Kreu Aktualitet Buxheti 2019, investime thelbësore në infrastrukturë

Buxheti 2019, investime thelbësore në infrastrukturë

1398
0

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte i pranishëm sot para deputetëve të Komisionit për Ekonominë dhe Financat për shqyrtimin e investimeve të parashikuara dhe buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në projektbuxhetin e vitit 2019.

Duke u ndalur tek infrastruktura rrugore, Ministri Gjiknuri bëri një paraqitje të projekteve të parashikuar në këtë buxhet. “Ne kemi bërë kujdes që me këtë buxhet dhe brenda parashikimeve afatmesme buxhetore të mbyllim brenda këtij 4 vjeçari të gjitha kantieret e hapura ku flitet për rrugën Kardhiq-Delvinë, një rrugë e re, bypassi i Tepelenës, nyja e Milotit, po flas veprat kryesore të cilat financohet me këtë buxhet. Unaza e Tiranës, segmentet lindore që janë pjesa a Shkozës dhe lidhja me zonën e fushës së helikopterëve të Farkës, si dhe unaza aktuale, pjesa e dytë, pra nga pallati me shigjeta drejt sheshi Shqiponja. Njëkohësisht ky buxhet bën të mundur edhe fillimin e financimit të pjesës tjetër të rrugës Kardhiq-Delvinë që ka të bëjë me tunelin, edhe me një segment tjetër deri në Sarandë dhe që e kompleton përfundimisht këtë rrugë të re që u kontraktua nga qeveria shqiptare, si dhe bën të mundur edhe financimin e disa projekteve si projekte qoftë me fonde të huaja qoftë me fonde të brendshme për vazhdimin e Unazës së Madhe së pari, kompletimi i projektit nga pikëpamja teknike, por qoftë edhe bypassi i Elbasanit dhe bypassi i Beratit si projekte. Pastaj për të parë mundësinë e financimit në të ardhmen. Synimi ka qenë që të evitojmë gabimet e bëra nga qeveritë e shkuara që çojnë në rritje të borxhit dhe në ekspozime të paparashikuara për qeverinë shqiptare, të mos hapim rrugë të cilat ne nuk mund ti financojmë”, nënvizoi Ministri Gjiknuri.

Ministri u ndal edhe tek kontratat me partneritet publik – privat. “Buxheti mbulon edhe kontrata me partneritet publik-privat dhe kryesisht rrugën e Arbrit e cila fillon pagesa që vitin tjetër dhe është bërë parashikimi i nevojshëm. Njëkohësisht edhe mbështetje financiare në vitet në vijim për kontratat e reja të partneritetit publik-privat, siç është rruga Thuman-Kashar, rruga Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Pra edhe këto koncesione, përfshirë edhe rruga e Arbrit e cila është në proces në vazhdim, pra të gjithë këto kontrata me partneritet publik-privat bëhen të mundur me financimin nëpërmjet këtij buxheti. Flas për vitin 2019, 2020 edhe më tutje. Synimi i qeverisë shqiptare ka qenë, përfundimi i të gjitha veprave të nisura që për ne janë veprat kryesore të këtij vendi dhe që janë arteritet kryesore të transportit rrugor dhe financimi i vetëm atyre veprave që  ndikojnë tek rrjeti kombëtar rrugor që është pjesë e rrjetit evropian rrugor, siç është rasti i autostradës Joniane-Adriatike ku dy segmente Balldreni deri në Lezhë dhe Thumana deri në Kashar janë pjesë të kësaj autostrade”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri tha se ky është një buxhet i nevojshëm për të mbështetur edhe mirëmbajtjen e rrugëve.

“Programi i mirëmbajtjes së rrugëve, një program tashmë i nisur dhe shumë i suksesshëm. Për herë të parë u bë e mundur që në Shqipëri të investohet dhe të rikonstruktohen rrugë të cilat ishin lënë pas dore. Ka një përmirësim të dukshëm gjatë vitit të fundit, ndërhyrje në të gjitha akset kryesore kombëtare të Shqipërisë.”, theksoi ai.

Gjithashtu ministri u ndal edhe tek sektorë të tjerë, të cilat do të preken nga investimet, duke përfshirë sektorin e energjisë dhe një sektor i rëndësishëm i infrastrukturës siç është transporti hekurudhor.

“Përmirësimi i parametrave financiarë të sektorit energjetik ka bërë të mundur një likuiditet më të mirë të kompanive, megjithëse Shqipëria vazhdon të ketë një sfidë të madhe unë e kam thënë, më jepet rasti ta them edhe këtu, një sfidë të madhe për sa i përket balancimit të nevojave për energji. Çfarë dua të them me këtë? Shqipëria një pjesë të energjisë e blen nga sektori i liberalizuar apo edhe importi dhe vetëm kaskada e Drinit apo asetet e trashëguara, mbulojnë vetëm 55% të nevojave të vendit. Do të thotë gjithçka tjetër do ti ekspozohet çmimeve të tregut. Ne duhet të bëjmë një politikë shumë të kujdesshme ekonomike dhe reforma të nevojshme në mënyrë që të mbajmë nënë kontroll tarifat e energjisë elektrike, sepse ky është një problem real. Së fundi patëm një sukses nëpërmjet burimeve të reja energjetike, siç është ankandi fundit i energjisë diellore që arriti çmimeve shumë më të mira sesa tregu i importit, gjë që na inkurajon që ne të shkojmë në të këtë drejtim edhe me dy ose tre projekte të reja të një shkalle utilitare, ku jo vetëm do të thithim investime të huaja, por në momentet kur vendi ka nevojë për energji, sidomos periudhën e verës, ne do të kemi mundësi ti diversifikojmë me këto prodhime të energjisë solare. Nuk dua ta lë pa përmendur dhe ne besoj vitin tjetër do të fillojmë sepse jemi në procedura tenderimi, do të fillojmë një nga investimet më të mëdha në rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, përfshirë edhe linjën e re në Rinas. Ky do të jetë investimi i parë serioz në hekurudha pas 27 vitesh. Gjithashtu kemi përfunduar edhe studimin e fizibilitetit për lidhjen me Malin e Zi dhe do të fillojë shumë shpejt edhe studimi inxhinierik për linjën Shqipëri-mal i Zi, pra rehabilitimin nga Vora deri në Han të Hotit. Ky është një projekt që është i mundshëm për tu financuar një pjesë të mirë me fonde të buta dhe me kredi të buta nga BE, siç ka qenë edhe rasti i hekurudhës Tiranë-Durrës”, tha Ministri.

Për sa i përket sektorit të ujësjellës kanalizimeve si dhe për trajtimin e mbetjeve, Ministri tha se ky buxhet parashikon mbështetje të projekteve për këta sektorë. “Jemi brenda një niveli mbështetje buxhetore prej 3 miliard lekë në vit, e cila mundëson vazhdimin e disa projekteve të nisura por edhe hapjen të dy ose tre projekteve të reja. Gjithmonë në fokus të qeverisë shqiptare ka qenë investimi në zona me përparësi turizmi. E di që nevojat janë të mëdha, por unë dua ti them deputetëve që kam gjetur një buxhet të kontraktuar deri në vitin 2019, pra kam kontrata të lidhura deri në vitin 2019. Pastaj çlirohen për të hapur projekte të reja”.

Për mbetjet, buxheti mundëson mbështetjen e projekteve për trajtimin e mbetjeve në Fier, në Elbasan edhe projektin në bashkinë e Tiranës, pra projekti për përpunimin dhe incenerimin e mbetjeve. Kjo bën të mundur që këto asete të funksionojnë, të realizohen në kohë dhe të zgjidhë një nga problemet e mëdha të trashëguara për një pjesë të zonave të Shqipërisë, sepse nuk e zgjidh gjithë problemin që është trajtimi i mbetjeve. Infrastrukturë e cila kërkon mbështetje dhe akoma nuk është në gjendje të mbulojë vetveten.

Në lidhje me industrinë, Ministri theksoi se industria përpunuese në Shqipëri ka një ecuri shumë të mirë. “Buxheti ka një rol minimal në të. Ne kemi zhvilluar politika liberale nëpërmjet investimeve private dhe kapitalit privat. Reformat që po bëhen përfshirë edhe politikat e reja me paketën fiskale me nxitjen e përpunimit të mineralit brenda vendit  që ka ndodhur edhe më parë por që do të vazhdojë me paketën e re fiskale kanë bërë të mundur që Shqipëria të ketë rezultate rekord për sa i përket përpunimit të kromit në vend,” u shpreh Gjiknuri.

Duke e mbyllur prezantimin e tij para deputetëve Ministri Gjiknuri tha se gjithashtu investime të rëndësishme kapitale në konektivitet rajonal do të jetë edhe fillimi vitin tjetër i investimit për linjën Shqipëri-Maqedoni të energjisë, linja e tensionit të lartë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. “Edhe ky është një investim që financohet një pjesë nga KFV dhe një pjesë nga fonde dhe grante të BE-së, financimin relativisht i mirë”, nënvizoi ai.

Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve në lidhje me projektin e Unazës së Madhe, Ministri Gjiknuri u shpreh: “Unaza e Tiranës është aorta e gjithë Shqipërisë, sepse ajo është unazë që lidh edhe pjesën lindore të Shqipërisë me pjesën perëndimore pasi mendohet që edhe trafiku që vjen nga Elbasani në drejtim të portit të Durrësit, një pjesë e mirë do të kalojë edhe në këtë unazë. Për të sqaruar publikun, unë e kam thënë edhe në raste të tjera, masterplani i këtij projekti ka qenë i konceptuar që në vitin 1989, pra që në kohën e Adil Çarçanit, duhej gjurma e kësaj unaze. Së dyti, projekti është bërë brenda parametrave teknikë dhe i miratuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar nëpërmjet një studio të specializuar që është e ngarkuar për të bërë projektime të tilla. Projekti vazhdon në konceptin e tij gjurmën tashmë të nisur dhe të përfunduar që vjen nga TEG-u deri tek pallati me shigjeta, që është një unazë e plotë dhe një autostradë e karakterit urban me të gjitha nën dhe mbi kalimet e nevojshme, njëkohësisht edhe me rrugët paralele dhe nevoja pse ky projekt ka pasur nevojë edhe për rrugë paralele dhe që ka dalë edhe pjesa e debatit është sepse ne nuk mund të bëjmë një unazë që e ndaj qytetin në mes pa krijuar komunikim mes lagjeve dhe blloqeve të ndryshme të banimit pasi kemi të bëjmë me një autostradë të mirëfilltë urbane”.

Sipas ministrit Gjiknuri, projekti është i komplikuar dhe i shtrenjtë nga ana inxhinierike, pasi bëhet fjalë për zbatimin e një projekti tërësisht urban qoftë me mbrojtje zhurmash, qoftë me ndriçimin e nevojshëm, qoftë me komunikimin e nevojshëm.

“Pra është një projekt i plotë me parametra jashtëzakonisht të mirë që do ti bëj nder Tiranës dhe do ti qëndrojë nevojave të këtij qyteti dhe Shqipërisë besoj për 100 vitet e ardhshme. Nga kjo pikëpamje nuk ka pasur asnjë devijim të projektit, projekti është vazhdim i gjurmës së nisur dhe konceptit të unazës së madhe. Këtu ka pasur një spekulim shumë të madh politik dhe po më jepet rasti ta them këtë. Nuk ka filluar një proces prishje, gjithçka është e stisur politikisht për të penguar zhvillimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm. Pse? Së pari nuk ka njoftuar asnjë procedurë njoftimi, qoftë për banorët të cilët kanë dokumente pronësie, qoftë për ata të cilët janë me ndërtime ilegale apo nuk kanë dokumente as leje legalizimi e as dokumente të tjera pronësie. Nga vlerësimet paraprake që janë bërë dhe meqenëse është thënë pse kanë vajtur njerëz me uniformë atje, njerëzit nga ARRSH-ja, qoftë nga Bashkia Tiranës kanë vajtur për të piketuar dhe për të bërë një administrim të të dhënave konkrete në zonë. Dua ta theksoj publikisht që nuk ka një proces prishje pa dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimin e  banorëve të cilët sipas ligjit duhet të shpronësohen. Pra, gjithçka është e stisur nga politika. Pra, do dalë VKM-ja për të gjitha ata me vërtetim pronësie dhe vetëm pasi del VKM-ja dhe alokohen fondet do të fillojë procesi i shpronësimit dhe procesi tjetër legal që është procesi i pastrimit të zonës nga ndërtimet pa leje. Qeveria e ka thënë dhe ne do ta mbajmë këtë angazhim, personat që janë pa dokumentacion pronësie ata do të trajtohen me 3 vjet bonues qeraje, më vonë me kredi të buta ose banesa sociale. Por që të nxjerrësh njerëz në rrugë pa pasur një proces real apo të pengosh kantierin i cili do të fillojë në vende ku nuk ka prishje, se po të shikoni ku po ngrihet kantieri është në të gjitha zonat ku trojet janë shtetërore dhe është pjesa nga ana e pallateve të Astirit e cila do të fillojë puna, apo tek mbikalimi, tek nyja e madhe tek sheshi Shqiponja. Tendenca për të penguar punimet aty është thjesht një proces i stisur politikisht. Unë i bëj thirrje të gjithë banorëve të na mirëkuptojnë dhe të bashkëpunojnë me ARRSH-në dhe me Bashkinë e Tiranës, pasi çdo proces është proces legal. Çdo objekt do të ketë njoftim sipas ligjit, do të ketë një vlerësim dhe sot do të shpallet dhe lista e plotë e 25 vetave, inxhinierëve të ARRSH-së të cilët do të merren me vlerësimin e pronave atje dhe me vlerësimin e tyre nga ana financiare. Ky është një proces legal, një proces që vazhdimisht kështu është bërë. Vlerat e pronave përcaktohen nga transaksionet mesatare të zonës të deklaruar në hipotekë, se nuk mund të bëjë shteti shpronësime pa një referencë të caktuar qoftë tatimore qoftë të vlerave që reflektohen në transaksionet e shitjes. Jo tregu i zi, tregu i zi nuk është asnjëherë referencë. Dhe vetëm atëherë fillon procesi i prishjes. Gjithçka tashti është e parakohshme, sepse as VKM-ja s’ka dalë, as procesi nuk ka filluar. Banorët, një pjesë e tyre që kanë dokumente pronësie kanë vajtur në zyrat e Autoritetit Rrugor. Janë mbi 40-50% e tyre. Ju bëj thirrje se nuk mund të shkojë shteti të ulet ne mexhlis dhe të trajtojë dokumentacion zyrtar. Të gjitha banorët që kanë dokumente, që kanë pretendime kanë zyrat e hapura deri mbasdite vonë në Autoritetin Rrugor Shqiptar, për të vajtur me dokumentacionin përkatës. Kështu funksionon shteti. Pra, pa daljen e VKM-së për shpronësimin me vlerat përkatëse nuk ka proces të fillimit të prishjes të godinave. Gjithçka është e parakohshme, gjithçka është e stisur politikisht për të kapitalizuar me një kauzë e cila për mendimin tim nuk do të ketë shumë vlerë për ata të cilët e mbështesin.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.