Kreu Ditar Debatikasit dhanë një kontribut të madh në LANÇL

Debatikasit dhanë një kontribut të madh në LANÇL

207
0

-Me rastin e 77 vjetorit të krijimit të Debatikut-

Pas pushtimit të vendit nga fashistët dhe vendosja e rregjimit të terrorit u rrit shpirti i luftës kundër okupatorit fashist dhe tradhëtarëve të vendit që u bënë vegël e pushtuesit. Në këtë luftë nuk u përfshinë vetëm të rriturit, djem e vajza, por pas tyre rendën edhe fëmijët. Lufta që po zhvillohej nga populli kundër fashistëve çdo ditë, luftëtarët ndesheshin me egërsinë e fashistëve, të cilët vendosën kudo burgjet, torturat, vrasjet, internimet brenda vendit dhe në ishujt e Italisë. Ky terror ngjalli urrejtjen e madhe kundër milicisë fashiste dhe veglave të tyre. Fashistët dërgonin kudo spiuna për të vrarë djemtë e nënave që luftonin me trimëri ballë për ballë pa ju trembur syri dhe pa ju dridhur zëri.

Krijimi i PKSH e futi luftën NAÇl në stadin e organizimit më të mirë politico-organizativ e ushtarak. PKSH u kujdes që rinia të organizohesh dhe të orientohesh në këtë luftë për lirinë e Shqipërisë, prandaj më 23 Nëntor 1941, u krijua Organizata e Rinisë Komuniste Shqiptare, e cila u bë shtylla e LANÇ-t. Partia duke parë veprimtarinë revolucionare të mjaft fëmijëve nga 11-14 vjeç që ndihmonin partizanët në shpërndarjen e trakteve, thirrjeve për të luftuar okupatorin dhe marrjen e informacioneve për veprimtarinë e spiunëve dhe të xhandarëve, milicëve. Këta fëmijë me veprimtarinë e tyre shumë të guximshme, duke kaluar në hundët e xhandarmërisë, filluan aksionin për grisjen e flamujve fashistë, jepnin informata për veprimtarinë e spiunëve kundër partizanëve dhe komunistëv; sabotonin lëvizjen e makinave ushtarake duke u shpuar gomaty etj. Kjo bëri që PKSH, celulat dhe Qarkori i PKSH i Tiranës, të organizojë veprimtarinë e këtyre fëmijëve, duke formuar organizatën “Debatik” që do të thotë: “Djemtë e Bashkuar, anëtarë të idealeve komuniste”.

Më 10 Shkurt 1942, në Kodrat e Saukut, me iniciativën e PKSH, u krijua Organizata e fëmijëve të LANÇ-it “Debatik”. Ata bënë një botim solemn: “Ed: “Edhe ne do të luftojmë pushtuesit dhe tradhëtarët e vendit”.

Debatikasit nëpërmjet një organizatë të përsosur me drejtuesit trima si: Hamdi Sollaku, Skënder Begeja, Meriban Najdeni, Selman Vaqarri, Lemon Çoçoli, Jovan Andoni etj, vepronin si të rritur, të matur, me shkathtësi shpërndanin komunikata nën hundën e armiqve, kalonin nga një lagje në tjetrën me material propagandistike e letra secrete, por edhe me armë nga qyteti i Tiranës në pezë, në priskë, Petrelë e gjetkë. Mblidhin ndihma, veshmbathje e monedha, grumbullonin informacione mbi lëvizjen e armikut, merrnin pjesë në aksionet luftarake që kryenin njesitet guerile.

Shëmbulli dhe përvoja e ngritjes së organizatës “Debatik” në Tiranë u përhap me shpejtësi në tërë Shqipërinë, të cilat kryen një veprimtari të organizuar si në Tiranë. Gjithë kjo veprimtari e Debatikasve, nuk mund të kalohej lehtë. Spiunët e shumtë në shërbim të nazifashistëve binin në gjurmët e tyre. Kjo bëhej shkak që ata të largoheshin e të rreshtoheshin në formacionet partizane, ku treguan trimëri të rrallë siç janë:  Heroi i Popullit Met Hasa, i cili në moshën 15 vjeçare ra duke mbuluar me gjoksin e tij, mitrolozin e nazistëve, pasi asgjesoi mitralierët që po bënin kërdinë mbi shokët e batalionit; Çelo  Sinani, 16 vjeç ra heroikisht duke luftuar kundër armiqve mercenarë e fashistë; Ylbere Bilibashi 16 vjeçe, që ra heroikisht në Kodrat e Vokshit për Çlirimin e Junikut në Kosovë. Gjatë LANÇ-it, nga debatikasit ranë Dëshmorë të Atdheut mbi 80 vetë.

Po përmendim në këtë shkrim dhjetra Dëshmorë-Pionier që dhanë jetën për Çlirimin e Shqipërisë: Fiqiri Begeja, i cili priti me gjoksin e tij plukmbat e nazistëve në Prishtinë. Heroizmi i paparë i Antoneta Vretos përballë xhelatëve nazistë edhe pse e torturuan barbarisht, nuk tregoi asgjë përpara tyre. Po kështu, ranë heroikisht debatikasi: Ali Spahiu, Ahmet Godenca, Xheladin Hoxha, Agim Gjilani, Aleko Qirici, Jorgo Vogli, Rexhep Skënderi, Irfan Koxholli, Shaqir Oshafi, Qazim Alimehmeti, Osman Ademi, Aristidh Pano, Xhemal Zajmi, Osman Luga, Amali Qenami, Nadire Hysa etj.

Duke qenë se pionierët e organizatës së Debatikut, apo siç u quajt e Pionierit, dhanë një kontribut të vyer gjatë LANÇ, u këndua kënga e Pionierit:

Ndonëse i vogël jam/edhe pushkë nuk kam/fashizmit i bëj dëm,/sa një partizan…

Luftoj për Shqipëri,/me sa kam fuqi./s’trëmbem kurrë një herë,/jam Pionier… Pas Çlirimit, organizata e Pionierit luajti një rol mjaft të rëndësishëm në të gjitha shkollat 7-8 vjeçare duke mobilizuar nxënësit në mbarëvajtjen dhe rritjen cilësore të përvehtësimit të njohurive mësimore në shkollë. Pallatet e Pionierit apo Shtëpitë e Pionierit në qytetet kryesore të Shqipërisë, u bënë fidanishte për zhvillimin e talenteve të rinj.

Është nder i madh për brezin tonë të ri që të kujtoj 77 vjetorin e organizatës “Debatik” me respekt për kontributin që dhanë gjatë LANÇ-it duke sakrifikuar jetën e rininë e tyre për lirinë e Shqipërisë. Me këtë ideal për përparimin e vendit tonë, duhet të rritet brezi i ri, me dashurinë për vendin e tyre, kudo që të ndodhen në çdo vend të Botës.

Xhevdet Çelmeta

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.