Kreu Ditar Dëshmori që luftoi kundër nazistëve gjermanë në Deçiç të Malit të Zi

Dëshmori që luftoi kundër nazistëve gjermanë në Deçiç të Malit të Zi

587
0

-Me rastin e 75 vjetorit të rënies

Ymer Kurti lindi në lagjen e Re të Ndroqit rrethi i Tiranës në vitin 1920 në një familje patriotike me origjinë fshatar i mesëm. Shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, Ndroq me rezultate mjaft të mira dhe vazhdoi shkollën “Normale” të Elbasanit, të cilën e ndërpreu për arsye shëndetësore në vitin e fundit.Pas u kthye në shtëpi, ai u muar me problemet e ekonomisë bujqësore për të siguruar bukën e gojës.Gjatë regjimit antipopullor të Zogut, familja e tij u pesekutua barbarisht duke e tortuaruar, burgosur dhe internuar në Shkodër familjarisht, sepse Beqiri, i vëllai i Ymerit ishte martuar me Sabrien, e cila ishte motra e Myslim Pezës, i cili kishte dalë kaçak dhe xhandarmëria zogiste kërkonte për ta kapur. Pushtimin fashist të vendit nga Italia fashiste më 7 Prill1939, Ymeri si gjithë populli shqiptar, e priti me indinjatë, por me që populli u tradhëtua nga Zogu, nuk krijuan kushtet për ta pritur këtë pushtues me armë.

Në vitin 1940-1941, mobilizohet ushtar dhe dërgohet në frontin e luftës Italo-Greke. Aty Ymeri hyri në lidhje me ushtarët e tjerë shqiptar, kuptojnë se kjo luftë ishte e padrejtë dhe së bashku me shokët e repartit largohen duke marrë edhe armët personale të tyre. Ai vjen në Ndroq në mënyrë ilegale, ndryshe e priste gjyqi ushtarak për dezertim. Pasi qëndroi disa ditë në shtëpi, por ky qëndrim ishte i pamundur se kërkohej nga autoritetet fashiste. Prandaj shkoi në Pezë dhe mori takim me Babë Myslimin dhe kërkoi të bëhej efektiv i Çetës së Pezës.Baba e pranoi me kënaqësi dhe Ymeri që nga ajo ditë nuk u shkëput asnjë moment nga çeta.

Babë Myslimi kujton për Ymer Kurtin: “Ka qenë djal i shkathët, trim e i zgjuar. E mbaja afër se ishte me shkollë. Në fillim Ymeri dukej shumë i hedhur e ia pata frikën se mos bante ndonjë zarar. Por dalëngadalë ai u kalit e u burrërua”. (M.Peza: “Kur dhashë besën”, fq.66). Ymeri merr pjesë dhe lufton kundër xhandarmërisë fashiste-shqiptare më 16 Mars 1941. merr pjesë me çetën në përpjekjen që u bë në Shahinaj të Shijakut kundër xhandarmërisë së Shefqet Verlacit që ndiqte lëvizjen e Çetës së Babë Myslimit. Pastaj Ymeri bashkë me çetën kaloi në Çermë dhe më 21 Qershor 1941, dallohet në luftën e Ramushit ku u ndeshën me xhandarmërine shqiptaro-fashiste që ishte vënë në ndjekje të çetës për ra asgjesuar me çdo kusht, por dështuan me turp sa që 60 xhandarë mercenari dhanë dorëheqjen.Në takimin që bëri Komandanti i Përgjithshëm në Grebllesh me Babë Myslimin dhe pjestërët e çetës, këtu ishte edhe Ymer Kurti.

Në Konferencën e Pezës më 16 Shtator 1942, në mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e Konferencës, Kajo Karafili dhe Ymer Kurti ishin organizatorët kryesor që qëndruan në mbrojtje të saj, nga ndonjë sulm i papritur i xhandarmërisë fashiste, por asgjë nuk ndodhi. Konferenca i përfundoi punimet me sukses. Duke qëndruar gjithnjë me besnikëri të rrallë, Ymeri shërbeu edhe si sekretar dhe letërshkrues i Babë Myslimit. Ymeri ka luftuar vërtetë si luan në përpjekjet që janë bërë në Qafën e Belbës, Peqin, Kavajë, Shijak etj.Në këto luftime, Ymeri` plagoset dhe dërgohet në Tiranë në fshehtësi të plotë, kurohet dhe kthehet përsëri në çetë. Në të gjitha luftimet që u bënë në vitet 1941, 1943, 1944, u dallua për aftësi drejtuese dhe në çdo betejë qe një luftëtar sypatrembur.Në vitin 1943, pranohet anëtar i PKSH, i cili e mbajti me nder deri në fund të jetës së tij.

Me krijimin e Brigadës së 22-të S në 18 Shtator 1944, Ymeri bëhet efektiv i saj dhe emërohet zv/komandant i batalionit të IV-t. Mori pjesë në luftime shumë të ashpra për çlirimin e Mirditës, Pukës, Shkodrës dhe në përbërjen  e Divizionit të 6-të të UNÇSH, luftoi jashtë kufijve të Shqipërisë në çlirimin e popujve të Jugosllavisë nga bisha naziste gjermane dhe bandat çetnike që ishin bashkuar me nazistët gjermanë.

Përleshja në Malin e Deçiçit

Deçiç! Emër për të gjithë popullin e këtyre anëve do të thotë vend i paepur. Pleqtë thoshin se ushtria që ka pasur në dorë Deçiçin, ka sunduar në këto anë.Prandaj armiku e ka forcuar dhe e mban me çdo kusht. Partizanët e Brigadës 22-të S, e sulmuan disa herë Deçiçin. Luftimet vazhduan disa orë. Gumzhinin automatikët e me të rrallë zjarri ndërpritej nga tëdy palët. Pas krismave të armëve, nga tëdy anët, dëgjoheshin zëra në gjuhë të ndryshme. Partizanët shtriheshin në tokë e fshiheshin prapa gurëve. Nuk guxonte njeri në ato çaste të nxirrte kokën, se të qethte  mitrolozi. Pastaj sundonte errësira e kur filloi të çelte mëngjesi, partizanët e brigadës ishin futur në llogoret e armikut. Ngado, në majen e Deçiçit, pëllcisnin bombat e artilerisë dhe të mortajave. Kur pa se partizanët hypën në majën e Deçiçit, armiku lëshoi mbi ta një zjarr të fortë artilerie, duke goditur edhe ushtarët e tij.Aeroplanet, si sorra të uritura, qëndronin mbi kokë, silleshin si skifterët për të diktuar gjahun, e pastaj, uleshin e mitrolonin. Partizanët përkuleshin që mos t’i zinin copat, binin barkas, që t’u shpëtonin po ecnin papushim përpara.

Në lartësinë 459 metër, është ndërtuar një kala e lashtë në krahinën e Grudës. Sa e sa herë rrotull kalasë, shqiptarët kanë luftuar! Sa e sa herë ata derdhën gjak për të marrë në dorë këtë fortesë! Sa e sa trima të Ded Gjo Lulit vdiqën përpara mureve të saj, për të vendosur aty flamurin shqiptar! E, sot, flamuri ynë u prin në ballë partizanëve. Ai i shpalosur përmes zjarrit e hekurit, u vendos në këtë lartësi nga dora e çelniktë e djaloshit Ymer Kurti, i cili duke i thirrur shokëve: “Përpara!” Nëpërmes tymit e flakës, u ngjit ne majë dhe ngriti flamurin luftarak të Brigadës. Djaloshi nga Peza shtërngonte fort me njërën dorë shtizën e flamurit dje me dorën tjetër plagën e hapur për vdekje nga një plumb armik. Ja si shkruan një komandant batalioni në ditarin e tij për Ymer Kurtin: “Sot erdhi nga Tirana – Beqiri, i vëllai i shokut tonë të vrarë, Ymer Kurti që ishte nënkomandant batalioni. Ymer Kurti ishte një nga shokët më të vjetër në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai një djalë fshatari nga Ndroqi i Tiranës, kur ishte ushtar i ushtrisë fashiste italiane e ndjeu detyrën e rëndësishme që kishte kundrejt popullit e atdheut të tij dhe menjëherë dezertoi nga ushtria dhe me pushkë në krah shoji në Pezë, kunë atë kohë kishte vetëm një çetë të vogël.

Ymer Kurti ishte një i ri që s’pushonte kurrë së foluri me vellezërit e tij katundare, duke u treguar atyre luftën që ne benim, i siguronte ata se me gjakun që derdhnim do t’i falnim popullit lirinë, atë që nuk mund të blihet kurrë, lirinë që ka ëndërruar me shekuj brez pas brezi populli ynë. Po ja dora gjakatare e vrau. Ymeri u nda nga ne…Vdiq si trimat, në ballë të batalionit që komandonte, bashkë me 14 partizane të tjerë.Gjaku i tyre i njomi tokat përtej kufirit, ku banojnë vëllezërit tanë shqiptarë. Sa herë e kisha dëgjuar Ymerin t’u thoshte partizanëve të batalionit të tij: “Shokë! Shqipëria u çlirua, por armiku që na shkeli vendin, që na dogji e na shkatërroi, që torturoi e vrau mijëra vëllezër e motra tona, është akoma gjallë. T’u tregojmë sot fqinjëve tanë se shqiptari nuk e ka zakon të rrijë duarkryq kur fqinji i shtëpisë përleshet me armikun”.

Ymeri qe i pari që u betua se do ta ndiqte armikun kudo që do të shkonte dhe e ndoqi këmba-këmbës. Po një plumb e goditi dhe Ymeri vdiq. Ai vdiq me buzën në gaz, atje në majat e Malit te Zi, duke ditur se shokët e tij do t’ia merrnin hakun.

Ata e përcollën kufomën e Ymer Kurtit të heshtur. Heshtja e tyre duket si një – thirrje qëna flet për hakmarrje mbi armikun. Përcjelljen ja bëmë ashtu si e meritonte. Çdo batalion kishte bërë nga një kurore dhe Shtabi i Brigadës kurorë më vete. Trupin ja mbuluam me flamurë. Shumë shokë folen për Ymerin. Duke shtërnguar fort në duar pushkën, ata betoheshin se do tia merrnin hakun! Shqiptarët e Grudës, që u ndoshën aty, derdhën lot. Pata rastin të flas vetëm një herë me vëllain e Ymerit. Qëndronte ashtu sikur u ka hije shqiptareve, që e falin një pjestar të familjes së tyre për ideal.

Për kontributin e dhënë në LANÇ, pas Çlirimit i është dhënë titulli Dëshmor i LANC-it.Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor është dekoruar me urdhra e mendalje të LANÇ-it. Në vitin 2003 nga Presidenti i është dhënë Urdhëri i “Shqiponjës së Artë”. Një shkollë dhe një rruge, mbajnë emrin “Ymer Kurti”.

Ja disa vargje shkruar për Dëshmorin Ymer Sadi Kurti: Ymer Kurti, Mer Nanjaku,/gjithmonë n’ballë, ku derdhej gjaku./Rrit nga Sada e Minushi,/për Shqipni digjej si prushi… /Katër vjet me pushkë n’dor luftoi,/heroikisht jetën dhuroi,/ra për Kosovën e Shqipnin,/që donte me i dhanë lirinë. N’Deçiç t’Tuzit e dha jetën,/se luftonte për t’vërtetën,/amanet la ndër partizanë,/t’vazhdoni drejt Kosovës tanë…

Lavdi të përjetshme Dëshmorit Ymer Kurti!

Xhevdet Çelmeta

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.