Kreu Aktualitet Do përmbushim rekomandimin e Bashkimit Europian për reformën zgjedhore

Do përmbushim rekomandimin e Bashkimit Europian për reformën zgjedhore

82
0

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare

Debati për sistemin është një debat që nuk ka fund dhe nuk ka për të pasur kurrë fund, jo në Shqipëri, por askund. E vërteta është që me sistemin që kemi zgjedhur, pavarësisht sesi është dëshiruar të interpretohet dhe të komentohet lartë e poshtë nga të interesuarit, për të justifikuar humbjet e tyre, apo axhendat e tyre mediatike, kemi sot një parlament që nuk do ta kishim kurrë me sistemin e kaluar. Pse?

Mjafton të shikojmë numrin e grave në Parlament dhe me gjithë respektin për sa mund të thuhet me të drejtë për disa avantazhe të një sistemi që kalon drejtpërdrejtë nga zgjedhja mazhoritare, mos harrojmë që nuk ishte 80 vjet përpara, ishte vetëm 10-15 vjet përpara, kur Parlamenti kishte 2-3 gra. Është fakt që me këtë sistem, ne kemi krijuar kushte për të pasur një zgjedhje shumë më përfaqësuese të shoqërisë dhe jo thjesht për t’u lidhur pas individësh që mund të realizojnë marrjen e mandatit në një zonë, apo në një zone tjetër, por që nuk garantojnë kurrsesi, të paktën në këtë fazë zhvillimi të vendit tonë, një përfaqësim të larmishëm dhe shumë më pranë ngjyrave të vetë shoqërisë. Ky është fakt.

Këtë mund ta dëshmojnë me siguri, në radhë të parë të gjitha zonjat që janë këtu në Parlament, por besoj dhe çdokush që ka një eksperiencë me jetën parlamentare në Shqipëri dhe me zhvillimet e Parlamentit, mund të bëjë lehtësisht krahasimin mes së sotmes dhe të djeshmes.

Parlamenti i Shqipërisë është vendosur në shënjestër, është baltosur, është anatemuar, është përqeshur e kështu me radhë, për 1001 arsye, por e vërteta është, sikundër treguan edhe faktet, se gjithë ajo baltë, në pjesën e saj më të madhe ishte thjeshtë një propagandë. Patjetër që edhe problematikat që janë bërë shkas për të ngritur të gjithë prodhimin e baltës, nuk është se kanë qenë inekzistente, por unë do t’ju lutesha shumë që sidoqoftë të mbajmë gjithmonë parasysh dinamikën e zhvillimit, të mbajmë parasysh shoqërinë ku jetojmë, të mbajmë parasysh nga vijmë dhe sigurisht të mos heqim dorë së pasuri në sy, horizontin ku duam të shkojmë.

Përsëri sot jemi në një të enjte interesante. Ata që dolën që këtu janë tek dera. Është e mërkurë, por është gjithmonë e enjte kur ka Parlament, se ngaqë kam humbur shumë të enjte këtu, kot, me kolegët tuaj të nderuar dhe me kryetarët e partive tuaja, mos bëni sikur këtu, ju nuk keni lidhje me ata, jeni njësoj si ata, por me ndryshimin që tani jeni akoma në fazën e ambientimit, por shumë shpejt pres që edhe ju të jeni në lartësinë e pritshmërive të tyre, kur ju kanë futur nëpër lista. Kështu që ata ju anatemojnë juve se janë xhelozë për ju, se dolët më të zgjuar se ata. Ata dolën jashtë dhe tani duan të futen brenda. Kjo është gjëja më e çuditshme. Ikën vetë, tani shtyjnë policët që të futen prapë.

Pyetja që duhet bërë, për të shpjeguar dhe për të ndarë edhe me njerëzit këtë absurd, është, pse dolën ata nga Parlamenti?

Ata dolën nga Parlamenti, sepse pasi ju mbaruan llafet, ju mbaruan edhe vezët, ju mbaroi edhe boja dhe bojëdalë tërësisht zgjodhën të ikin në rrugë, me idenë që në rrugë do marrin zvarrë gjithë Shqipërinë, do marrin zvarrë Parlamentin, do marrin zvarrë edhe axhendën europiane të Shqipërisë.

Dolën në rrugë, sepse janë mësuar të fitojnë pa qenë shumicë.

Ju kujtoj që as në 2005, as në 2009 nuk keni qenë shumicë, kështu që, duke qenë se u mësuan të fitojnë pa qenë shumicë dhe meqë duke bërë një gjë të ngjashme dy vjet përpara, morën gjysmën e qeverisë, tani thonë po ikim fare dhe po marrim komplet qeverinë. Besojnë se kështu do ta përsërisin në një shkallë më të lartë suksesi historinë e vitit 2017, por, pikërisht, pse në 2017-n ju dhamë atyre mundësinë, ju dhamë juve – dhe ju bashkë me ata jeni, – mundësinë që të rifuteni në lojë, nuk do t’jua japim më këtë mundësi, atyre në këtë rast. Sepse ata morën atë që deshën, por nuk bënë atë për të cilën u zotuan.

E konkretisht, kryetari juaj, pavarësisht se Zoti Murizi, këtu e mohon, është kryetari i Zotit Murizi, – është miku im, por është kryetari yt, – Lulzim Basha mori zotimin që përkundër Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë së OSHEE-së, Drejtorisë së ALUIZNI-t, drejtorisë së Legalizimeve, drejtorisë së Burgjeve dhe ku di unë çfarë tjetër, thjeshtë dhe vetëm do pranonte verdiktin e sovranit dhe kush do të fitonte, do të qeveriste, kush do humbte, do rrinte në opozitë e jo më bojë e zezë për Shqipërinë në gjuhë të huaj.

Kaq i kërkuam ne, nuk kërkuam më shumë.

I dhamë gjysmën e qeverisë dhe kanë humbur zgjedhjet me qeverinë tuaj, të përbashkët.

A ka një shqiptar që e ka ndjekur politikën qoftë dhe një ditë, që mund të besojë se ne që mundëm Saliun, me gjithë ata që sot janë dëshmorë të reformimit të PD-së së Lulzimit, kur Saliu kishte shtetin, kur i përdorte të gjithë mekanizmat e shtetit si hordhi dhe kur ne nuk nxirrnim dot votën tonë nga kutia, pa bërë 1001 peripeci, u dashka të blejmë vota për të mundur Lulin?!

E mundëm Saliun, me gjithë shtetin e tij, në 2007-n. E mundëm në 2011-n. Nuk po e llogaris 2009-n, po e quaj fitore pa shumicë, sepse nuk mori shumicën, por përfitoi patericën dhe u mbajt në këmbë. E mundëm në 2013-n dhe pastaj sigurisht që do ta mundim.

Si mundëm Saliun, me të gjithë ata me radhë, me Jozefinën dhe me Ridvan Boden, e nuk mundkemi dot Lulin, me Gaz Salianjin dhe me Ervin Dumën!

A jeni në vete apo jo? Kush i beson këto?

Kujt ia thonë këta, që po ju vjedhin votat? Kujt ia thonë këta, që vota nuk është e lirë për sa kohë që ne jemi këtu.

Jo, për sa kohë që jemi ne këtu, nuk ka shans që ata të fitojnë, kjo është e vërteta dhe dolën atje sepse menduan dhe vazhdojnë të mendojnë që ndërkombëtarët do vijë një moment dhe do lodhen dhe siç kanë bërë gjithmonë, do vijnë e do thonë “tani, djema zgjidheni”.

Kanë filluar të artikulojnë idenë e ilegjitimitetit të deputetëve që i kanë sjellë po vetë këtu. Ju keni ardhur me vullnetin tuaj të lirë, por në listat e tyre jeni. Ju kanë vënë ata në listë të gjithëve, nga i pari tek i fundit, keni bërë dhe fushatë të gjithë. Është puna juaj dhe e tyre sesi e shihni sot njëri-tjetrin, por ajo që ata kërkojnë sot, është të gjendet një zgjidhje që të rihapet rruga që ata të kthehen prapë.

Po e them sot këtu, nuk kemi për t’i hapur rrugë kurrë kësaj zgjidhjeje. Ata që ikën dhe që braktisën detyrën dhe shkelën me këmbë të drejtën e atyre që i votuan për t’i përfaqësuar, nuk kanë për t’u kthyer këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe përmes asnjë lloj dialogu që të çon në një pazar të kësaj natyre. Kjo nuk ka për të ndodhur.

E dyta, zgjedhje të parakohshme, se tani na ka mbetur fallxhorja pa rrogë, nuk ka. Të vazhdojë të hedhë fall dhe në atë zonë atje ku ka nevojë dhe për shumë shpresë, falli paguhet dhe të shkojnë të paguajnë filxhan për filxhan dhe të mbajnë në këmbë frymën e revolucionit të filxhanit, por këtu jo.

Që të kthehemi tek reforma zgjedhore, që të jemi shumë të qartë, nuk e kemi futur ne reformën zgjedhore si kusht për një proces skanimi të plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë, në raport me integrimin dhe për çeljen e negociatave. E kanë futur ata dhe miqtë e tyre në Berlin, në partitë simotra në Berlin dhe ne e kemi mirëpritur.

Pse e kemi mirëpritur?

Unë personalisht dhe të gjithë ne, për të njëjtën arsye që nënvizoi këtu zoti Murrizi gjatë fjalës së tij, për t’i dhënë fund administratës zgjedhore politike, administratës zgjedhore të përfaqësuesve të partive dhe për ta kthyer administratën zgjedhore në një administrate të depolitizuar, që i shërben vetëm procesit dhe që respekton ligjin. Nëse një militant i verbër është në gjendje të shkojë dhe t’i bjeri me kokë derës së Kryeministrisë, është në gjendje të hedhë bojë mbi murin e Ministrisë së Brendshme, është në gjendje të shkojë të bëjë burg për llogari të atyre që e shtyjnë në atë rrugë, sepse e gjejnë qorr, bën edhe tjetrën, shkon në Komision Zgjedhor dhe shkel ligjin. Ndërkohë që një mësues, apo një çfarëdo qoftë punonjës i këtij shteti që zgjidhet në forma që bota i ka zgjidhur me short, apo me çfarëdo qoftë, kur shkon në komision të votimit nuk shkon të lërë lëkurën atje për cilëndo parti. Nuk shkon as të mbushë kutinë, as të zbrazë kutinë për llogari të asnjë kryetari partie dhe të asnjë partie.

Në këtë pikë, ne kemi qenë qysh në krye të herës të dëshiruar për ta kaluar këtë fazë barbarie politike dhe jemi gati ta bëjmë këtë gjë. Ky është rekomandim bazë i OSBE/ODIHR-it. Po ashtu jemi gati për të gjitha rekomandimet e tjera, të cilat sigurisht nuk zgjidhin problemin e besimit, apo të mosbesimit për 1001 arsye të tjera, sepse nuk është shpikur akoma një sistem zgjedhor që t’i japë pakicës shumicën, nuk është shpikur akoma një sistem zgjedhor që t’i japë Lulzim Bashën pushtetin në tavolinë, apo pa e fituar në zemrat dhe në votat e njerëzve. Ndërkohë ne kemi një qasje tonën dhe ne do ta bëjmë këtë, votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Duan, s’duan ata, ne do ta bëjmë këtë.

Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe diçka tjetër, që nuk është qasja jonë dhe nuk është diçka që unë, p.sh., personalisht e shoh me optimizëm, por, sidoqoftë, për shkak se iu kanë rokanisur kokën shqiptarëve, iu kanë rokanisur kokën ndërkombëtarëve, “votimi elektronik”, “numërimi elektronik”, ne i kemi bërë testet dhe jemi gati të provojmë të ecim në atë rrugë, që të fusim teknologjinë offline, jo online, në votim.

Këto të dyja, – njëra është pjellë e çadrës dhe tjetra është nevojë e kohës, të cilës madje i ka kaluar koha, për të futur votën e emigrantëve, – nuk janë në rekomandimet e ODIHR-it, ne jemi gati t’i fusim.

Qasja e zgjedhur nga Sekretari ynë për Çështjet Zgjedhore dhe propozimi i tij për të përfshirë Partinë Demokratike, – flasim për Partinë Demokratike ekstraparlamentare, jo për Partinë Demokratike parlamentare, që është këtu, – në Komision, me një karrige dhe me të drejtën për të kontribuuar dhe për të dhënë opinionin e vet, është vullnet i mirë nga ana jonë, për të krijuar hapësirë që të përfundojë i vetmi proces që ne kemi bashkë me ta, me të gjithë partitë politike shqiptare, po të doni, jo vetëm me ata, procesi i rregullave të lojës. Reforma Zgjedhore përcakton rregullat e lojës. Ligji i zgjedhjeve është rregullorja mbi bazë të të cilit forcat hyjnë në fushë dhe zhvillojnë konkurrencën e tyre. I vetmi rast dhe e vetmja pikë ku ne jemi gati të ulemi me ta, të diskutojmë, të dëgjojmë, të pranojmë sugjerime brenda kornizës së përcaktuar nga OSBE/ODIHR-i. Për të tjera çështje, ne jemi gati të diskutojmë.

Ju e keni të drejtën e pjesëmarrjes në Kuvend. Normalisht mund të ishim ne që të kishim shqetësim se bëheni shumicë. Nuk është i barabartë Komisioni. Ata nuk marrin një karrige që i takon grupeve tuaja parlamentare. Ju do keni pjesën tuaj dhe komisionet zgjedhore janë të barabarta, kështu që i bie të jeni shumicë, se ju u ndatë sot, bashkoheni nesër. Ku do shkoni? Atë punë keni ju.

Ndërsa ne jemi njëra anë tjetër e pangjitshme me ju, nuk ngjitemi dot. Kështu që duhet të qaheshim ne për këtë, jo ju. Ata kanë një karrige që e kanë aty të lirë ta përdorin. Do vijnë, s’do vijnë, është puna e tyre. Ne nuk do i presim ata në pafundësi. Ne do t’iu japim atyre mundësi që të vijnë dhe të kontribuojnë për të vetmen pikë ku ne kemi një arsye të ulemi dhe të dialogojmë. Asgjë tjetër nuk kemi ne me ta, zero.

Bashkërisht, këtu me ju do diskutojmë edhe përfshirjen në Kodin Penal të masave të reja për shitjen dhe blerjen e votës. S’kemi çfarë iu kërkojmë dhe çfarë pyesim ata për këtë punë. Kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë. Nuk është ideja që sëbashku me ta, ne të bëjmë asgjë tjetër përveçse kaq, kornizën e përcaktuar nga rekomandimi i Këshillit Europian në dokumentin e konkluzioneve, pasi u lobua pafund dhe iu rokanis koka pafund miqve të tyre në familjen e Partive Popullore, që “duam reformë zgjedhore”. E vërteta është që as nuk kanë ardhur të thonë, si e mendojnë këtë reformë zgjedhore, megjithatë, ne do t’i presim për aq kohë sa pret puna. Nëse nga ana e Komisionit Europian nga ana e Bashkimit Europian do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar këtu, përpara sesa të merret vendimi për çeljen e negociatave, sepse është i shkruar në tekst, ne do ta kalojmë këtu dhe do t’i referohemi vetëm rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pa përfshirë elementët e tjerë.

Sigurisht do të jetë një kalim që nuk vlen për këto zgjedhje vendore. S’ka se si të vlejë. Nuk mund të fusin depolitizimin e administratës në këto zgjedhje vendore, sepse ajo do një organizim total dhe duhet të ishte bërë jo thjesht sepse e thotë ligji, 6 muaj përpara zgjedhjeve, por duhet të ishte bërë për arsye organizative. Asgjë tjetër, vetëm kornizën e OSBE/ODIHR-it dhe me deklarimin e qartë, sot e në vazhdimësi, që për ne është kantier i hapur Reforma Zgjedhore dhe ne do t’i rikthehemi përsëri për votën e emigrantëve dhe me ju jemi gati të diskutojmë çdo aspekt tjetër. Ligji nuk është i shkruar në gur dhe nuk lëviz. Nëse ka argumente, nëse ka mirëkuptim, nëse ka arsye për të riparë dhe aspekte të tjera, ne jemi të hapur.

Ndërsa lidhur me atë karrigen e tyre, karrigia e tyre vlen vetëm për kaq, për asgjë tjetër. Karrigia e tyre është me afat, nuk është pa afat. Ata mund të kenë akoma shpresë që këtu do vijnë nga qielli negociatorë dhe do na ulin në tavolinë e do na thonë, “hë, tani djema, si do ta normalizoni këtë punë?”

Ka vetëm një normalizim të mundshëm, të nevojshëm, të domosdoshëm, mbyllja e kapitullit, 30 vjet, “unë po iki, po s’më thirre”; “unë s’rri, po s’më dhe atë dua”; “unë po bëj këtë, po s’më bëre atë”.

Ky kapitull do mbyllet tani!

Është koha për ta mbyllur.

Çdo parti politike kur vjen në Kuvend duhet ta mendojë mirë, vjen në opozitë, është në opozitë. Nuk ka xinxri-finxri, jo jam në opozitë, po e dua pushtetin të nesërmen e betimit, se dua zgjedhje të parakohshme. Ato mund të bëhen për propagandë, por nuk mund të bëhen me metoda kërcënimi, me metoda shantazhimi, me metoda bllokimi.

Ata mund ta bllokojnë edhe çeljen e negociatave. Ata po e dëmtojnë edhe ekonominë, edhe sezonin turistik, edhe imazhin e Shqipërisë, të gjitha po i bëjnë. Është përgjegjësia e tyre. Turpin le ta mbajnë vetë. Një gjë duhet ta kenë shumë të qartë, Partia Socialiste e Shqipërisë e ka mision historik sot, të mbyllë këtë kapitull të gjatë zvarritjesh në histori; “jo, po ulemi”, “jo, po negociojmë”, “të vijë mediatori”, “të thërrasim këtë, apo të marrim dy ambasadorë”. Nuk ka më të tilla. Ka Kushtetutë. Ka ligj. Ka mandat.

Ne nuk e kemi marrë mandatin për ta negociuar përpara sesa të vijnë zgjedhjet e vitit 2021. Ka, s’ka zgjedhje të parakohshme, këtë gjë kurrë nuk mund ta përcaktojë shantazhi, kërcënimi dhe asnjë lloj negocimi, zero. Kjo është pjesë e mënyrës sesi ndërtohen strategjitë e brendshme, por kjo është thjesht dhe vetëm vullnet i njëanshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në rast se do të gjykojmë ne, por jo për shkak të tyre.

I kemi mundur, edhe juve bashkë me ata, ju kemi mundur, do t’ju mundim përsëri. Mblidheni mendjen mirë. Do t’ju mundim më thellë. Kështu që bëni mirë të ndaheni një orë e më parë nga ata, jo thjesht kush është brenda, kush është jashtë, por t’i jepni Shqipërisë një mundësi tjetër, që të ketë një zgjedhje tjetër, se ato dy siglat ne do t’i çojmë për skrap.

* * *

Më nxore mallin e atyre që na lanë, me atë “18 trafikantët”. Ti në fakt e ule me një, se ata thonë 19. Ai është numri i fiksuar dhe është një numër që e keni sajuar vetë atje te SHQUP-i, e keni përsëritur vetë pa pushim, e keni shpërndarë pafund nëpërmjet kazanxhinjve dhe qimkadrinjve tuaj dhe tani përsëri e vazhdoni.

Nga i gjithë procesi i të ashtuquajturit dekriminalizim në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, në mandatin e shkuar ka pasur vetëm një person të vetëm, me një dënim në të shkuarën, që e prekte ligji, as edhe një tjetër. Ka pasur dhe 2 raste të tjera, një që i takon grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe një tjetër më parë, që janë përfshirë në procese të natyrës penale, jo për të shkuarën, jo për dekriminalizimin, por për akte të kryera gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës së deputetit. Ku janë këta 18 e 19?

Ja ku janë këtu!

Është e pavërtetë!

Grupi ynë parlamentar është një grup, i cili harmonizon të gjitha shtresat përfaqësuese të të gjithë territorit të Shqipërisë. E kam thënë njëmijë herë, si në çdo grup parlamentar ka deputetë që janë aktivë në Parlament, ka deputetë që vijnë nga territore dhe që kanë fuqi të madhe përfaqësimi në territore dhe prandaj nuk janë aktivë në foltoren e Parlamentit dhe nuk mund t’i gjykojë dot as Andi Kadriu, as Kadri Lubonja as Yll Kadri Kadriu, se këta janë ata që, me demek, mbajnë flamurin e intelektualizmit të kazanit.

Ralf, përsa të përket ty, unë me ty kam një ndjenjë solidariteti se jemi dy viktima të shoqatës për mbrojtje nga boja. Ti pate fat se more bojë të bukur, bojë të kuqe, që për fat të keq është e vetmja bojë që përdor doktoresha e shkencave horoskopike, se thonë që filxhani shihet më mirë kur i hidhet pak e kuqe, se ngrihen shejtanët përpjetë dhe sheh se kush është shejtani më i madh. Unë e mora të zezë se është boja e partisë së Myslimit, e zezë dhe ata nuk shohin gjë tjetër. Ata shohin bardh e zi. Zi dhe bardh.

Kështu që mos u shqetëso për shëndetin e Presidentin. “Junta” i uroi shëndet paç Zoti President, në kor mu në bulevard. Presidenti u lehtësua nga ajo barrë. Shih pjesën tënde të Presidentit. Kur Presidenti të thotë ilegjitim, mos u merr me kë ishim ne në krevat, por shiko pse ta thotë ai ty.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.