Kreu Politike Bruksel, Mesi në Ministerialin për Reformën në Administratë Publike

Bruksel, Mesi në Ministerialin për Reformën në Administratë Publike

554
0

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi mori pjesë në Bruksel në Ministerialin e 9-të të Bordit Drejtues të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), i cili u pasua nga konferenca mbi “Përmirësimin e Administratës Publike Nëpërmjet Bashkëpunimit Rajonal”.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që mbulojnë reformën në administratën publike, menaxhimin e financave publike dhe integrimin europian; partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga Komisioni Europian, OECD/SIGMA dhe organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë kësaj konference, Znj. Mesi duke nënvizuar rëndësinë e një platforme të tillë e cila në qendër të saj ka bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e administratës publike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi faktin se ajo i shërben direkt çdo vendi pjesëmarrës në rrugën e integrimit europian dhe ndihmon rajonin ta bëjë atë një zonë shumë më të mirë për qytetarët tanë.

Teksa u ndal tek reforma në administratë publike në vendin tonë, Znj. Mesi shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për ta çuar akoma më përpara këtë proces historik në favor të qytetarëve shqiptarë. “Depolitizimi, meritokracia, profesionalizmi dhe programet e trajnimit për nëpunësit janë fusha ku kemi bazuar punën tonë, për të cilat besojmë fuqishëm se do të kontribuojnë direkt në plotësimin e pritshmërive të qytetarëve tanë në marrjen e shërbimeve publike”, shtoi ajo, duke nënvizuar faktin se ka një përkushtim të plotë në drejtim përballimit të çdo sfide me qëllim uljen e korrupsionit dhe rritjen e efiçiencës në marrjen e shërbimeve publike.

Gjatë vizitës në Bruksel, Zëvëndëskryeministrja Mesi zhvilloi një takim gjithashtu me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Bashkimin Europian , Z. Christian Danielsson. Në fokus të takimit ishte perspektiva europiane e Shqipërisë, rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si dhe thellimi i mëtejshëm të tij në të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Teksa nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme që po bën Shqipëria në drejtim të reformës në administratës publike dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike nëpërmjet proceseve të digjitalizimit dhe derregullimit, Znj. Mesi u shpreh se: “Bashkërendimi i reformave të lartpërmendura me reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit të organizuar, do të shërbejnë si katalizator i investimeve të huaja direkte dhe si shtysë ndaj integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në familjen europiane”.

Nga ana tjetër, Z. Danielsson nënvizoi faktin se BE-ja mbetet partner i vendit tonë dhe mbështetës i rëndësishëm në rrugën e pakthyeshme të integrimit dhe thellimit të reformave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.