Kreu Aktualitet Cakaj, kryediplomat i Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit

Cakaj, kryediplomat i Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit

74
0

U zhvillua në MEPJ ceremonia e dorëzimit të detyrës të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Pas pesë vjet e gjysmë në krye të këtij dikasteri, Ditmir Bushati i’a ka dorëzuar Kryeministrit Edi Rama detyrën e ministrit të MEPJ.

Gjatë ceremonisë së organizuar me stafin diplomatik, ministri Bushati vuri në dukje arritjet disa vjeçare në krye të këtij dikasteri si dhe falënderoi të gjithë ekipin e ministrisë për punën dhe bashkëpunimin e frytshëm ndër vite. “Edhe pse nuk do të jem më pjesë e punës së përditshme, ndjehem me fat që do të jem pjesë e historisë së këtij institucioni”, tha Bushati në fjalën e tij përshëndetëse. “Që në ditën e parë të detyrës, jam mbështetur në tre vlera: Integritet, besim dhe respekt”, u shpreh ai.  Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç‘ishte 5 vjet e gjysmë më parë”, tha Bushati. Për Bushatin, asnjë nga këto arritje nuk do të ishin mundësuar pa besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe të kolegëve të kabinetit qeveritar.

Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Edi Rama, duke theksuar se po mbante fjalën më të shkurtër në jetën e tij, i delegoi zyrtarisht drejtimin dhe të gjitha kompetencat e MEPJ-së Zëvendësministrit Gent Cakaj. Cakaj, tha Rama, do të jetë kryediplomat i Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit.

Zëvendësministri Gent Cakaj, në pozicionin e drejtuesit të këtij institucioni kyç të shtetit shqiptar, me kompetenca të deleguara nga vetë zoti Rama, e konsideroi si një start goxha të garantuar fillimin e punës në pozicionin e ri.

“Falënderoj Kryeministrin Rama për besimin e dhënë dhe kujdesin e treguar ndaj meje në çdo hap” u shpreh z. Cakaj. Ai garantoi se nuk do të ketë asnjë ndryshim objektivash strategjikë dhe politikë të Qeverisë shqiptare, në kuadrin e politikës së saj të Jashtme.

“Me energji të reja dhe qasje proaktive, ne do të vazhdojmë, pa asnjë diskutim të shtyjmë para, edhe me më shumë pasion e me më tepër vullnet, rrugën drejt integrimit rajonal, duke forcuar profilin e Shqipërisë, si një aktor aktiv dhe dinamik, me peshë të pamohueshme e subjekt qendror që dëgjohet me vëmendje nga të gjithë dhe trajtohet me respekt nga secili”, u shpreh Cakaj.

Fjala e lamtumirës nga detyra e Ditmir Bushatit

Zonja dhe zotërinj,

Sot teksa ngjita shkallët, për herë të fundit si Ministër i Jashtëm, ndjeva realisht që nuk do të jem më pjesë e punës së përditshme të këtij institucioni. Por, ndjehem me fat që do të jem pjesë e historisë së tij.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është një ndër ato pak institucione që mbart peshën simbolike të përfaqësimit të shtetit. Ndoshta edhe për këtë arsye, është institucioni që i ka mbijetuar më shumë se tjerët dallgëve të tranzicionit e mbrapshtive të politikës.

Duke e konsideruar si nder dhe përgjegjësi të përditshme peshën specifike të pozicionit të Ministrit të Jashtëm, jam përpjekur që në ditën e parë të detyrës të mbështetem në tre vlera: integritet, besim dhe respekt.

Integriteti nuk nënkupton vetëm ndershmëri intelektuale apo virtyte personale, por edhe gjithëpërfshirje. Këtë jam përpjekur ta tregoj nëpërmjet përfshirjes në vendimmarrje të shumë prej kolegëve të shërbimit të jashtëm në përputhje me fushën dhe përvojën e secilit, nevojat e institucionit dhe prioritetet e punës sonë.

Në punën time jam orientuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, dhe prioritetet strategjike të politikës tonë të jashtme. Themelet mbi të cilat mbështetet kjo politikë e kanë gjenezën që në themelimin e shtetit modern shqiptar, por ato u ridimensionuan pas rënies së diktaturës komuniste, duke kristalizuar qartësisht përkatësinë tonë evropiane dhe perëndimore.

Për mua, integriteti është i lidhur edhe me njohjen e vijimin e punëve të mira të atyre paraardhësve patriotë, të cilët kanë vendosur një gurë në murin e shtet ndërtimit tonë.

Besimi është filli lidhës i përditshmërisë së punës të diplomatit. Kjo, sepse më shumë se çdo nëpunës tjetër, diplomati përballet me tjetrin, me të ndryshmen, me të huajën, me të renë, e për më tepër në një botë që nuk operon më sipas rregullave që njohim. Në këtë kontekst, besimi nënkupton dhe guxim për t’u hapur e për të mësuar nga njeri-tjetri.

Këtë besim jam munduar ta tregoj nëpërmjet hapjes së Ministrisë jo vetëm ndaj qasjeve dhe ideve të reja të përçuara nga studiuesit e politikes së jashtme, por edhe ndaj brezit të ri të diplomatëve.

Shpresoj që çdo i ri që ka hyrë në shërbim gjatë këtyre viteve, aty ku shërben dhe përfaqëson Shqipërinë, ta bëjë këtë me dashuri jo vetëm për vendin por për njerëzit e këtij vendi.

Respekti për mua do të thotë të dëgjosh. Gjatë punës sime në këtë institucion jam përpjekur të krijoj rrethanat e duhura e ambientin e nevojshëm ku kolegët flasin me njëri-tjetrin, e ku të gjitha nivelet kontribuojnë e përfshihen në vendimmarrje. Kam qenë gjithnjë i gatshëm për t’ju dëgjuar pa paragjykime, sepse kam besuar dhe besoj se askush nuk ka monopol mbi të vërtetën. E për rrjedhojë as mbi politikën e jashtme.

I udhëhequr nga këto vlera, jam përpjekur që trupa jonë diplomatike të përtërihet dhe të përditësohet sepse vetëm kështu mund të japë kontributin e saj të pazëvendësueshëm për shoqërinë dhe atdheun tonë.

Unë besoj se sot Shqipëria është një partner dhe aktor gjithnjë e më i besueshëm në arenën ndërkombëtare, me një fizionomi të qartë e të pa ngatërrueshëm të saj në mozaikun e familjes tonë euro-atlantike.

Falë punës tonë të përbashkët, kemi arritur të projektojmë një Shqipëri më dinjitoze dhe proaktive, e cila sfidat i sheh si mundësi dhe jo si probleme.

Me këtë qasje, ne:

  • Konsoliduam partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në.
  • Hodhëm hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, me fitimin e statusit të vendit kandidat, marrjen e rekomandimit të qartë të Komisionit Evropian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe vendimmarrjen e BE-së për fillimin e procesit “screening” dhe kalendarin e bisedimeve.
  • Forcuam më tej rolin tonë në NATO, si një kontribut të përbashkët për familjen euro-atlantike të cilës i përkasim. Anëtarësimi i Shqipërisë për herë të parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ishte dëshmi e ndjeshmërisë sonë sociale ndaj respektimit dhe promovimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, sikundër kontribut për multilateralizimin. Për herë të parë një përfaqësues shqiptar u zgjodh në Komitetin Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të OKB-së.
  • Fuqizuam peshën tonë rajonale nëpërmjet një politike pro-aktive dhe pjesëmarrjes në nismat bilaterale, trilaterale dhe kuatrilaterale bazuar në devizën tonë: të hapur në Mesdhe e të kyçur në Ballkan.Siguruam dy selitë e para rajonale në Tiranë: atë të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe të Zyrës së Bashkëpunimit Rinor Rajonal. Sikur se mundësuam kryesimin nga një përfaqësues shqiptar të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
  • Projektuam një Shqipëri me më shumë peshë në rajon duke konsoliduar marrëdhëniet me shqiptarët, duke e kthyer këtë Ministri në shtëpi të të gjithë shqiptarëve.
  • Përmirësuam imazhin dhe peshën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare duke marrë për herë të parë drejtimin e një organizate të rëndësishme si OSBE për vitin 2020.
  • Modernizuam shërbimet konsullore si asnjëherë më parë, duke ulur ndjeshëm abuzimin, koston, kohën dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë kudo ku ndodhen, duke fuqizuar njëkohësisht lidhjen tonë me Diasporën e duke i konsideruar ata shtrirje të natyrshme të politikës sonë të jashtme.
  • Hapëm ministrinë për një brez të ri diplomatësh. Me qindra studentë praktikantë, ndihmojnë sot trupën tonë diplomatike.
  • Rritëm ndërveprimin me botën jashtë këtyre mureve duke përdorur rrjetet sociale, e duke e kthyer shërbimin e jashtëm në një prej platformave më të ndjekura digjitale.
  • Forcuam meritokracinë duke përmirësuar rrënjësisht sistemin e rekrutimit dhe karrierës në shërbimin e jashtëm mbi bazën e aftësive, si dhe përmirësimin e trajtimit financiar për diplomatët dhe familjet e tyre.
  • Përmirësuam kushtet e punës dhe infrastrukturës në disa ambasada dhe konsullata, duke i shndërruar ato në seli të denja për përfaqësimin e shtetit shqiptar. Në shërbim të kujtesës institucionale të Ministrisë dhe shtetit shqiptar rindërtuam arkivin dhe filluam digjitalizimin e saj për ta bërë të aksesueshme për publikun.

Ministria që po lë pas është shumë herë më e mirë dhe solide për t’u përballur me sfidat e kohës se ç ‘ishte 5 vjet e gjysmë më parë.

Po lë pas një ekip  ambicioz që me dinjitet punon për Shqipërinë, bashkëpunon për një rajon më të begatë dhe kontribuon për një Evropë më të sigurt.

Asnjë nga këto arritje nuk do të ishte e mundur pa besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe të kolegëve të kabinetit qeveritar.

Partnerët ndërkombëtarë me të cilët kam punuar dhe ndarë sfidat e kohës kanë qenë një ndihmesë e madhe në përmbushjen e objektivave.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, duke filluar nga: Zëvendësministrat me të cilët kam pasur kënaqësinë të punoj që nga Shtatori i 2013 e deri më sot. Sekretarët e Përgjithshëm; Drejtorët e Përgjithshëm, Drejtorët dhe të gjithë ekipin e MEPJ. Të gjithë drejtuesit e misioneve diplomatike, konsullore dhe ekipet e tyre. Punonjësit e palodhur të Gardës së Republikës që mbrojnë institucionin dhe personelin mbështetës që kujdesen për ambientin tonë të përbashkët.

Orët e mia të gjata të punës janë ndarë me ekipin e ngushtë dhe të përkushtuar të kabinetit tim, i cili për mua, me vullnetin, devotshmërinë, patriotizmin e përgatitjen e tij përfaqëson vlerat më të mira të rinisë profesioniste shqiptare. Jam i sigurt që secili prej tyre do të jetë një aset kudo ku do të kontribuojë në shoqëri.

Për një falënderim të fundit do të më ndihmonte një rrëfim personal i ish-kolegut tim të çmuar dhe Presidentit aktual të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, sipas të cilit Ministri i Jashtëm është i munguari i madh: i mungon ekipit të Ministrisë në përditshmërinë e tij; i mungon  përditshmërisë politike; dhe i mungon familjes së tij.

Është pikërisht familja, e cila ka vuajtur më shumë e ka falur më lehtë çdo mungesë timen, duke mbështetur rrugëtimin tim. Dëshiroj t’i falënderoj për përkushtimin e tyre gjatë mungesave të mija e t’u kërkoj një falje për  fundjavat e humbura në Blackberry dhe Iphone.

Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes.

Faleminderit! Ju priftë e mbara!

Fjala e Kryeministrit dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama

Fjala më e shkurtër e jetës time.

Unë i nënshkruari Edi Rama, në funksionin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit Gent Cakaj, Zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësimit të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, brenda dhe jashtë vendit.

Fjala e Zëvendësministrit, Gent Cakaj

I nderuar Kryeministër,

Zoti Ministër Bushati,

Të nderuar kolegë të Ministrisë,

Pas kalimit të valës së parë të zjarrit të pakursyer mbi mua, ndjehem disi më i lehtësuar sesa kur më është komunikuar detyra e lartë. Dhe kjo, mbi të gjitha për një shkak tepër të fortë, sepse të qenit drejtues i këtij institucioni kyç të shtetit shqiptar, me kompetenca të deleguara nga vetë zoti Edi Rama, nën vëzhgimin e tij pashmangshmërisht të afërt, është një start goxha i garantuar nën grykën e zjarrit të akuzave të pabaza dhe paragjykimeve pa faj.

Ndryshimi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ashtu sikurse edhe delegimi i kompetencave tek një zëvendësministër 28 vjeçar siç jam unë, edhe mosha e re është dukur faj, në vend që të duket burim energjie, frymëzimi dhe kreativiteti.

Nuk vë asesi në diskutim, sot dhe asnjëherë, masën e qëndrueshme të rezultateve dhe gamën e gjerë të sukseseve që kjo Ministri ka shënuar, tash e 5 vite.

Nën drejtimin e Ministrit Bushati dhe përgjatë qeverisjes së Kryeministrit Rama, trajta amorfe dhe përmbajtja pothuajse likuide e politikës së Jashtme të Shqipërisë është shndërruar në një platformë solide, me qasje dinamike dhe të mirë-strukturuar, mbështetur fuqishëm në parimet e dinjitetit kombëtar dhe besueshmërisë edhe ndërkombëtare.

Pavarësisht sfidave të mëdha dhe problemeve të pamohueshme që janë shfaqur pashmangshëm, Shqipëria sot pa asnjë dyshim, qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik dhe nivelin më të konsoliduar të veprimit politik të Jashtëm.

Vendi ynë është bërë bartës i një varg nismash rajonale që gjithsesi dëshmojnë për kredibilitetin e tij, më tepër se rajonal. Shqipëria qëndron më afër se kurrë sot, para vendimit historik për hapjen formale të negociatave, për t’u bërë pjesë e familjes politike evropiane.

Dhe po atdheu ynë Shqipëria, tashmë është në fazën e pakthyeshme të përgatitjeve përfundimtare, për të kurorëzuar suksesin më të madh në historinë e saj shumëpalëshe, kryesimin e OSBE-së për vitin që vjen.

Ky transferim autoriteti institucional nga zoti Bushati, të cilin e falënderoj nga zemra për kontributin e tij në këtë ministri, tek unë, nëpërmjet Kryeministrit Rama, të cilin, në fakt,  nuk di as si ta falënderoj për besimin e dhënë dhe kujdesin e treguar ndaj meje në çdo hap, nuk nënkupton asnjë ndryshim objektivash strategjikë dhe politikë të Qeverisë shqiptare, në kuadrin e politikës së saj të Jashtme.

Me energji të reja dhe qasje proaktive, ne do të vazhdojmë, pa asnjë diskutim të shtyjmë para, edhe me më shumë pasion e me më tepër vullnet, rrugën drejt integrimit rajonal, duke forcuar profilin e Shqipërisë, si një aktor aktiv dhe dinamik, me peshë të pamohueshme e subjekt qendror që dëgjohet me vëmendje nga të gjithë dhe trajtohet me respekt nga secili.

Ne do të mbetemi gjithsesi forcë e patjetërsueshme e paqes dhe stabilitetit, promovuese e fuqishme e frymës së pajtimit dhe bartëse e besueshme e ideve të zhvillimit, natyrisht përmes mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët pa dallim.

Për më shumë, tani Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, atë të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet e rajonit, duke siguruar zbatimin e marrëveshjeve të dyanshme, po ashtu duke gjeneruar tutje projekte të reja politike.

Ashtu sikurse dhe Kryeministri Rama ka nënvizuar më tepër se një herë tashmë, ne duam të rrisim më tej komunikimin, bashkëveprimin dhe ndërveprimin me faktorin shqiptar në veçanti. Në kohën që po vjen dhe brenda horizonteve që do të hapen, ne do të jemi më afër tyre si dhe ata përherë më afër nesh. Në të njëjtën kohë, ne mbesim të përkushtuar për t’i përmbushur të gjitha obligimet që vijnë nga angazhimet tona në rajon, me theks të veçantë duke rritur cilësinë dhe performancën tonë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Po kjo vëmendje e shtuar në politikën rajonale, asesi nuk duhet të lexohet si një shenjë lëshimi në agjendën tonë Evropiane, përkundrazi, zhvillimi i Shqipërisë në rajon është sipas meje një kusht themelor për pozicionin tonë në agjendën evropiane dhe në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë. Po ashtu, rruga e Shqipërisë, dhe kjo duhet thënë qartë, për në familjen Evropiane kalon nëpërmes vetë procesit të vet-konsolidimit në rajon. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një proces  i pa kthyeshëm politik e kombëtar.

Shqipëria duhet të jetë e angazhuar dhe mirë-organizuar për të realizuar këtë synim në kohë reale, sipas kalendarëve të paraqitur dhe sipas mundësive objektive.

Pas muajsh të ardhshëm, do të jetë një periudhë pune pa orar që do të shpërbëjë çdo kufi midis natës dhe ditës dhe do të tresë çdo dallim midis qetësisë dhe veprimit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të vazhdojë punën e saj intensive për një performancë sa më cilësore, në kuadër të procesit të screening dhe do të angazhohemi më tutje në nxitjen e përafrimit të legjislacionit vendor me atë Evropian. Do ta them zëshëm se një ndër objektivat qendrore të punës time në vijim, do të jetë pikërisht rritja e ndërveprimit me ministritë e tjera për të realizuar pa vonesë çdo kërkesë të paraqitur në konkluzionin e Këshillit të Qershorit të vitit 2018 dhe nga ana tjetër, gjithsesi do të vijojmë dialogun cilësor me vendet anëtare për ekspozim në dritë sa më të qartë të rezultateve tona të dukshme dhe reformave tona të pandalshme.

Për më shumë, periudhat vijuese kërkojnë një vëmendje të veçantë në dy objektiva kyçe të diplomacisë shqiptare: Kryesimi i suksesshëm i OSBE në vitin 2020 dhe angazhimi për të siguruar vendin tonë në Këshillin e Sigurimit të vitit 2022. Gjithsesi, krahas angazhimeve të pa kursyera për t’i lehtësuar këto qëllime madhore, Shqipëria do t’i kryejë të gjithë obligimet e saj në kuadër të NATO-s dhe të thellojë marrëdhëniet cilësore me të gjithë partnerët e saj në botë, me theks të veçantë, me SHBA.

Në mënyrë paralele, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të angazhohet fuqishëm për forcimin e mëtejshëm të pasaportës shqiptare, zhvillimin e diplomacisë ekonomike, thellimin e programeve me Diasporën si dhe gjithsesi, vijimin e përmirësimeve konsullore në vazhdën e disa shembujve tejet pozitivë të krijuar 5 vitet e fundit dhe që gjithsesi, mbesin të pa mjaftueshëm.

I nderuar Kryeministër dhe të dashur kolegë të Ministrisë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, nën presionin për të mos folur asgjë kur pothuajse të gjithë flisnin për mua, i jam frikësuar tej mase triumfit të hallit brenda meje se ç’do të thonë të tjerët kur të flas, pavarësisht forcës time të zakonit për të thënë gjithnjë atë që mendoj.

Sidoqoftë, fjalët për mua tashmë kanë shkuar përtej meje, qoftë për të mirë apo për keq. Mbetem shpresë plotë që kujt i ka mbërritur në vesh fjala e keqe për mua, të mos jem dukur edhe aq i keq në paraqitjen time të pare. Dhe nuk thonë kot, më mirë syri sesa nami. Shpresoj se unë do të bëhem më i mire ndërkohë dhe gjithashtu uroj se kushdo që ka thënë fjalë të mirë për mua këto ditë dhe nuk e ka humbur besimin tek mua për asnjë çast, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në veçanti, të mos jetë i zhgënjyer nga paraqitja ime e pare. Dhe unë ju premtoj se do të jeni gjithnjë më i kënaqur me punën time në vijim.

Mjeshtri i vyer i shkronjave shqipe, poeti shqiptar nga qyteti i Gjakovës mes të tjerave, nëpërmjet një figure të rrallë letrare ka thënë diçka thelbësorë nga urtësia e përbotshme. Koha, thotë Podrimja, shpesh herë ecën mbi shpinën e breshkës dhe po gjatë këtyre ditëve, koha ka ecur ngadalë, por koha është shpesh herë më kokëfortë sesa e ngadaltë. Thënë kjo, unë do t’i shtyj me aq sa mundem të gjithë kufijtë e qenies sime për të bërë kohën dëshmitare, sepse kam qenë këtu pranë jush për të punuar me mendje dhe zemër. Shërbej me ndjenjën më të thellë të atdhedashurisë dhe qëndroj me dinjitet në lartësinë e besimit të çdo njeriu që i ka dhënë votën kësaj shumice qeverisëse, përderisa unë sot fola tejet sipërfaqësisht për punët që po vijnë dhe sfidat që na presin.

Mbetem me shpresë se punët që do të bëj, do të flasin përmbajtësisht për mua dhe skuadrën e mirë-stërvitur të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ju faleminderit shumë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here