Kreu Ditar Batalioni “hakmarrja” në 76 vjetorin e formimit

Batalioni “hakmarrja” në 76 vjetorin e formimit

218
0

Batalioni “Hakmarrja” u formua dhe përurua më 20 Maj 1943 në fshatin Vodicë nga bashkimi i çetave partizane të Kolonjës, leskovikut, Dangllisë dhe Vithkuqit. Ishte ndër batalionet e para të formuara deri në atë kohë. Partizanët që hynë në përbërjen e këtij Batalioni, ishin me një përvojë të pasur luftarake dhe propagandistike. Ata kishin përzënë forcërisht forcat e postokomandave të xhandarmërisë dhe personelin e komunave të Frashërit, Shën-Mërturit, Kovaçishtit, Germenjit, Milecit e Çarshovës dhe kishin marrë pjesë në luftimet e bashkërenduara për çlirimin e qytetit të Leskovikut, 15-20 Maj 1943 dhe ishte goditur garnizoni i fashist i Ersekës. Pra, ishin krijuar një sërë zonash të lira ku ishin ngritur Këshillat Nacionalçlirimtare, rojet partizane në mbrojtje të tyre dhe ishte ngritur opinion i përgjithshëm për domosdoshmërinë e luftës kundër pushtuesit fashist. Po përtëriheshin traditat atdhetare të Rilindasve dhe të luftëtarev e të lirisë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, për përparimin ekonomiko-shoqëror dhe mbrojtjen tërësisë tokësore.

Në ditën e përurimit, Batalioni pati në radhët e veta 100 partizanë. Më vonë radhët e tij erdhën duke u rritur. Në krye të Batalionit u vunë: P. Dume. Komandant; J.Pashko Komisar; H.Selenica zv/komisar, Dh.Panariti përgjegjës rinie; N. Vodica intedent. Në përbërjen e Batalionit kishte tri kompani me komandant: Sulo Starja, Subi Dume e Tmor Frashëri dhe komisar: Vaskë Gjino, Meco Starja dhe Bexhet Selenica. Menjëherë pas përurimit, forcat e Batalionit qarkulluan nëpër fshatrat e Kolonjës, Leskovikut, Dangëllisë dhe Vithkuqit për të sqaruar dhe mobilizuar masat në luftë. Kjo punë la gjurmë të thella.

Më 1 Korrik 1943, me urdhër të qarkorit të Korçës, Batalioni u nis për në Përmet për të marrë pjesë në sulmin e bashkërenduar të forcave partizane të Korçës, Përmetit, Gjirokastrës, Skraparit e beratit, kundër garnizoneve fashiste të Përmetit dhe të Kuqarit, që u zhvillua nga data 1-5 Korrik 1943 dhe që çoi në dëbimin e të dy garnizoneve pas një lufte të ashpër. Forcat e Batalionit “Hakmarrja” kryen veprime luftarake kundër garnizonit të Kuqarit bashkë me forcat e Batalionit “Ali Kelmendi” e “Themistokli Germenji” të qarkut të Korçës.

Pas plotësimit të këtij misioni, forcat e Batalionit u kthyen përsëri në Kolonjë pasi u njoftuan se forcat gjermane të nisura nga Follorina, udhëtonin në rrugën Korçë-Janinë dhe duheshin pritur patjetër me armë. Forcat e Batalionit “Hakmarrja” bashkë me ato të Batalionit “Tomorri”, u zunë pritë dhe i goditën tek kthesa e barmashit dhe i shkaktuan dëme serioze. Nazistët të egërsuar, për hakmarrje dogjën fshatrat Barmash e Borovë, ku masakruan 114 burra, gra e fëmijë për të vazhduar më tej me Kagjinasin, Radanjin dhe Zhepe-Draçovën ku masakruan 56 burra. Kjo ndezi edhe më shumë flakët e urrejtjes popullore dhe rriti shkallën e mobilizimit në luftën kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Batalionit iu desh të luftonte jo vetëm kundër pushtuesit fashiso-nazist por edhe të përballonte veprimtarinë propagandistike dhe luftarake të Ballit Kombëtar.

Veprimtaria luftarake dhe propagandistike e Batalionit ishte jo vetëm e pasur por edhe e suksesshme. Një aksion i rëndësishëm i tij ishte ai i 13 Shtatorit 1943 në Qafën e Qarrit kundër autokolonave armike që vinin njëra pas tjetrës në drejtim të Kolonjës, duke penguar udhëtimin e tyre dhe duke ju shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikën luftarake. Në dimrin e vitit 1943 zhvilloheshin luftime në Blush, Selenicë, Pishes, Kurters, Qafzez, Gostivisht etj.

Më 5 Janar 1944, Komanda e batalionit mori urdhër nga komanda e Qarkut të Korçës që të përgatiste forcat për një situatë të re më të rëndë, pasi pritej që Operacioni Armik të kalonte në Juge. Atij ju ngarkua detyra që të shoqëronte dhe siguronte transferimin e spitaleve partizane të Panaritit e Grabockës për në fshatrat Lupckë dhe Kosovë të Përmetit, detyrë të cilën e kreu me sukses. Së bashku me forcat partizane të Batalionit “Naim Frashëri” të Përmetit dhe çetën e Leskovikut ndërmorrën spastrimin e zonës nga forcat e Ballit Kombëtar. Por në këtë kohë, forcat balliste të ardhura nga Korça, ndërmorën një fushatë ndëshkimore kundër fshatarëve të zonës së Shën-Mërtirit dhe Qafëzezit. Kjo i detyroi forcat e Batalionit yë ktheheshin përsëri në këto zona dhe të ndesheshin përsëri me to në Blush, Selenicë e Pishës, Kurtes, Qafëzes, Gostivisht etj. Nën goditjen e forcave partizane ata u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Korçës dhe Ersekës. Me këto goditje luftarake të suksesshme, emri i batalionit u bë i dëgjuar në të gjitha krahinat përreth. Influenca e tij shtrihej në zonën e Dangëllisë, Shen Mertirit, Vithkuqit etj.Deri në prag të Operacionit armik të Qershorit, ballistët nuk u bënë të gjallë.

Në fillim të janarit 1944, forcat gjermano-balliste u përpoqën përsëri të depërtonin në zonat e lira por nën goditjet partizane më 9 Janar në Qafën e Qarrit, tek Ura e Dukës dhe në Qafëzez, u detyruan të tërhiqeshin. Pas kësaj forcat e Batalionit u detyruan të shkojnë në kosovë të Përmetit, pasi disa çeta balliste kishin depërtuar në zonën e Dangëllisë si në Zavalan, Ogren dhe Gostivisht. Në këtë kohë aty erdhën edhe forcat e Brigadës së Parë Sulmuese, të VI-të dhe i IV-t i Brigadës së VI-të S. Të gjithë sëbashku, spastruan zonën e Dangëllisë dhe me 6 Shkurt kjo krahinë u bë krejt dhe përfundimisht e lirë.

Tentativat që u bënë nga armiqtë në zonën e Gostivishtit e të Qafëzezit, dështuan përballë goditjeve të forcave partizane të Brigadës së IV-t dhe atyre të Batalionit “Hakmarrja”. Në këto luftime u likuiduan plotësisht çetat balliste dhe u vranë komandantët e tyre dhe nje pjesë e ballistëve dezertuan dhe iu dorëzuan partizaneve.

Në gjysmën e dytë të Shkurtit, batalionit iu ngarkua detyra për tërheqjen e materialeve të kursit të Partisë nga Boboshtica dhe t’i çonte në Panarit. Për këtë u ngarkua një kompani, e cila u nis drejt Boboshticës, por materialet ishin lëvizur më parë dhe ishin transportuar për në Dardhë, për shkak të reaksionit të egër. Por edhe aty situate ishte e tendosur, zona e Devollit ishte e rrethuar dhe të nesermen do të fillonte një operacion i madh armik. Forcat e Batalionit, në bashkëveprim me forcat e Korçës, i thyen sulmet e armiqve në drejtim të Dardhës dhe i ndoqën deri në Bozhigrad, të cilin e çliruan. Pastaj morën materialet dhe për gjithë natën i shpunë në Panarit.

Në gjysmën e parë të Majit, forcat e batalionit kryen veprime spastrimi dhe mbrojtëse në një zonë të gjërë nga Kolonja, Leskoviku deri në Dangëlli. Në mes të Majit, aty u doslokuan edhe forcat e Brigadës së V-të për ta ruajtur këtë zonë nga depërtimi i armiqve. U mbajtën nën goditje të vazhdueshme bazat e përqëndrimit të armikut në Ersekë, Barmash, Borovë, Qafëzez e deri në Qafën e Qarrit. Armiqtë nuk  mundën të çanin rrugën për në Përmet, ku zhvillonte punimet Kongresi i Parë Antifashist. Kështu që ai i zhvilloi punimet në qetësi e me sukses të plotë. Kjo është meritë e gjithë forcave partizane që ishin vendosur gjithandej në mbrojtje të qytetit të Përmetit.

Në fund të Majit, brigade e V-të u nis për në Veri dhe në zonë mbetën vetëm forcat e Batalionit “Hakmarrja”. Gjatë verës në bashkëveprim me forcat e Brigadës së Dytë, kryen veprime luftarake sidomos në rrugën Korçë-Janinë dhe Janinë-Përmet. Në këtë kohë, 80 forca të batalionit, partizanë e kuadro kaluan në brigadën e 20-të. Batalioni u riorganizua duke marrë në vartësi edhe partizanët e Leskovikut dhe vullnetarë të rinj.

Në Dhjetor të vitit 1944, u inkuadrua në brigadën e IX-të S.që ve pronte në qarkun e Korçës. Nga radhët e këtij batalioni dhe të çetës së Leskovikut, një numër partizanësh e kuadro kaluan në Brigadat e I-rë, IV-të dhe XV-të. Batalioni bashkë me çetën e Leskovikut i dha luftës 46 Dëshmorë si: Skënder Çaçi, Hero i popullit, Nasi Vodica, Hajrulla Taçi, Baki Dume, Stillo e Ropi Gostivishti, Shaniko Jupasi, Vangjel Gjergo, Jonus Gora, Hazbi Shehu, Haxhi Musa Rehova, Xhafer Benjeza, Peço Lubonja, Lilo Kuke dhe dhjetra të tjerë. Ai i dha Kombit dhjetra e dhjetra kuadro të kalitura në zjarrin e luftës, ushtarako-politike dhe të jetës civile, ndër të cilët 6 gjenerale, 46 dëshmorë, kolonelë dhe kuadro të larta të pushtetit, partisë dhe ekonomisë.

Apostol Kotana

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.