Kreu Sociale Belshi model i menaxhimit të Pyjeve

Belshi model i menaxhimit të Pyjeve

936
0

Përfaqësues dhe drejtues të Bashkive nga Shqipëria e Mesme u mblodhën në Belsh për takimin me temë “Përmirësimi i njohurive dhe praktikave të menaxhimit të pyjeve në Bashki”. Takimi u zhvillua në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Angazhimit, lehtësuar nga Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale dhe Koalicioni Ndërkombëtr i Tokës si dhe në bashkëpunim me Bashkinë Belsh dhe Federatën Rajonale të Pyjeve.

Krahas bashkive Tiranë, Belsh, Gramsh, Mallakastër, Shijak, Fier, Kuçovë, Roskovec, Kavajë, Ura Vajgurore, Patos, morën pjesë edhe përfaqësues të (i) Agjensisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, (ii) Fondacionit “Bashkojmë Vlerat e Natyrës me Njerëzit” – CNVP, (iii) Federatave Rajonale dhe Shoqatave të Pyjeve, (iv) medias vendore. Takimit iu bashkuan deputetë të Parlamentit të Shqipërisë z. Musa Ulqini, njëkohësisht deputet i zonës dhe znj.Almira Xhembulla.

Bashkitë si pronare të reja të pyjeve kanë nevojë të rrisin kapacitetet e tyre lidhur me menaxhimin e pyjeve duke synuar një pjesëmarrje sa më të gjerë të aktorëve të interesuar. Për më tepër, sipas legjislacionit në fuqi, Bashkitë duhet të hartojnë plane vjetore për sigurimin e druve të zjarrit për banorët dhe entet publike si shkolla, çerdhe, spitale etj. Prandaj, përmirësimi i njohurive të stafeve të bashkive, aktivizimi i komuniteteve vendore dhe Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve në planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve në pyje janë hapa tepër të rëndësishëm.

Bashkia Belsh me asistencë të Federatës Kombëtare, Fakultetit të Shkencave Pyjore dhe Fondacionit CNVP, si edhe me përfshirjen e përdoruesve dhe pronarëve të pyjeve ka hedhur hapat e para të planifikimit me pjesëmarrje të pyjeve në nivel bashkie. Për këtë janë ngritur disa modele të trajtimit të pyjeve në administrim të Bashkisë dhe pronësi të fermerëve. Qëllimi i takimit ishte njohja dhe shkëmbimi i kësaj përvoje me bashkitë e tjera të vendit, si dhe promovimi për përhapjen e këtyre modeleve.

Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i Bashkisë Belsh, z.Arif Tafani, i cili falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u shpreh i hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen për pyjet. Bashkia Belsh ka në pronësi rreth 1500 hektarë pyje nga të cilat 900 hektarë dushqe dhe pjesa tjetër shkurre dhe ka ngritur strukturën për menaxhimin e pyjeve e cila përbëhet nga 4 ekspertë. Kreu i Bashkisë kërkoi mbështetje për hartimin e një Plani  Menaxhimi për Pyjet e Bashkisë si dhe hartimin e projekteve të ndryshme në bashkëpunim me Shoqatat.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse deputeti Musa Ulqini përgëzoi Federatën Kombëtare, Fakultetin e Shkencave Pyjore, Bashkinë dhe Fondacionin CNVP për bashkëpunimin e krijuar. Ndër të tjera ai tha se pyjet e Belshit janë shumë të bukura dhe duhet të përdoren në harmoni me vlerat turistike të zonës. Sipas tij, Bashkia Belsh menaxhon me  efiçencë pyjet e saj dhe ofron shërbim më të shpejtë e më cilësor për komunitetet. z.Ulqini u bëri thirrje të gjithë aktorëve pjesëmarrës që të bashkohen në promovimin e këtyre modeleve me qëllim që ata të përhapen kudo në Shqipërinë e Mesme.

Deputetja Almira Xhembulla u shpreh e surprizuar me bukuritë e Belshit ku janë kombinuar natyra me bukurinë e saj me asetet e tjera që ka Belshi. Sipas saj është e rëndësishme që të gjitha praktikat e mira të kthehen në politika për përmirësimin e qeverisjes së pyjeve në të ardhmen me qëllim që të sigurohen përfitime nga burimet natyrore dhe ato pyjore në veçanti. Ajo inkurajoi përfaqësuesit e pushtetit vendor që të vazhdojnë me këtë lloj ritmi pasi ka nevojë për përmirësim të pyjeve dhe kullotave. Në fund, znj. Xhembulla tha se të gjithë së bashku duhet të nxjerrim mësime nga praktikat e Belshit dhe ti promovojmë ato në të gjithë Shqipërinë.

Z.Xhelil Cibaku, përfaqësues i Agjensisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, pranë Ministrisë së Brendshme, tha se reforma e decetralizimit krijoi mundësi për reforma reale në Bashki dhe se tashmë pushteti vendor duhet ti trajtojë pyjet si pasuri të tyren dhe të investojë për to. Sipas tij Agjensia ka mbështetur Bashkitë për ecurinë e kësaj reforme. Po ashtu, Parlamenti ka miratuar buxhetin për pyjet për vitin 2019, që nënkupton së bashkitë do të kënë më shumë mundësi për të punuar edhe për të administruar më mirë pyjet e tyre. Nga ana tjetër, z. Cibaku tha se jemi në momentin e hartimit të një dokumenti politik për pyjet dhe të një ligji të ri i cili do të sigurojë kuadrin rregullator në menaxhimin e burimeve pyjore.  Më tej, ai ndau me të pranishmit, rezultatet e konkursit kombëtar të zhvilluar para disa ditësh me pushtetin vendor ku morën pjesë 39 Bashki. Pesë prej tyre fituan për projekte të realizuara për pyjet dhe mjedisin. Ai tha se shpresojmë që politika të vazhdojë të mbështësë pyjet si një pasuri e jashtëzakonshme në shërbim të zhvillimit.

Në vazhdim profesor Elvin Toromani, bëri një prezantim të punës së bërë për ngritjen e modeleve të trajtimit të pyjeve në Bashkinë Belsh.  Ndër të tjera profesor Toromani shpjegoi arsyet e përzgjedhjes së Belshit si model. Kjo pasi gjendja e pyjeve është përmirësuar tepër pas dëmtimit të tyre gjatë përiudhës së tranzicionit dhe për faktin tjetër se studimi dhe identifikimi i këtyre sipërfaqeve i jep vlera më shumë turizmit, një sektor që po merr vëmëndje tepër të lartë në të gjithë Shqipërinë.

Zoti Ndriçim Çela, kryetar i Federatës Rajonale Elbasan foli për rolin që kanë komunitetet vendore, Shoqatat dhe Federata e Pyjeve në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve si dhe rëndësinë e përfshirjes së tyre në zbatimin e planeve dhe projekteve në pyje.

Në përfundim të prezantimeve, grupi pjesëmarrës vizitoi ngastrat pyjore të përzgjedhura për kryerjen e modeleve. Qëllimet e ngritjes së këtyre modeleve kanë qënë: a) studimi i gjendjes reale të pyjeve dushkaja në zonën e Belshit nga pikëpamja e strukturës, vëllimit dhe rritjeve; b) përcaktimi i nevojave për ndërhyrje; c) aplikimi i 3 ndërhyrje të ndryshme (rrallime, prerje rrah me amësorë, prerje rrah); d) ofrimi i këtyre modeleve të trajtimit të pyjeve cungishte për pronarët e pyjeve (privatë ose komunalë) dhe Bashkitë e tjera.

Gjithsej, është ndërhyrë në 4 sipërfaqe provë me madhësi 1000 m2 të përbëra nga dushqe (shparth dhe qarr). Tipi i parë i ndërhyrjes ka qënë rrallimi për dy nga sipërfaqet me intensitet 35% dhe 37% të numrit të drurëve i përcaktuar bazuar në matjet e kryera në ngastrat pyjore të studiuara. Këto sipërfaqe ku u ndërhy me rrallime ishin në pronësi private. Nga secila sipërfaqe eksperimentale (1000 m2 secila) janë marrë 2 sipërfaqe provë me madhësi 200 m2 ku u bë matja e të gjithë parametrave dedrometrikë, u përzgjodhën drurët që do rrallohen dhe ata amësore si dhe u përcaktuan drurët model që u prenë për të analizuar rritjet në diametër,lartësi dhe volum.

Tipi i dytë i ndërhyrjes ka qënë prerja rrah me amësorë duke lënë një numër prej 90-100 drurë për hektarë të shpërndarë në të gjithë sipërfaqen eksperimentale. Kjo mënyrë trajtimi do të sigurojë kalimin nga regjimi cungishte e thjeshtë në atë cungishte e përbërë sepse drurët amësorë të lënë në sipërfaqe do të krijojnë mundësi për ripërtëritjen me farë të dushqeve.

E njëjta metodë në drejtim të matjeve dendrometrike u zbatua edhe në një nga parcelat në pronësi të Bashkisë Belsh dhe më pas në muajin Dhjetor në sipërfaqen eksperimentale (1000 m2) u aplikua prerja rrah. Materiali drusor që rezultoi nga këto 3 ndërhyrje u stivos dhe u bë llogaritja e volumit për të kryer edhe një analizë ekonomike. Në rastin e parcelave ku u zbatua rrallimi me intensitet 35-37% sasia e materialit drusor që u përftua ishte 5 metër sterë. Materiali drusor që u përftua ishte dru zjarri dhe çmimi i shitjes në parcelë sipas tregut ishte 3000 lekë/mst. Në këtë mënyrë nga shitja e druve të zjarrit të siguruara në sipërfaqen eksperimentale prej 1000 m2 do të siguroheshin rreth 15,000 lekë ose 150,000 lekë për hektar. Kostoja e llogaritur bazuar në çmimet e tregut për rrallimin e sipërfaqes shkonte në 90,000 lekë/ha dhe se nga ky aktivitet sigurohen rreth 60,000 leke/ha të ardhura ose rreth 1200 lekë/mst.

Ndërsa për sipërfaqen ku u krye modeli për prerje rrah me breza në pronësi të Bashkisë Belsh, nga llogaritjet e kryera sipas analizës së kërcellit për këtë ngastër pyjore, rezultoi se sasia e materialit drusor që do të nxirret ishte 8.95 mst/0.1 ha. Të ardhurat nga shitja e kësaj sasie materiali drusor do të jetë: 8.95 mst x 3000 lekë/mst = 26,850 lekë/0.1 ha. Në fund fitimi nga ky aktivitet do të jetë 26,850 lekë/0.1ha – 13,634 lekë/0.1ha = 13,216 lekë/0.1 ha ose 1477 lekë/mst.

Përveç trajtimit dhe përfitimit nga pyjet cungishte, shumë Bashki kryesisht ato të Shqipërisë së mesme (Berat, Elbasan, Gramsh, Mallakastër, Tiranë) mund të shfrytëzojnë potecialin e rëndësishëm që gjendet në shkurre. Ky potencial është i pashfrytëzuar dhe i papërfshirë në planet vjetore të trajtimit të pyjeve duke çuar në degradim të tyrë, ku aktualisht vëllimi drusor për hektarë është tepër i ulët me është 0.46 m³. Profesor Elvin Toromani vuri në dukje se sipas Inventarit Kombëtar të Pyjeve (2004) shkurret zënë 429 440 hektarë ose rreth 29% të sipërfaqes së përgjithshme të fondit pyjor.

Bashkitë duhet të vlerësojnë shkurret si burim i rëndësishëm për prodhimin e drurëve të zjarrit dhe biomasës si dhe të përfshijnë trajtimin e tyre në planet operacionale vjetore. Rekomandohet trajtimi kryesisht i Maresë që është lloji dominant, me prerje rrah me rotacion 20 vjeçar ku mund të sigurohen 150 m³/ha.

Bashkia Belsh dhe ajo e Hasit janë ndër të parat Bashki të cilat kanë ngritur modele të tilla. Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave së bashku me partenët e saj planifikon ngritjen e këtyre modeleve edhe në Bashkinë Tiranë duke synuar shtrirjen e tyre edhe në sipërfaqet pyjore me shkurre. Shpresojmë që përvoja të tilla të përqafohen edhe nga Bashki të tjera të vendin si një mënyrë për përmirësimin e gjendjes së pyjeve por edhe nxjerrjen e produkteve nga pyjet, duke siguruar kështu një qëndrueshmëri dhe zhvillim të pyjeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.