Kreu Aktualitet BE dhe BERZH, 100 milionë euro për turizmin

BE dhe BERZH, 100 milionë euro për turizmin

45
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit të ri në mbështetje të turizmit:

Shqipëria nuk do të ishte i njëjti vend që është sot, pa mbështetjen e Bashkimit Europian dhe gjithashtu, mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, gjatë më shumë se 25 viteve të fundit. Janë me dhjetëra e dhjetëra projektet që janë mundësuar në vendin tonë, falë mbështetjes financiare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ashtu sikundër është mëse e vërtetë, që edhe projekti që lançojmë sot, si një projekt i përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përbën jo vetëm në shifër, 100 milionë euro, por, mbi të gjitha, në përmbajtjen e vet, një arsye më shumë për të vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit tonë të këtyre dy forcave.

Kjo marrëveshje e re, e cila do t’i shkojë si një mbështetje më shumë programit tonë transformues të turizmit në Shqipëri, është edhe një shprehje kuptimplotë e vlerësimit dhe e besimit të këtyre institucioneve tek rruga dhe strategjia e përzgjedhur prej nesh, përmes rrugës së Rilindjes Urbane dhe të asaj rurale.

Është një projekt, i cili, përpara se ne t’i jepnim formë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, do të ishte i pamundur.

Do të ishte i pamundur, sepse baza e argumenteve që është krijuar falë suksesit të Programit të Rilindjes Urbane nuk do të ishte aty. Çka po diskutonim me Presidentin e BERZH-it pak më parë, ishte pikërisht se çfarë efektesh transformuese kanë sjellë ndërhyrjet e integruara, që kanë transformuar këndvështrimin e njerëzve të një komuniteti, në raport me vendbanimin e tyre dhe me vetveten. Apo se çfarë iniciativash kanë gjeneruar në të gjitha nivelet, këto projekte dhe këto transformime, duke marrë si shembull Korçën, Beratin, Gjirokastrën, por jo vetëm, edhe të tjera qytete me radhë, ku falë injektimit të dritës dhe të optimizmit që kanë prodhuar këto projekte, kanë lindur iniciativa transformuese që kanë në bazën e vet, shfrytëzimin e potencialit të fjetur turistik, jo thjesht në vijën bregdetare, por edhe brenda territorit të vendit, në qytete dhe jashtë e përreth tyre.

Duke marrë shkas nga fjalët e Presidentit Chakrabarti, i cili dikur, diku, ka thënë se në kohët sfiduese që po jetojmë, është gjithmonë e më e rëndësishme që vendet kandidate për Bashkimin Europian të vazhdojnë në rrugën e tyre të reformave që i afrojnë gjithmonë e më pranë Europës, për të mirën e të dyja palëve. E faktikisht, kjo shprehje, si të thuash, ilustrohet sot, edhe nga prania në këtë projekt e palës së Komisionit Europian, që, siç e tha ambasadori, për herë të parë investon një volum kaq të konsiderueshëm parash dhe ia dedikon turizmit.

Tani, çështja e transformimit nga një vend kandidat në një vend anëtar është gjithmonë e më shumë e lidhur jo me çfarë bën kandidati, por me çfarë bëjnë anëtarët. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja në këtë aspekt është që sidoqoftë, mbështetja është e vazhdueshme dhe transformimi është i vazhdueshëm. Sigurimi i vazhdimësisë së këtij transformimi është esencial.

Dua vetëm të vë theksin tek fakti se Programi do të vazhdojë të mbështesë transformimin e Korçës, të Beratit, të Fierit dhe sigurisht do të nxisë transformimin e Shkodrës, ku projektet prioritare janë të identifikuara dhe lidershipi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në gjithë këtë proces është një garanci në ndërthurjen e të gjithë komponentëve të projektit. Sepse nuk bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për një komponent, për infrastrukturën, apo për ujin, apo për diçka tjetër, por bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për programe të integruara dhe do t’i bashkëngjitet një harte veprimesh dhe ndërveprimesh të paracaktuara dhe fondeve të tjera, të cilat janë vënë në dispozicion në këtë proces, qoftë nga buxheti i shtetit, qoftë nga Banka Botërore, apo që më hapat në vijim pritet të vihen në dispozicion edhe nga Banka Gjermane për Zhvillim.

Më vjen shumë mirë të nënvizoj edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm, që programi adreson qartësisht dhe në mënyrën e duhur, edhe komponentin e trashëgimisë kulturore, sëbashku me komponentin e zhvillimit të qëndrueshëm rural, në fokus agroturizmin dhe agropërpunimin, çka e bën drejtpërdrejtë, edhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me AZHBR-në, një pjesë integrale të realizimit të këtij programi.

Ky është një projekt qendror me një program më të gjerë dhe unë i jam shumë mirënjohës Presidentit të BERZH-it për faktin që në gjithë këtë proces bashkëpunimi, ne, nga BERZH-i nuk kemi përfituar thjesht financime, por kemi përfituar – dhe unë do të thoja mbi të gjitha, – dije, eksperiencë, sugjerimet e duhura në kohën e duhur. Kjo ka ndihmuar po ashtu, që të mund të dëgjohemi dhe falënderimi i veçantë është pikërisht për këtë, për gatishmërinë për të na dëgjuar dhe për vlerësimin e shqetësimeve dhe të ideve tona, gjë që na ka sjellë gjithmonë e më në një linjë për të bashkuar fonde, për të bashkuar forca dhe për të bashkuar projekte me programe më të gjera, duke qenë secili një nga kontributorët e programit e duke mos qenë asnjëherë vetëm. Kjo është gjë shumë e rëndësishme, që për ne është një eksperiencë e madhe, por është edhe një ndihmë shumë e vlerësuar, edhe shumë e efektshme.

Në fjalën e sotme, ministri super optimist i Turizmit dhe i Mjedisit dha një shifër të saktë, pra, të pa injektuar me dopingun e optimizmit të tij të pashërueshëm, që në 5 vjet, ne kemi arritur të dyfishojmë numrin e turistëve. Kur them ne kemi arritur të dyfishojmë, Shqipëria ka arritur të dyfishojë numrin e turistëve. Sigurisht, ne besojmë që kemi pasur një rol jo të vogël në këtë rritje kaq domethënëse.

E nga ana tjetër na vjen shumë mirë të konstatojmë që, duke parë sot shifrat e prillit, krahasuar me prillin e një viti më parë, kemi përsëri rritje e duke krahasuar katër muajt e parë të vitit me katër muajt e parë të një viti më parë, konstatojmë përsëri rritje. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse turizmi është ekonomi, është punësim, sigurisht edhe integrim. Sa më shumë turistë të vijnë në vendin tonë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë, që do të thonë të vërtetën mbi Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga stereotipet dhe nga perceptimet e krijuara, pa e njohur atë nga afër.

Sot paradite, unë prita një investitor të madh, i cili erdhi në Shqipëri, nuk e di pas shumë kohësh ftesa apo pritje dhe nuk mbaronte së më shprehuri se sa keq i vinte që Shqipëria që kishte imagjinuar ishte komplet pa lidhje me Shqipërinë reale dhe se sa i vonuar ndihej në ardhjen në këtë vend që, sipas tij, ishte një vend ideal për të gjithë ata që duan të investojnë në turizmin e të ardhmes.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.