Kreu Aktualitet “Daullet për Paqen” trokasin në Tiranë

“Daullet për Paqen” trokasin në Tiranë

455
0

Tirana përjetoi edhe këtë vit, një moment të veçantë dedikuar paqes. “Daullet për Paqen” erdhën në sheshin “Skënderbej” si një event shumë domethënës, me synimin për të promovuar kulturën e paqes. I pranishëm në këtë aktivitet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot më shumë se kurrë ka nevojë për mirëkuptim dhe paqe.

“Më pëlqen shumë ideja e daulleve të paqes, ndërkohë në të gjithë botën sot, edhe në Shqipëri, por edhe në Francë, ka shumë njerëz që i bien daulleve të sherrit, daulleve të dhunës, daulleve të përçarjes, daulleve të stërkëmbëshave, daulleve që zgjojnë ndjenjat më të këqija të njerëzimit. Pyetja që kemi sot është: cilave daulle u biem? Daulleve të engjëjve apo daulleve të djajve? Daulleve të paqes apo daulleve të luftës e të sherrit? Unë besoj se sot kemi nevojë më shumë për këtë mirëkuptim dhe paqe”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se sot vendi ynë ka nevojë për vllazëri, barazi dhe liri. Ai u shpreh besimplotë se në Shqipëri po vjen një gjeneratë e re. që do paqen dhe po investohet çdo ditë në frymën e bashkëpunimit.

“Ashtu siç është shprehja franceze se vllazëria, barazia dhe liria janë tre shtyllat e një stoli, i cili s’mund të qëndrojë as me një këmbë, as me dy këmbë, por me tre këmbë, dhe besoj se për këto tre shtylla kemi nevojë më shumë në Shqipëri. Vërtet ndodhin gjëra dekurajuese: ti ndërton, dikush shkatërron, ti ndërton, dikush thyen, ti ndërton, dikush prish. Por, kur shikoj fëmijët që janë këtu sot, e jo vetëm këtu, por në të gjithë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, më jep shumë shpresë fakti se po vjen një gjeneratë e re që e merr paqen seriozisht”, tha ai.

Në eventin “Daullet e Paqes”, organizuar me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Ambasadës Franceze në Tiranë dhe nxënësve të shkollës franko-shqiptare “Viktor Hygo”, fëmijët përcollën mesazhet e tyre, për një botë ku të mbizotërojë buzëqeshja e ku çdokush të ketë lirinë e të drejtat e tij. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi se edukimi dhe përgatitja e gjeneratës tjetër, jo vetëm brenda orës së mësimit, por edhe me aktivitete në komunitet, është shembulli më i mirë e frymëzues për atë çfarë duhet të jetë arsimi sot.

“Kur shoh fëmijët e shkollës suaj që mbjellin një pemë, mësoj disa gjëra: Së pari, kush mbjell pemë, kurrë nuk do ta këpusë një pemë, pavarësisht çfarë bindjesh politike kemi. Ai që mbjell një pemë, kurrë nuk do të pështyjë në tokë. Ai që mbjell një pemë, kurrë nuk do godasë shokun e vet. Ai që mbjell një pemë, kurrë nuk do të urinojë në rrugë. Ai që mbjell një pemë, kurrë nuk do të shkatërrojë pronën e përbashkët. Ndaj, dua t’ju falenderoj për jo vetëm çfarë mësoni brenda në klasë, por mbi të gjitha për ato parime, që frymëzuar edhe nga kultura franceze, i mbillni jashtë klasës”, tha ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.