Kreu Aktualitet Deklaratë e MPEJ mbi ngjarjet e fundit në Bularat

Deklaratë e MPEJ mbi ngjarjet e fundit në Bularat

562
0

Shfaqja e orkestruar si një provokim agresiv në Bularat, e cila e ktheu një ceremoni mortore në një manifestim sfidues ndaj rendit kushtetues, sigurisë e qetësisë publike të Republikës së Shqipërisë, me thirrje ekstremiste, nxitje të urrejtjes dhe thirrje për perçarje mes qytetarëve shqiptarë me kombësi shqiptare e greke, ishte e papranueshme për shtetin e për shoqërinë shqiptare e cila është një shoqëri e bashkëjetesës demokratike, ku minoritetet janë të mbrojtura me një ligj të standardeve më të larta evropiane dhe ku minoriteti grek është një pasuri e një urë e pazëvendësueshme fqinjësie të mirë me Greqinë mike.

Në mbrojte rendit kushtetues, sigurisë kombëtare, qetësisë publike dhe pacënueshmërisë në asnjë lloj forme të tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë, autoritetet shqiptare janë mbështetur në mekanizma terësisht ligjor për adresimin e problematikës së kësaj situate.

Në bashkëveprim ndërinstitucional dhe pas vlerësimit të kryer nga institucionet e specializuara, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i propozoi Ministrisë së Brendshme shpalljen non grata (person i padëshirueshëm në Shqipëri) të eurodeputetes qipriote  Eleni Theocharous.

Ministria e Brendshme referuar statusit politiko-diplomatik dhe angazhimit të saj në Parlamentin Evropian, pas vlerësimit dhe në mbështetje të propozimit të MEPJ, gjykuar në materialet referuese të administruara nga Ministria e Brendshme vendosi të miratojë kërkesën e MEPJ.

Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous.  Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cënimin e  rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare.

Mbështetur në procedurat diplomatike dhe konsullore, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë do të përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike vendimin për të ndaluar hyrjen e mëtejshme në Shqipëri të Eleni Theocharous.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur për të kontribuar vijimësisht për stabilitetin rajonal, për të bashkëpunuar ngushtësisht me fqinjët e partnerët ndërkombëtar, por është po ashtu e vendosur të mos tolerojë, për asnjë arsye shfaqje sfiduese ndaj rendit kushtetues, thirrje cënuese për tërësinë teritoriale dhe akte dëmtuese të harmonisë mes qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Greqia mike e populli i saj janë një aset shumë i vyer në kapitalin e miqësive tradicionale të Shqipërisë e të popullit shqiptar. Elemente apo grupe ekstremiste që në greqisht apo edhe në shqip, flasin një gjuhë të përbashkët urrejtjeje e përçarjeje, e cila nuk ka lidhje me gjuhën europiane që bashkon popujt e shtetet tona, s’do të kenë asnjë shans të minojnë rrugën tonë të përbashkët të paqes e të bashkëpunimit strategjik në funksion të së ardhmes që meritojnë fëmijët e sotëm të Shqipërisë e të Greqisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.