Kreu Aktualitet Bruksel, takimi i Kryeministrit Rama me Presidenten e KE Ursula von der...

Bruksel, takimi i Kryeministrit Rama me Presidenten e KE Ursula von der Leyen

366
0

Videomesazh i Kryeministrit Edi Rama mbi takimin e zhvilluar në Bruksel me Presidenten Ursula von der Leyen:

Mirëmëngjesi nga Brukseli!

Mbrëmë takuam Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, një zonjë me një karrierë të admirueshme dhe njohje mbresëlënëse të çështjeve europiane, e cila bujarisht na mundësoi një bashkëbisedim shumë të hapur që zgjati përreth 2 orë e ca.

Qëllimi parësor i vizitës, siç edhe ju kam shkruar dje, ishte adresimi i problematikës së pas  tërmetit me fokus Konferencën e Donatorëve që është thirrur pikërisht nga Presidentja e Komisionit në Bruksel, në 17 shkurt. Ishte një bisedë që në fillim kishte një pjesë të madhe informative dhe ne informuam për të gjitha aspektet e punës tonë për trajtimin e problematikës së pas tërmetit, që nga trajtimi i familjeve të prekura, tek raporti i dëmeve që po finalizohet së shkruari në bashkëpunim me ekspertët e Bashkimit Europian, të OKB-së, së Bankës Botërore, tek masterplani i Rindërtimit dhe të gjitha planet vendore për të gjitha zonat e prekura, kalendari i gjithë këtij procesi dhe natyrisht, edhe plani ynë i financimit të këtij operacioni masiv rindërtimi, që po të shohim dëmet, tejkalon mundësitë tona.

Më vjen shumë mirë të ndaj me ju, një ndjesi shumë pozitive që kam nga vëmendja e veçantë dhe rëndësia që Presidentja e Komisionit i ka kushtuar, në fakt që në ditën e parë pas tërmetit e në vijimësi, të gjitha aspekteve të kësaj problematike dhe takimi i mbrëmshëm ishte konfirmim i gatishmërisë së plotë dhe angazhimit konkret të saj për të mbështetur operacionin e rindërtimit.

Serioziteti me të cilin po organizohet Konferenca e Donatorëve është maksimal dhe pavarësisht se ne e dimë shumë mirë që shuma e mundshme që mund të mbledhim në atë Konferencë nuk do të përmbushë dot kurrsesi të gjithë nevojat, plani i Presidentes Von der Leyen shkon përtej Konferencës, pra, edhe më pas ne do të vazhdojmë të punojmë sëbashku. Ndamë me të dhe idetë e financimit të rindërtimit me një skenar shtesë, pas Konferencës.

Sigurisht pastaj kaluam dhe në temën e saj të preferuar, përshpejtimin e procesit të çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lejomëni të mos zgjatem në këtë pikë të dytë, por është e sigurt që Presidentja e Komisionit ka një strategji konkrete për objektivin e çeljes së negociatave dhe ndërkohë është po kaq e sigurt që përsëri, sidoqoftë, fati i vendimit mbi çeljen e negociatave do të varet nga ecuria e debatit të brendshëm të Bashkimit Europian mbi vetveten dhe mbi të ardhmen e të gjithë procesit të zgjerimit.

Megjithatë, strategjia për negociatat është vetëm një pjesë e strategjisë së gjerë të Komisionit të ri dhe të Presidentes Von der Leyen për nxitjen e bashkëpunimit dhe të zhvillimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja e Komisionit e sheh me entuziazëm, realisht, përpjekjen për ta çuar përpara Procesin e Berlinit përmes marrëveshjeve që do të çojnë hap pas hapi në lehtësimin e të gjithë lëvizjes në rajonin tonë dhe finalizimin e Shengenit rajonal dhe BE-ja do të luajë rolin e saj mbështetës në këtë drejtim, qoftë politikisht, por edhe qoftë financiarisht, sikundër e tha në Tiranë, edhe vetë Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Dita sot vijon me detyrën e kryetarit të OSBE-së në selinë e NATO-s dhe pasdite vonë do të kthehemi në Tiranë për të vazhduar të gjitha përpjekjet tona.

Përqafime të gjithëve nga Brukseli dhe shihemi patjetër nesër!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.