pari toger tenente Moretin.

Në Brigadën V-t, ku ishte zv/komisar i batalionit të 3-të, nuk kishte partizan që të mos e njihte, admironte Zahon dhe të mos donte ta takonte e të bisedonte me të. Sado i lodhur që të ishte, sado që të kishte hequr e vuajtur, kur takoi Zahon dhe shihje gjallërinë, buzëqeshjen e humorin e tij, e ndjeje veten të qetësuar dhe forcat të përtëriheshin. Po ta kishe Zahon në krye, mund të shkoje kudo pa frikë, në çdo aksion,sado i vështirë që të ishte, sado rrezik që të kishte. Ai kishte cilësinë e rrallë t’u ngjallte siguri e besim në forcat e tyre shokëve të vet, t’i bënte trima.

Shpesh Partia e kishte ngarkuar Zahon me misione të vështira politike e luftarake. Dhe ai nuk diti kurrë të refuzonte e të ankohej ose të tërhiqej përpara  pengesave. Si sorkadh i ngjitej malit të Çikës, kur shkonte të takohej me shokët e Komitetit Qarkor në Ramicë apo në Mallakastër, në kohë të mirë apo të keqe, kur tufani i dëborës dhe acari të zinte frymën,ose kur vdisje për një pikë ujë në vapën e verës.

Shëmbulli i Zaho Kokës e ndihmoi shumë pjesmarrjen në luftë në krahinën e Himarës. Me punën dhe luftën e tij, ai arriti të fitojë një autoritet të madh dhe një respekt të thellë midis himarjotëve. Në ato kohë kishte reaksionarë të regjur në dallavere, intriga e kompromise. Të luftoje kundër tyre, sidomos në fillim, kur ata ende nuk e kishin deklaruar hapur miqësinë, nuk ishte gjë e lehtë. Por Zahua, i cili kish me vete drejtësinë, me fjalën e tij të zjarrtë i mundi ata në debatet e hapura publike ashtu siç mundi edhe në sheshet e betejave me trimërinë e tij të rrallë. Ai s’dinte kurrë të çlodhej, të rrinte një minutë pa bërë gjë, pa u menduar për diçka.

Në një përpjekje të përgjakshme me gjermanët në fshatin e tij të lindjes, u vra më 8 Qershor 1944. I ndërgjegjshëm për rrezikun, edhe pse shokët ju lutën të mos shkonte, ai shkoi në vendin më të rrezikshëm të përpjekjes. Dhe nuk mund të mos ishte në ballë, kur bashkë me të, luftonin jo vetëm burrat, por edhe gratë e fshatit. U ndesh ballë për ballë me gjermanët, ashtu si dikur me tenente Moretin. Por këtë radhë armiqtë kishin zënë një pozicion shumë të favorshëm dhe lufta qe e pabarabartë. Zaho Koka ra heroikisht ashtu siç u ka hije trimave.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.