Kreu Sociale Dafina fisnike

Dafina fisnike

268
0

Prof. Dr. Vezir Muharremaj 

Dafina qysh në kohët e moçme ka qenë një nga bimët që është kënduar më tepër dhe që ka simbolizuar lavdinë, fitoren dhe nderin që u bëhej njerëzve të artit, të shkencës dhe luftëtarëve fitimtarë. Në botanikë, dafina (lari) mban një emër kumbonjës në latinisht- Laurus nobilis – që do të thotë dafina fisnike.

Proverba, rrëfenja e legjenda mahnitëse kanë në bazën e tyre zgjuarësi apo imagjinatë, vrojtimin e vëmendëshëm të botës bimore, e ndër to një vend të rëndësishëm ze dafina. Burimet e shkruara tregojnë se në mitologjinë klasike, individë të ndryshëm u transformuan në drurë. Kështu, ndër të tjera, dafina u shoqërua me Daphne  (në gjuhën greke, dafnea do të thotë dafinë).

Në historinë e moçme të qytetërimit Mesdhetar, dafinën e gjejmë të rrrethuar nga një numër legjendash. Sipas njerës nga këto legjenda, Dhafni, e bija e Gjeas (Dheut), ka qenë një nimfë e bukur, në fatëthënën e mëmës së saj në Delfi. Kjo vashë e bukur ndiqet nga Apolloni (perëndia e diellit), të cilit i refuzon dashurinë. Por Apolloni i fuqishëm e arrin dhe e kap atë, dhe ndërsa e mban në gjirin e tij dhe kujton se e bëri për vete nimfën e bukur, Gjea, duke dëgjuar klithmat e së bijës, hap gjirin e saj dhe mer nimfën. Në vendin ku ajo u zhduk, mbiu papritmas një bimë e përherëblertë që mori emrin Dhafni (Dafinë), nga e cila perëndia e braktisur këputi një degë dhe e vendosi për ngushëllim në kokë si kurorë. Për këtë arësye Apolloni quhej edhe Dhafneos, që do të thotë i kurorëzuar me dafinë. Kështu, dafina i kushtohej Apollonit, perëndisë mbrojtëse të shkencës dhe artit.

Sipas një legjende tjetër, Dafnea ishte bija e perëndisë së lumit Pene, në Thesali. Apolloni e dashuronte atë, por Dafnea, për të shpëtuar nga ndjekjet e tij, kërkoi ndihmën e të jatit. Ky i fundit e shndërroi vajzën në dafinë, që u bë druri i shenjtë i Apollonit. Apolloni ishte edhe perëndi e frymëzimit, e muzikës dhe këngës. Midis kafshëve dhe bimëve që i ishin kushtuar kësaj perëndie përmenden mjellma, zhgaba, korbi, ujku, gjarpëri, dafina, palma, ulliri.

Me bimën e dafinës lidhet orakulli i dëgjuar i Delosit. Orakulli, sipas besimit të lashtë, ishte një nga mjetet që lidhte hyjnitë me njerëzit. Në orakullin e Delosit, dëshira e perëndive gjykohej nga fëshfërima e gjetheve të dafinës. Një tjetër gojëdhënë thotë se kaduçeu, thupra e kasnecit, ishte atributi kryesor i Hermesit (Mërkurit). Ishte formuar nga një thupër dafine ose ulliri, rreth së cilës gërshetoheshin dy gjarpërinj-emblema e lajmëtarëve, e që më vonë ajo u bë emblema e tregtisë. Me sa duket, këtë motiv e ka përdorur Noli kur i këndonte Marathonomakut që u sillte banorëve të Athinës lajmin e fitores së Grekëve mbi Persët në Marathonë: ”…Kap një degë prej dafine; dhe vërtitesh ndaj Athine…”

Dafina, nga një simbol i Apollonit, u bë dhe mbeti në Greqinë e Vjetër një simbol i çdo fitoreje. Fillimisht, atletëve fitonjës të garave olimpike u dhuronin nga një degë dafine. Më vonë, ky simbol u importua nga romakët në Itali. Gjatë gjithë antikitetit Greko-Romak, kurora me gjethe dafine u vinin solemnisht në kokë  mbretërve, heronjve, fitimtarëve në luftra ose gara sportive, poetëve, piktorëve, artistëve dhe oratorëve, të gjithë njerëzve të shquar në art, shkencë dhe artizanat, atyre që fitonin të drejtën si të pavdekshëm. Në pikturat dhe skulpturat e kohës, Çezari, Dante e njerëz të tjerë të shquar paraqiten me kurorë dafine në kokë, simbol i lavdisë e i fitores.

 

Shkrimet e lashta thonë se në Greqinë e Vjetër dhe në Romë, bashkë me letrat, dërgonin edhe lule dhe degë bimësh. Dega e palmës ishte shenja e fitores, dega e ullirit do të thoshte paqe, dega e lisit tregonte fuqi, dhe dega e dafinës – lavdi. Që në grekët e romakët ju dha ky nder, kjo ndodhi nga që dafina jeton rreth pellgut të Mesdheut, me pamjen e një druri imponues e me vlera të veçanta. Dafina është zgjedhur për të kurorëzuar më të zgjedhurit, ndoshta nga që gjethet e saj të ndritëshme e të përherëblerta sugjeronin mundimin e rritjes së lavdisë dhe njëkohësisht pazakonshmërinë e famës.

Tradita e kurorëzimit me gjethe dafine vazhdon edhe në ditët e sotme të jetë një simbol për të nderuar njerëzit e shquar në art e shkencë. Që këtej e ka origjinën fjala “laureat”  (latinisht – lauretaus), që do të thotë i kurorëzuar me degë lari (dafine), një person që ka marrë një çmim të dhënë në mënyrë zyrtare për merita të shquara në fushën e shkencës, literaturës, arteve, etj. Po ashtu, figurat simbolike të gjetheve të dafinës dhe të lisit janë ruajtur edhe në kohën tonë në dekoratat dhe në qëndismat e uniformave të ushtarakëve. Ka mbetur traditë zbukurimi i ikonave dhe tavaneve me gdhëndje të gjetheve të drurëve, përfshirë dafinën. Degët me gjethe dafine përdoren për të zbukuruar harqe, shtylla e kuadra manifestimesh artistike. Ndërsa në Pallatin e Brigadave sheh forma të bukura të dhëna dafinave  nëpërmjet qethjeve (krasitjeve), ndër të cilat një mur i gjelbër dafine me harqe të sajuar mjaft bukur. Dafina mund të qethet e t’i jepen forma nga më të ndryshmet: sferike, cilindrike, kubi, paralelpipedi, etj.

Në kohët e moçme, asnjë dru nuk ka qenë kënduar më shumë se dafina. Bile, pyje me dafinë janë konsideruar si të shenjtë. Korija e shenjtë e Daphnes ka qenë afro 2 580 hektarë. Me emrin e dafinës lidhet dhe emërtimi i Manastirit të Laurës së Madhe në Malin Athos (që do të thotë ‘Mal i Shenjtë’) në Greqi, ku David Selenicasi (nga Selenica e Vlorës) ka pikturuar afreske në Kishën e Virgjëreshës Kukuzelica më 1715.

Në figura letrare, dafina tregon lavdi, fitore. Shprehja” mbledh dafina” tregon për dikë se ka sukses, bëhet i famshëm. Në anën tjetër, haset dhe shprehja “fle mbi dafina” për dikë që ka rënë në qetësi e është shkujdesur pas arritjes së një suksesi, të një fitoreje, etj., është vetëkënaqur, ia ka marrë mendtë lavdia dhe nuk punon e lufton më tej.

Përsa i përket origjinës së dafinës, disa dijetarë mbështesin idenë se duhet të jetë nga Azia e Vogël, prej ku u fut në Evropë nga Grekërit dhe e përhapur më vonë nga Romakët. Por, kërkimet arkeologjike vërtetojnë, nga ana tjetër, se në epokën terciare, Laurus nobilis me Laurus indica ose canariensis zinin zona të gjera në Evropë, duke përfshirë edhe Zvicrën. Në saje të lëvizjeve të mëdha të akullnajave, dafina, sikundër dhe shumë specie të florës terciare, u shty drejt Jugut. Ndërsa Laurus canariensis lokalizohesh në ishujt e Kanareve dhe Madera, ku u zhvillua e fuqishme në klimën e lagët oqeanike, shumë e ngjajshme me atë të epokës terciare, Laurus nobilis mbeti në disa zona të kufizuara, nga ku u përhap, së pari, në të gjithë pellgun Mesdhetar si në Provencë, Spanjë, Marok, etj, dhe pastaj në Azinë e Vogël, në Kolkide etj.

Në pikëpamje botanike, familja e dafinave përmbledh 50 gjini, me rreth 1100 lloje drurë e shkurre, të shpërndarë në mbarë botën, sidomos në rajonet tropikale, ku bëjnë pjesë dafina, kamfori, etj. Në vendin tonë gjendet vetëm Laurus nobilis-dafina fisnike, dhe fare pak rrënjë të Laurus azorica në Sarandë. Kjo e fundit gjendet me shumicë në ishujt Azore, Kanarie dhe Madera.

Dafina takohet në gjendje spontane në Azinë e Vogël, në Kaukazin Perëndimor dhe në pjesën Jugore të Krimesë. Në Greqi gjendet shpesh në Thrakë e Maqedoni, në shumë pjesë të gadishullit dhe në ishujt e saj. Shtrihet në bregdetin e Dalmacisë dhe të Italisë së Jugut, në Siçili dhe ishujt e tjerë, në Spanjë, Portugali dhe Marok.

 

Në Shqipëri dafina ka ekzistuar qysh në kohët më të lashta. Ndër të tjera, këtë e tregon dhe fakti se në pusin e hapur në minierën e serës në Selenicë, janë gjetur gjethe dafine së bashku me gjethe mareje e ilqe, në thellësinë afro 95 m. Sot, dafina zhvillohet natyralisht në Konispol, Butrint, Delvinë, gjatë bregdetit të Himarës, Karaburun, Fushë e Dukatit, Mesaplik, Tepelenë (Bënçë, Koshtan, Dhëmblan, Progonat, Nivicë), Gryka e Këlcyrës, Drizar të Fratarit, Kalaja e Turrës, Bardhore (Kavajë), Shkalla e Tujanit (Tiranë), Shkalla e Cudhinit (Krujë), gryka e Manatisë (Lezhë), mali i Bajzës e i Gjyles (Pentar), etj, më shpesh e bashkëshoqëruar me shkurre të tjera. Po ashtu, dafina është kultivuar në blloqe të gjerë si në Bardhore të Kavajës, Linzë të Tiranës, Peqin, etj; takohet pothuajse kudo e kultivuar në kopshte e parqe të qyteteve bregdetare dhe në brendësi, si në Përmet, Skrapar, Gramsh, Tepelenë, Elbasan, Peqin, Tiranë, Lezhë, Burrel, Vau i Dejës, etj. Bile, një amator ka mbjellë dafinë edhe në Strelcë të Korçës, ku ka patur zhvillim të mirë, megjithëse njihet si zonë e ftohtë.

Dafina është konsideruar si dru i shenjtë kur gjendet në faltore e vende të respektuara si të shenjta. Pylli i Butrintit, ku gjenden drurë të lartë dafine e llojesh te tjera pyjore, shtrihet ne 25 hektarë rreth kishave e rrënojave të qytetit antik, dhe për vlerat e veçanta te shumëllojshmërisë biologjike, për vlerat historike e rikrijuese, është shpallur pasuri e rrallë natyre (monument natyre) me vendim të Këshillit të Ministrave dhe mbrohet me ligj. Këtu në Butrint drurët e dafinës arrijnë lartësinë deri 16 m dhe diametër 25 cm. Dafinat, si dhe drurë llojesh të tjerë, rrethojnë pusin antik të nuseve, ndërtuar në shekullin e III-të të erës sonë, ku shkruhet me gërma greke: Jonia Rufeina – mikeshë e shtojzovalleve. Kemi mendimin se një parcelë dafine që gjendet në Kalanë e Turrës (Kavajë) duhet shpallur monument natyre, sikurse dhe drurë të tjerë që mbrohen tradicionalisht nga vendësit.

Traditë e trashëguar qysh nga kohët e vjetra, e që vazhdon sot e kësaj dite në vendin tonë, është  festimi i Ditës së larit (dafinës), ose e diela e dafinave, e cila festohet një javë para Pashkëve. Po ashtu, është zakon që ditën e Shën Lazrit, nga çdo familje çohet një tufë gjethe dafine e bekohet në kishë, dhe kjo tufë ruhet deri për 12 Maj, festën e ardhëshme. Kjo, gjithashtu, përdoret për tymosje për të sëmurët mendorë. Po ashtu, në mjaft zona preferohet që vajzave t’u venë emrin Dafinë.

Por dafina, si në kohët e lashta, ashtu edhe sot, muk mbahet vetëm si një bimë simbolike dhe ornamentale, ajo është konsideruar dhe aq më tepër sot, si një nga bimët me vlerë të madhe mjeksore dhe industriale. Për vetitë e saj të çmuara, dafina është një nga bimët që ka fituar rëndësi të madhe ekonomike dhe që kërkohet si në tregjet e jashtme ashtu dhe për nevojat e vendit.

Dafina rritet zakonisht si shkurre kur gjendet në toka të cekëta  e të varfëra, por mund të rritet edhe si dru i lartë deri në 20 m dhe deri 50 cm i trashë në diametër (Butrint, Pojan e Ndërnenas të Fierit) në toka të thella. Është dru dioik, me lëvore zakonisht të lëmuar në ngjyrë të murrme të errët në të zezë, me degëza hollake, të shogëta. Gjethet 5-10×2-4 (rrallë deri në 7,5) cm, të këmbyera, ngushtësisht gjatore-heshtore, të mprehta ose të thepëta, të shogëta, anët disi të valëzuara; janë të qëndrueshme, të lëmuara e me erë të këndëshme. Lulet konsiderohen pa bisht (shumë të shkurtër), njëseksore, aktinomorfe, gjelbëroshe si në të verdhëreme, të dispozuara në sqetullat e gjetheve në trajtë ombrellash të vogla, me rrethlulje të ndarë në 4 vriguj; lulet mashkull me 8-12 thekë; ato femër me 2-4 staminoide, me vezore, njëkthinëshe dhe me shtyllëzë të thjeshtë,  lulë

zojnë në mars. Fruti është drupë (rrushk) 10-15 mm, formë vezake, me një farë, me ngjyrë të zezë kur piqet, me shije të hidhur, por me erë të këndëshme, i cili piqet në tetor. Një kilogram farë ka rreth 9 000-10 000 kokrra.

Druja e dafinës është e bardhë deri në të murrme, mjaft e fortë dhe e rëndë (1 meterkub lëndë e stinuar peshon 700-750 kg); me qenë se mban erë, është e imët dhe nuk çahet, përdoret për vegla e orendi të vogla.

 

Gjethet e dafinës përmbajnë esenca e lëndë të ndryshme, me vlera të mëdha për përdorim në industrinë ushqimore, farmaceutike, në parfumeri e sapuneri. Gjethet në gjendje të thatë përmbajnë: 11,35% ujë, 9,45% proteina, 4,55 lipide, 31,18% celulozë, 41,18% lëndë ekstraktive joazotike, 2,6% hi dhe 1,6-2,15 vaj esencial (të përfituar nga gjethet njëvjecare; kur gjethet bëhen dyvjecare, përqindja ulet në 1,35-1,85%). Vaji esencial përdoret në industrinë e parfumerisë dhe në atë të sapunit. Gjethet përdoren për t’u dhënë erë të këndëshme gjellëve, peshkut, konservave, palëve të fiqve, rrushve të thatë, liqereve dhe verës. Për shkak të esencave stimulante që përmbajnë, ato përdoren gjerësisht dhe në mjekësi. Rrezja e prodhimit të esencës është 1,5-2%, duke përdorur distilatorë të thjeshtë. Në forma farmaceutike të ndryshme (infuzion, dekokcion etj) gjethet përdoren për të prodhuar djersë, ndikojnë në shërimin e reumatizmit e të disa çrregullimeve të stomakut. Dafina është ndër bimët që rekomandohet për të ndihmuar në largimin e gazrave nga zorrët (karminative) së bashku me mendrën e kamomilin; përdoret si eksituese, kundër gripit dhe bronshiteve kronikë dhe katarreve të rrugëve të frymëmarrjes, për nxitjen e rrjedhjes së gjëndrrave të zorrës dhe të pankreasit si përmirësuese e tretjes së ushqimit  (digjestive). Gjethet e thata të dafinës përdoren prej shumë kohësh si ndihmëse në rastet e ftohjes që shoqërohet me temperaturë, etj. Për këtë qëllim, përgatitet një çaj si më poshtë: një lugë gjelle me gjethe dafine të grimcuara (së bashku me një lugë gjethe lëvore portokalli, në rast se disponohen) zhytet në 200 gr ujë të valuar, ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet të qëndrojë 5-10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe ëmbëlsohet sipas dëshirës me sheqer. Pihen 2-3 gota të tilla në ditë. Në vende të thata gjethet (folia lauri) e ruajnë veprimin për 2 vjet.

Një lloj tjetër çaji mjeksor këshillohet për hapjen e oreksit: dafinë, bar pelini, kin fushe, lëvore portokalli, rrënjë sanzi, të gjirtha së bashku, dy lugë supe (10 gr) zhyten në 200 gr ujë dhë zjehen për 5-10 minuta. Pas pak kohe, çaji kullohet dhe pihet brenda ditës, 2 orë para buke, nga një tas, 2 herë në ditë. E ruan veprimin për 18 muaj në vende të thata.

Frutat e dafinës janë po ashtu me vlerë industriale e mjeksore. Ato përmbajnë 0,57% vaj esencial dhe 16,22% yndyrë me cilësi të mirë, që mund të përdoret në sapuneri. Vaj esencial kanë edhe degët njëvjeçare, druri dhe lëvorja, përkatësisht 0,55%, 0,15% dhe 0,25%. Nga kokrrat nxirret një lloj vaji aromatik i trashë (oleum lauri), i cili përdoret në industrinë e sapunit, pafrumeri e mjekësinë popullore. Në forma farmaceutike të përshtatëshme, ai përdoret për të shëruar dhimbjet e t’enjturit nga reumatizmi, etj. I përzier më rrëshirë e lëndë dhjamore, aplikohet si bar për përdorim të jashtëm (për lyerje). Me gjethet dhe kokrrat përgatitej një përzierje brumi për plagë që nuk shëroheshin me ilaçe të tjera. Gjethet e grimcuara mirë dhe të zbutura në raki përdoreshin kundër temperaturës së lartë të etheve (malarjes). Të përziera me bajga delesh viheshin në lidhjen kundra dhëmbjeve në këmbë.

Bimët e dafinës janë realisht një pasuri mjaft e vlefshme për vendin tonë. Vite më parë janë bërë mbjellje dafine në disa plantacione, por që këto vitet e fundit janë braktisur e dëmtuar rëndë nga prerjet e kullotja e pakontrolluar, duke u konsideruar si “mall pa zot”. Gjithësej kanë qenë rreth 776 hektarë me bimë dafine, nga këto, 196 hektarë me bimë natyrore, dhe 580 hektarë të kultivuar, si dhe rreth 35 mijë rrënjë dafine të shpërndara në oborre, parqe, etj. Vlen të përmenden blloqet me dafinë në Bardhore-Kavajë (347 ha), në kodrat e Linzës-Tiranë (110 ha), Drizar-Mallakastër (60 ha), Dhëmblan-Tepelenë, etj.

Vjelja e gjetheve të dafinës është mirë të bëhet gjatë periudhës 15 Nëntor-15 Shkurt, një herë në dy vjet, duke lënë pa vjelë 1/3 e gjetheve.  Gjethet thahen në hije, e jo në diell ose në zjarr, pasi ato zverdhen dhe e humbasin aromën e tyre. Nga një bimë mund të meret të paktën 1 kg fletë të thata. Janë grumbulluar deri 2900 kv gjethe dafine në vit në krejt vendin. Prodhimi mesatar ndër ne ka qënë rreth 2,3 kv gjethe për hektar në vit, ndërsa nga një plantacion me dafinë i mbajtur mirë, në moshën 8-9 vjeçare mund të meren jo më pak se 25-30 kv për hektar gjethe të thatë.

 

Dafina është bimë që rritet në krahina me klimë të ngrohtë Mesdhetare dhe preferon toka të pasura e të shkrifta, por bëhet edhe në toka të varfëra e gurishtore. Shumëzohet me farë (e cila e ruan fuqinë mbirëse për 6 muaj), ndërsa me shpatulla më vështirë.  Për të shtuar prodhimin e gjetheve të dafinës, duhet të ndiqen dy rrugë: së pari, të përmirësohet gjendja e dafinave në blloqet ekzistues nëpërmjet punimeve të ndryshme (ruajtja nga prerjet, kullotja e dëmtimet e ndryshme, ricungimi i bimëve të degraduara, pastrimi i shkurreve e bimëve të tjera rreth dafinave, punimi i tokës e shërbime të tjera të nevojshme); së dyti, shtimi i dafinave duke prodhuar fidane e mbjellja e tyre për dëndësimin e blloqeve ekzistues ose krijimin e blloqeve te reja. Fidanët këshillohet të mbillen herët në pranverë (Shkurt-Mars)

Rikonstruksioni dhe dhënia me qira e blloqeve me dafinë individëve që dëshirojnë të trajtojnë këtë kulturë, do të ishte një rrugë efektive për vlerësimin si duhet të kësaj bime të çmuar dhe që mund të bëhet një burim i mirë për nevojat e vendit dhe për eksport, për rritjen e të ardhurave të popullsisë vendore. Gjithashtu, mund të mbillet si shkurre e dru zbukurues në parqe e lulishte, në blloqe banimi, etj.

Dafina ka qënë një nga bimët më të dashura gjatë shekujve dhe e tillë ka mbetur edhe sot, për elegancën e kurorës së saj gjithmonë të blertë, për fletët aromatike, për lulet e bardha të hijëshme, për frutat në ngjyrë të zezë dhe aromatike. Pikërisht për vlerat e mëdha ekonomike, zbukurimi, aromatike dhe mjekësore që ka për shkak të karakteristikave dhe përmbajtjes së lëndëve të ndryshme kimike, dafina konsiderohet si një nga bimët më familjare dhe më ornamentale për zbukurimin e oborreve të shtëpive, për oborret dhe kopshtet e faltoreve, për lulishtet dhe parqet e qyteteve, për gardhe të gjallë e bordura gjithmonë të blerta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.