Kreu Aktualitet Festat Lokale 2019

Festat Lokale 2019

257
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Ishull Lezhë, ku u prezantua kalendari i aktiviteteve kulturore dhe festave lokale për sezonin turistik 2019:

Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë faleminderit mikpritësit në këtë pikë të njohur të hartës turistike të Shqipërisë prej shumë e shumë kohësh dhe të fshirë nga harta për një periudhë jo të vogël, për shkaqe që dihen, por të rikthyer në hartë, së fundmi, falë pasionit dhe vullnetit të njerëzve që na kanë mikpritur sot.

100 vite më parë, turizmi në Shqipëri ishte një fenomen i rrallë. Megjithatë, Shqipëria e vitit 1920 kishte një kalendar aktivitetesh dhe atraksionesh që i ofroheshin atyre shumë pak të huajve që rruga i sillte këtej, apo që guxonin të vinin këtej për ta eksploruar vendin tonë. Ishte një lloj manuali, i përbërë nga banjat termale të Durrësit, apo të Pogradecit, diçka nga qyteti i Korçës, mali i Dajtit, Thethi, llixhat e Elbasanit, apo të Krujës, sëbashku me 27 hotelet e vetme që në atë kohë gjendeshin në të gjithë territorin, por edhe me festat dhe aktivitetet lokale që ndodhnin në këto treva. Turizmi në atë kohë ishte një aktivitet shumë margjinal, krejt pa influencë në ekonominë e vendit, por, sidoqoftë, sensi i potencialit të tij dhe aftësia për të mbledhur gjithçka që ishte e mundur të koleksionohej në një kalendar për çdo vizitor të mundshëm ishin aty.

Pastaj dihet si shkuan gjërat pas luftës dhe dihet se si vazhduan pas ndryshimit të sistemeve, në një periudhë zhvillimi kaotik dhe me një fuqi dëmtuese të jashtëzakonshme për bukuritë dhe për shumë zona të mrekullueshme, ku potenciali turisti ishte i jashtëzakonshëm.

Megjithëse është dëmtuar shumë në të gjitha ato vite, por, sidoqoftë, ka shumë më tepër për të zhvilluar me kujdes dhe për të mos lejuar të vazhdojnë gabimet e të shkuarës, ashtu sikundër është me rendësi të veçantë, që, tanimë, paralelisht me të gjithë përpjekjet që bëhen dhe që shtohen nga ana e operatorëve turistikë, – disa prej tyre janë dhe këtu, kanë arritur nivele profesionalizmi të denja për tregun europian dhe faktikisht janë pjesë e tregut europian, bashkëpunojnë me operatorët më të mëdhenj turistikë europianë – dhe nga ana tjetër, përpjekjet që shtohen nga ana e sipërmarrësve, atyre që investojnë në turizëm dhe që i kanë kushtuar të gjithë kapacitetet e tyre aktivitetit ekonomik nga turizmi, një vlerë e shtuar është përpjekja e qeverisë për të bërë ndër të tjera, edhe punën që duhet që të rikthejmë një themel të humbur në rrënojat që solli harresa e pasluftës së mëtutje, duke ndërtuar kalendarin e aktiviteteve kulturore, artistike, lokale të traditës, si pjesë integrale e sezonit turistik.

Shqipëria është vërtetë një vend që ka detin, plazhet, malet dhe gjithçka tjetër që përbën korpusin e saj të bukurisë natyrore, por, tanimë, përditë e më shumë të gjithë po e kuptojnë se ndërtimi i një historie suksesi në turizëm nuk është kaq, është shumë më tepër se kaq. Krijimi i fuqisë tërheqëse për turistët është shumë më tepër, sesa ajo çfarë ofron korpusi natyror i vendit, lidhet pazgjidhshmërisht me historinë, me zakonet, me traditën, me elementë që i janë mbivendosur trupit të vendit si veshje, si xhevahire, si stoli dhe që janë një arsye shumë e fortë për ta eksploruar këtë trup.

Ne e nisëm këtë gjë vjet, me një lloj droje, sepse ishte një punë që nuk e njihnim, por, duke parë dhe mësuar nga eksperienca e të tjerëve dhe duke e kuptuar fare qartë që ishte një domosdoshmëri, e filluam dhe besoj që u bë një eksperiencë e parë nga e cila përfitoi aktiviteti turistik, por dhe ne mësuam, kuptuam dhe këtë vit vazhdojmë me shpresën që janë reflektuar si duhet, çka kemi mësuar. Njëkohësisht, me dëshirën që të kalojë mesazhi tek të tjerët, tek operatorët, te sipërmarrësi, te komunitetet, se ky është një kalendar që gjithmonë e më shumë duhet të jetë sinteza e aktiviteteve të vetëorganizuara dhe gjithmonë e më pak përmbledhja e aktiviteteve të organizuara nga lart.

Sigurisht, qeveria, ministritë përkatëse asnjëherë nuk do duhet të tërhiqen nga pjesëmarrja në këtë mori aktivitetesh, do të duhet të jenë aty për të garantuar mbështetjen e atyre aktiviteteve që pak nga pak do të spikasin nga shtyllat kryesore të të gjithë ngrehinës së kalendarit kulturor dhe artistik, por shtimi dhe pasurimi i këtij kalendari me aktivitete të vetëorganizuara në nivelin më të ulët, nga pikëpamja e fuqive të bashkuara të një komuniteti të vogël, pastaj në nivelin e bashkive, është një domosdoshmëri.

Kanë zgjedhur ta prezantojnë këtë kalendar këtu, në “Klubin e Gjuetarëve”, në Lezhë dhe me shume kënaqësi, ne mund t’i shërbejmë edhe promovimit të “Klubit të Gjuetarëve” që është i pari klub i këtij lloji i ndërtuar në Shqipëri në vitet ’30-të dhe pranë zonës së parë të mbrojtur me ligj në Shqipëri, që është zona ku jemi. Është një shëmbëlltyrë e bukur e mundësisë së harmonizimit të natyrës në një zonë të mbrojtur, me nevojën për të krijuar një moment pushimi, një vend ndenje, brenda në zonën e mbrojtur, me një cilësi absolutisht të veçantë dhe në harmoni të plotë me natyrën.

Besoj se ashtu sikundër na japin të drejtë, sot, numrat që vijnë në rritje, edhe shifrat e katër mujorit të parë të vitit, edhe shifrat e këtij muaji janë inkurajuese. Unë bisedova pak më parë me një nga “shtrigat” që organizojnë kapjen dhe sjelljen këtu të turistëve dhe po më thoshte se numri i turistëve nordikë, nga Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Suedia, këtë vit rritet me 20%. Ndërkohë që ai i turistëve polakë rritet me 40%. Pra, janë shifra që vijnë nga kontratat operatore, jo nga parashikimet optimiste. Ndërkohë që në muajin mars, ne patëm thuajse 10% më shumë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri dhe në muajin prill, pothuajse 10% më shumë.

Këto janë të dhëna kuptimplota dhe siç na dha të drejtë e siç po na japin të drejtë shifrat për kapacitetin e jashtëzakonshëm që ka si potencial për ekonominë, turizmi dhe për faktin se nxitja e tij është shumë më komplekse sesa rrëfimi i një vendi me det, ashtu jam i bindur se do të na japë të drejtë koha për vlerën e shtuar në rritjen e numrit të turistëve të këtij kalendari kulturor dhe artistik.

Na dha të drejtë koha për vlerën e shtuar të gjithë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane dhe për këtë mjafton të shikojmë se çfarë po ndodh sot në Korçë, çfarë ka filluar të ndodhë në Berat apo në Gjirokastër. Po marr 3 pika, për të mos u shtrirë më tutje, si nxitje zinxhir e iniciativave private, pas daljes në dritë të fytyrës së qytetit. Përditë çelen dyer bujtinash të vogla, përditë rritet numri i vizitorëve edhe jashtë sezonit. Jo më larg se sot, unë u interesova për një grup miqsh që kishin ardhur nga jashtë dhe donin të qëndronin në Berat dhe nuk kishte asnjë vend, me gjithë ndërhyrjen që i kërkova ministrit që është dhe deputet i Beratit, për të parë nëse do gjente ndonjë mundësi. Asnjë mundësi.

Më vjen shumë mirë ta them që, mesa duket për fat të mirë, deri tani, edhe kjo ububu-ja e krijuar artificialisht nuk ka ndikuar, madje mbase bëhemi një vend që ofrojmë dhe turizëm protestash. Mund të jetë një nga atraksionet, sepse, duke qenë se janë protesta me orare, me stacione të përcaktuara, me gjithë atë skenografinë e përgatitur si shfaqje për të impresionuar njerëzit nëpërmjet ekraneve dhe faktikisht mbeten në perimetra shumë të vegjël, fare mirë mund të përfshihen në kalendarin turistik, duke i ofruar vizitorëve  që të ndjekin një protestë, pavarësisht se pastaj do të marrin përsipër edhe atë “riskun” që të numërohen si protestues dhe të rritet artificialisht pjesëmarrja.

Më vjen shumë mirë po ashtu që kemi parë efektet pozitive të gjithë masave lehtësuese që kemi marrë nga pikëpamja e taksave, ulja e TVSH-së me 6% për hotelet besoj që është përfundimisht e konfirmuar si një histori suksesi, pavarësisht se kemi nevojë të biem dakord bashkërisht, se vërtetë e ulëm 6%, por nuk mund ta tolerojmë në të njëjtën kohë informalitetin sepse në emër të uljes dhe mundësisht zerimit të informalitetit u bë dhe ulja 6%. Sikundër nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që është humbur shumë kohë dhe ka qenë e pamundur të diskutohej Shqipëria me 5 yje siç po diskutohet intensivisht në këto 2-3 vitet e fundit se do të duhet ende kohë, por sidoqoftë, 5 yjet e para kanë filluar dhe nuk është thjesht 1, por janë disa që tanimë janë realitete. Janë realitete në kontrata dhe transformimet janë në ndodhje e sipër, ashtu sikundër edhe ka një sërë kërkesash që presin të trajtohen nga ana jonë.

Së fundmi, vetëm para pak ditësh, ne përfunduam procedurën jo të lehtë të negocimeve për të kontratuar aksin e ri Milot – Balldren që është edhe ai shumë i rëndësishëm për gjithë këtë zonë, ju e dinin vetë më mirë.

Procesi për rrugën Shëngjin – Velipojë ka nisur, është gjetur financimi siç e kemi thënë dhe besojmë që brenda pak muajsh pasi është një projekt që do ta financojmë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në mos gabohem, në nevojat proceduriale kërkon që edhe pak kohë të përgatitet gjithë dokumentacioni i nevojshëm për të zhvilluar garën.

Kështu që janë dy akse që sidoqoftë në pak vitet në vijim do të jenë realitet e do të lehtësojnë maksimalisht shumë nga ngarkesa dhe tensioni i krijuar për shkak të mungesës së lidhjeve të shpejta dhe të sigurta me këtë zonë dhe patjetër që do t’i japim Shëngjinit një frymëmarrje të re dhe mundësi shumë më të mëdha.

Do duhet të jemi të kujdesshëm dhe për këtë ne po punojmë intensivisht dhe së shpejti do të kemi një vendimmarrje të Këshillit Kombëtar të Territorit, lidhur me procedurën se si do të zhvillojmë më tutje zonën e bregdetit, jo vetëm këtë zonë, pasi për fat të keq kemi parë raste të mjaftueshme dhe të tepërta do thoja gabimi historik në raport me peizazhin në ndërtimin e strukturave hoteliere ashtu sikundër edhe shfaqje që nuk mund të justifikohen më papërgjegjshmërie në aspektin e dhënies së lejes për forma zhvillimi të cilat janë të papajtueshme me atë që normalisht duhet.

Ky objekt këtu është pasqyrë ku mund të vendosësh përballë gjithçka është ndërtuar më pas për të kuptuar çfarë është ndërtuar mirë dhe çfarë është ndërtuar keq.

Nëse kjo zonë do të ishte zhvilluar si këtu dhe në vend të atyre ngrehinave të larta dhe pa sens për një bregdet kaq të brishtë do ishte zgjedhur ky model, pa pikë diskutimi kjo do ishte një nga vijat më të frekuentuara nga niveli më i lartë i turistëve, në pikëpamje të shpenzimeve, sepse mund të ndërtosh një objekt dhe të shesësh dhomën me 50 euro, por në të njëjtën kohë mund të ndërtosh një objekt të vogël e të shesësh dhomën me 500 euro dhe është plotësisht e mundur. Në këtë drejtim, ne duhet të synojmë, sidomos në zonat e brishta, me bukuri të rrallë e të brishtë siç është një segment i kësaj zone këtu.

Ju falenderoj shumë edhe mbase u zgjata pak, por besoj që do të ma falni zgjatjen ose më saktë nuk do të ma vini re, se jeni mësuar që unë nuk flas shumë shkurt. Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.