Kreu Ditar Bule Naipi, e fortë si guri

Bule Naipi, e fortë si guri

276
0

Me rastin e 75 vjetorit të rënies

Bule Naipi lindi më 15 Maj të vitit 1920 në lagjen Dunavat të qytetit të Gjirokastrës. Shtëpia e saj ishte bazë e rëndësishme e luftës. Ajo ishte anëtare e Komitetit Qarkor. Veprimtaria e saj ishte në qytet dhe në krahinat fshatare. U njoh si partizane në male dhe si ilegale në qytet.

Naipajt ishin një familje e varfër. Nëna e tyre, qysh e re punonte shërbëtore nëpër bejlerë se tjetër punë nuk gjente. Punonte në katër familje të tilla aty në lagje nga tri orë ditën në çdo familje. Babai, Estrefi, një burrë i urtë, i dashur, i sjellshëm u punësua punëtore rruge, lodhej fizikisht dhe fyhej nga romuzet e ndonjë qytetari, ndaj edhe e la punën.

Familjen e mbuloi mjerimi. I detyruar nga gjendja e keqe ekonomike, mori disa para borxh dhe mori rrugën e kurbetit. Në letrën që dërgonte pas 13 muajsh, ndër të thera i shkruante bashkëshortes: “Bliju këpucë fëmijëve dhe hidh kripën, vajgurin dhe drutë e dimrit. Unë mezi mbledh qindarkë pas qindarka tërë ditën. Mos pandeh se këtu është shesh me lule, keq është edhe këtu, moj grua, jam bërë kickë e lëkurë dhe këmbët më merren si i dehur nga lodhja”.

Bulja rritej jetime me baba gjallë. Por mbeti vërtet jetime. Të atin e saj e vranë me thika gangsterët në rrugën e Nju-Jorkut, duke e kujtuar zotëri me para dhe i morën 30 dollarët që kishte mbledhur me djersë për t’ia dërguar familjes. Në atë kohë Bulja ishte pesë vjeç. E shihte nënën si vuante për të rritur atë dhe vëllain e saj, Sadon. Një ditë Bulja qante se nuk kishte bukë për të ngrënë. Nëna mund t’i jepte puthje dhe lot. Uria ishte e paduruar. Hallë Aisheja e pa dhe i tha: “Ja të keqen, tani do të të sjell halla bukë, që të ka si kukull të bukur” dhe e përgëzoi.

E ndodhur në vorbullën e varfërisë dhe në një mjedis atdhetarësh me fqinjë e bashkëlagjas, ajo po kuptonte çdo ditë se kështu nuk mund të jetohej. I ran ë duar revista “Bota e Re” ku lexonte kritika kundër regjimit të Zogut. Ra në kontakt me komunistët Muzafer Asqeri, Mustafa Matohiti, Muhamet e Nebahet Bakiri, Qibri Ciu e të tjerë dhe filloi të aktivizohej duke qenë e re komuniste.

E kush nuk të fliste për këtë vajzë modeste dhe trime? Ajo u lind në lagjen Dunavat më 1920. Shtëpia e saj ishte bazë e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Krijimi i PK e gjeti në radhët e para të luftëtarëve. U bë anëtare e Partisë. Në shtepinë e saj u zhvillua Konferenca e parë e Partisë dhe ajo u zgjodh anëtare e Komitetit Qarkor.

Bulja ishte një vajzë e zgjuar dhe e shkathët. Një herë ishin në një mbledhje partie në shtëpinë e saj. Por pjesëmarrësit në këtë takim ishin diktuar nga spiunët dhe shtëpia u rrethua. Bulja e nuhati situatën e rrezikshme dhe shpejt i shpërndau shokët. Hynë spiunët në shtëpi dhe nuk gjetën asnjeri. Dështuan në planin e tyre. Një herë tjetër, kur një kushëri i saj hyri në shtëpi pa trokitur dhe shkoi drejt e në dhomën ku ishin shokët ilegalë, Bulja për të ruajtur sekretin, menjëherë i tha: “mirë se erdhe, të keqen motra, që të solli e mira. Ja, ky është i fejuari im, – i tha duke treguar Qemal Stafën, kurse këta janë krushqit, por e kemi shumë sekret, ndaj mos ia trego njeriut”!

Në qarkun e Gjirokastrës Qemali qëndroi 16 ditë dhe shumicën e kohës e kalonte në shtëpinë e Naipajve. Këtu zhvillonte mbledhje e takime të shumta, me shokë të qarkorit e të rretheve, me përgjegjës ushtarakë e të rinisë dhe me pjestarë të familjes. Ndihmonte motër e vëlla, Bulen e Sadon për të kryer detyrat që u ngarkoheshin.

E shpejt si flutur ajo vepronte ilegalisht lagje më lagje e fshat më fshat. Aktivitet të gjerë zhvilloi në Libohovë. Me fjalën e saj ajo bëri që dhjetra njerëz të shkonin partizanë në mal. Në Libohovë u rrethua 7 herë, por armiqtë nuk mundën ta kapin, se ajo kalonte shtëpi më shtëpi dhe mbrohej nga populli. Kështu vepronte ajo nga zona në zonë të qarkut. Në Qershor 1943, në letrën që i dërgonte celula e partisë së Konispolit Komitetit Qarkor, ndër të tjera i shkruante: “Shoqen Bule na i dërgoni përsëri. Mbasi ajo ka punuar shumë mirë dhe ka ditur të fitojë zemratm e grave dhe të vajzave”.

Në fillim të vitit 1943, përkrahu me vendosmëri demostratën e bukës që u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës. Fjalët e saj ishin: “greva duhet të bëhet! Unë marr përsipër të organizoj masën e rinisë e të grave. Mendoj që greva të zhvillohet ditën e hënë, që është ditë pazari, në mënyrë që të sigurojmë edhe përkrahjen e fshatarësisë”. Ishte ajo grevë, në të cilën një grua u shpreh:

“Gjithë kjo ditë,

për një thelë qollopitë”.

Një herë e veshur si lunxhiote, u fut pa vështirësi në qytet me gratë e fshatit që shkonin në Pazar. Me bisht të syrit shikonte kalimtarët dje u fut rrugëve të Dunavatit. Asnjërit s’i binte ndër mend t’i hidhte shikimin fytyrës së saj të skuqur, mbuluar anash me shami të zezë. Ndaloi të ulej në pezulin e një porte të madhe, bazë e luftës, trokiti në fillim lehtë, pastaj më fort, sipas sinjalit të caktuar. Asnjë përgjigje. Asnjë zhurmë brenda oborrit. Trokiti në një portë tjetër. E hapi një shoqe e saj, ecila iu hodh në qafë.

Vështirë të gjeje në Gjirokastër një vajzë tjetër, e cila të bënte ato punë që kryente Bulja. Malin e gjerë ajo e kishte si mal të saj dhe nëpër shtigjet e tij kalonte në krahinën e Kardhiqit. Fliste me Plesat dhe me fuqinë e fjalës së saj dilnin gra e burra partizanë. Kështu edhe në Prongji, Fushëbardhë, Kurvelesh, Lunxhëri, Zagori dhe radhët e partizanëve shtoheshin me të rinj e të reja. Dhe vetë Bulja partizane në Cepo, mes partizanëve.

Rrugët ishin mbushur me xhandarë. Ishte hartuar plani i kapjes së Bules. Kjo i dinte bazat e luftës, teknikën, sinjalet, parrullat. Ditën s’e kishte lehtë të dilte, natën nuk i dihej se ç’mund t’i ndodhte. Një shoqe e saj aktiviste shkoi në shtëpinë e saj që i njoftoi se “Bulja është mirë”. Kur u kthye e informoi Bulen se “rrugëve pashë gjermanë dhe ballistë. Në dy qoshe kanë vendosur mitroloza. Dëgjova një burrë që i thoshte tjetrit: “Do të ketë shkuar në ndonjë shtëpi tjetër, këtu s’shihet gjë. Pastaj ca fjalë gjermanisht dhe përsëri shqip: “vazhdoni kontrollin”.

Niseni në komandën e qarkut, kështu gjysëm të zbathur, mes për mes qytetit, që ta shikojnë të gjithë, urdhëroi tradhëtari, ndërsa togeri i Gestapos caktoi gjashtë ushtarë patrulle anash e në krye për ta shoqëruar.

E burgosën Bulen në kalanë me shtatë penxhere të Gjirokastrës. Togeri nazist e mori në pyetje. Filluan torturat dhe presionet psikologjike. Natën, ende pa e zënë mirë gjumi, togeri gjerman e mori përsëri në pyetje:

-Kaluan dy orë që u dhashë për të menduar zonjushë, i tha ai qetë-qetë. Tani pres përgjigje. Na trego emrin dhe vendin ku ndodhet kryetari i komunistëve të qytetit si dhe teknika ku takoheshit, që të dilni prej këndej…Në të kundërtën, më falni zonjushë, jemi të detyruar të përdorim mjete aspak të këndshme për syrin dhe jo për fizikun e një femre…

Më merrni për dikë tjetër, zoti oficer. Gaboheni, ua them sinqerisht, s’njoh komunistë e s’di baza të tyre në qytet. Ndoshta mohoni edhe pjesmarrjen tuaj në luftë! Jo këtë nuk e mohoj…

Në moment vërshoi shatërvani i ujit të përvëluar, të cilat dogjën pulpat e këmbëve te Bules. Uji ngjitej pa pushim lart këmbëve dhe ajo shtërngonte dhëmbë e buzë për të mos u ankuar nga dhimbjet therëse.

Bulen e burgosën në kalanë e Gjirokastrës, ku ajo qëndroi e papërkulur. Një ushtarak iu afrua dhe befas e goditi me grusht në nofull vajzën dhe u dha shenjë vartësve. Ata e mbërthyen, e zvarritën. Në zyrën e burgut vazhduan pyetje pa fund dhe nga torturat më çnjerëzore që ju bënë nga goditjet e forta në gjoks, përthyerja e gishtërinjve, shkulja e tufës së flokëve ajo përseri nuk e hapi gojën.

Në ditën e gjyqit ushtarak, e dënuara Bule Naipit t’i jepet një minutë për fjalën e fundit, foli kapiteni. Mbi 50 të tjerë mbyllnin rrethimin e plotë. Laku i litarit lëkundej lehtë në vendin ku ishte varur shoqja e saj, Persefoni. Bulja ngriti kokën, shkoi rreth e rrotull duke u lënë lamtumiren vendeve të njohura dhe njerëzve të dashur. Nazistët`, si e panë se nuk u doli plani për ta thyer komunisten me ballafaqimin “jete-vdekje” ia nisën përsëri torturës fizike.

Më 16 Korrik i thyen katër dhëmballë, ndërsa gjatë nxjerrjes fshehurazi nga burgu për të mos e marrë vesh të burgosurit e tjerë, I hoqën këpucet, ia zunë gojën me peshqir dhe ia shkulën një tufë flokësh, duke e tërhequr prej tyre derisa e çuan tek vetura e zezë në hyrje të burgut. Do ta çonin tek litari, ajo mblodhi fuqitë që i kishin mbetur dhe sypatrembur foli shkoqur:

“Armiq! E shikoni agimin që po afrohet? Eshtë agimi i përjetshëm i popullit tim, i Shqipërisë së dashur… Nuk e shikoni? Keni të drejtë. Ju vetë jeni errësira, që do t’i zhduket fara nga rrezet e diellit tonë. Ditët i keni të numëruara. Vdekja pa lavdi dhe hakmarrja e popullit ju prêt nga minuta në minutë, s’jeni të parët ju, kështu e kanë pësuar të gjithë armiqtë…”.

“Vajza shqiptare nuk trembet as nga plumbi dhe as nga litari. Ju duhet të trembeni, jo unë, sepse ju jeni ata që jetoni orët e fundit. Partizanët do ta çlirojnë vendin. Ata do të na i marrin hakën”.

Zëri iu shua ngadalë nën shtrëngimin e fytit prej gishtave të trashë të togerit të Gestapos që iu vërsul si bishë. Në litar e çuan gjysmë të vdekur. Dy shqiponja i varën armiqtë në degën e rrapit te Sheshi “Çerçiz Topulli”.

Edhe pse ndodhej para litarit, krenare Bulja i shkroi nënës: “E dashur nënë! Sot bija jote u dënua me vdekje nga kriminelët ballisto-gjermanë. Po të lë lamtumirën e fundit, ma bëj hallall gjirin që më ke dhënë. Në mesnatë, litari do të këpusë fillin e jetës sime. Qëndro e fortë. Duaje dhe mbroje fort çdo vajzë shqiptare, ashtu siç më doje mua. Dita e Çlirimit është e afërt. Partizanët do të na marrin hakun . Fitorja është e jona”.  Ajo qëndroi si trimëreshë dhe si partizane e vendosur, e palëkundur në qëndresë duke u bërë shëmbull për të gjithë partizanët e partizanet e Brigadës ku ajo mori pjesë dhe e mbarë  popullit shqiptar që luftonin për lirinë e vendit.

Populli i Gjirokastrës shpërtheu në hakmarrje. Dy krisma pushkësh prishën qetësinë në mesnatën e 18 korrikut. Thirrjet e popullit, të Brigadës VIII Sulmuese dhe të Grupit partizan të qarkut: “Para Partizanë”, “Hakmarrje për Bulen dhe Persefonin, për shoqet tona heroike”, i çorientuan armiqtë dhe i bënë që të dridheshin si purteka me duart lart duke u rreshtuar te muri i hyrjes verore të kalasë. Kjo ishte hakmarrja e popullit për dy heroinat gjirokastrite.

Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, ishin trimëresha, sypatrembura, të mira, të bukura, fisnike dhe Atdhetare, partizane të Brigadës VI-të Sulmuese.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.