Kreu Aktualitet “Cosmic S” e Helidon Xhixhës transformon Zogun e Zi

“Cosmic S” e Helidon Xhixhës transformon Zogun e Zi

951
0

Herës tjetër, kur t’iu bjerë rruga nga rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, mos e humbni skulpturën e ideuar dhe realizuar nga artisti shqiptar me famë botërore, Helidon Xhixha. Ajo titullohet “Cosmic S” dhe nga sot do të qëndrojë në lulishten e rrethrrotullimit në hyrje të Tiranës, e cila falë kësaj vepre arti ka marrë një pamje më dinjitoze. Helidon Xhixha është një nga artistët më të kërkuar sot në Evropë dhe Amerikë, ndërsa skulptura “Cosmic S” vjen si shprehje e transformimit që po pëson qyteti i Tiranës.

Vepra e artit u përurua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, të cilët e falenderuan artistin Xhixha dhe donatorët për dhuratën që i bënë kryeqytetit.

“Pas një pune të jashtëzakonshme disamujore qyteti ka një dhuratë nga ata që janë gjithmonë qytetarë me zemër, me dashuri dhe me kokën mbrapa në Shqipëri. Është një dhuratë e dyfishtë: miqtë tanë libanezë kanë dhuruar infrastrukturën e ‘Zogut të Zi’ me shatërvanët, një hapësirë e gjelbëruar, që pastron ajrin në një zonë ku realisht ka trafik, ndërsa qershia mbi tortë është kryevepra e mikut tonë, Helidon Xhixha, i cili sot ka një reputacion të jashtëzakonshëm si një artist ndërkombëtar. Megjithatë geni, rrënja dhe pasioni i shqiptarit është gjithmonë i dukshëm. Të jemi shumë mirënjohës! Ai sot është një nga artistët më të çmuar, veprat e tij kushtojnë miliona euro, por i kushtoi 3 muaj të jetës së tij krijimit të një kryevepre për Tiranën tonë, që vjen si simbolikë e fuqishme e transformimit të Tiranës, S-ja kozmike”, tha Veliaj.

Ai theksoi se edhe kjo skulpturë, ashtu si edhe një sërë veprash të tjera arti të vendosura vitet e fundit në qytet, si ‘Reja’ apo instalacione të tjera, përveçse do të kthehet në një pikë referimi për Tiranën, i jep kryeqytetit një ‘portë’ hyrëse të denjë. Kryebashkiaku Veliaj shtoi se krahas punimeve në rrugët e kryeqytetit do të fillojë puna edhe për rrethrrotullimin te “Shqiponja”, çka do të mundësojë një shpërndarje më të mirë të lëvizjes së mjeteve që hyjnë dhe dalin nga qyteti. “Do të bëjmë një ndërhyrje te sheshi “Shqiponja”, aty ku shkaktohet pjesa më e madhe e trafikut dhe besoj se kjo do të na lehtësojë edhe ‘Zogun e Zi’. Por, teksa presim që të ndryshojë infrastruktura e madhe e rrugëve, kjo nuk do të thotë që s’mund t’i bëjmë gjërat më të bukura dhe më estetike”, tha Veliaj.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vlerësoi vëmendjen që i ka kushtuar Bashkia e Tiranës krijimit të hapësirave artistike në qytet. “Arti nuk mund të jetë vetëm produkt i institucioneve dhe brenda katër mureve, por ka rëndësi nxjerrja jashtë e veprave artistike, në nyje të tilla si hyrja e Tiranës. Së dyti, ka rëndësi për edukimin e të gjithë brezave, edhe atyre që lindin sot. Si ministre e Kulturës, por edhe si shqiptare, unë ndihem shumë e lumtur kur shoh markën e Helidonit në shumë qytete. Helidoni është bërë një artist i madh, dhe sot na mbështet me konceptin e tij artistik”, u shpreh Kumbaro.

Autori i veprës, artisti Helidon Xhixha theksoi se kjo është një dhuratë për Tiranën, ndërsa u shpreh se qyteti është kthyer në një shembull të zhvillimit të arkitekturës dhe urbanistikës. “Kjo vepër i kushtohet Tiranës, e cila ka qenë dhe do jetë gjithmonë një ndër shembujt për Shqipërinë, sidomos kohëve të fundit është shembull edhe sa i përket kulturës, arkitekturës, nivelit urbanistik, sportiv, për gjithë vendin. Jam i nderuar që i dhuroj këtë monument këtij qyteti, që i dedikohet me këtë lloj force, energjie, ekspresioni që Erioni i ka dhënë këtij qyteti. Falënderoj publikisht Erionin dhe gjithë stafin e tij që ma pranuan këtë dhuratë”, tha Xhixha.

Skulptura “Cosmic S” është projektuar si dy piramida të parregullta të balancuara me përpikmëri njëra mbi tjetrën, që pasqyrojnë dy përqasje të ndryshme, të dyja të domosdoshme për të bashkë-ekzistuar në një shoqëri që do të lulëzojë në një botë në të cilën vetë populli i saj dhe kulturat e ndryshme që përfaqësojnë janë të lidhura ngushtë.

Piramida e parë është bërthama instiktive dhe shpirtërore e njerëzimit. Është realizuar me majën e drejtuar kah poshtë, ku ëndrrat dhe vlerat pozitive janë vendosur në nivelin më të lartë dhe përhapen poshtë, drejt një kanali të vetëm komunikimi, të përpunuar me kujdes, ose më saktë drejt shpirtit, ende thelbësisht “i transmetueshëm” në natyrë. Piramida e dytë është bota, sikundër perceptohet dhe jetohet nga vetë banorët e saj, nga personat që përdorin “shërbimet” e saj, dhe për nga natyra është e pozicionuar nga poshtë lart. Sigurisht, është edhe më e madhe dhe përbëhet nga një rrjet i ndërlikuar diskutimesh, marrëdhëniesh dhe ndërveprimesh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.